Të veçanta

Fjalor Sociologjie (A – 1)

A

abreagimi, terapia abreaguese [abreaction, abreaction therapy] Term i përdorur nga psikanalistët për procesin e çlirimit të emocioneve të shtypura duke rizgjuar në imagjinatë një përvojë negative më të hershme. Sigmund  Freud-i, në veprat e tij të para, theksonte se rrënjët e simptomave të histerisë gjenden në përvoja të hershme traumash psikologjike. Në kuadrin e  psikanalizës ka një sërë teknikash terapeutike që synojnë rikthimin e shëndetit mendor duke e bërë pacientin të jetojë sërishmi në imagjinatën e tij përvoja traumatike reale.

absolutizmi, shteti absolutist [absolutism, absolutist state] Ky term mund të përkufizohet në kuptimin e formës shtetërore, tipike për shoqëritë që janë në procesin e tranzicionit nga  feudalizmi në  kapitalizëm dhe ku pushteti përqendrohet në personin e një monarku, i cili ka në kontroll një aparat administrativ të centralizuar. Nisur nga një vështrim i tillë, ky emërtim i është etiketuar një game të gjerë  shtetesh, që nga Anglia e Tudorëve në shekullin XVI, deri te Japonia Meizhi në shekullin XIX. Ndërkaq, përkufizimi i mësipërm nuk është i padiskutueshëm: i njëjti emërtim i është dhënë edhe Rusisë cariste, ku tranzicioni ishte ai ndërmjet feudalizmit dhe  komunizmit, ndërsa ka edhe nga ata që e mohojnë se Japonia ka qenë ndonjëherë shoqëri feudale, përveçse në një kuptim krejt të vagullt. Ka gjithashtu shumë debate në lidhje me rolin që luajtën të tillë shtete gjatë tranzicionit në fjalë. Një sërë historianësh e përshkruajnë këtë rol deri diku sikur shteti absolutist ka qenë mamia e kapitalizmit, interpretim që shfaqet në parapëlqimin e disave për termin “despotizëm i iluminuar”, në vend të atij (disi përçmues) “absolutizëm”. (Ndërkaq, të tjerë e kanë përdorur këtë term në lidhje me ndikimin e racionalizmit iluminist ndaj absolutizmit të Prusisë, Austrisë, etj. dhe jo në kuptimin e një raporti ndërmjet absolutizmit e kapitalizmit). Marksistët (së paku deri relativisht vonë), përkundrazi, janë prirur ta vështrojnë këtë rol si më të ngjashëm me atë të një abortuesi, ndonëse një abortues i paaftë. Problemi që kanë patur përballë të dyja palët ndaj këtij debati është ndryshueshmëria e përfundimeve historike. Madje edhe në kuadrin e Evropës kontinentale, shfaqja e shteteve absolutiste duket se, prima facie, lidhet si me tranzicionin e shpejtë drejt kapitalizmit në Perëndim, ashtu edhe me intensifikimin e sundimit feudal në Lindje. Sipas Max  Weber-it (Historia e përgjithshme ekonomike, 1923) si dhe studiuesve jomarksistë në përgjithësi, shpjegimi i rolit progresist që ka luajtur shteti absolutist apo “racional” mund të gjendet në ndihmesën e madhe që këto regjime kanë dhënë përsa i takon rritjes së mundësisë së parashikueshmërisë së veprimit brenda kufijve të tyre territorialë, nëpërmjet burokratizimit të administratës, krijimit të elementeve të shtetit të së drejtës, monopolizimit të përdorimit të ligjshëm të forcës, si dhe përdorimit të kësaj force për të imponuar juridiksionin e tyre mbi krejt shoqërinë. Problemit të rezultateve divergjente që kishte dhënë absolutizmi në Evropën Lindore dhe Perëndimore Weberi i përgjigjet duke e paraqitur atë që ndodhi në Lindje si vonesë e jo si kthim prapa, dhe duke e shpjeguar atë si rezultat të mungesës së aleatëve të shtetit më gjerë në shoqëri, gjë që, nga ana tjetër, pasqyron më në përgjithësi prapambetjen ekonomike dhe kulturore të këtyre shoqërive. Përgjigja e marksistëve (si Maurice Dobb, Eric Hobsbawm dhe Perry Anderson) ndaj kësaj linje argumentimi qëndron në idenë se ajo ka të bëjë më tepër me prirjen që kanë jomarksistët për t’i dhënë apriori privilegjin analitik sferës politike, sesa me kërkimin e bazuar historik. Siç thonë marksistët, duke qenë se monarkët absolutë dhe përkrahësit e tyre më të fuqishëm ishin gjithmonë përfaqësues të aristokracisë feudale, ajo që ka nevojë të shpjegohet është jetëshkurtësia e absolutizmit të Evropës Perëndimore (veçanërisht në Hollandë dhe në Angli), e jo absolutizmi jetëgjatë i Lindjes. Shpjegimi që japin ata vërtitet rreth pohimit të guximshëm dhe të diskutueshëm se në shekullin XVI shumica e shteteve të kontinentit përjetuan një krizë ekonomike të tejzgjatur, nga e cila Anglia dhe Hollanda mbetën pa u prekur. Si rezultat, në çdo shoqëri, me përjashtim të këtyre të dyjave, aristokracia feudale qe në gjendje t’i shtypte apo t’i mbante të nënshtruar rivalët e saj kapitalistë. Për këtë arsye, klasat borgjeze të Anglisë dhe të Hollandës mundën të fitonin epërsi që herët ndaj konkurrentëve të tyre potencialë, një epërsi që e thelluan më tej duke i përmbysur relativisht shpejt monarkitë e tyre absolute. Duke lënë mënjanë vërejtjet e shumta empirike në të cilat ka ndeshur kjo tezë, është e rëndësishme të theksohet se ajo mbështetet në privilegjin analitik të sferës ekonomike, për çka mund të thuhet se nuk është më e përligjur sesa privilegji i sferës politike, të cilin autorët që e parashtrojnë tezën e mësipërme e kanë kritikuar me të drejtë. Ndoshta rasti më i suksesshëm që bën përjashtim nga të dyja këto kufizime është vepra e A. Lublinskaya-s Absolutizmi francez: etapa vendimtare, 1620-1629 (1968).

acefal [acephalous] Term që përdoret për të emërtuar sistemin politik të shoqërive pa autoritet shtetëror të centralizuar – siç janë, p.sh., sistemet politike tradicionale afrikane të prejardhjes së gjakut (shih J. Middleton, D. Tait, Tribu pa sundimtarë, 1958). Autoriteti ushtrohet në nivel fisi, gjinie apo segmenti gjinor. Për këtë arsye, të tilla shoqëri “pa kokë” emërtohen me termin alternativ “shoqëri segmentare”. adaptimi, mënyrat e adaptimit individual [adaption, modes of individual] Shih anomia.

administrata publike [public administration] Sistemet burokratike dhe procedurat e tyre që i shërbejnë qeverisë dhe zbatimit të politikave të saj. Së këtejmi edhe fusha studimore që përshkruan dhe analizon zhvillimin e politikave dhe proceset e vënies së tyre në jetë.

administrimi social [social administration] Studimi i rregullimeve dhe politikave që synojnë plotësimin e nevojave sociale problemeve, dhe reformuese, shpesh të kritikuar si empiriste, të mbyllur dhe të ngushtë; qasjet me karakter teorik ndaj mirëqenies tashmë janë më të zakonshme. Ndërkaq, teksa po ndodhin proceset e transferimit të përgjegjësive të mirëqenies publike, nga shteti tek sektori privat, drejtorët dhe menaxherët e sektorit publik gjithnjë e më tepër po zëvendësojnë administartorët, kështu që në këtë kuadër termi “administrim social” tingëllon disi i vjetëruar. Qasja e administrimit social ndaj politikave sociale përfaqësohet fare mirë në veprën e Brian Abel-Smith-it, në libra me shumë ndikim sikurse, ndër të tjerë, Historia e profesionit të infermieres (1960), Spitalet, 1800-1948 (1964), Të varfrit dhe më të varfrit (1965), si dhe Vlera dhe paratë në shërbimet shëndetsore (1976).

adoleshenca [adolescence] Ky term mund të emërtojë gjendje emocionale apo mënyra të sjelluri që supozohen të jenë të lidhura me kalimin drejt moshës së rritur; atë fazë të ciklit *jetësor që i paraprin njohjes nga shoqëria të ndryshimeve fizike që lidhen me pubertetin; ose tranzicionin nga statusi i fëmijës në statusin e të rriturit. Është tipike për shoqëritë moderne industriale që të rinjtë piqen seksualisht mjaft kohë përpara se shoqëria t’i njohë si të rritur në aspekte të tjera; dhe, për shkak të shkollimit dhe arsimimit, ata mbeten të varur nga prindët dhe tutorët. Rrjedhimisht, adoleshenca është vështruar si periudhë kulmore trazirash emotive (shih J. L. Coleman, Natyra e adoleshencës, 1980). Ndonëse të paktë janë sociologët që do ta hidhnin poshtë idenë se ndryshimi fizik mund të shkaktojë vetvetiu ndryshime të të sjellurit, ose idenë që të rinjtë ballafaqohen me një tension midis pjekurisë seksuale dhe asaj sociale, vlera e termit adoleshencë është e diskutueshme. Krahasimet qoftë dhe me një të kaluar të afërt tregojnë se fëmijëve shpesh u është dashur të bëhen të rritur me t’u bërë të aftë për punë të dobishme. Antropologët gjithashtu kanë paraqitur shembuj të shumtë (sidomos nga shoqëritë e organizuara në bazë të  grupmoshave) ku kalimi në moshë të rritur është i menjëhershëm, i shënuar qartë prej  riteve të kapërcimit dhe relativisht i çliruar nga të ashtuquajturat probleme të adoleshencës. Anketime dhe lloje të tjera kërkimesh në terren në vetë shoqërinë industriale i kanë vënë në dyshim ato ide sipas të cilave adoleshenca karakterizohet nga më shumë strese se çdo fazë tjetër e jetës apo sikur shumica e adoleshentëve janë rebelë. Trajtimi i adoleshencës si problem social ndoshta flet më shumë për stereotipe ndaj rinisë në botën e të rriturve dhe dëshmon më tepër një panik  moral ndaj kulturës  rinore (një kritikë e zhvilluar në këto linja gjendet tek Frank Coffield et al., Të rritesh i mënjanuar, 1986). Për një tablo të përgjithshme të bibliografisë përkatëse, shih Patricia Noller, Victor Callan, Adoleshenti në familje (1991).

Adorno, Theodor Wiesengrund (1903-1969) Një ndër përfaqësuesit kryesorë të Shkollës së Frankfurtit për Studime Sociale, i cili ka punuar në Amerikë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u kthye në Gjermaninë Perëndimore mbas fitores së aleatëve. Vepra e tij shrihet në teorinë e estetikës, në teorinë e letërsisë dhe të muzikës, në kritikën e përgjithshme kulturore, në socio-psikologji dhe në filozofi. Për sociologët, vepra e tij kryesore (shkruar bashkë me një sërë autorësh të tjerë) është Personaliteti autoritar (1950), një hulumtim empirik dhe teorik (tepër i kritikuar) i rrënjëve psikologjike të autoritarizmit. Përkundrejt kulturës moderne, ai është përpjekur qysh në fillim t’i shmanget subjektivizmit të  ekzistencializmit dhe objektivizmit të përciptë të  pozitivizmit, por kjo ndryshoi teksa ai u bë më pesimist në lidhje me botën moderne. Kritika e tij estetike e kulturore dhe filozofia e tij përqendrohen gjithnjë e më tepër te forma dhe gjithnjë e më pak te përmbajtja: forma e një vepre arti, apo e një sistemi idesh, paraqesin dëshminë më të qartë për kufijtë dhe kontradiktat që na imponon shoqëria, sikurse edhe të mundësive që na ofron. Stili i tij i vështirë ka qenë, sipas atij vetë, një orvatje për t’iu shmangur asaj çka ai e konsideronte si integrim të rremë në shoqërinë moderne industriale. Përcaktimi ndoshta më i qartë i pikëpamjes së tij mbi modernitetin mund të gjendet te Minima Moralia (1951), përmbledhje aforizmash, ku thuhet se nocioni i totalitetit i përkiste dikur një filozofie të lirisë, por gjatë shekullit të kaluar u përthith nga një  sistem social totalizues, që është realisht ose potencialisht regjim  totalitar. Përballë kësaj, përpjekja jonë nuk duhet të jetë dija, por vënia e theksit tek paradoksi dhe ambiguiteti; e vërteta mund të gjendet, së paku përkohësisht, në përvojën e individit. Lidhur me shembujt e kritikës së tij kulturore, shih Prizmat (1955), ndërsa për filozofinë e tij shih Dialektika negative (1966). Për një kritikë që e karakterizon veprën e tij – ndër të tjera – si pretencioze, të errët, shterpe dhe huazim jokritik dhe gjithnjë e më të dëshpëruar idesh nga një varg variantesh më të hershme e të dështuara të marksizmit, shih vëllimin e tretë të veprës së Leszek Kolakowski-t Rrymat kryesore të marksizmit (1981). Shih gjithashtu personaliteti autoritar; teoria kritike.

afekti, afektive, afektiviteti [affect, affective, affectivity] Afekti është një emocion. Në sociologji, përdorimi i këtij termi nënkupton një veprim që kryhet apo është kryer për hir të kënaqësisë emocionale. P.sh., në trajtesën e tyre Vetëdija klasore në Shtetet e Bashkuara (1983), Mary R. Jackman dhe Robert W. Jackman shqyrtojnë “lidhjet klasore afektive”; më konkretisht, “çështjen nëse përkatësia klasore subjektive përfshin një ndjesi lidhjeje emocionale” dhe jo që ka të bëjë thjesht me identifikimin nominal. “Afektivitet apo neutralitet afektiv” është një nga të ashtuquajturat variable model të Talcott  Parsons-it, sipas së cilës mund të klasifikohen e të analizohen shoqëri të ndryshme. Shih gjithashtu individualizmi afektiv.

afiniteti i zgjedhjes [elective affinity] Term i përdorur nga Max  Weber për të përshkruar raportin ndërmjet protestantizmit dhe kapitalizmit (te Etika protestante dhe fryma e kapitalizmit, 1905). I referohet rezonancës ose përputhjes ndërmjet aspekteve të porosive protestante dhe atyre të sipërmarrjes kapitaliste, konkretisht lidhur me normat e kësaj të fundit. Kjo marrëdhënie ka qenë e pavetëdijshme për sa u takon vepruesve të përfshirë në të. Koncepti mbetet i lidhur ngushtë me veprën e Weber-it, ndonëse është përdorur lirshëm edhe nga sociologë të tjerë, shpeshherë në situata ku duket se ekziston shoqërimi ndërmjet variablesh të caktuar, ndërsa ende nuk është e qartë çfarë forme mund të marrë ky lloj raporti. Një mënyrë më moderne për ta paraqitur situatën ku zbatohet ky koncept mund të jetë ajo që u referohet lidhjeve ndërmjet bindjeve, veprimeve dhe pasojave të paqëllimshme të veprimit. (Shih R. H. Howe, “Afinitetet e zgjedhjes te Max Weber-i”, American Journal of Sociology, 1978). Shih gjithashtu etika protestante; pasojat e paqëllimshme.

aftësia [ability] Fuqia për të kryer një punë mendore ose fizike – para ose pas një përgatitjeje mësimore. Zakonisht, sociopsikologët bëjnë dallimin ndërmjet aftësisë dhe dhuntisë, që është zotësia natyrore për të përvetësuar apo mësuar një dije të caktuar dhe që shpeshherë matet me një test aftësie. Sociologët janë të prirur të bëjnë dallimin ndërmjet aftësisë dhe  mjeshtërisë, e para duke qenë përkatësisht e specializuar dhe për lloje specifike punësh, ndërsa e dyta duke përfshire një gamë më të gjerë teknikash të mësuara që mund të zbatohen në një sërë punësh të afërta me njëra-tjetrën.

aksioma, aksiomatik [axiom, axiomatic] Aksioma është një supozim, një postulat, një parim i pranuar nga të gjithë, apo  një e vërtetë evidente në vetvete. Shumica e teorive sociologjike mbështeten në një a më shumë aksioma të pavërtetuara, si p.sh. që çdo veprim njerëzor është racional, ose – në rastin e marksizmit – se lufta e klasave është forca lëvizëse e historisë. Këto ide aksiomatike disa sociologë i quajnë “supozime të fushës përkatëse” ose “ide metateorike”. Kështu, p.sh., në librin e  tij Metateorizimi  në sociologji (1991), sociologu amerikan George Ritzer parashtron një shpjegim dhe mbrojtje të metateorizimit, të cilin ai e përkufizon si hulumtim dhe analizë të teorive. Në këtë libër bëhen objekt studimi vetë teoritë sociale, nëpërmjet krahasimit dhe klasifikimit, si dhe përfshihet aty një histori e sociologjisë nëpërmjet një përqasjeje metateorike që synon të ndjekë shfaqjen dhe rënien e  paradigmave sociologjike.

akti, veprimi, akti social [act, action, social act] Shih teoria e veprimit; domehënia; Parson, Talcott; Weber, Max.

akumulimi i kapitalit [capital accumulation] Në kuadrin e marksizmit, përbën dinamikën kryesore të zhvillimit kapitalist dhe emërton atë proces ku  kapitali rritet nëpërmjet prodhimit, përvetësimit dhe realizimit të  mbivlerës. Nuk mund të kuptohet ndarazi nga  marrëdhëniet në prodhim të sistemit kapitalist. Sipas shkencës ekonomike tradicionale ai është gjithashtu një përbërës i rëndësishëm i  rritjes ekonomike, por emërton investimet neto të një vendi në kapital konstant: d.m.th. paisje, makineri, stoqe, ndërtesa, shpenzimet e përgjithshme të kapitalit social dhe pasuri që gjenden jashtë vendit.

Referenca: Fjalori Sociologjik i Oksfordit

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP