Të veçanta

Fillimi i zgjimit shoqëror shqiptar

     Çdo popull gjatë historisë së ekzistencës së tij kalon nëpër disa etapa, të cilat sjellin ngritjen, zhvillimin, kulmin e begatisë, dobësimin dhe rënien e tij. Kjo është shumë e prekshme dhe e vërtetueshme tek popujt e mëdhenj, të cilët prodhojnë civilizime. Ndërsa tek popujt e vegjël, këto faza jo domosdoshmërisht kalohen nëpër rrjedhën e tyre historisë, por edhe janë shumë të vështira për tu kuptuar.

     Kalvari historik i popujve të vegjël, të cilët në mënyrë të vullnetshme apo të pavullnetshme radhiten në krah të një civilizimi të caktuar në kohë të caktuar, kalon në fazat e ringritjes apo dobësimit. Shumë herë është e vështirë të përcaktohet kulmi i begatisë së këtyre popujve, pasi vazhdimisht ato janë në kërkim të vetes së tyre përsa i përket zhvillimit të brendshëm.

     Në të njëjtat kushte gjendet edhe populli jonë. Nga popujt më të vjetër të Europës, ne vazhdimisht kemi qenë pjesë e civilizimeve të ndryshme, duke dhënë edhe kontributin tonë. Ndërsa historia jonë si një entitet më vete, si një njësi moderne organizimi politik në formën e shtetit, fillesat i ka në fillim të shekullit 20 me shpalljen e pavarësisë.

     Nga ajo kohë e deri më sot, përpjekjet kanë qenë të shumta për ta zhvilluar këtë shtet e këtë shoqëri, por që nuk është arritur akoma. Shqipëria është nga të paktat vende, e cila i ka provuar të gjitha llojet e regjimeve politike, por që nuk ka arritur akoma të ngrihet në një gradë të lartë të zhvillimit shoqëror.

     Edhe debati aktual vërtitet rreth kësaj çështjeje. Grupacionet politike pretendojnë të jenë ata motori i duhur, për të çuar përpara shtetin shqiptar. Të gjitha grupacionet pretendojnë së ato e kanë çelësin magjik, e ata janë të duhurit që ky vend të kalojë në stadin e një shteti të zhvilluar.

   Por për tu arritur kjo, duhet një zhvillim në sektorë të ndryshëm. Duke filluar nga sfera politike, ku përgjegjshmëria e aktorëve duhet të jetë e lartë në favor të interesave të përgjithshme të vendit e shoqërisë. Për tu konkretizuar më pas në zhvillim ekonomik nëpërmjet burimeve të brendshme të vendit. Për rrjedhojë edhe politikat sociale do të ishin më lehtësisht të aplikueshme, duke shtuar sigurisht edhe seriozitetin e implementimit të tyre. E duke pasur një zhvillim të tillë, më tej do të pësonte rritje edhe kultura, kjo pasi kur njerëzit ti kenë realizuar gjithë nevojat e tyre, do të kenë më shumë interes rreth prodhimit kulturor, që do të ishte edhe mënyrë prezantimi e shoqërisë në arenën ndërkombëtare.

     Për ta arritur këtë, individi duhet të vetëdijësohet rreth potencialit të tij dhe aftësisë së tij për të kultivuar vlerat shoqëore tek të tjerët. Në fazën që shqiptarët janë sot, është një periudhë tranzicioni mes plotësimit të nevojave të jetesës dhe kushteve për të kaluar një jetë të paqtë dhe mes nevojës për tu vetërealizuar.

     Periudhat nëpër të cilat ka kaluar shteti shqiptar deri më sot, e kanë lënë shoqërinë në fazën e të menduarit për nevojat bazike të jetës. E kjo sidomos në vitet e fundit të komunizmit, kur rradhët e njerëzve për të marrë ushimet e nevojshme ishte tepër e gjatë. Ndërsa në këtë periudhë pas komuniste, dhe fillimi demokracie, shumica e shoqërisë shqiptare i ka arritur këto nevoja. Njeriu në gjendje të vështirë, parësisht do të mendojë për plotësimit e kushteve minimale të jetesës, e më pas për vlerat shoqërore.

     E duket se tashmë, brezi i ri shqiptar këto kushte i ka të plotësuara. Prandaj preokupimi i tyre kryesor nuk është që në darkë të kenë diçka për të ngrënë në shtëpi, apo të kenë kujdes mjekësor në kohën kur të sëmuren.

     Preokupimet e këtij brezi tanimë janë më të larta. E kjo u duk që me protestat studentore të dhjetorit 2018. Vlerat e përgjithshme morale shoqërore, tanimë duket sikur do të nguliten në shoqërinë shqiptare. Shumëkush mund të mendojë së është e pamundur të përcjellësh vlera në këtë shoqëri apo se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm rreth potencialit të tyre për të zhvlluar gjithë shoqërinë. Ky pohim qarkullonte kur mbaroi protesta e studentëve, kur shumëkush e cilësoi si dështim, pasi çdo individ kërkonte që protesta të realizonte atë që ata nuk kishin realizuar dot vetë, që nga reformimi i universitetit, deri tek rrënimi i establishmentit politik.

     Por nuk duhet harrojmë se jemi në fazën kur sapo kanë filluar të dalin filiza të rinj, një brez të rinjsh që kërkojnë një shoqëri më të mirë. E duke qenë fillimi sigurisht që do ketë pengesa dhe vështirësi. Kurse më e rëndësishmja është që kjo frymë ka nisur. Fillimet janë gjithmonë të vështira, por suksesi është i garantuar nëse ka vazhdimësi në këtë rrugë.

     Edhe në civilizimin perëndimor, ndryshimi nuk ka ardhur më një ditë, por ka kaluar në fazat që përmendëm në fillim. Në shekullin 20, u deshëm shumë përpjekje për të rritur mirëqenien ekomonike në perëndim pas luftërave botërore, e më pas dolën në skenë lëvizjet sociale të cilat ndryshuan shumë gjendjen e shoqërive.

     E njejta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri. Nuk mund të pretendohet që me një shkëndijë të vijë ndryshimi. Por kjo shkëndijë mund të bëhet shkak edhe për shkëndija të tjera, të cilat do të sillnin ndryshim shoqëror. E për ta bërë të mundur këtë, duhet që njerëzit të krijojnë besimin në vetet e tyre se mund ta sjellin këtë ndryshim, e të besojnë në kauzat e tyre për një shoqëri më të mirë. Nëse protesta studentore ka mundur ta përcjellë këtë tek njerëzit, ajo e ka arritur suksesin e saj.

     Kjo është edhe nisja e një zgjimi shoqëror tek shqiptarët, që sigurisht do të reflektohet edhe në periudhat e mëvonshme.

Qazim Fuçija

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP