Të veçanta

Reforma në Drejtësi – Zhvillime dhe pikëpamje (ngjarjet në 6 muajt e parë të vitit)

Reforma në Drejtësi – Zhvillime dhe pikëpamje (ngjarjet në 6 muajt e parë të vitit)

  • Të dhëna dhe situata e krijuar nga procesi i Reformës në Drejtësi

            Reforma që ndërmori shteti shqiptar për të pastruar institucionet e drejtësisë nga nëpunësit e korruptuar dhe të paaftë, edhe pse me mangësi dhe dobësi të caktuara, ka pasur efekte të cilat askush nuk i kishte imagjinuar para disa vitesh. Një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë përjetuar atë çka nuk e kishn parashikuar kurrë në karrierën e tyre, janë larguar nga profesioni të cilit i kishin dedikuar jetën dhe u janë publikuar ‘të këqijat’ morale dhe profesionale. Në fakt, ‘mëkatet’ e tyre të marra të ndara, duket se nuk prodhojnë ndonjë anomali të madhe sociale apo sundim të zullumit, porse ‘bëmat’ e marra së bashku nga të gjithë gjyqtarët e prokurorët në gjithë këto vite, kanë prodhuar një gjendje kaosi, ilegjetimiteti dhe anarkie sociale të patolerueshme. Kjo ndoshta është edhe arsyeja se pse BE-ja e ka caktuar suksesin e kësaj reforme si kusht për vazhdimin e procedurave të integrimit në union.

            Por cilat janë rezultatet konkrete të të ashtuquajturit veting? – Komisioni i Pavarur i Kualikimit nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 30 prill 2019 ka dhë në 141 vendime.

  • 56 vendime për konfirmimin në detyrë të 25 gjyqtarëve, 23 prokurorëve dhe 7 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë;
  • 52 vendime për shkarkimin nga detyra të 31 gjyqtarëve, 19 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë;
  • 10 vendime për ndërprerjen e procesit të 5 gjyqtarëve, 4 prokurorëve dhe 1 ishkëshilltari ligjor;
  • 8 vendime për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë;
  • 15 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 4 prokurorëve.

            Më datë 4 qershor Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dorëzuar në Kuvend një raport që për veprimtarinë gjatë vitit 2018. Të dhënat për çështjet e mbartura nga gjykatat në të gjithë vendin deri në fund të vitit 2018 dhe fillim të vitit 2019, reflektohen në. “Në total, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 147 423 çështje dhe 68 982 janë mbartur nga 2017. Ndërkohe në fundin e vitit 2018, numri i çështjeve të mbartura është 75 803. Nga të dhënat konstatohet që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ajo Vlorë dhe Shkodër, për sa i përket gjykatave të shkallës së parë, kanë fluksin më të madh të çështjeve. Nga gjykatat e apelit fluksin kryesor të regjistrimit të çështjeve e ka Gjykata e Apelit Tiranë dhe ajo Vlorë. Ndërsa për sa i përket gjykatave administrative, vihet re që numri me i madh i çështjeve është riregjistruar sërish në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe atë të Apelit Administrativ. Krahasimi mes numrit të çështjeve të mbartura nga viti 2017 në vitin 2018 (68 982) dhe nga viti 2018 në vitin 2019 (75 803) tregon, pavarësisht faktorëve që ndikojnë, që efiçenca e gjyqësorit në vitin e fundit (2018) pasqyron përkeqësim (raporti i evadimit të çështjeve ehte në rendin e 91 % ) sepse është rritur backlog-u në shkallë vendi, rrjedhimisht edhe koha e nevojshme për trajtimin e çështjeve. Sigurisht si çdo vlerë statistikore, kjo shifër nuk merr në konsideratë të sqaroje apo të hulumtoje mbi arsyet. Për këto të fundit duhet një analizë cilësore për të mbështetur këto të dhëna sasiore duke vlerësuar korrelacionin përkatës, si dhe duke shqyrtuar nëse mund të merren masa që të shuajnë apo pakësojnë faktorët ndikues”, thuhet në raport. Gjatë këtij viti kemi parë gjithashtu zbrazjen e gjykatave të vendit, përfshi Gjykatën Kushtetuese, e cila ka mbetur me vetëm një anëtar; Gjykatën e Lartë, e cila nga vettingu ka mbetur me vetëm 3 anëtarë; e po ashtu edhe shumica e kryetarëve të gjykatave e prokurorive, së paku nga shkalla e parë e vettingut. Më shumë se 700 persona të tjerë të drejtësisë pritet të dalin para vettingut.

Fillim-viti hapi garën për SPAK-un

            Përpos jetëshkrimit të pasur që duhet të kenë të gjithë ata prokurorë, që mendojnë se vlejnë për në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e që kanë ambicie për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend, ata duhet të dorëzojnë gjithashtu edhe një letër motivimi mbi historitë e suksesit gjatë karrierës së tyre. Këshilli i Lartë i Prokurorisë rendit dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët për prokurorë të posaçëm, mes të cilave garuesi duhet të paraqesë edhe arritjet personale më të spikatura në hetimin e korrupsionit në vend dhe të krimit të organizuar. Ky kusht u referohet edhe rezultateve, që prokurorët kanë pasur gjatë ushtrimit të detyrës në hetimin e krimit financiar, nga “task forcat” e ngritura vite më parë nën asistencën e ndërkombëtarëve, e që u formuan si të tilla për të goditur korrupsionin dhe krimin ekonomik. Ky element do t’iu ulë pikë mjaft prokurorëve, të cilët ndër vite kanë humbur në gjykatë pas hetimeve të zyrtarëve të lartë për çështje korrupsioni. Por ajo që kuptohet, gjithsesi, është “drita jeshile” që do t’iu hapet mjaft prokurorëve të tjerë, të cilët kanë hetuar grupe kriminale, kanë kërkuar sekuestro të aseteve të krimit të organizuar, apo kanë hetuar modestisht korrupsionin.

            Në muajin shkurt, KLP u zotua se SPAK-u do ngrihej në fund të majit.  atëherë deklarohej prej institucionit të ri se “Luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta nuk e ndal më askush. Pasi u mbyll gara për Prokurorinë e Posaçme, asnjë forcë politike brenda dhe jashtë vendit nuk mund ta frenojë uraganin që pritet të përfshijë pushtetarët shqiptarë. Ka qenë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i cila ka dhënë detaje për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Gjatë një prononcimi për mediat, pas mbledhjes së Këshillit, Ibrahimi bëri me dije se SPAK do të ngrihet një muaj para zgjedhjeve lokale të qershorit 2019. SPAK besoj se do të ngrihet para qershorit”, deklaroi ai. Ashtu siç ndodh rëndom në vendin tonë, ‘fjalët i merr era’ dhe askush nuk mban përgjegjësi për ato që ka thënë apo premtuar.Muaji maj ka përfunduar dhe qershorit po ashtu po i vjen fundi, ndërkohë asnjë lajm i ri nuk ka ardhur nga KLP.

 Gjykata e Posaçme 

            22 gjyqtarë nga Krimet dhe Apeli i Krimeve depozitojnë në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën për tu bërë pjesë e gjykatës së posaçme kundër krimit e korrupsionit. Në një raport të klgj thuhet se nga 26 gjyqtarë në shkallë të parë dhe apel, 22 prej tyre kanë dhënë ‘OK’ duke depozituar dhe deklaratat e verifikimit dhe survejimit të familjarëve të tyre përfshi llogaritë bankare dhe komunikimit elektronike. Sipas raportit të KLGJ krijimi i Gjykatës së Posaçme Kundër Veprave Penale të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përbëjë një gurë themeli në sistemin e ri të drejtësisë.  Raporti është i datës 4 qershor.

Gjykata Kushtetuese

            Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka pasur gati renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese në rast se procesi i Vetting-ut kalon me përparësi tre gjyqtarët që garojnë për një mandat. Sipas ligjit në fuqi të gjithë kandidatët gjyqtarë duhet më parë të kalojnë Vetting-un dhe të pikëzohen në listën e konkurruesve që i përcillet parlamentit për votim ndërsa çfarë vijnë jashtë sistemit i nënshtrohen Vetting-ut sapo marrin statusin e gjyqtarit. Nga lista me mbi 40 kandidatë të cilët aplikuan në fillim për shkak të mosplotësimit të kushteve, tërheqjes nga gara si dhe procesit të Vetting-ut lista pritet të reduktohet në jo më shumë se 15 kandidatë që më pas do të marrin pëlqimit nga Parlamenti. Ndërkohë nuk kanë munguar as deklaratat publike se brenda korrikut apo shtatorit Gjykata Kushtetuese do të jetë gati, ndërsa KED shprehet se gjithçka është gati por duhet më parë ‘OK’ nga Vetting-u. Kjo situate i përket datës 13 qershor, ndërsa një ditë më pas përfundoi vetingu për kandidatët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili konsiderohet si institucioni kyç për sistemin e ardhshëm të drejtësisë dhe që do të duhet të plotësojë vakancat e rëndësishme të krijuara nga procesi i vetingut në Gjykatën e Lartë. Ai pritet të jetë funksional së shpejti pasi procesi i vetingut për 14 kandidatët nga rradhët e gjyqësorit përfundoi më datë 14 qershor me rikonfirmimet në detyrë të gjyqtarëve Hallunaj dhe Kadi duke i dhënë fund procesit të rivlerësimit të katërmbëdhjetë kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe duke i hapur rrugën krijimit të këtij institucioni dhe plotësimit të vakancave të mëdha të shkaktuara në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese nga procesi i vetingut dhe dorëheqjet e lidhura me të. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë për pjesën e gjyqtarëve dhe do të përbëhet nga 11 anëtarë. Nga 11 anëtarët, gjashtë do të zgjidhen nga rradhët e gjyqësorit dhe pesë janë zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me juristë jogjyqtarë.

  • Qëndrime dhe interpretime të Reformës në Drejtësi nga faktorë politikë të brendshëm dhe ndërkombëtarë

            Reforma në Drejtësi, si një risi historike për vendin tonë, natyrshëm ka ngjallur reagime dhe interpretime të vazhdueshme nga faktorë të cilët i prek ajo, por edhe nga pale të tretat. Prej reagimeve me më shumë interes kanë qenë ato të aktorëve politikë, pasi kjo kastë qëndron në objektivat kulminantë të pastrimit të institucioneve nga individët e korruptuar, të cilët do të hetohen nga organet e vetingut, specifikisht nga SPAK (struktura e posaçme anti-krim) që do hetojë korrupsionin në nivele të larta të politikës. Ankthi, presioni dhe konfliktualiteti kanë shkaktuar prononcime dhe qëndrime prej politikanëve në faza të ndryshme të Reformës në drejtësi. Objektiv i analizës sonë është vënia në pah e reagimeve më pikante.

            Në fillimin e muajit maj kemi pasur dy deklarata nga politikanë që vijnë nga radhët e mazhorncës. Së pari, ish-ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj, nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se qeveria është dhe do të jetë e vendosur për sa i përket reformave  të ndërmarra në sistemin e Drejtësisë. Xhafaj ndër të tjera ka thënë se është koshient se lidershipi i opozitës jashtë sistemit po kërkon të destabilizojë procesin e Vetting-ut. Më pas Xhafaj ka shtuar se asnjë interes i politikanëve nuk duhet të prekë Reformën në Drejtësi. Në të njëjtin linjë me të është edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. Balla ka deklaruar nga Kuvendi se Reforma në Drejtësi do të ishte shumë më përpara nëse PD do të bindej që në fillim për ta votuar. Ndërkohë Balla ka deklaruar: “Duhet tju them në vijm të asaj që nënvizoj Xhafa dhe Manja. Për përjekjen për të penguar ngritjen e inistictucioneve.U deshën  8 muaj për të pritur Lulzim Bashën për të ardhur në Kuvend dhe për të votuar Vettingun. Do ishim shumë më përpara me procesin. Lulzim Basha mori gjysmën e  qeverisë, kryetarin e KQZ, zv Kryeministrin, vetëm për këtë proces. I duhej edhe drejtori i Burgjeve një Zot e di pse. Prej asaj dite nga 25 maj 2017 çuan dëm pasi nuk kanë bërë asnjë votim. Edhe paketa e ndryshimeve në kodin penal që kemi depozituar, ne jemi votuar për të bërë shtet.

            Pak ditë më vonë, në linjë të kundërt, presidenti Ilir Meta sulmoi procesin e vetingut duke akuzuar edhe institucionet ndërkombëtare të monitorimit. Ai u tregua mjaft i ashpër me Euralius, (misioni i asistencës së BE-së për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri). Kreu i shtetit tha se nuk mund të thotë se reforma në drejtësi ka qenë sukses, ndërsa u ndal te ngërçi te Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, hallkë kryesore për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Meta tha se pas ngërçit që u krijua me shortin e KED u kërkoi të gjitha institucioneve që të diskutojnë dhe vendosin, por misioni Euralius kishte refuzuar, sipas kreut të shtetit me argumentin se ‘ishin mision teknik. Por kjo për Metën do të thotë se kishin marrë porosi politike dhe ai shtoi se nuk e di nga u mor kjo porosi.

            Një ditë më vonë erdhi edhe përgjigjja për presidentin e vendit. Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian dhe njëkohësisht shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, Genoveva Ruiz Calavera ka reaguar pas sulmit të Presidentit Ilir Meta për misionin e BE-së në Tiranë (Euralius). “Duke pasur parasysh interesin e lartë publik, është e rëndësishme të sigurohet monitorimi i ngushtë i procesit dhe të kontribuohet në mënyrë konstruktive. Megjithatë, kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dha janë të gatshëm që ta pengojnë, por nuk do të lejohen. Është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shqiptare, partive politike, si dhe shoqërisë civile, për të siguruar që forcimi i pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit përmes këtij procesi është i garantuar. Muajt ​​e ardhshëm do të jenë vendimtarë, teksa Shqipëria do të lëvizë nga faza e tranzicionit e reformës gjyqësore në zbatimin e saj të plotë. BE, së bashku me SHBA në OMN, do të vazhdojnë të mbështesin këtë proces në mënyrë që populli i Shqipërisë të përfitojë nga reforma dhe të krenohet me ndryshimin që ata kanë kërkuar dhe kanë dëshiruar për kaq gjatë”. 

            Në datën  2 shkurt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tronditur sërish pushtetarët shqiptarë. Teksa reforma në drejtësi po hyn në fazën e saj vendimtare, ka reaguar prokurori amerikan dhe ish-agjenti i FBI, Gjon Juncaj. Bëhet fjalë për një prokuror me origjinë shqiptare, i cili ka qëndruar për disa vite si ekspert i OPDAT në Tiranë. Ai e mbylli mandatin dhe brenda pak ditësh u largua, por para se të bënte këtë u ka dërgoi një mesazh politikanëve. Duke folur në emisionin “31 minuta” në Radiotelevizionin Publik Shqiptar ai deklaroi se ka shumë politikanë që hiqen sikur e duan reformën, por punojnë kundër saj. Ai e krahasoi reformën me një tren që ecën, duke thënë se kush hipën aty është në rregull, por kush i del para do shtypet. Po ashtu ai tha se do apo nuk do politika, reforma do bëhet. 2 muaj më vonë ,e Ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones thotë se reforma në drejtësi është duke ecur para në Shqipëri me raste konkrete dhe të prekshme të ndjekjeve penale. “Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha institucionet e reja të Shqipërisë, të tillë si Këshillat (e drejtësisë) dhe SPAK-u, si edhe institucionet ekzistuese që janë të gatshme të luftojnë kundër korrupsionit ose krimit të organizuar. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe nuk do të ndalet”, – tha Leyla Moses-Ones.

            Në vazhdën e raporteve ndaj prosecit të Reformës, edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha se “Reforma në drejtësi është e pandalshme dhe se ka shumë rëndësi për qytetarët shqiptarë. Sipas tij, reforma është zbatuar në përputhshmëri me Kushtetutën shqiptare. Këto deklarata, zoti Soreca i bëri gjatë konferencës me temë “Monitorimi i Integriteti Gjyqësor”. “Shoqëria civile është pjesë kyçe e imuniteti të trupës gjyqësore dhe bëhet e tillë kur ata bëjnë monitorim të vazhdueshëm. Sistemi duhet të ruhet dhe është puna e çdo qytetari që të denoncojë ata që marrin apo japin ryshfet. Është puna e institucioneve që të marrin masat konkrete kundër shkelësve dhe të sigurohet që të funksionojë një sistem i shëndetshëm llogaridhënie.

            Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në fillim të muaji qershor ka deklaruar: “Reforma në drejtësi e Shqipërisë është një nga hapat më të mëdhenj që vendi po ndërmerr për të modernizuar dhe për të bërë transparente proceset dhe institucionet qeverisëse të tij, në një përpjekje për të përmbushur kushtet për anëtarësimin në BE. Me Gjermaninë mes vendeve të ndryshme të BE që ka treguar një interes të veçantë për këtë proces duke ofruar edhe ekspertizë në përpjekjet e Shqipërisë për këtë reformë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj flet për progresin e kryer deri tani dhe sesi perceptimet bien ndesh me realitetin në Shqipëri. Teksa liderët politikë të mazhorancës e minorancës, president i Republikës dhe analistët ngrenë diskurse kririke dhe vlerësuese për Reformën, mediat e huaja theksojnë faktin se nga suksesi i saj varet e ardhmja e raportit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.  Jo më larg se në datën 16 qershor, Financial Times shkruan artikull me titull “Reforma në Drejtësi shpresa e Shqipërisë për t’u pranuar në BE”. Media prestigjoze ‘Financial Times’ i ka dedikuar një artikull të veçantë çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. Në këtë artikull shkruhet se Shqipëria ka bërë reforma të thella në vend dhe të gjitha kanë ardhur në kuadër të tentativave për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Mes të tjerash ‘Financial Times’ thekson se reformimi i sistemit të drejtësisë është një kartë e fortë që vendit t’i hapen negociatat për aderim në BE. Po kështu në artikullin e medias prestigjoze shkruhet edhe për opozitën ku citohet se prej disa kohësh opozita është në protestë dhe kërkon zgjedhje të parakohshme ndërsa nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është thirrur në Prokurori, në cilësinë e të pandehurit për kontratat e lobimit në SHBA. Ndërkombëtarët kanë përmendur jo pak herë se reforma në drejtësi që po kryhet në Shqipëri është model që duhet ndjekur nga vendet e tjera të Ballkanit por edhe nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian si Polonia, Hungaria, megjithatë situata nuk duket shumë bindëse për shkak të lëvizjeve politke.

  • Efektet post-veting

Vakancat në drejtësi/ Një grup ish-prokurorësh dhe të komanduarit rikthehen në sistem

       Veprimi i ligjit të Vetingut, përpos boshatisjes së Gjykatës Kushtetuese, bllokimit të Gjykatës së Lartë, ‘rrëzimit’ të mbi 15 kryetarë gjykatash etj, po rrit me shpejtësi edhe numrin e vakancave në organin e akuzës. Për rrjedhojë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të pranojë rikthimin në sistem të ish-prokurorëve të larguar dhe komanduar si dhe të emërojë kandidatët për prokurorë, të cilët kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës, gjithnjë me vullnetin e tyre. Gjatë muajit prill, një grup ish-prokurorësh dhe të komanduar në Ministrinë e Drejtësisë dhe në institucione të tjera publike, kanë paraqitur kërkesat pranë KLP për t’u rikthyer në sistem. Gjithnjë bëhet fjalë për ish-prokurorë që nuk janë shkarkuar nga Vetingut dhe që nuk kanë probleme ligjore. Për këtë situatë, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka pohuar se “Kemi një tjetër situatë jo standarde. Këta janë prokurorë hyjnë në sistem në mënyrë laterale. Në këtë rast, Këshilli nuk vepron dot me atë procedurën standarde të shpalljes së vakancave dhe të hapjes së garës. Ne kemi detyrimin ligjor që këta lloji prokurorësh, edhe prokurorët e rinj që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës, t’i caktojmë në ato pozicione që ne e gjykojmë të arsyeshme, bazuar në kërkesat e tyre dhe duke bërë një përpjekje për të pajtuar kërkesat e tyre me nevojat tona. Në kushte normale Këshilli nuk vepron kështu. E thash edhe një herë, Këshilli bën analizën e nevojave, shpall vakancën aty ku nevojat janë më të mëdha dhe konkurrojnë të gjitha ata që plotësojnë kushtet për t’i zënë ato pozicione”.

            Anormali, sipas raportit – 30 gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga vetingu vijojnë të marrin pagë

            Një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vetingu vazhdojnë të përfitojnë nga benefitet e postit të tyre edhe pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Edhe pse KPK i ka përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vite, të shkarkuarit që i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të apeluar vendimin vijojnë të marrin pagë. Deri në momentin që KPA të shprehet me vendim përfundimtar, të shkarkuarit quhen si të pezulluar nga detyra dhe përfitojnë pagë pjesërisht. Ndërsa ata që janë shkarkuar nga KPK, por nuk kanë ankimuar në KPA, nuk e kanë patur këtë përfitim. Një fakt i tillë është evidentuar në raportin vjetor të Këshillit të Lartë  Gjyqësor. Aty thuhet se derisa KPA të shprehet me vendim, gjyqtarët dhe prokurorët quhen “de jure” në detyrë. “Këshilli i Lartë Gjyëqsor është i angazhuar të mbështesë procesin e vetingut dhe bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse që jo vetëm të pastrojë sistemin nga gjyqtarët e korruptuar, por edhe të ruajë funksionalitetin e gjykatave sepse mungesa e këtyre të fundit cenon mjetet e brendshme efektive dhe aksesin në drejtësi për qytetarët”, thuhet në raportin e KLGJ.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP