Të veçanta

Rend pa siguri

      Nëse ju qasemi teorive të ndryshme njerëzore, lehtësisht mund të identifikojmë që siguria është ndër elementët bazë dhe të panegociueshëm të ekzistencës. Përtej praktikave budiste të qetësimit të mendjes dhe shpirtit, elementi fizik gjithashtu është i rëndësishëm dhe ndikues i drejtpërdrejt në mirëqënien e shpirtit. Mirëpo elementi i sigurisë nuk mund të jetë vetëm fizik por dhe social e shpirtëror. Në këtë monolog referues do të doja të ndalesha tek perceptimi i qytetarëve mbi sigurinë fizike të rendit dhe sigurinë e perceptuar sociale.

      Rendi social është i vështirë të matet në masë të gjerë, dhe sigurisht që unë nuk kam realizuar ndonjë studim që mat perceptimin e qytetarëve mbi sigurinë sociale e fizike. Mirëpo këtë siguri mund ta perceptoj si një projeksion i ndjesisë personale dhe asaj që trasmetohet çdo ditë nga masa e gjerë e mediave. Nuk kam dëshirë që nëpërmjet këtij monologu referues të krijoj një atmosferë të zymtë, mirëpo të gjitha rastet e fundit na konfirmojnë një çështje shumë të rëndësishme. Nuk ndihemi të qetë për sigurinë e rendit. Gjatë viteve të fundit rendi ka qënë vazhdimisht në pikëpyetje sa i përket nivelit të sigurisë së qytetarëve. Nuk janë të pakta rastet kur vrasjet nuk zbulohen, hajdutët nuk gjenden, fajtorët enden të lirë, imoralët mbajnë poste publike. Secili nga këto raste ndikon drejtpërdrejtë në perceptimin e qytetarëve mbi sigurinë  e rendit, ky stresor i cili më pas reflektohet në marrëdhëniet e perditshme njerëzore.

      Viti ka pak kohë që ka nisur dhe, në më pak se një muaj e gjysëm janë vrarë 6 femra të cilat nuk i gjykojmë dot në ishin apo jo fajtore por kemi të gjithë të drejtën e Zotit për të  një dhënë një verdikt se, jetën nuk ta merr dot askush veç Zotit dhe në rastin më të mirë të mundshëm një shtet i organizuar i cili zhvillon një gjyq gjakftohtë dhe objektiv. Fakti që për hiqgjë, madje për dyshime fare të kota dhe të pavërtetuara unë mund të të godas në themelin e ekzistencës, në të drejtën tëndë për të jetuar, tregon se ti nuk mund të më besosh dot çështje më të mëdha si ajo e sigurisë, dhe për më tepër të mendojmë për mirëqënie sociale. E gjithë kjo mungesë e sigurisë e perhapur në masë të gjërë tek populli bën të pamundur që njerëzit të mendojnë dhe ndërtojnë vizione përtej sigurimit të elementëve  të ekzistencës fizike. Në kushtet kur ajo që ndërton lehtësisht mund të cënohet, rrëzohet e përdhoset, bën të pamundur të mendohet për mirëqënie dhe siguri sociale mbi të cilën më pas mund të ndërtojmë punën për njeriun model të shoqërisë i cili kontribuon për të.

      Prej më shumë se 2 muajsh qytetarët protestojnë për padrejtësinë e prishjes së elementit më personifikues të sigurisë, banesave, strehës së kokës. Për më tepër kjo vërtetohet nga instancat më të larta gjyqësore vendore dhe institucione ndërkombëtare si aferë korruptive dhe mashtrim, mirëpo është e pamjaftueshme që dikush të marrë përgjegjësitë mbi tërë këtë zallamahi interesash të fshehta. Askush nuk kërkon falje apo së paku të tërhiqet nga ajo që është nisur. E gjithë kjo ndihmon në krijimin e perceptimit tek qytetarët se siguria është iluzion dhe për më tepër një iluzion në duart e të tjerëve e cila mund të përdoret në varësi të gjendjes emocionale të ditës kur ngjarja ndodh.

      Në raste të tjera të paskrupullta disa të rinj abuzojnë me bashkëmoshataren dhe e vetmja rrugëzgjidhje që i ofrohet familjes për të shpëtuar dinjitetin e mbetur ka dy rrugë, e para: ikja, po larg fare ama, dhe e dyta të bëhesh palë me babain e djalit që s’e padit dot me shpresën se ai(babai) do ta kuptojë se ku është gabimi dhe do ta rrahë vetë djalin dhe ti do qëndrosh i qetë në një cep të Shqipërisë, pasi këtu nuk e padit dot djalin tek babai.

      Në shumicën e rasteve të fatkeqësive, qënia njerëzore ka aftësinë të reagojë me guxim të pashembullt për ti përballuar dhe tejkaluar me kokën lart, mirëpo goditja vjen atje ku askush nuk e mendon dhe pret. Ndërkohë që grupe a individë luftojnë për ekzistencë apo për të mos humbur atë që me mund dhe gjak kanë fituar, një mik shumë i dashur i kauzave të drejta siç është media, na vjen në ndihmë për ti mbushur këto kauza me ndjenja të papërballueshme faji dhe akuze të paqëna duke kontribuar drejtpërdrejt në zbehjen e së vërtetës dhe promovimit të mashtrimit. Sigurisht që çështja nuk qëndron tek zbehja e të vërtetës pasi ajo në përfundim del triumfatore ndaj gënjeshtres, mirëpo çdo gjë qëndron tek përzierja mjeshtrore e saj me mashtrimin duke e lënë të mjegullt vijën ndarëse mes tyre. Mungesa e kontrollit mediatik dhe për më tepër përdorimi i saj për qëllime të dyfishta kontribuon më tepër rritjen e pasigurisë kolektive që qytetarët perceptojnë.

      Është e paqartë të identifikohet nëse dikush dënohet dhe po ashtu është e paqartë se kush është dënuesi pasi në shumicën e rasteve shteti po dështon ta bëjë këtë gjë. E gjithë kjo mungesë dënimesh për të gjithë rastet e lloj-lloj të devijacioneve shoqërore të cilat sapo ndodhin, ne kemi predispoziten të vetëshpërblehemi duke i kthyer në show argëtimi, na krijon dy bindje të brendshme: e para: të kesh frikë të të ndodh gjë se bëhesh gazi i botës, dhe e dyta: drejtësia e pretenduar është vështirë të gjëndet si shkak i problemeve të sistemit të ndërtuar. E gjithë kjo sagë mos-dënimesh po na shërben për diçka jo të mirë, mungesa e frikës, mos-njohja e rregullit, zhvleftësim i normave etiko morale. Por qënien njerëzore asnjëherë nuk e ka frikësuar ajo  që nuk është, pra mungesa, madje e ka motivuar për ta arritur atë, mirëpo në rastin tonë qëndron krejtësisht e kundërta. Ne nuk kemi të bëjmë thjeshtë me mungesë të normave etiko-morale, dënimeve, frikës që e keqja dënohet dhe ka institucione që e bëjnë këtë. Tek ne kemi të bëjmë me norma etiko-morale të paraqitura si të panevojshme, të dala kohe dhe madje madje kundërvepruese në zhvillimin normal njerëzor për ne si aspirant për qytetarët e ardhshëm më të ri të Bashkimit Europian. Ne kemi hequr dënimin me vdekje për krimet monstruoze në sajë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe në emër të asaj të drejte kemi shkelur të drejtat e milionave njerëz ndër vite, të drejtën për të bërë një jetë normale. Tërë kjo në përfundim na ka krijuar bindjen e përgjithshme se e keqja nuk dënohet dhe kemi një mungesë të përgjithshme frike, dhe pa diçka që e ndal, raca njerëzore mund të shkojë në ekstreme të paimagjinueshme. Këtë rrugë drejt ekstremit e ndihmon së tepërmi percpetimi se jemi ne ata që bëjmë ligjet dhe e caktojmë kush meriton të vdesë dhe për çkategori krimesh dënohen. Kjo na brendëson ndjenen që ne jemi të zotërit e vetes, për të cilën ka shekuj që e dëshmojmë se nuk jemi dhe kemi nevojë për referenca të cilat nuk ndryshojnë sipas kushteve, kohës, vendit dhe njeriut por parimisht janë të njëjta për të gjitha kohërat dhe rastet.

      Zakonisht, rregulli, siguria dhe rendi projektohen nga lart poshtë. Shteti është ai që projekton rregullin dhe rendin dhe qytetarët e perceptojnë atë si të tillë dhe fillojnë dhe sillen në bazë të perceptimeve të tyre për atë se çfarë qeveria u ka trasmetuar s’e quan apo vlerëson si rregull. Për fatin tonë jo të mirë ne ndërruam dy ministra mbrojtje të cilët në çdo ditë të karrierës së tyre politike si ministra u akuzuan për afera korruptive, bashkëpunime me bandat dhe për trafikantë të lëndëve narkotike ku dikujt iu gjetën përgjime, dikujt iu gjet vëllai dhe projeksionet që bëheshin tek njerëzit nuk ishin dot ato të ruajtësve të rendit dhe sigurisë fizike e sociale, por të të fortit që ka në dorë gjithçka. Në rastin e ministrit aktual të mbrojtjes perceptimi parësor kolektiv që përçohet tek masa e gjërë është ajo e një njeriu të fortë, korrekt, të papërlyer. Goditja e parë që i jepet kësaj figure është zvarritja e emërimit të tij si ministër dhe nevoja për të kaluar në një rrugë jo normale për tu zgjedhur ministër vetëm në sajë të faktit se është figurë e pastër, kjo si për të vertetuar perceptimet e masës së gjërë se që të jesh në krye duhet të jesh i qelbur dhe njëkohësisht (tru) peshk. Pas kthimit të tij si çështje politike mes kryeministrisë dhe presidentit vjen goditja e dytë ndaj figurës së tij politike pas ndëryhyrjes së kryeministrit për zgjidhjen e çështjes së emërimit nëpërmjet vendosjes fillimisht si zv. Ministër si për të dhënë të kuptosh se Lleshaj nuk do ketë në dorë kurrë të zgjidhë gjë dhe goditja poshtë brezit vjen po nga kryeministri që me ndërhyrjen e tij i trasmeton masës së gjerë një element të rëndësishëm, ministri Lleshaj është aty për cilësitë e mira që ka jo sepse ato cilësi promovohen e respektohen dhe u besohen institucione të rëndësishme, por sepse është e vetmja mënyrë për të bllokuar për momentin hemoragjinë e problematikave që ky dikaster i qeverisë rrjedh që nga nisja e qeverisjes Rama (dhe jo vetëm por specifikisht gjatë kësaj qeverisje).

      Të gjithë këto ngjarje, por jo vetëm këto, së bashku dhe me qindra të tjera ngjarje abuzimesh nga shoqëria civile, mospërgjegjësia qytetare e shumë të tjera kanë kontribuar në këtë që fare mirë kam të drejtën ta quaj rend pa siguri.

Arjet Pervizi

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP