Të veçanta

Kriza e Botës Moderne – René Guénon

  • Parashtjellim

     Sipas mendimtarit eminent të shekullit të kaluar kriza tashmë është e mirëqenë. Argument për këtë janë të gjithë të mençurit njohës të këtij civilizimi, Europë dhe Amerikë, janë të të njëjtit mendim. Gjithashtu  karakteristikat që gëzon ky civilizim janë të njëjtat karkteristika që kanë gëzuar ato civilizime të mëparshme që janë rrënuar apo në stadin që janë ndodhurnë stadin e rrënimit.

     Madje fundi i këtij civilizimi, tashmë në krizë, nuk ka qenë asnjeherë më i afërt se kaq. Me fund, Guenon nuk ka parasysh apokalipsin apo shkatërrimin përfundimtar të gjithësisë por fundin e ciklit civilizues. Sakaq pavarësisht krizës dhe fundit të saj pikërisht këtu kemi një gjë shumë pozitive sepse është afruar koha e fillimit të një cikli të ri civilizimi.

     Kriza reale nuk qëndron tek karakteristikat e fazës por tek fakti se kaq të shpejta janë zhvillimet negative të fazës saqë vështirësohet shumë apo bëhet i pamundur pozicionimi i duhur ndaj vetë ngjarjeve apo zhvilimeve.

      “Prej gjithë sa më sipër, ajo çka mund të mëtojmë në këtë hapësirë kufizohet në kuadrin e një kontributi në, brenda mundësive, në ndërgjegjësimin e atyre që janë të aftë, lidhur me një gjerdan përfundimesh që tingëllojnë si tashmë të mirëpërcaktuara dhe të mirë qartësuara, duke rrahur kësisoj të përgatisim elementët e nevojshëm për gjykimin e ardhshëm, pas këtij gjykimi do të piqen kushtet që zhvillimet historike të njerëzimit në tokë të nisin faqet e një periudhe të re”

     Pozicionimi:  Fakti i padiskutueshëm i fundit të këtij civilizimi nuk duhet të na bëjë kurrësesi ti dorëzohemi apo ti nënshtrohemi e të rrijmë duarkryq por përkundrazi duhet të na bëjë të lodhemi maksimalisht për të identifikuar zgjidhjen e daljes nga kjo krizë dhe për të gjetur rrugën drejt epokës së re apo civilizimit të ri.

Kapitulli 1

  • Epoka e Errësirës

     Identifikimi historik i fazës: Një nga treguesit më madhor të krizës së këtij civilizimi ka të bëjë me mënyrën se si e kanë identifikuar në aspektin historik dhe kohor epokën e tij. Dommthënë,  historia e zhvillimit dhe ndriçimit njerëzor, sipas tyre, fillon me shekullin e V para erës sonë dhe këtë e mbështesin me pohimin se para kësaj periudhe nuk ka pasur zhvillim civilizues real në tokë duke qenë totalisht të verbër ndaj faktit të ekzistencës së civilizimeve reale mbi 7 mijë vjeçare si ai i Egjiptit dhe i Kinës.

     Ndërkohë që ithtarët i civilizimit perëndimor e konsiderojnë veten në epokën e iluminimit, zhvillimit dhe të përparimit, civilizime të tjera dhe ithtarët e tyre pohojnë, sipas të dhënave të tyre, se bota ka hyrë në epokën e errësirës, pra epokën e fundit që prej më shumë se 6 mijë vjetësh.

     Ithtarët e civilizimeve të mëparshme, ato lindore, e shihnin ndriçimin real tek ndriçimi i shpirtit të tyre pra tek kthimi tek vetja ndërsa civilizimi modern vetë largimin nga vetja e konsideron përparim, pra largimin nga shpirti, për pasojë errësimin e tij e konsideron përparim dhe kjo është nga karakteristikat më dalluese të krizës së botës moderne.

     Ajo që i ka pas, dhe vazhdon t’i karakterizojë civilizimet lindore është tradita, domethënë kultivimi i vlerave shpirtërore dhe humane dmth: të jetojmë për të ndriçuar shpirtin. Në krah të kundërt qëndron totalisht civilizimi modern. Pra ky i fundit është kundër traditës.Pra, e ka shkëputur njeriun nga vetja. Kjo dukuri ka ndodhur sepse njeriu i civilizimit modern i ktheu shpinën qiellit për të pushtuar dhe sunduar tokën. Civilizimi modern tkurri gjthçka brenda përmasave thjesht dhe përjashtimisht njerëzore duke e shkëputur njëherë e përgjithmonë nga çdo parim dhe shkakësi parake të epërme.  Kjo kahje sado të justifikohet, nga ithtarët e civilizimit modern, me pretekstin se po ecin në gjurmët e grekëve të lashtë, është e pasuksesshme dhe e paqenë sepse grekët e lashtë edhe në kulmin e krizës së tyre intelektuale dhe shpirtërore nuk kanë shkuar kaq larg së epërmes dhe shkakësise parake dhe parimit.

     Humanizmi i vështruar në thelbin dhe kahjet e veta, është thjesht dhe pastërtisht trajta parake e asaj mendësie që do të formësonte thelbin e laiçizmit bashkëkohor. Duke i shkuar nga pas kahjes për ta ndryrë gjthçka në përmasat e njeriut të vështruar si qëllim në vetvete, modernët zbritën hap pas hapi deri në nivelin e asaj çka për nga natyra shfaqet si më e ulëta, duke rrahur kësisoj ti plotësojë kësaj natyre njerëzore disa nevoja thjesht dhe përjashtimisht materiale.

     Pyetja: A thua bota moderne do të vazhdojë të rrokulliset drejt fundit apo do arrijë të drejtësohet dhe të rikthehet edhe një herë tek tradita?

   Përgjigja: Të vështruar nga një pikëpamje e epërme vërehet se çrregullimi dhe mishmashi ka pushtuar skajshmërisht çdo domen të njohjes dhe të jetës shoqërore dhe ka arritur kulmin krahasusr edhe me civilizimet e mëparshme. Maksimumi që mund të shpresohet është një restaurim sipërfaqësor dhe i përkohshëm. Por gjithsesi larg optimizmit dhe pesimizmit gjatë qasjes duhet të kemi parasysh, siç e përmendëm dhe më sipër, fundi i një epoke përkon gjithashtu dhe me zanafillën e një bote të re.

     Pyetja: Mbas gjithë çka më sipër vetvetiu lind pyetja: cila është vallë arsyeja e ekzistencës së një periudhe si kjo në të cilën po jetojmë?

     Përgjigja: është stadi i një cikli. Pra është ligj i epërm që konsiston në fillimin e epokave dhe mbarimin e tyre.

     Sikundër ndodh me çdo realitet tjetër, edhe qytetërimi modern gëzon të drejtën për të ekzistuar dhe nëse me të po mbyllet një cikël, mund të thuhet se kjo është pashmangshmërisht gjithë sa duhej të ndodhte, që do të thotë se ka gjetur, tek e fundit kohën dhe vendin e vet. Pavarësisht nga kjo, sërishmi kjo epokë meriton të fshikullohet përmes thënies ungjillore, që shpeshherë është keqkuptuar dhe keqinterpretuar: “Është e pashmangshme që skandali të mos ekzistojë, porse mjerë ata që e krijojnë vetë skandalin”

Kapitulli i dytë

 Kundërvënia mes Lindjes dhe Perëndimit

     Një nga tiparet më karakteristike të mbarë botës moderne lidhet në thelb me hendekun e krijuar mes Lindjes (e cila shfaqet si ndjekëse besnike e traditës së hershme) nga njëra anë dhe Perëndimit nga ana tjetër. Kjo çështje trajtohet në këtë libër nga autori (më parë e ka trajtuar te libri Orienti dhe Oksidenti i vitit 1924), si shkak i shumë keqkuptimeve të krijuara kur flitet për këtë problematikë.

     Sipas autorit në fjalë ekzistenca e shumë qytetërimeve në vende të ndryshme të botës, ka bërë që të kemi një dallueshmëri të qartë në mënyrat dhe veçoritë sesi ato janë zhvilluar. Porse kjo dallueshmëri nuk nënkupton aspak kundërvënie, përkundrazi, midis atyre qytetërimeve që shfaqen si fort të dallueshme nga njëra-tjetra, mund të ekzistojnë fare mirë përngjasime apo përafrime në qasjen botëkuptimore të tyre.

     E gjitha ajo që folëm më lart i referohet të gjitha qytetërimeve të cilësuara si normale apo tradicionaliste. Mes qytetërimeve të kësaj kategorie nuk ekziston asnjë lloj kundërvënie thelbësore apo parimore, por shfaqen vetëm të një natyre sipërfaqësore. Nisur nga gjendja në të cilat ndodhet bota e sotme, Guénon thotë: “Gjendemi nga njëra anë përpara tërë qytetërimeve që ende e ruajnë frymën tradicionaliste (qytetërimet Lindore), ndërsa nga ana tjetër qëndron i vetëm qytetërimi thelbësisht dhe tërësisht kundër-tradicionalist (qytetërimi Perëndimor i kohëve moderne)”.

     Sot (në kohën kur është shkruajtur libri), kemi një ndarje të qartë të popujve të Perëndimit me popujt e Lindjes. Ku qytetërimi perëndimor i pranuar tashmë përfaqësohet nga Evropa dhe
Amerika, ndërsa ai lindor i cili është më i larmishëm përfaqësohet nga: Lindja e Largët (qytetërimi i hershëm Kinez); Lindja e Mesme (qytetërimi Hinduist) dhe Lindja e Afërt (qytetërimi Mysliman). Sipas Guénonit, qytetërimi mysliman sot duhej të shihej si një mesatare ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, pasi një pjesë e mirë të tipareve që ai shfaq i afrohen periudhës së Mesjetës në territoret perëndimore.

     Në lidhje me trajtesën më lart, Guénon thotë: “Kundërvënia mes Lindjes dhe Perëndimit, filloi në kohën kur në perëndim, perënduan qytetërimet tradicionaliste”. Kështu, jo vetëm qytetërimi mysliman (që ishte më pranë atij perëndimor të Mesjetës), por edhe qytetërimet e tjera të Lindjes, qëndrojnë në kundërvënie me atë perëndimor të periudhës së botës moderne. Një nga tiparet në të cilën kjo gje bëhet e dukshme ka të bëjë me botëkuptmin (realitetin faktik dhe ekzistues), që kanë qytetërimet sot. Pasi sipas autorit, botëkuptimi dhe fryma tradicionaliste (që cilësohen si normale), kanë frymëzuar të gjitha qytetërimet që i njohim në formën e tyre më të plotë, në përjashtim të vetëm njërit: “qytetërimit perëndimor të kohëve moderne”.

     Ekzistojnë edhe mendime në lidhje me rimëkëmbjën e “traditës perëndimore”, duke u bazuar në Atlantidën (mijëra vjet më parë), e cila për shumë faktorë nuk mund të konsiderohet kjo si një traditë e kryhershme prej të cilës morën zanafillë traditat e tjera, apo duke u bazuar në “Keltizimin” ose “Veriorizimin” (një epokë më e afërt), e cila është më e mundshmë që mund të vihet në jetë, por elementët e saj nuk mund të na ofrojnë tërësinë e një tradite. Padyshim mund të themi se përfaqësuesit më autentik të botëkuptimit dhe të frymës së vërtetë të traditës mund t’i gjejmë vetëm në Lindje.

     Kundërvënia midis Lindjes dhe Perëndimit do të reshti së ekzistuari, kur ky i fundit të kthehet në gjirin e traditës së vet. Kjo si shkak se kundërvënia është si pasojë e frymës tradicionaliste ndaj asaj kundër-tradicionaliste. E gjithë kjo “kundër-modernizëm” nuk të bën aspak “kundërperëndimor”, përkundrazi, ky është i vetmi shpëtim për Perëndimin. Ky i fundit ka nevojë të mbrohet nga vetvetja dhe t’i qaset Lindjes (e cila nuk mund t’i shohë më ndryshe gjërat, sesa perëndimi i rimëkëmbur në të ardhmen), nga ajo Lindje e cila nuk është e prekur nga sëmundja perëndimore, pasi vetëm kështu Perëndimi mund të shpëtoje nga rrënimi.

Kapitulli 3

  • Njohja dhe Veprimi

     Në këtë kapitull, René Guénon na paraqet dy koncepte, të cilat qëndrojnë mes dy botëkuptimeve; asaj lindore dhe perëndimore. Këto koncepte janë: “Njohja dhe veprimi”. Në fund të kapitullit Guenon bën një paralelizëm ndërmjet njohjes dhe meditimit, prandaj në këtë konspekt, fjala meditim do të jetë sinomin i fjalës njohje, për vetë faktin se njohja rrjedh prej meditimit dhe nuk mund të bëjnë pa njëra-tjetrën.

     Ajo çka theksohet në këtë pjesë është fakti së sipas autorit, meditimi është një koncept i përvetesuar nga lindorët ose tradicionalistët, ndërsa veprimi është baza e ndërveprimit e sistemit perëndimor ose modernët. Këto dy koncepte vendosen përpara tre hipotezash: a)- ‘Meditimi dhe veprimi’ janë qasje të ndryshme; b)- ‘Meditimi dhe veprimi’ janë qasje që e plotësojnë shumë mirë njëra- tjetrën; c)- ‘Meditimi dhe veprimi’ janë në një marrëdhenie nënrenditëse mes tyre (të varura nga njëra- tjetra).

     Meditimi ka qënë dhe mbetet baza e ndërtimit të qasjes tradicionaliste- lindore, sipas së cilës thellësia e njohjes së gjërave mbetet baza e ndërtimit të shkencave të këtij orientimi. Nga ana tjetër, veprimi shihet si paskusht i zhvillimit të aftësisë së arsyes për të konceptuar botën që na rrethon.

     Meditimi nga njëra anë ka qenë arsyeja e zhvillimit të popujve përgjatë gjithë historisë njerëzore. Me anë të saj arrihej njohja e thelbësishme e sendeve dhe fenomeneve. Sa kohë që mbizotërontë kjo përqasje, njerëzit kishin një burim frymëzimi, një burim absolut, tek e cila mbështeteshin në çdo rast. E duke u mbështëtur pikërisht këtu, i jepnin kuptim gjithçkaje përreth. Ana sipërfaqësore ishte thjesht një elemnt i së tërës dhe lidhja më shkakun e parë ekzistonte gjithmonë.

     Veprimi nga ana tjetër u shfaq në Perëndim pas tejkalimit me dhunë që Perëndimi i bëri disa koncepteve, sidomos në periudhëm e iluminizmit, e cili hyjnizoi arsyen. Sipas metodologjisë me bazë veprimin, u krijua një zinxhir veprimesh, të cilat e shkëputën objektin nga thelbi. Filloi të rendej pas ndërtimit mbi objekt pa marrë parasysh asnjë lloj aspekti tjetër. Objektet filluan të shiheshin si instrumenta për arritjen e qëllimeve të një, disa apo një grupi individësh. Kjo solli më vonë edhe lindjen e individualizmit dhe pragmatizmit.

     Nëse marrim hipotezën e parë, edhe pse në pikënisje të dy konceptet janë të ndryshëm, nuk mund të themi që si qasje janë përjashtuese ndaj njëra- tjetrës. Konkretisht Guénon këtë e mbështet me faktin së meditimi ka qenë i përhapur edhe në botën e sotme perëndimore, por që me ngritjen e kultit të arsyes, tashmë njohja ka kaluar thjesht si një veprim sipërfaqësor, e cila nuk synon depërtimin në thelbin e objekteve.

     Hipoteza tjetër ka të bëjë me faktin që meditimi dhe veprimi plotësojnë mirë njëra- tjetrën. Por që kjo të ndodhte, na duhej që të mos kishte përplasje mes këtyre dy koncepteve. Fakti që ana perëndimore e ka shenjtëruar veprimin, ka sjellë si rrjedhojë që të mos pranojë elementë të jashtëm. Vetë-mjaftimi me këtë lloj të menduari, ka bërë që Perëndimi të rrotullohet rreth një qasjeje të vetme dhe ta konsideroje atë si më superioren. Guénon shprehet: “Frymën e botëkuptimit perëndimor nuk e vërejmë të shfaqet përpos se në kohët e fundit. Ky hamendësim, ndërkaq, duket se përftohet vetvetiu duke u pikënisur edhe nga vetë frenetizmi që po karakterizon botëkuptimin dhe frymën perëndimore të kohëve moderne, duke vijuar me përpikmëri dhe pandërprerje sipas kahjes që ka zgjedhur, mendësia moderne, e pakënaqur vetëm me shpalljen e epërsisë së veprimit, ka arritur deri aty, sa e ka kthyer mohimin e meditimit në shqetësim parësor, po rreh gjithmonë e më tepër ta zhveshë atë nga çdo vlerë, duke e anashkaluar paq apo duke mos u përfillur, që ta njohë natyrën e vërtetë të meditimit.”

     Ndërsa hipoteza e tretë është më e pranueshme. Meditimi tradicionalist nuk ka qenë asnjëherë i vetëmjaftueshëm totalisht, edhe pse nuk e mohon epërsinë e tij. Guénon këtë fakt e shpreh: “Në rastin e pamësive botëkuptimore të Lindjes, të cilat, pavarësisht se njohin dhe pranojnë në mënyrë të qartë dhe prerazi epërsinë, madje, deri edhe natyrën dhe përmasat përjetësore të meditimit kundrejt veprimit, sërishmi kanë rrahur gjithnjë që ta vendosin këtë të fundit në vendin që i takon brenda rendit të ekzistencës njerëzore.

     Pra Guénon na thotë që: në një botë të ndërtuar mbi meditimin dhe botëkuptimin njohës të thelbit të objekteve, mund të arrihet një civilizim bashkëpunues botëkuptimesh e jo izolues së vetvetes. Nëse i kthehemi thelbit, gjithçka tjetër do ta pranojmë nën hijen e saj. Ndërsa e kundërta, nëse anashkalojmë thelbin dhe i vejmë theksin një botëkuptimi pa botë (veprimi), do ta çojë në një mendësi izoluese, fanatike dhe jo pranuese të tjetrit.

Kapitulli 4

  • Shkenca e hyjshme dhe shkenca laiciste

     Që nga vetë titulli, René Guénon na vë në dijeni se përgjatë këtij kapitulli do të njihemi me dy shkencat kryesore që kanë pasur qytetërimet në periudha të ndryshme.

Së pari, shkenca e hyjshme ose ndryshe shkenca “tradicionaliste”.

Së dyti, shkenca laiciste ose ndryshe shkenca “moderne”.

     Shkencat tradicionaliste,  ndërtohen mbi themelet e parimeve dhe shkakësive parake. Këto shkenca bazohen në një shkak apo fillim të parë dhe shpeshherë tek shumica ky fillim është Zoti, i cili është nismëtari i gjithçkaje dhe pika ku mbështeten për të krijuar metodologjinë e tyre të zhvilluarit të shkencave.

     Shkencat moderne,  e ndërtojnë metodologjinë mbi bazën e arsyes dhe mendjes. Këto shkenca janë zhveshur nga çdo kuptim i thellë dhe nga çdo interes në fushën e hulumtimeve e njohjes. Shkenca e formësuar prej pamësisë dhe frymës botëkuptimore moderne ka humbur edhe në qëndrueshmërinë e saj, përsa kohë lidhja që kishte dikur me parimet dhe shkakësitë fillestare u krijonte mundësinë të përvetësonin diçka të pandryshueshme.  Shkenca e kohëve moderne gjendet e detyruar që të formulojë thjesht hamendësime dhe gjasa të përafërta, pamësi thjesht hipotetike që më së shumti shfaqet si fryt i fantazisë vetjake.

     Nga ana tjetër, autori ka shpjeguar dhe arsyen se pse shkencat eksperimentale kanë patur zhvillim dhe sukses në qytetërimet e kohëve moderne.  Sipas tij, arsyeja e këtij zhvillimi qëndron në faktin se shkencat eksperimentale mbërthehen fort dhe përjashtimisht pas botës shqisore, botës lëndore, sikundër dhe për faktin tjetër që këto shkenca ofrojnë një sërë ligjesh të cilat gjejnë zbatim të menjëhershmëm në shoqëritë ku implementohen.  Për t’u rikthyer sërish tek shkencat tradicionaliste dhe moderne , Guénon na sjell dhe shembuj të shkencave të të dyja periudhave  duke përfshirë karakteristikat kryesore të tyre. Ndër rastet që përmend është shkenca e kimisë.

     Guénon thotë: “ Alkimia e vërtetë ishte në thelb një shkencë e natyrës kozmologjike, e cila gjente zbatim në natyrën dhe botën e njeriut falë analogjisë që ekziston mes “makrokozmosit” dhe “mikrokozmosit”.”  Pra, sipas tradicinalistëve kjo shkencë linte hapësirë për përfshirjen e njeriut në një sferë tërësisht dhe pastërtisht shpirtërore. Ajo çka e  karakterizonte  këtë  shkencë ishte meditimi.  Sipas tyre kjo ishte dhe vlera më e lartë me anë të së cilës arrihej njohja.

     Nga ana tjetër, lindja e kimisë moderne ishte fryt i shtrembërimit dhe shpërfytyrimit të alkimisë së periudhës së lashtësisë. Kjo solli që disa njerëz duke mos qenë të aftë të deportonin në kuptimin e thellë që mbart , i përthithën dhe i trajtuan në kuptimin sipërfaqësor të tyre.

     Një tjetër shembull i ngjashëm është dhe rasti i matematikës moderne, e cila nuk paraqet gjë tjetër veçse majën  apo anën e “jashtme” të matematikës pitagorike ( dmth të hapur ndaj laicistëve). Madje për modernët , edhe koncepti i numrit tingëllon krejtësisht i errët dhe i pakuptueshëm , për aq kohë sa nuk ka një kuptim  dhe një njohje të thellë  të tyre. Pra, kjo është një nga mënyrat sesi shkenca moderne nisi të përfitojë një fizionomi të sajën duke u mbështetur tek mbetjet dhe tek emblemat më të zbehta të shkencave tradicionaliste dhe duke u kapur pas atyre lëndëve që vetë tradicionalistët i quanin të parëndësishme.

     Për ta përmbyllur, ajo çka mund të themi është se: Shkenca tradionaliste mbështej pas parimeve metafizike dhe shkakësisë fillestare, të cilat shfaqeshin të ndërthura në mënyrë të përsosur si pjesë e “shkencës së hyjshme”.  Në “shkencën e hyjshme”, intuita intelektuale është më e drejtpërdrejta, është njohja më e lartë.  Kjo shkencë është në përputhje të plotë me mendimin dhe frymën e traditës.

     Ndërsa shkenca laiciste mund të vështrohet dhe si një “ dituri të paditurish”. Pra, dija rreth rendit dhe shtresës me të ulët të realitetit dhe mbështetja në këtë realitet të gabuar e bën të paaftë të hulumtojë të vërtetën. Ajo është e paaftë t’i vendosë vetes një qëllim të lartë, e paaftë të njohë një parim themelor që mund t’i jepte një arsye për të ekzistuar apo njohur të vërtetën.

Kapitulli 5

  • Individualizmi

     Individualizmi njihet si mohimi tërësor i çdo parimi, nocioni, natyrës dhe dimensionit të individit. Sipas Guénon-së është e pazakontë që qytetërimet të lindin dhe të ndërtohen në diçka negative dhe konkretisht në mungesë të theksuar parimesh themelore ashtu siç synon individualizmi. Pikërisht kjo mungesë parimesh themelore i jep botës perendimore një natyrë anormale dhe e shndërron në një lloj barabrizmi. Në përputhje me përkufizimin e sapo dhënë dalim në konkluzionin se individualizmi shfaqet si shkaktari kryesor i dekadencës që po kalon bota perëndimore sot. Individualizmi përpëlitet të mohojë metafiziken dhe intuitën intelektuale dhe çdo gjë që shkon përtej individuales. Edhe në rastet kur filozofët modern pranojnë ekzistencën e një domeni të metafizikës, sërish ky koncept është larg metfizikës së njëmendtë por vetëm një proces ndërlidhjesh racionale që kapen fort mbas konceptit lëndor të metafizikës dhe qëndrojnë brenda kufijve të individualizmit. Individualizmi gjithashtu ka ndikuar tek filozofët të cilët në kohën në të cilët jetojmë kanë si fokus më tepër ngritjen e problemeve por jo zgjidhjen e tyre. Gjithashtu preferojnë më tepër të lidhin emrin e tyre pas një sistemi domethënës ose pas nje sistemi teorish ngushtësisht të kufizuara vetëm në mënyre që të ekzistojë edhe emri i tyre. Gjithashtu individualizmi ka  ndikuar që filozofët modern në sajë të përpjekjes për të qënë origjinal të jenë më të prirur të sajojnë gabime të reja sesa të pohojnë të vërteta tashmë të njohura.

     Sipas Guénosë është e pakonceptueshme se si një njeri i vetëm të mund të trumbetojë pronësinë e një ideje. Një ide i përket të gjithë atyre që mund ta pranojnë. Një njeri i vetëm do të fillonte ta ndëshkonte vetë idenë derisa ta tkurrte. Sakaq, një ide e re nuk mund të jetë kurrë diçka “e re”. E vërteta nuk i përket mendjes njerëzore, ajo ekziston e pavarur nga ne, detyra jonë është ta zbulojmë.

     Sipas Guénon, mohimi i intuitës intelektuale solli vendosjen e arsyes mbi gjithçka duke e shndërruar këtë aftësi në diçka përjashtimisht njerëzore.Vetë themeluesi i rrymës së racionalizmit do ta tkurrte arsyen dhe racionalitetin vetëm në stadin praktik të saj. Më pas vetë elementët e racionalizmit dhe arsyes do t’i kundërviheshin arsyes për ta kritikuar si të paaftë për të mbërthyer gjithë kompleksitetin e sendeve të papërcaktuara.

     Sipas Guénon, qytetrërimiet tradicionaliste janë të ndërtuara mbi intuitën intelektuale dhe pamësinë e qashtër metafizike. Filozofët e lëvizjes së Rilindjes Europiane nisur nga bazat e individualizmit synuan fillimisht shkëputjen nga traditat. Tradita perëndimore e atyre viteve ishte një formë përjashtimisht fetare, e cla mishërohej tek Katolicizmi, kështu që tërë kryengritjet kundër rrymës dh kundër pamësive  botëkuptimore të traditës nuk mund ta qëmtojmë tjetërkund përpos se në sferën e fetarisë, asokohësh, kryengritja kundër gjithë sa përbën traditën u mishërua tek protestanizmi. Thelbi i protestanizmit, sikursë thelbi i botës moderne në përgjithësi është mohimi i ekzistëncës së parimeve dhe skakësisë parake, që qëndron në themel të individualizmit. Shprehja pro individualizmit është shprehje kundër parimit të çdo autoriteti të epërm përpos individit sikundërse edhe kundër çdo epërsie njohëse përpos asaj që siguron arsyeja individuale, duke qenë se këto të dyja janë në thelb të pandashme.

     Bota perëndimore duke flakur tej autoritetin që buronte nga rendi mbinjerëzor iu desh të ndryshonte edhe orgazimin e jetës i cili deri më tani ishte sipas frymës tradicionaliste. Ajo që solli kjo gjë ishte se i dha lirinë çdokujt të interpretonte të vërtetat e epërme dhe qasjet botëkuptimore pavarsisht sa i ditur dhe sa i aftë ishte. Sipas Guénon, nga këtu e ka zanafillën shprishja dhe shpërfytyrimi i skajshëm i fetarisë, shpërbërja e saj në tërësinë dhe shkrirja e saj në mënyrë të qënësishme në një “moralizëm” që bie mjaft lehtë në sy tek protestanizmi. Eleminimi i krejtsishëm i elementëve të fetarisë nuk do të nxiste asgjë tjetër veçse një mori prirjesh sentimentaliste fetare. Duke qënë se fetaria është një shpërfaqje pastërtisht tradicionaliste, atëherë çdo përpjekje kundër tradicionales është në thelb prirje kundër-fetare. Në prirjen kundër shpërfaqjes tradicionaliste ka dy rryma. Rryma e parë përpiqet që nëpërmjet të pavetëdijshmes kërkojnë të kthejnë në njerëzore atë që është fetare. Nga ana tjetër moralizmi protestant, duke eliminuar çdo element thelbesisht kuptimor u toptis shumë shpejt i tretur nën emrin moralizëm laicist. Protestanizmi fillon dhe e tkurr zbulesën e pastër hyjnore deri në atë pikë saqë thuajse pushon së qëni zbulesë hynjore dhe sot gjejmë të krishterë që janë më afër mohimit sesa parimeve të krishtera.

     Sipas Guénon ne jemi fokusuar shumë tek qytetërimi perendimor dhe mënyra se si përpiqet të eliminohet në një farë mënyre rryma tradicionaliste mirëpo harrojmë nga ana tjetër se si India e cila nuk ka një traditë fetare e përcjell frymën e traditës vetëvetiu pa ndihmën e organizmave të përcaktuara siç ishtë nevoja në perëndim. Mirëpo sipas Guenon perëndimi do të kërkojë të ripërtërisë këtë cilësi të humbur. Perëndimi do të kërkojë të ripërfitojë edhe një herë vetëdijen në lidhje me thelbin dhe me kuptimin e thellë të traditës së vet, dhe ndihma e vetme për të pasur sukses nuk mund të vijë nga askund tjetër përpos se nga Lindja. Perëndimi do ta kërkojë këtë ripërtëritje nga tradita romano-katolike. Duke qenë se gjendja e traditës romano-katolike është e ndryshme nga ajo që konceptohet nga pjesa më e madhe e dërrmuesve të saj, jemi para faktit se mund të na shfaqen lëvizje qëllim-mira por të dështuara siç ishte modernizmi. Mendësia dhe gjendja e përgjithshme shpirtërore për të cilën po flasim këtu nuk lidhet me asgjë tjetër veçse me një përpjekje për ta tkurrur fetarinë në nivelet më minimale dhe brenda hapësirave të kufizuara. Referuar Guénonin kjo po bëhet shumë mirë, për shembull, në Perëndim një fetar i krishterë nuk ka dallime me një jofetar sa i përket praktikave. Nisur nga sa diskutuam deri tani qëllimi ishte që fetaria të shikohej si ceshtje thjeshtë praktike dhe e përdithshmërisë duke e lidhur kështu me dogmat dhe zakonet apo si thjeshtë një rutinë.

     Në kohët ku jetojmë njeriu i kohëve moderne në vend që të përpiqet të shkojë lart drejt të vertetës së epërme, përpiqet që të vertëtën ta ulë në rrafshin e tij dhe shpesh herë kur flitet për shkenca tradicionaliste njerëzit e lidhin me filozofinë.

Kapitulli 6

Mishmashi Shoqëror

     Në këtë kapitull i bëhet një analizë e detajuar impaktit që shkakton shmangia nga parimet themelore si dhe nga shkakësia parake në vetë rendin e shoqërisë, duke nxjerrë në pah pikërisht ato elemente apo mekanizma që janë përdorur si zëvendësues të tyre.

     Fillimisht theksohet fakti se ndryshimi, ridimensionimi dhe rivendosja thelbësore e botës moderne nuk mund të zërë fill thjesht dhe vetëm nga sfera shoqërore. Nëse do të ishtë kështu, do të niseshim nga pasoja dhe jo nga parimet themelore dhe shkakësitë parake, dhe i gjithë procesi dhe rezultati do të ishtë thjesht një iluzion.

     Një ndër elementet më të dukshme që e karakterizon botën e kohëve moderne është fakti se, nuk gjen asgjë dhe asnjë njeri që të gjendet në vendin që i takon në përputhje me natyrën që ai shpërfaq. Madje, shpërndarja e cilitdo funksion nuk kryhet nën dritën e një rregulli të ligjshëm duke sjellë kështu që çdo kush të bëjë çfarë dëshiron, duke marrë shpeshherë mbi vete detyra dhe funksione që i tejkalojnë paq aftësitë e tij. Arsyeja kryesore e këtij kaosi është mohimi i tërësishëm i çdo lloj hierarkie shoqërore. U anashkalua deri në mohim tërësor natyra e veçantë e individëve dhe e gjitha kjo nën dritën e një pseudo-parimi të njohur me emrin “barazi”.

     Më pas vazhdohet me argumentimin se njërëzit nuk mund të jenë të barabartë. Është e pamundur që dy qenie të jenë qartësisht të dallueshëm dhe, në të njëjtën kohë, të ngjashëm në cdo aspekt. Njerëzit nuk perceptojnë dhe mendojnë njëlloj, as nuk kane të njëjten mprehtësi dhe intelekt. Por, bota modern e ka zëvendësuar mprehtësinë dhe punën me intelektin me të mësuarit mekanik dhe grumbullimin e disa nocioneve krejt elementare dhe krejt të paqarta. Bota moderne shpiku disa “sugjestione” autentike ti tilla si: “barazia”, “përparimi” apo disa “dogma laiciste”, të cilat nuk ishin krejt spontane, por të menduara brenda një ambjenti të parapërgatitur. Këta terma nuk janë gjë tjetër vetëm se disa sofizma që edhe ata që i propagandojnë bien pre e sugjestionimit të tyre në përpjekje për të sugjestionuar të tjerët. Nuk janë vetëm se ide false, ose pseudo-ide, të sajuara me synimin e rëndomtë për të përndezur një varg reagimesh sentimentaliste, për aq sa kjo është mënyra më e lehtë dhe efikase për të vepruar mbi masat e gjëra. Pjesa më e madhe e “idhujve” të botës moderne nuk janë tjëtër përpos se fjalë, aq sa shpeshherë gjendemi përpara një dukurie tejet të cuditshme, të njohur me emrin “fjalërizim” (verbalisme). Këta gojëtarë demagogë kanë një efekt mbi masat të ngjashme me hipnotizuesit.

     Më pastaj i bëhet një zbërthim i nocionit të demokracisë duke shpërfaqur të gjitha sofizmat që e ngërthejnë dhe karakterizojnë këtë term. Arsyeja se përse ideja e “demokracisë” nuk mund të realizohet është se: gjithë sa shpërfaqet dhe është në vetvete e epërme nuk mund të burojë assesi nga gjithë sa shpërfaqet dhe është në vetvete e ulët, për aq sa “më shumë” nuk mund të burojë assesi nga “më pak”. I njëjti argument përdoret edhe për “materializmin”, duke e bërë kështu simotrën e “demokracise”. Populli assesi nuk mund të japë një pushtt qe në të vërtetë nuk e ka. Pushteti i vërtetë nuk mund të burojë përpos se prej së larti. Një pushtet i këtille nuk mund të shfaqet i ligjshëm përpos se përmes sanksionimit nga një autoritet më i epërm sesa vetë rendi shoqëror, shprehimisht këtu, nga një autoritet shpirtëror; në të kundërt, nuk do të kishim vetëm se një falsifikim të pushtetit të vërtetë.

      Të pranosh idenë sipas të cilës vetë populli është njëkohësisht edhe i qeverisur edhe qeverisës, është njëlloj si të pranosh si të vërtetë pohimin që buron nga një kundërti logjike, për aq sa, nëse mund të shpreheshim me terminologjinë aristotelike, e njëjta qenie nuk mund assesi të shpërfaqet njëkohësisht dhe ne çdo aspekt edhe në “veprim” (in act) edhe në “mundshmëri” (in potency). Nuk mund të ekzistojnë të qeverisur  në qoftë se nuk ekzistojnë qeverisës. Por, aftësia e pashoqe e qeveritarëve demokratë të kohëve tona qëndron padyshim në mjeshtërinë përmes të cilës arriijnë që ta bindin paq popullin se po qeveris vetveten. Për këtë kanë sajuar edhe “votimi mbarëpopullor” dhe populli është jo pak i ngazëllyer nga kjo, por i paaftë për të reflektuar dhe kuptuar. Këta politikanë nëpërmjet “fabrikimit të opinionit” arrijnë t’i komandojnë dhe orientojnë masat sipas interesave të tyre.

     Por cila ishte arsyeja që ky nocion zuri vend kaq shpejt dhe në mënyrë kaq dramatike në mendësinë dhe frymën e botës moderne? Opinioni i shumicës nuk mund të jetë tjetër përpos se shprehje e qartë e mungesës së kompetencës së duhur, e cila shfaqet më së pari dhe mbi të gjitha, fryt i mungesës se intelektit apo i paditurisë së skajshme. Për këtë rezultat na ndihmon “psikologjia kolektive”, e cila pohon, se tërësia e reagimeve mendësore që krijohen tek individët që shfaqen pjesë e një turme formon një rezultante që nuk e kalon asnjëherë nivelin mesatar; përkundrazi, në të shumtën e rasteve shafqet e nivelit më të ulët. Gjithashtu përdorimi i “sentimentalizmit”, sidomos në politikë, paraqiti një ndër pengesat kryesore për kuptimin e drejtë të jo pak çështjeve dhe problematikave.

     Çfarë është saktësisht ky ligj i shumicës numerike që trumbetojnë me të madhe të gjitha qeveritë pak a shumë demokratike të kohëve tona moderne? – Është thjesht dhe përjashtimisht ligj i materies dhe i forcës së pafrenueshme, vetë ligjësia nën dritën e të cilës një masë e tërhequr prej peshës së vet shtyp gjithë sa i del përpara. Dhe është pikërisht në këtë pikë ku koncepti “demokratik” shkrihet tërësisht dhe përnjështueshëm me konceptin “materialistik”, dhe kjo bashkëshkrirje e tyre konceptuale përbën edhe bërthamën e mendësisë dhe frymës botëkuptimore të kohëve moderne. Ndërkaq, në botën shpirtërore, dhe akoma edhe më tëpër, në rendin e gjithsejtë, përnjështimi dhe njëshmëria mbeten përjetësisht bërthama e çdo lloj hierarkie, duke qenë se kjo njëshmëria mishëron në vetvete edhe parimin prej nga buron çdo shumësi si e këtillë. Porse, sa herë që parimi në fjalë mohohet, apo anashkalohet, atëherë nuk mbetet tjetër përpos se shumësia e tërësishme, e mishëruar qartësisht tëk vetë lënda, tek pjesa materiale e botës. Dhe e gjitha kjo ka si shkaktar kryesor “individualizmin”, i cili nuk shënjon tjetër në thelb përpos se mohimn e çdo parimi mbi-individual.

     Së fundmi themi pasojat më të drejtpërdrejta dhe më të spikatura të idesë “demokratike” në përgjithësi, dhe të idesë “kolektiviste” në veçanti. Fjala ështe për mohimin e elitës e vështruar në thelbin dhe në kuptimin  e saj më të thellë dhe më të ligjshëm. Prirja thelbësore e “demokracisë” është sakrifikimi i pakicës për hir të shumicës, apo të cilësisë për hir të sasisë. Mohimi i tërësishëm i çdo lloj hierarkie, duke theksuar se një individ është i barazvlefshëm më një tjetër thjesht dhe përjashtimisht për faktin se janë të barabartë në rrafshin numerik, pavarsisht se nuk shfaqen të tillë në asnjë rrafsh tjetër përpos se vetëm dhe përjashtimisht në rrafshin numerik. “Demokracia”, dhe së bashku me të edhe çdo lloj individualizmi liberal dhe çdo kolektivizëm, nuk lulëzojnë përpos se në ato vende ku fryma e qashtër intelektuale pushon së ekzistuari, siç është edhe rasti i botës moderne.

     Ka vetëm një rruge për të dalë një herë e mirë nga gjendja e kaosit: përtëritja e frymës intelektuale, çka përpkon me rindërtimin e një elite, duke u karakterizuara së pari dhe mbi të gjitha, me njohjen e vërtetë, që janë njohuri që burojnë dhe përcillen nga tradita.

Kapitulli 7

  • Qytetërimi materialistik

     Fjala ‘materializëm’ nuk shkon më tej se shekulli i tetëmbëdhjetë; ajo u shpik nga filozofi Berkeley, i cili e përdori atë për të përcaktuar çdo teori që pranoi ekzistencën e vërtetë të materies. Pak më vonë, e njëjta fjalë mori një kuptim më të ngushtë, në fakt kuptimi që ai ende ruan: ai erdhi për të treguar një konceptim sipas të cilit asgjë tjetër nuk ekziston, pos materies dhe derivateve të saj. E gjithë shkenca ‘profane’ që është zhvilluar gjatë shekujve të fundit, është një studim analitik i botës shqisore, është i mbyllur tërësisht brenda kësaj bote dhe punon me metoda që mund të aplikohen vetëm në këtë fushë; vetëm këto metoda shpallen si ‘shkencore’, që do të thotë të refuzosh çdo shkencë që nuk merret me gjërat materiale.

     Pyetja shpesh është ngritur nëse, nga pikëpamja fetare, shkenca moderne duhet të denoncohet si ateiste apo materialiste, por çështja zakonisht është trajtuar keq: është mjaft e sigurt se kjo shkencë nuk shpreh në mënyrë eksplicite ateizmin apo materializmin, thjesht, për shkak të paragjykimeve të saj, injoron gjëra të caktuara pa u mohuar zyrtarisht, siç mund të ketë bërë ky apo ai filozof; në lidhje me shkencën moderne, pra, mund të flitet vetëm për materializmin de facto, ose atë që mund të quhet materializëm praktik.

     Duket se asgjë nuk ekziston për njerëzit modernë përtej asaj që mund të shihet dhe të preket; ose të paktën, edhe nëse pranojnë teorikisht se diçka mund të ekzistojë më shumë, ata menjëherë e deklarojnë atë jo vetëm të panjohur, por të pakuptueshme, gjë që ua heq mundin atyre që të mendojnë për të. Personat modernistë në përgjithësi nuk mund të konceptojnë ndonjë shkencë tjetër sesa ato të gjërave që mund të maten, numërohen dhe peshohen, me fjalë të tjera gjëra materiale, pasi vetëm atyre mund t’iu  zbatohet pikëpamja sasiore; kërkesa për të zvogëluar cilësinë në sasi është shumë tipike për shkencën moderne. Kjo tendencë ka arritur në pikën e supozimit se nuk mund të ketë shkencë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, përveç kur është e mundur të futet matja dhe se nuk mund të ketë ligje shkencore përveç atyre që shprehin marrëdhëniet sasiore. Shpikjet, numri i të cilëve është duke u rritur në një ritëm gjithnjë e më të madh, janë më të rrezikshme në atë që sjellin, natyra e të cilëve është e panjohur për njerëzit që i përdorin ato; dhe kjo injorancë është prova më e mirë e pavlefshmërisë së shkencës moderne si një mjet shpjegues, dmth konsiderohet si njohuri, madje edhe vëmendja e tij është e kufizuar tërësisht në fushën fizike.

     Në të njëjtën kohë, fakti që injoranca e tillë në asnjë mënyrë nuk pengon aplikimet praktike, vërteton se kjo shkencë në të vërtetë është drejtuar vetëm në qëllimet praktike dhe se është industria që është objekti i vetëm i vërtetë i të gjitha hulumtimeve të tij. Duke patur parasysh që gjuha është shprehje e mendësisë së një populli, arrijmë në përfundimin se për ata që shprehen se ‘realiteti’ shënjon vetëm realitetin shqisor, gjithë sa shpërfaqet e parrokshme dhe e pakontrollueshme nga shqisat është ‘irreale’, madje e paqenshme. Në tërë këtë kahje nuk ka vend për intelektin, përvecse në rastin kur ky intelekt kthehet në një ‘instrument për të krijuar instrumente’. Në çdo formë që ‘pragmatizmi’ shpërfaq është një pavramendje e tërësishme përballë të vërtetës.

     Rreziku i pandarë në shpikjet moderniste, edhe në ato që nuk janë krijuar shprehimisht për një qëllim destruktiv për njerëzimin – por që megjithatë shkakton po aq katastrofa, pa përmendur shqetësimet e paqëndrueshme që krijojnë në mjedisin fizik – pa dyshim do të vazhdojnë të rriten, dhe që në një masë të vështirë që smund të thuhet, kështu që, siç e kemi treguar tashmë, nuk është aspak e pamundur që përmes këtyre shpikjeve do të ndodhë që bota moderne do të sjellë shkatërrimin e vet, nëse nuk mund ta kontrollojë kursin e saj në këtë drejtim, ndërsa ka ende kohë.

Kapitulli 8

Pushtimi Perëndimor

     Kapitulli në fjalë jep një panoramë të pushtimit perëndimor, në disa dimensione të tij. Pushtimi Perëndimor, dikur i përqëndruar në sferën politike dhe ekonomike, fillimisht nuk cënoi apo nuk ndikoi në kulturat që e rrethonin, por ngjarja vjen e tillë që, sot, shohim lindorë “të perëndimorizuar” që kanë përqafuar të gjithë ideologjinë dhe botëkuptimin e tyre, dhe autori i quan të tillë për faktin se janë pikërisht këta elementë që sjellin devijanca dhe trazira, por, forca e tyre vepruese nuk ka nevojë të stërmadhohet.

     Në analizën që Guenon i bën këtij fenomeni, thotë se fryma kundër-tradicionaliste po fiton terren ndërkombëtar prej “modernistëve”, duke shkaktuar kështu mbylljen në vetvete të frymës tradicionale, e cila qëndron si në inkubator, e pacënuar dhe e plotë. Megjithatë, kjo përplasje qytetërimesh vjen si pasojë e paaftësisë së Perëndimit për të njohur Lindjen, prej së cilës lind dhe ndjenja e armiqësisë dhe urrejtjes, por e njëjta situatë nuk përsëritet anasjelltas. Në anën tjetër, ekziston e ashtuquajtura rrymë “nacionaliste” në Lindje, e kundërt me mendësinë tradicionaliste, e cila kërkon të vendosë në lëvizje të njëjtat metoda të përdorura nga Perëndimi, dhe pikërsht në kacafytjet me botëkuptimin perëndimor e gjen thelbin e ekzistencës së saj. Pikërisht këta njerëz që në Lindje shfaqen si mbështetës të frymës perëndimore, janë të parët që bien në kundërshtim me të në syrin politik.

     Megjithatë, Guénon vendos theksin mbi faktin se qytetërimi Perëndimor i ka bazat e lëkundura, prandaj herët a vonë ideologjia e tij mund të shënojë në vetvete fundin e tij, i cili duket i pashmangshëm nga disa fronte; i vetë perëndimorëve, i klasave shoqërore apo i lindorëve perëndimorë, dhe për më tepër, këto kërcënime vijnë për së brendshmi. Por problemi që shtrohet është: Lindja në këtë rrënim pritshmërisht të pashmangshëm do të kalojë një fazë kalimtare, apo do të rrënohet bashkë me Perëndimin? Ashtu si përmendëm më lart, forca shpirtërore e traditës është mbyllur në vetvete, dhe duke qenë e pacënuar mund të triumfojë, por jo pa kaluar në një errësim të mbarëbotshëm në fillim. Këtu qëndron zanafilla e një fundi të pashmangshëm të një bote, për të pritur agimin e një bote të re. Perëndimi sot po pushton thuajse çdo gjë. Faza e parë e tij ishte mbi materialen, një pushtim thuajse i dhunshëm dhe i menjëhershëm për të shfrytëzuar burimet materiale dhe natyrore të të gjithë popujve, dhe në fazën e dytë erdhi përhapje e ideologjisë dhe botëkuptimit me frymën kundër tradicionaliste dhe materialiste.

     Nevoja e perëndimorëve për prozelitizëm i bëri që të kapërcejnë nga cënimi i të jashtmes tek ai të brendshmes, që e bën pushtimin perëndimor pushtim të materializimit në të gjithë format e tij. Ndër mjetet që po përdor pushtimi perëndimor është trumbetimi dhe ngritja e zërit kundër përhapjes së ideve lindore në Perëndim. Henri Massis në librin e tij “Mbrojtja e Perëndimit” i mvesh Lindjes koncepte të gabuara dhe mashtruese dhe tezën e tij e mbron me vepra orientaliste që botëkuptimet i shfaqin të paqarta dhe të shtrembëruara, gjë që hipokrizisht nuk do të ishte e pranueshme nëse përdoreshin studime të katedrave ekstremiste të krishtërimit. Ndoshta për Massis mësymja e traditës së tjetrit është rruga më e mirë për të përtëritur traditën e vendit të tij, por për Guénon, kjo vjen si pasojë e këndvështrimit politik që autori në fjalë i qaset. Prandaj problemi i polemizuesve si Massis qëndron tek shqetësimi për të vërtetën që nuk zë asnjëherë vendin e duhur, atë të parin.

     Ata që Massis i quan “propagandistë perëndimorë” dhe dënon veprimtarinë e tyre, autori i ndan në dy grupe; të parët janë ​ Perëndimorët e pastër ​ që tërheqin pas vetes njerëz nën “spekulime laiciste” dhe që nuk dinë ku të drejtohen në mishmashin e ditëve tona, dhe grupi i dytë janë ​Lindorët e perëndimorizuar ​, që jo vetëm kanë për qëllim të zhdukin idetë e njëmendta Lindore por edhe t’i paraqesin Perëndimit një Lindje të modernizuar. Ajo që mungon në librin e Massis është ideja e pastër Lindore dhe lindorët e vërtetë në tërësi. Ky qëndrim që Massis mban vjen si pasojë e një mendjeje të turbulluar nga frika e një përmbysjeje të afërt të qytetërimit të kohëve moderne, duke e bërë të mbajë një qëndrim të cuditshëm ndaj “propagandistëve lindorë”, të cilët sipas tij po e frenojnë zhvillimin, por ky qëndrim vjen nga paaftësia e Massis për të parë shkaqet e vërteta të kësaj përmbysjeje të mundshme, që siç e lartpërmendëm janë të brendshme.

     Antiteza e thjeshtë që Guenon sjell thotë se nëse Lindorët vërtet do ta urrenin Perëndimin, do të donin që pamësitë e tyre botëkuptimore t’i ruanin me çdo kusht, ndërkohë që “rezervimi” i tyre ka të bëjë vetëm me mosgjetjen e një qëllimi për të shpjeguar disa të vërteta për njerëz që nuk janë në gjendje t’i kuptojnë. Prandaj, nëse sot lindorët do ta humbnin durimin e tyre dhe do të dëshironin të bëhen zot në shtëpinë e tyre, a mund t’i fajësojmë? Qëndrimi i tyre ndaj perëndimorëve do të quhej fanatizëm dhe ksenofobi, dhe jo patriotizëm, sepse kështu kanë lindur standartet e dyfishta, dhe në emër të lirisë, evropianët kanë mbizotëruar dhe kanë sjellë ndikimin e tyre. Këtu dallojmë dy lloje të tjera njerëzish: ata që janë mjaftueshëm naivë të besojnë “misionin qytetërues” të Perëndimit dhe mendjemprehtët që e shfrytëzojnë këtë gjendje të mjerueshme intelektuale për të plotësuar instinktet e tyre të grykësisë. Tejzgjatja tek Massis dhe teza e tij nuk bëhet pa qëllim në këtë kapitull, pasi ajo shpreh prirjen e përgjithshme për të mohuar, paaftësinë për të kuptuar dhe pranuar ekzistencën e qytetërimeve të tjera dhe përjashtimësinë rigoroze qe ndiqet        nga Perendimi.

     Në përfundim, pavarësisht të gjitha forcave, askush nuk mund t’i pengojë gjërat të ndjekin rrjedhën e tyre, por autori shpreson që kur kjo fatfundësi e botës së kohëve tona të vijë, të mos ketë keqardhje për mospërgatitjen e disave për të pranuar të vërtetën.

Kapitulli i 9

Një gjerdan përfundimesh

     Rene Guenon teksa mbyll kapitujt e librit të tij “Kriza e botës moderne”, tek kapitulli i konkluzioneve rithekson qëllimin parësor të veprës. Ky qëllim është: zgjidhja e problemve më të ndjeshme të kohës duke u bazuar tek të dhënat e traditës.

     Nëse fokusi i analizës në tetë kapitujt e librit ka qenë sfera teorike – qartësimi dhe pasqyrimi i devijimeve njohëse që konkretizojnë modernitetitn – atëherë kapitulli i 9-të synon të shqyrtojë zbatimin praktik të këtyre të dhënave. Për Guénon, zbatimi praktik i njohjes dhe të dhënave tradicionale është i mundshëm sepse këto dije janë përfituar nga një rrafsh dijesh të mbarëbotshme. Të tilla dije gjejnë zbatim në çfarëdo realiteti, rrjedhimisht edhe në bashkëkohorin. Përtej zbatimit praktik, këto njohje, për Guenon, janë edhe mjet parapërgatitor për t’u ngjitur drejt një njohjeje më të epërme.

     Pasi ka shqyrtuar objektivisht dhe qartë thelbin e krizës që kishte kapluar botën (veçanërisht Perëndimin) në shekullin e kaluar, krizë prej të cilës ende nuk është çliruar, autori parashtron edhe rrugën e daljes nga ky çekuilibrim. Kjo rrugë (rruga e ekulibrimit), sipas tij, nis nga vetëdija se Perëndimi modern është fryt i mohimit të dijes tradicionaliste dhe tejnjerëzore. Më pas, duke e pranuar këtë të vërtetë, të ndërtohet një elitë e vërtetë e cila frymëzimin dhe orientimin ta gjejnë te tradita e mirëfilltë, të cilën Guénon e shpreh me përcaktimin “Parimet themelore dhe shkaqet parake”. Formësimi në kohë i kësaj elite do e shoqëronte ndryshimin më parë si dhe do i shërbente ruajtjes së elementeve të botës së sotme, të cilët do përdoreshin për rindërtimin dhe organizimin e botës së ardhshme.

     Për Guénon, elita e vërtetë ndodhet në Lindje dhe Perëndimi mund të ndërtojë një të tillë nëse një pjesë e caktuar intelektualësh (qoftë edhe pak) do i bashkoheshin procesit të ruajtjes së bërthamës së traditës së gjithhershme. Nëse nuk e bën ai do marrë fund. Duke marrë parasysh faktin se bota perëndimore është pjesë e një tërësie prej së cilës u shkëput, fill pas zanafillës së kohërave moderne, Guénon mendon se elita e Perëndimit e cila do kontribuojë në ekuilibrimin e tij duhet të formohet me anë të nismës së vet. Përsa i përket kësaj mënyre, mjetet dhe format e këtij ndërtimi duhet të gjenden brenda vetes, por, qendra e vetme ku këto mjete dhe fryma e tyre tradicionale janë ruajtur të pacënuar, është Kisha Romano-Katolike. Faktikisht edhe nga vetë etimologjia katoliçizmi përkon pikërisht me idenë e universalizmit, ide e cila i përket traditës apo parimeve themelore e shkaqeve parake. Këtë kuptim të thellë të Kishës, sipas Guenon-it, nuk e njohin as përfaqësuesit e Kishës. Gjithsesi, nuk duhet harruar fakti që vetë Kisha Romano-Katolike ka shërbyer si një pikë e fortë mbështejeje për epokën moderne. Prandaj autori shqyrton edhe idenë e rindërtimit të elitës shpirtërore/intelektuale nga vetë komponentët e Kishës. Në lidhje me këtë pikpamje ai thekson nevojën që ky ndryshim (nëse do gjenerohej nga kisha) duhej të nisej nga parimet themelore dhe të epërme, dhe jo të vepronte në sajë të rrethanave politike.

     Një ide të cilën Rene Guenon e konsideronte me optimizëm ishte kontaktimi i Kishës Romano-Katolike me përfaqësuesit e traditave të vërteta Lindore e falë këtij kontakti të mund të krijohej një elitë e vërtetë në Përëndim. Ky fakt do sillte deri në atë që autori e quan pajtimi Lindje-Perëndim, e ky pajtim sipas tij ndodh vetëm në domenin shpirtëror/intelektual (për Guénon-ë intelektualizmi është i barabartë me shpirtërizmin). Por ka një faktor që e pengon këtë pajtim, ai është prozeltizimi perëndimor i cili nuk pranon ekzistencën e ‘aleatëve’ por vetëm atë të ‘nënshtruarve’.

     Në fund Guënon thekson se në lidhje me tezat e parashtruara në libër është menduar hollë dhe është përgjigjur saktë për çështjet që trajton. Ai tregon se i ka anashkaluar analizat e filozofive të cilat i quan ‘çikërrima” dhe potencon faktin se qëndrimet e veta nuk i përkasin asnjë rryme filozofike të Perëndimit. Madje ka paralajmëruar paaftësinë e tyre për të ndaluar shkapërderdhjen e ‘forcave të skëterrës’ të cilat do aktiviozhen sipas parashikimit të tij shumë afër (epoka kur do jetë shumë  e vështirë ta ‘ndash grurin nga egjra’). Ai ka parashikuar edhe shfaqejne e të krishterëve e profetëve të rremë që janë iniciuar nga neoshpirtërorët e epokës së tij. Guénon shkon më tutje duke e cilësuar frymën e kohëve moderne si ‘me të vërtetë djallëzore’ për arsyen se është pikërisht ajo që pengon rindërtimin e një elite të vërtetë në Perëndim.

     Për rregullimin dhe ritrajtësimin e botës moderne mbi të gjitha duhet kurajo sepse “mishmashi, gabimi dhe errësira nuk mund të triumfojnë vetëm se së jashtmi dhe për pak kohë, se të gjitha çrregullimet e pjesshme dhe kalimtare duhet të përkojnë me formësimin dhe strukturën themelore të rendit të tërësishëm.”

Punoi stafi i portalit “N’skaj”

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP