Të veçanta

Njeriu për të cilin kemi nevojë

      Një nga mundësitë më të mëdha që mund t’i jepet njeriut me lindjen e tij është zhvillimi i vetëdijes dhe i identitetit  të plotë intelektual dhe perceptues. Pasioni, dëshira, energjia dhe entuziazmi janë fuqitë që vetëdija prodhon për të jetësuar misionin që njeriu zoton mbi veten e tij. Më pas i gjithë ky proces merr trajtë në përpjekjet e njeriut për të dalë mbi, apo për t’iu nënshtruar sfidave dhe përballjeve. Po pse kemi njerëz udhëheqës dhe pasues, kreativ dhe origjinal, ambicioz dhe shterues, kontribues dhe marrës, të suksesshëm dhe të dështuar? Një nga kushtet themelore që krijon bindjen brenda njeriut për të ndërtuar raportet e drejta me veten dhe tjetrin, është besimi dhe vetëdijësimi karshi misionit të njeriut në një botë të hapur, ku perifrazohen të gjitha format e jetesës. Ideali, vizioni dhe më pas roli që ka njeriu, përbëjnë burimet kryesore të krijimit të besimit dhe vetëdijësimit të njeriut karshi të ardhmes së tij dhe shoqërisë ku ai jetësohet me kontekstin e përditshëm.

     Ky kontekst është pikërisht faktori që e ndalon njeriun të dëshirojë dhe të dashurojë një të ardhme tjetër, por në të njëjtën kohë është njeriu, si qënie e vetëdijshme, që përkundrejt kontekstit përpiqet të ndryshojë udhën drejt një të ardhme ndryshe. Gjithçka është e natyrshme, disa bëhen pjesë e udhës, disa hapësit e saj. Konceptimi  i pjesshëm i vitalizimit të këtij procesi do krijonte moralizim të panevojshëm, dhe ripërcaktimin e njeriut të vetëdijshëm si një grumbull tiparesh dhe karakteristikash të mbledhura në një. Kjo do e dëmtonte të gjithë përpjekjen njerëzore për të hapur udha prosperiteti. Pse? Problemi dhe zgjidhja janë të lidhur dhe bashkërenditur plotësisht me njëra tjetrën. Në të njëjtën kohë vetë problemi nuk është i pjesshëm, vetëfunksional dhe i pavarur. Ai vepron si një bashkësi problemesh të ndërvarura. Më lejoni t’ju mar shembull korrupsionin: Një skemë e faktorizuar nga mungesa e drejtësisë, besimit tek ligji, moralit të shthurur, babëzisë për të përvetësuar, mungesa e politikave sociale për të integruar të gjithë, mungesa e një sistemi funksional dhe zhvillues etj. Skema nuk mbaron me kaq, po ashtu edhe përpjekja për të zgjidhur këtë sfidë, përballja me problemin duhet të jetë më e kompleksuar dhe më e plotë. Ku fillon dhe mbaron e gjitha?! Tek njeriu. Ai është  prodhues i të gjithë nocionve,t sa problematike, po aq edhe frymëzuese të mënyrës së funskionimit të tij në kombe, shoqëri, shtete etj. Në një situatë të tillë, liderit i duhet të bëjë diferencën e prosperitetit ndaj dështimit në të gjithë aspektet e akivitetit njerëzor. Një lider dallon për qartësinë e ëndrrës së tij, e shprehur në hapa dhe projekte konkrete zhvilluese. Të qënit i jashtëzakonshëm duhet të jetë e zakonshme për një lider, për shkak të përgjegjësisë që ai ka, që unë kam, ndaj misionit që merr përsipër njeriu i vetëdijshëm. Paçka se asnjë shoqëri nuk mund ti shpëtojë një procesi degradimi, ato duhet të ndërtojnë një proces akoma më të fuqishëm rigjenerimi. Detyra e gjithsecilit është të jetë pjesë e këtij procesi rigjenerimi, ku udhëheqësit janë ata që ndihmojnë në përcaktimin e drejtë të procesit dhe vlerave që ai duhet të krijojë. Ne jemi qënie të edukueshme, kjo është mundësia jonë më e madhe për të parëndodhitë dështuese , jo më me lupë,  por me vizion ngjarjen që prodhohet nga dështimi si një pjesë e rëndësishme e edukimit tonë. Për ta lokalizuar këtë që sapo përmenda, mendësia që Shqipëria nuk bëhet, është më e dëmshme se vetë dëmet që e kanë krijuar këtë mendësi.

     Kjo mendësi duhet ndëshkuar me evitimin e çdo dobësie të mundshme dhe krijimin e besimit, vetëbesimit dhe vetëdijësimit, si kriteret më të forta drejt një Shqipërie që bëhet. Kohezioni jonë shoqëror dhe kombëtar ka nevojë për njerëz që themelojnë dhe rrënjosin vlerat sublime, universale dhe integruese. Këtë mund ta bëjnë vetëm ata njerëz që besojnë dhe jetojnë me këto vlera, duke formuluar planet dhe strategjitë, duke balancuar interesat dhe pritshmëritë e gjithë sistemit social, mbi bazën e një procesi shumë kompleks diagnostifikimi, me një proces problem-zgjidhje të natyrshëm dhe me instrumentat e duhura e të përshtashme. Të gjitha këto përbëjnë motivin dhe infrastrukturën që njeriu i vetëdijshëm përdor me qëllim gjallimin e ambicies, fuqisë dhe besimit të tij për një botë më të mirë. Kjo e fundit ka përplasur fort lëvizjet më të mëdha që kanë ekzistuar në këtë botë.

    Tendencat e njerëzve për të shmangur trajtimin e problemeve komplekse dhe të vështira, tashmë pjesë e natyrshme e jetësuar e tyre, duhet të frenohet po me njerëz që dijnë të vlerësojnë vlerat që kanë filluar me krijimin e kësaj bote, dhe vazhdojnë të rikthehen vazhdimisht si nevojë e frymëmarrjeve shoqërore. Të njohësh të ‘mirën’ e përbashkët, ta perceptosh drejt atë, të besosh fort tek ajo dhe të jetosh për realizimin e saj mbetet akoma një proces i vështirë, por ky është misioni i qenies njerëzore. Në fund të ditës të gjithë mund të zgjedhin të vdesin në këtë botë, por disa do të përjetësojnë misionin e tyre të pafundëm, frymëzues dhe real, edhe pasi shpirti të jetë ndarë nga trupi. Edhe ndarja më e madhe e njeriut mund të bëhet fillimi më i suksesshëm i tij. Është një zgjedhje e vetëdijshme e pakufizuar nga lënda, e fryëmzuar nga sublimja, e realizuar nga intelekti dhe e përjetësuar nga misioni. Është ajo për të cilën kemi nevojë tani.

Endrit Maçi

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP