Të veçanta

Të vërtetat morale dhe sofistikimi i kamuflimit të tyre

      Individualiteti ynë – i ndikuar tejmase nga kushtet e periudhës të cilën po përjetojmë – përshkohet prej disa çrregullimeve në karakter edhe sjellje. Çrregullimet e tilla përkojnë me cilësitë e kompleksit të inferioritetit, tëhuajësimit prej vlerave tradicionale dhe dobësimit të raportit me ndërgjegjjen. Faktori kryesor që ka shkaktuar këto çrregullime në karakterin tonë është trysnia ideologjike e civilizimit bashkëkohor.

      Morali, me parimet dhe udhëzimet e tij, mbetet themelor në ruajtjen e esencës së njerëzores. Roli i këtij sistemi historikisht ka qenë vendimtar në zhvillimin dhe formësimin identitar të shoqërive. Shoqëritë tradicionale ishin më të përkushtuara dhe më të ekulibruara në bashkëveprimin me të vërtetat morale. Shoqëritë bashkëkohore kanë humbur përkushtimin dhe ekuilibrin karshi këtyre të vërtetave. Civilizimi bashkëkohor ka pasur ndikimin më madhor në gjenerimin e këtij shndërrimi. Krijimi i konceptimeve dhe qasjeve të reja ndaj kulturës nga shkencat shoqërore moderne është shoqëruar edhe me krijimin e instrumentave për transmetimin masiv të tyre. Teoritë sociologjike mbi relativizmin kulturor dhe pozitivizmin e shkencave shoqërore kanë qenë hapat e parë që kanë tronditur sistemet morale tradicionale. Ideja se morali dhe imperativat e tij janë të ndryshueshme në sajë të përcaktimeve kohore dhe gjeografike të shoqërive, apo se morali është vetëm improvizim i autoritetit në luftën për të mbajtur pushtetin, depërtoi si një shigjetë e helmatisur në organizmin e shoqërive duke ngjizur tek individi bashkëkohor ‘rënien morale’.

     Individi bashkëkohor e ka të vështirë të jetësojë dhe fortifikojë një karakter moral solid dhe të ekuilibruar. Dominimi i mendësive atradicionale dhe përhapja e elementëve të kulturës relativiste i krijojnë njeriut të sotëm pengesa serioze për t’u afirmuar me elementë moralë autentikë. Mirëpo, përtej të gjithë efekteve që ka shkaktuar fenomeni i devijimit të konceptimit moral dhe rrjedhimisht devijimi edhe në të bashkëvepruarit me të, ekziston një fakt metafizik i pakompromistë: Sistemi moral posedon ekzistencë të mëvetësishme. Të vërtetat morale nuk varen nga fakti se sa ne i zbatojmë udhëzimet e tyre. Së këndejmi, arrijmë në një konkluzion të dobishëm: kompleksi i inferioritetit, tëhuajësimi ndaj traditës dhe dobësimi i ndërgjegjjes, cilësi të cilat i përmendëm në hyrje të trajtesës për të treguar efektet e ‘rënies morale’ të njeriut bashkëkohor, janë çrregullime të rikuperueshme. Ne mundemi të ndryshojmë qasjen konceptuale dhe bihevioriste ndaj moralit sepse indoktrinimi anti-moral i cili është përhapur gjithandej nuk zotëron të vërteta të cilat munden të qetësojnë zemrat e njerëzve. Ato janë vetëm anti-teza të pathemelta të të vërtetave morale, ekzistenca e të cilave qëndron përtej hapësirës dhe kohës. Këto anti-teza janë formuar me qëllim që të fshehin parimet e moraleve të vërteta, prandaj ‘shikimet’ e njerëzve janë penguar për shumë kohë nga pamja origjinale e realiteteve të tilla. Kjo ka ndodhur për shkak se është zbehur kontakti me thelbin e moralit dhe vëmendja është fokusuar tek aparenca. Ky shndërrim i fokusit të vëmendjes është prodhuar gjithashtu nga ideologjitë e civilizimit bashkëkohor. Kjo taktikë funksionon ende si një prej instrumentave kryesorë që e sofistikojnë kamuflimin e të vërtetave morale dhe forcojnë ndikimin e ideve negative që zhvlerësojnë  të qenurit i ndershëm, i drejtë, i pastër, besnik, etj. Ide të tilla janë sipërfaqësore dhe burojnë nga mendësia e një qytetërimi që është gjithashtu i tillë.

     Roli që ka luajtur moderniteti në sferën morale lidhet me inkuadrimin e këtij sistemi universal në një bosht të ngushtë filozofik duke e institucionalizuar në njëfarë mënyre përcaktimin e parimeve morale. Sakaq, shtresat e thjeshta shoqërore e panë veten larg përpjekjes së kuptimit të potencialit dhe kërkesave të ndërgjegjjes për t’i orientuar qëndrimet dhe veprimet drejt një kahu të caktuar me qëllim arritjen e konfirmimit të personalitetit afër natyrshmërisë. Prandaj tek njeriu modern u shfaq dominante ndjenja dhe prirja pragmatike ndaj ndjenjës dhe prirjes morale. Moralet e vërteta u kamufluan me pretekstin e adresimit të kësaj problematike tek rrethet e filozofëve, ndërkohë këto të vërteta ekzistojnë në tekste tradicionale/religjioze të shpjeguara shumë thjeshtë dhe qartë, të shoqëruara edhe me orientimin praktik të zbatimit të tyre. Detyra jonë karshi moralit është pikërisht njohja e parimeve të tij të vërteta duke eliminuar kësisoj fenomenin e kamuflimit të tyre.

     Rruga jonë për të njohur të vërtetat morale në pamjen e tyre të qashtërt dhe origjinale ndodhet në potencialin e brendshëm për të arritur në artikulimin e një akti që na mundëson depërtimin nga njohja e të jashtmes, tek njohja e thelbësores dhe të qenësishmes. Për ta arritur këtë na duhet ta tejkalojmë konceptin masiv mbi moralin dhe të vihemi në kontakt me koncepte të moralit që burojnë nga tradita. Ky tejkalim e kthjellon vetëdijen dhe forcon vullnetin për të përfaqësuar vlera dhe për të kryer vepra të dobishme. Vetëm kështu do kemi mirësinë e afirmimit të moralit të vërtetë në karakterin tonë. Ngjizja e parimeve morale të sakta dhe adekuate nënkupton rrjedhimisht shndërimin e imazhit të qytetërimit, pasi morali përbën në vetvete substanën e pikturimit të pamjes së çdo qytetërimi…

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP