Të veçanta

Palestina, një këndvështrim mbi lirinë njerëzore

·         Fenomenologjia dhe një historik i shkurtër i çështjes palestineze

                Në thelb të konfliktit izraelito-palestinez qëndron kauza e dy popullsive të ndryshme për të fituar lirinë e të jetuarit me të drejta të plota mbi një territor të përbashkët i cili konsiderohet prej të dyja palëve i shenjtë dhe mileniarist. Aktualisht populli hebre dominon në disa aspekte të kësaj kauze lirie ndaj popullit palestinez, ndërsa populli palestinez dominon kryesisht domenin moral të kauzës së vet.

Populli i Izraelit ka përfituar terren të jashtëzakonshëm në objektivat shtetndërtuese dhe zhvillimore të tij në sajë të shkëputjes së Palestinës nga sundimi osman në vitin 1917, ngjarje e cila u parapri nga deklarata e Lordit britanez Balfour po në të njëjtin vit. Fitimi i Luftës ndaj shteteve arabe në vitin 1967 dhe avancimet e hërpas’hershme iu kanë mundësuar hebrenjve të jetojnë të lirë mbi tokat e pushtuara palestineze. Banorët e Izraelit zotërojnë sot kushte dhe liri sociale predominante karshi lirive dhe të drejtave sociale të palestinezëve.

Populli palestinez nga ana tjetër posedon lirinë morale dhe humane në sajë të qasjes fenomenologjike që ka ndaj vetvetes, origjinës dhe raportit të tij me territorin. Ata kanë bindjen se Jeruzalemin e kanë ndërtuar jebusët arabë në vitin 2500 p.e.r. pra, fillimisht është banuar nga arabët. Historitë e mëvonshme lidhen me paaftësinë e hebrenjve të ardhur në këto territore për të pasur një formacion socio-politik në territoret e trashëguara nga profetët, ashtu sikurse jetuan të krishterët dhe arabët. Ata janë pushtuar dhe sunduar vazhdimisht nga preandoritë e ndryshme si ajo babilonase, perse edhe romake. Merita për çlirimin e këtyre trojeve në shekullin e VII-të i takon hilafetit islam i cili formoi një rend social me bosht të fuqishëm ontologjik dhe aksiologjik. Vlen të përmendet se vet populli i Jeruzalemit kishte kërkuar që të mos banonin hebrenjtë aty dhe këtë dëshirë ua plotësoi Halifi Omer. Ky është një fakt, se as Jerusalemi dhe as Palestina e asaj kohe nuk kanë qenë në tërësi hebraike. Do të thotë se hebrenjtë aty nuk kanë qenë kurrë një tërësi, po vetëm grupe në formë pakice kombëtare. Paqja dhe liria sociale e gjeneruar nga myslimanët do vazhdonte deri në fund të shekullit të XI-të kur u cënua nga kryqëzatat të cilat vazhduan për dy shekuj duke sjellë shkatërrime dhe zullume të mëdha nga të krishterët europianë. Salahudin Ejubi do të çlironte gjithë territorin e Palestinës bashkë me disa pjesë të Shamit, që kishin rënë nën sundimin e kryqtarëve. Salahudini pasi i çliroi këto pjesë, ia bashkoi shtetit të vet Ejubi me qendër në Kajro të Egjiptit. Në vitin 1517, Jerusalemin dhe tërë Palestinën e nënshtruan turqit osmanlinjë nën udhëheqjen e Sulltan Selimit. Edhe gjatë sundimit osman, Palestina ka qenë vazhdimisht e banuar me arabë. Shkaku i konfliktit modern mes dy popullsive lidhet me aneksimin e territoreve nga francëzët, më pas nga britanikët, të cilët përmbushën aspiratat sioniste për krijimin e shtetit izraelit.

 

·        Liria njerëzore në rastin e Palestinës

Ndërgjegjja njerëzore sot dëshmon pothuajse një shekull të goditjeve të paturpshme ndaj dinjitetit njerëzor, një shekull shtypje e pandërprerë karshi lirisë së të jetuarit, një shekull kufizimi dhe izolimi të njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur. Palestina paraqet një prej rasteve unikë në historinë e njerëzimit të shfaqjes së një barbarie dhe terrori të strukturuar dhe organizuar ndërkombëtarisht. Fenomeni më negativ që tejkalon të keqen e krimeve dhe vrasjeve të pakriter është legjitimimi i këtyre akteve dhe dedikimi tyre misioneve të paqes dhe lirisë. Ky legjitimim anakronik i këtyre veprimtarive prodhon një ligjërim politik i cili është në gjendje të themelojë ideologji fetare, politike dhe luftarake që bien në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe përcaktimet e tyre në konventat ndërkombëtare.

Solidarizimi ndërkombëtar zyrtar ndaj shtypjes së lirive dhe të drejtave të palestinezëve karakterizohet nga qëndrime kundërthënëse, kontradiktore, shpesh edhe hipokrite, me përjashtim të një numri të vogël shtetesh. Vendimi i SHBA-ve për të njohur si kryeqytet të Izraelit Jeruzalemin dhe veprimet konkrete nga zyrtarët amerikanë para disa muajsh për zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, të pasuara nga protesta të palestinezëve të cilat simbolizonin të drejtën e tyre vendimmarrëse në këtë çështje kaq të mprehtë, pasqyruan fytyrën e vërtetë të shtetit më të fuqishëm në botë. Deklarata e ambasadores së përhershme të SHBA-vë në Kombet e Bashkuara, Nicky Haley pasqyron qëndrimin kontradiktor karshi situatës në Palestinë. Ajo u shpreh se “Izraeli gjatë konfliktit palestinez në Rripin e Gazës ka reaguar në mënyrë shumë më të matur dhe është treguar më i përmbajtur në krahasim me reagimin e mundshëm të ndonjë shteti tjetër”. Haley pohoi se “dhuna në të cilën 59 palestinezë humbën jetën të hënën, nuk ka të bëjë fare me hapjen e ambasadës së SHBA-së në Jerusalem.”

 

Qëndrimi i SHBA-ve ndaj çështjes palestineze ka qenë dhe mbetet një referencë e pashmangshme e testimit dhe vlerësimit të ruajtjes, respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive bazë të njeriut në botë në përgjithësi ndërsa në Palestinë në veçanti. Politikat e hapta pro-izraelite dhe interpretimi tejet joadekuat i konfliktit izraelito-palestinez prej SHBA-ve përbëjnë burimin më të madh të akteve kriminale që kanë prodhuar boshtet kryesore të shtypjes së lirisë së të jetuarit. Fakti që SHBA-të e konsiderojnë Hamass-in organizatë terroriste, ndërsa në muajin shkurt të këtij viti kanë vendosur në listën e “terrorizmit global” kreun politik të Hamasit Ismail Hanniye, tregon se ky shtet dëshiron që ngjarjet të marrin një rrjedhë plotësisht kundër popullit palestinez dhe në favor të popullit hebre. Kjo tezë mbështetet nga vetë fakti i mësipërm, shteti më i fuqishëm në botë armiqëson zyrtarisht të vetmen forcë politiko-ushtarake e cila është krijuar nga elementë të brendshëm palestinezë dhe artikulon në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e popullit të saj në mënyrë të pakompromistë, ndryshe nga përfaqësitë e tjera politike në historinë e Palestinës.

Një fakt tjetër që tregon se në mënyrë arbitrare izraelitëve iu janë mundësuar të drejta sociale, ekonomike dhe politke, në dëm të popullit të Palestinës të cilit i janë mohuar këto të drejta, konsiston në mospërmbushjen e një prej pikave më të rëndësishme të  rezolutës 242 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1967, asaj që i njeh të drejtën popullit palestinez për të formuar shtetin e tij. Pas 60 vitesh kjo rezolutë është lënë në harresë.  Madje, kjo rezolutë vë në pah pozicionimin e vendeve arabe të cilat asokohe ishin të unifikuara në luftë kundër Izraelit por u  mposhtën prej tij për shkak se qëllimet e tyre orvateshin rreth interesave që kishin në lidhje me fitimin e supermacisë ndaj Palestinës edhe konfirmimit të pozitave ndërkombëtare në interes të tyre, jo mirëfilli për kauzën palestineze. Shumica e shteteve arabe, sidmos Siria dhe Arabia Saudite, kanë shfaqur vullnetin për ta njohur Izraelin, kurse dy prej tyre, Egjipti dhe Jordania, kanë shkruar traktate paqeje me të; në Marrëveshjen e Oslos të vitit 1993 njohën të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

 

·        Palestina për ku?!

Duke u nisur nga trajtimi i dy çështjeve të mësipërme vlen të theksojmë se si rezultat i ndërveprimeve midis popujve hebrej dhe palestinezë, edhe si rezultat i ndërhyrjeve ndërkombëtare, samiteve, asambleve dhe traktateve të ndryshme në kuadër të konfliktit midis Izraelit dhe Palestinës, shoqëria e shtetit të Izraelit zotëron në përqindje të larta liritë sociale, ekonomike, politike dhe të ngjashme. Këtë e dëshmon konfigurimi i shtetit në arenën botërore, zhvillimi i tij i brendshëm dhe shtrirja e ndikimit në marrëdhëniet politike por edhe në politika të caktuara të shteteve të ndryshme. Përkundrejt këtyre lirive hebrenjtë janë në mënyrë të skajshme të privuar nga liria morale, heretikë karshi imperativave kategorikë nëse do flisnim me termat e filozofisë kantiane dhe në privim të thellë edhe të trishtë të një boshti vital aksiologjik.

Ndërsa palesinezët e destinuar deri më tani me mohim të lirive themelore socio-politke, të sulmuar vazhdimisht nga leviat’anë të përbindshëm të cilët duke harruar se përfaqësojnë vullnetin e popullit të tyre, e deformojnë këtë vullnet duke artikuluar shprehje të pushtetit në hapësirë të huaj për të përfituar padrejtësisht nëpërmjet shtypjes së vullneteve të palestinezëve duke i penguar ata që vullnetin e vet t’ia delegojnë  leviat’anit të tyre.

Me anë të termave dhe koncepteve të një filozofie materialiste do dukej absurde të mohohej që populli palestinëz gëzon ndonjëfarë lirie. Porse nën shqyrtimin e një filozofie morale Palestina aktualisht gëzon një liri më themelore se shumë popuj të tjerë në botë; ajo është e lirë prej prangosjes së vullnetit të lirë edhe prej nështrimit skllavërues neokolonialist. Populli palestinez,  veçanërisht organizata e Hamassit, kemi bindjen se janë të lira nga cënimi i boshtit onto-aksiologjik dhe ende përfaqëson mbrojtjen e kauzës së shenjtë për realizim të idesë mileniariste në territorin konfliktual nëpërmjet popullit të saj.

Palestina është në një rrugëtim drejt lirisë. Përveç argumentave socio-filozofikë, në mbështetje të kësaj teze ekziston edhe një argument i ligjshmërisë historike dhe qytetërimore. Historikisht Palestina ka qenë katalizatori që ka shfaqur gjendjen e botës islame, qendrave civilizuese, arsimore dhe kulturore të tyre. Këto elementë të botës islamë janë rimëkëmbur ndjeshëm dhe presin stadet e konsolidimit, porse vazhdimisht pengohet konfigurimi i tyre si akse aktive qytetërimore duke vonuar kësisoj edhe ndryshimin e gjendjes në Lindjen e Mesme si zona më problematike në gjeografinë  e shteteve islame, veçanërisht gjendjen e Palestinës. Akset qytetërimore islame janë vazhdimisht në tentim të konfigurimit, ndërsa aspektet e dimensionet e tyre metafizike dhe vlerore janë shumë të ndjeshme dhe tejet sfiduese karshi një qytetërimi Perëndimor që predominon vetëm në arenën e zhvillimeve materiale dhe prej kohësh i ka mohuar botës dhe vetes frytet e qasjeve ontologjike dhe aksiologjike tradicionale në domethënien e autencitetit të tyre edhe të ekuilibrit materialo-spiritualist që zotërojnë.

Ky ridrejtësim i ekulibrave qytetërimorë është një shenjë e rifitimit të lirive socio-politike të popullit palestinez e cila është marrë peng prej 1 shekulli, por edhe shenjë e  konfigurimit të lirisë morale dhe metafizike të tij. Shprehur ndryshe, zbatimi i këtij ligji historik është i natyrshëm dhe ai do gjejë zbatim, sikurse shprehet filozofi eminent i shekullit të kaluar, René Guénon: “mishmashi, gabimi dhe errësira nuk mund të triumfojnë vetëm se së jashtmi dhe për pak kohë, se të gjitha çrregullimet e pjesshme dhe kalimtare duhet të përkojnë me formësimin dhe strukturën themelore të rendit të tërësishëm.”

Romeo Ismahilaj

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP