Të veçanta

Psikologjia e turmave dhe masave

Arjet Pervizi

Rëndësia e ideve në zhvillimin e qytetërimeve

     Çdo qytetërim është i ndërtuar mbi bazën e disa ideve udhëheqëse të cilat janë kryesore për zhvillimin e tij. Idetë kryesore të një qytetërimi kanë një ritëm zhvillimi shumë të ngadaltë dhe si pasojë e kësaj ngadalsie të zhvillimit qytetërimet mund të kenë një zhvillim të qëndruesh ë m. Në këtë pikë po flasim për idetë madhore dhe filozofike që ndërtojnë një qytetërim. Si rezultat i zhvillimit të ngadaltë të ideve kryesore të një qytetërimi duhen breza të ndryshëm njerëzorë që një ide të triumfojë, të gëzojë sukses, të arrijë qëndrueshmërinë etj, po ashtu duhen breza të shumtë njerëzorë që një ide të dështojë, transformohet apo humbasë. Një qytetërim, idetë e të cilit ndryshojnë në mënyrë të shpejtë kanë predispozitë që të krijojnë trazira tek njerëzit dhe probleme nxw22 cë keqkonceptimin e formimit të jetës duke zhvilluar kështu periudha të herpas’hershme tranzicioni.

     Në këtë rast, çfarë është një ide: Një ide është një koncept i përgjithshëm për formimin dhe strukturimin e jetës shoqërore në tërësi. Popujt më të qytetëruar dhe që e kanë zgjatur më së tepërmi jetëgjatësinë e civilizimit të tyre dhe që kanë mundësuar lulëzimin e tij, janë ata popuj,  që idetë udhëheqëse të tyre qëndrojnë në një distancë të njëjtë mes qëndresës dhe ndryshimit. Këto ide kryesore që formojnë qytetërime mund të kenë veprim të vërtetë mbi shpirtin e popujve vetëm atëherë kur ato, pas një përpunimi shumë të gjatë, zbresin nga sferat e mendimit në fushën e veprimeve dhe ndjenjave. Një ide kryesore e një qytetërimi duke qenë pjesë e ndjenjave dhe e veprimeve të individit, duke qenë pjesë e përditshmërisë së tij arrin të formësojë karakterin e individit dhe të ndikojë në sjelljen e tij.

     Një ide, çfarëdolloj ide-je qoftë, formën e përhapjes së saj tek masa e gjerë e popullit e ka të njëjtë. Një ide e re që të përhapet fillimisht duhet të pranohet nga një numër i vogël ndjekësish të cilët e përqafojnë dhe shpërndajnë atë tek të tjerët.

     Një ide përhapet tek masa nëpërmjet dy formave:

  1. a) Duke i folur ndjenjave
  2. b) Duke përdorur prestigjin

     Një ide e re nuk mund të përhapet asnjëherë tek masa duke synuar të prekë sferën logjike të individit. Kjo do të ndeshte menjehëre në pengesa dhe rezerva duke bërë kështu të pamundur bashkimin e masës. Një ide kur zbret në gjirin e masës, qoftë ajo e drejtë apo jo, bëhet e vështirë për t’u mposhtur për arsye se në gjirin e masës idetë shpërndahen dhe përqafohen shumë shpejt. Ndodh që idetë të përqafohen edhe thjeshtë sepse ajo (idea) po ndesh një rezistencë. Kjo më së shumti mund të ndodhë me të rinjtë të cilët janë në kërkim të adrenalinës. Mirëpo kur një ide është e drejtë, e saktë, ka marrë kohën e saj përgjatë brezave për t’u zhvilluar, është sprovuar dhe ka zbritur në gjirin e masës dhe është përqafuar tërësisht, atëherë bëhet e pamposhtur. Shembull këtu kemi rastin e myslimanëve të cilët triumfuan ndaj qytetërimeve ushtarakisht shumë të përgatitura, mirëpo që nuk i besonin ideve të tyre ose më saktë nuk dihej nëse kishin një ide.

     Njeriu bashkëkohor (ne) ka akoma ide se si mund të ndërtohet rendi dhe struktura shoqërore për një funksionim më të mirë dhe pikërisht këtu fshihet rreziku më i madh. Problemi më i madh nuk janë luftrat dhe revolucionet por ndryshimet në idetë themelore të jetës së individit dhe ndërtimit të strukturës së shoqërisë. Për popujt nuk është aq i rrezikshëm pranimi i ideve të reja, sado jo-normale qofshin ato, por rreziku i vërtetë është dënimi i rracës njerëzore të provojë pafundësisht derisa të gjejë një formë të ndërtimit të strukturës shoqërore për të zvendësuar të vjetrën, dhe për të gjithë këtë ndryshim nevojiten shekuj dhe breza të tërë njerëzish të cilët ndërrohen pa arritur të realizojnë misionin e tyre në tokë.

Roli i besimeve fetare në zhvillimin e qytetërimeve

     Roli i besimeve fetare në zhvillimin e qytetërimeve ka qenë determinant. Në çdo histori qytetërimi, besimi fetar ka qenë pjesë e tij. Në të shumtën e rasteve besimi fetar ka qenë elementi më i rendësishem i jetës së popujve. Pjesa më e madhe e ngjarjeve historike ashtu si edhe institucionet politike e shoqërore rrjedhin nga idetë fetare. Përherë me lindjen e besimit fetar ka lindur një civilizim. Ndërsa në rastet ku civilizimet kanë lindur si rezultat i zhvillimeve të mëdha tregtare, populli ka ndjerë të nevojshme të adoptojë një besim (pavarësisht se ai mund të ketë qenë i gabuar). Pra nëpërmjet kësaj nënkuptojmë se besimi është nevojë e brendshme e invididëve që janë përherë të predispozuar të shkojnë drejt plotësimit të saj.

     Ky është edhe ndikimi i parë i besimeve fetare në zhvillimin e qytetërimeve. Besimet fetare përveç dashurisë dhe ndjenjave të një gjendjeje shpirtërore të rehatisë dhe pranimit të vetvetes kanë dhe një veçanti që ka ndihmuar qytetërimet të zhvillohen. Besimet fetare (a) nëpermjet kthimit të vëmendjes tek individi dhe (b) orientimit të të gjitha aftësive drejt një qëllimi ka aftësinë të ndikojë në mënyrë direkte dhe shumë të shpejtë në karakterin e individit.

     Nisur nga kjo arrijmë tek ndikimi i dytë i besimeve fetare të cilët janë të vetmet ndikues të qëndrueshëm që arrijnë të mobilizojnë dhe të frymëzojnë individët drejt realizimit të një qëllimi final. Populli që ka përqafuar një besim nuk ndryshon strukturën e tij shpirtërore por të gjitha aftësitë e tij janë të përqendruara në një qëllim të vetëm, i cili është triumfi i fesë së tij.

Roli i njerëzve të mëdhenj në zhvillimin e qytetërimeve

     Sukseset më të mëdha të çdo qytetërimi janë realizuar gjiithmonë nga një numër i vogël mendjesh të ndritura. Detyra e tyre është sintetizimi i  përpjekjeve të shumta të brezave përgjatë shekujve. Në shumë raste individualiteti i shumë shpikësve humbet mirëpo asnjehërë një shpikje/triumf nuk është vetëm e një individi, ajo është përherë rezultat i një përpjekje të gjatë të brezave. Rolin më të madh në zhvillimin e qytetërimeve e kanë shpikësit dhe  individët të cilët kanë marrë në dorë fatet e brezave dhe i kanë çuar ato përpara, pra liderët dhe udhëheqësit. Një njeri i tillë i madh është përherë një individ i cili personifikohet si nje person që është i prirur të bashkojë rradhët e popullit dhe të shikohet si simbol i lirisë. Mirëpo një cilësi e tillë mund të gjendet edhe në kauza të gabuara si p.sh. në rastet e totalitarizmave apo regjimeve naziste.

Si zbehen dhe shuhen qytetërimet?

     Si çdo gjë në këtë botë edhe idetë kanë një fazë zhvillimi, një pikë kulminante dhe periudhën e saj të rënies e cila është e pashmangshme. Suksesi qëndron në qartësinë me të cilën idea zbret në masën e gjerë të popullit dhe aftësia e njerëzve të mëdhenj për ta zgjatur arritjen e pikës kulminante. Struktura shpirtërore e individëve nuk mund tu shmanget këtyre ligjeve. Edhe një qelizë truri që nuk stërvitet mund të pushojë së funksionuari dhe të trashëgohet kështu tek brezat e mëvonshëm. Trimëria, iniciativa, energjia apo shpirti i biznesit dhe cilësi të ndryshme të karakterit që fitohen shumë ngadalë, mund të degjenerojnë shumë shpejt po qe se nuk kanë mundësi të ushtrohen. Kjo shpjegon se si një populli i duhet shumë kohë e gjatë të ngjitet në shkallët e suksesit dhe kulturës dhe shumë pak kohë që të bie në humnerat e bastardimit. Po të studiosh shkaqet e rënies së shumë qytetërimeve do shohim se çfarëdo lloj qytetërimi, sado i madh të ketë qenë, faktori kryesor i rënies së tyre ka qenë pikërisht ndryshimi i strukturës shpirtërore që çon në dobësimin e karakterit të tyre. Nuk ka asnjë popull, absolutisht asnjë, që të ketë rënë si pasojë e zvogëlimit të aftësisë jetësore nëse më parë nuk ka rënë struktura e tyre shpirtërore. Pasi një popull ka arritur një shkallë të caktuar të qytetërimit dhe fuqisë, i bindur në sigurinë e tij të brendshme dhe në ndikimin e tij tek aleatet apo armiqtë, fuqia e tij ushtarake pakësohet dhe qytetërimi zhvillon tek ai popull kërkesa të reja që transformojnë strukturën shpirtërore të popullit. Populli duke rendur pas qejfeve të shumta ia le kryerjen e punëve vetëm shtetit dhe shpejt humbasin të gjitha cilësitë që dikur përbënin madhështinë e tyre.

     Që një qytetërim të jetojë dhe të ripërtërihet edhe pas periudhave të tij të dobëta dhe të rënies, është e nevojshme që të lidhet përherë me idetë e tij absolute dhe të pandryshueshme. Rikthimi herë pas here tek idetë e pastra bën të mundur zgjatjen e arritjes së pikës kulminante si dhe ngadalësimin gjatë periudhës së rënies. Zëvendësimi i ideve absolute me ide relative nuk bën asgjë tjetër veçse shpërndan masën e popullit dhe dobëson karakterin e tij. Dallimi mes ideve absolute dhe ideve relative është shumë thelbësor. Idetë absolute janë përherë të orientuara drejt masës dhe idetë relative janë të orientuara në aspekte përbërëse të ideve absolute.

     Një shenjë e rënies së qytetërimeve është edhe besimi i tepruar i elitës tek insitucionet dhe vlerësimi i tepërt i tyre krahasuar me idetë. Kultivimi i insitucioneve më tepër se i ideve do të ndërtojë institucione pa jetë të cilat do të jenë të parat që do të rrëzohen.

Sa i përket ringritjes së popujve?

     Gustav le Bon thotë se shenja treguese që një popull nuk është gati të ringrihet dhe qe idetë absolute nuk kanë zbritur siç duhet në masën e gjerë të popullit është atëherë kur “rinia çdo ditë e më tepër refuzon të punojë në poste që kërkojnë kuptim, iniciativë, energji, përpjekje personale dhe vullnet. Edhe përgjegjësia më e vogël e tremb atë. Ajo kënaqet me çfarëdolloj pune dhe mjaftohet me sigurinë personale apo tek rroga edhe pse e vogël por që i siguron jetesën”.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP