Të veçanta

Shoqëria shqiptare në udhëkryq

     Shoqëria jonë po përjeton një sërë ngjarjesh të ndërlikuara dhe intensive ndaj të cilave të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm. Në rrafshin politik po zgjerohet ndikimi i mediokritetit dhe papërgjeshmërisë sociale. Emigrimi po luan një rol thelbësor në çështjet e brendshme të vendit edhe po ndikon mendësinë e njerëzve për të ardhmen e tyre në vendin e vet. Karakteri dhe psikika e indivdëve në shoqërinë tonë po  ‘infektohet’ nga tendenca fëmijërore të adresimit të fajit të tjerëve për çdo gjë.

       Tashmë, më shumë se kurrë, nuk është momenti të kritikojmë e të shajmë të tjerët pa arsye, as të emocionohemi nga interpretime politike të njërit apo tjetrit faktor, madje nuk është koha as të arratisemi prej përgjegjësive dhe obligimeve drejt idesë së emigrimit. Por, tani është koha të reflektojmë thellë dhe arsyeshëm mbi çdo gjë që ndodh pranë edhe rreth nesh. Të reflektojmë edhe në lidhje me pozitën tonë në këtë tërësi diskursesh, aktivitetesh, axhendash dhe politikash.

       Aktualiteti dëfton përjetimin e një faze kritike prej së cilës detyrimisht na duhet të vendosim e të veprojmë. Mirëpo thellësisht dhe vërtetësisht na nevojitet një vendim individual, që buron nga qenia, nga vullneti ynë dhe që kryhet për veten tonë.

       Alternativat që na ofron realiteti kufizohen dhe përmblidhen në dy; ose t’i nënshtrohemi politikës e politikanëve, të shndërrohemi në subjekte të propagandës dhe në instrumenta të pushtetit për të mbijetuar fizikisht në gjendjen kaotike në të cilën është përfundur shoqëria – ose të përgatitemi për të emigruar përtej kufijve të shtetit, të kërkojmë një jetë më të mirë në mesin e shoqërive të tjera e ta braktisim atdheun, familjen e popullin tonë. Të dyja si mundësi janë më të lehta dhe me rezultate më të shpejta sesa një mundësi tjetër, më e fisme dhe më idealiste.

       Nëse do zgjedhim një nga rrugët e para për të zgjidhur ngërçin e shoqërisë, së pari do tregohemi egositë, jolargpamës dhe disi dembelë. Mirëpo cila do ishte një rrugë e tretë më e drejtë dhe më fisnike? – Në thellësi të shpirtit të tij çdokush e ka mundësinë dhe aftësinë që kësaj pyetje t’i përgjigjet saktë.

       Individët e kësaj shoqërie, veçanërisht të rinjtë, duhet të kuptojnë dhe të mësojnë (jo thjesht të dinë) se i përkasim një vendi me begati dhe burime ekonomike aq të larmishme e të shumta sa çdo shtet do e kishte zili. Kjo nuk është hipotezë apo hamendësim, por është fakt! Ndërgjegjja jonë duhet të formësohet edhe më shumë me idetë se aftësitë e këtij populli në intelekt dhe urtësi janë në nivele të larta dhe kurrsesi nuk duhet nënvlerësuar dhe as neglizhuar ky fakt. Ndryshimet në qasje dhe në të kuptuar janë hapi i parë i alternativës më të vështirë, por më të drejtë e më të sigurt.

       Siç ndodh shpesh me shumë çështje në jetë, rrugët e hajrit janë më të gjata dhe me më shumë peripeci, ashtu siç janë më produktive dhe me rezultate më të dobishme… Thjesht të kuptuarit e potencialeve dhe aftësive nuk mjaftojnë për të pasur një zgjidhje të kompletuar. Përtej ndryshimit të perceptimit na duhet të ndryshojmë edhe angazhimin në shoqëri. Popujt e sukseshëm karakterizohen nga puna, pavarësisht rrethanave dhe natyrës së punëve. Ndërkohë që alternativa politike na fton për tek papërgjegjshmëria dhe përkushtimi ndaj dogmave partiake, pa punuar dhe pa prodhuar diçka, e nga ana tjetër emigrimi na fton ta nisim një jetë të re nga hiçi një çdo aspekt, natyra e pastër e shpirtit dhe e mendjes na fton tek puna e tek aktiviteti, jo tek pasiviteti, na fton tek faktorizimi dhe ndikimi, je tek inferioriteti, na fton të ndërtojmë një raport të dobishëm me amjentin social e natyror, e jo të ndërtojmë një raport armiqësor.

       Në këtë udhëkryq në të cilin na kanë detyruar të vijmë forcat dhe shtytjet e ngjarjeve të jashtme, roli ynë është ta ndërtojmë vetë një rrugë dhe një mundësi për veten e të ardhmen, të shndërrohemi në shembull dhe frymëzim, të punojmë dhe të sakrifikojmë, të miqësojmë dhe afrojmë njerëzit, të përfitojmë më të mirën nga ndryshueshmëritë tona dhe jo të përçahemi, të këshillojmë dhe jo të kritikojmë e ofendojmë.

       Nëse veprojmë në këtë mënyrë atëherë do shohim se ngjarjet aktuale politike nuk ndikojnë pothuajse fare në ndërtimin e të ardhmes, ato nuk na pengojnë nëse vetë qëndrojmë në rrugën tonë. Madje do kuptojmë se edhe nëse çdo gjë politikisht dhe ekonomikisht do shkojë mjaft mirë, askush nuk mund ta ndërtojë të ardhmen për ne edhe as nuk mund të plotësojë përgjegjësitë tona. Kemi një fat dhe privilegj, pavarësisht rrethanave dhe ngjarjeve, fati ynë është njohja e vetes, nëse e arrijmë si duhet, mjaft mirë do jetë për ne, e nëse nuk përpiqemi, mjerë për ne… Mbi të gjitha, ta njohim veten, vlerën, cilësitë, aftësitë dhe burimet e forcës e fantazisë së qenies sonë, ashtu siç këshilloi ne urtësi dhe largpamësi edhe Sokrati shekuj më parë: “njeri, njih vetveten”.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP