Të veçanta

Rrugëtimi në histori përmes objektit qendror në romanin “Ura mbi Drin”

                                               (S)PROVË

                       OBJEKTET BËHEN HERONJ TË HISTORISË

    Rrugëtimi në histori përmes objektit qendror në romanin “Ura mbi Drin”.

Si t’ia bëjmë atëherë për të zbuluar kuptimin e një vepre dhe për të vënë në pah të menduarit e artistit?[1]

Në romanin “Ura mbi Drin” të Andriç-it haset një rrëfim që nuk i ngjet rrëfimeve me shumë ngarkesë, në kuptimin e misterit që mbart teksti. Romani vjen me një sërë ngjarjesh të ndodhura përgjatë viteve 1516 – 1914. Ngjarjet e rrëfyera zhvillohen në Vishengrad,vendi ku zë fill edhe ura. I gjithë rrëfimi është një variabël, një kuti informacioni që mban të dhënat e objektit.

Në rrëfim kemi gjithçka të organizuar dhe ndodh rrallë të gjejmë diç të pazakontë e cila do të na dëftoj një të mundshme gjatë rrëfimit. E kuptueshmja dhe e ndjeshmja, abstraktja dhe konkretja mund të jenë një e vetme. Hera herës e shohim urën si një objekt material dhe në shumë pjesë e takojmë si një entitet abstrakt.

Dukej sikur shndërrimet e panumërta e rrënjësore në shpirtrat e zakonet e banorëve dhe në pamjen e jashtme të qytetit kalonin përtej urës, pa e çikur. Dukej sikur ura e bardhë, e qëndrueshme, që kishte mbushur tashmë tre shekuj, po nuk dëftonte asnjë gjurmë apo vragë të kohës së shkuar, duhej të mbetej e pandryshuar….[2]

Ura është gjithmonë aty, porta është gjithmonë aty, ne nuk rendim pas tyre, por pas asaj që i bën ata të jenë aty ku janë. Ajo që ndodh te Ura mbi Drin formon një tërësi. Ura është veç një njësi e asaj që përbën të gjithën. Ndaj dhe rrëfimin Ura mbi Drin kemi menduar ta quajmë si një “enciklopedi” që paraqet një segment të shtrirë në një hark kohor rreth 400 vite. Në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme, ngjarjet nisin e thurin të gjithë atë informacion për katër shekuj me rradhë.Shumësinë e informacionit, detajet, shpjegimet, shkaqet, pasojat, personazhet që hyjnë e dalin, vet ura kohë pas kohe, hap pas hapi, bëmat historike e shumë të dhëna të tjera na bejnë të mendojmë ketë roman si një enciklopedi. Të gjitha shenjat e mundshme që i parakupton një enciklopedi, teksti i mundëson.

Në tekstin e gjerë, “enciklopedinë”, gjejmë riaktivizimin e mitit të flijimit. Si mit, vjen i rimodeluar prej gjenezës fillestare të mitit. Flijimi i binjakëve si simbol për t’i dhënë qëndrueshmëri ndërtimit, qëndrueshmëri të cilën do ta shquaj deri në fund të rrëfimit. Është një trupëzim organik i mitit, jetëdhënës në planin historik dhe artistik prej rrëfyesit.

Natyra e urës është e tillë që shfaqet herë si objekt e herë si një objekt-shenjë simbolizuese. Vazhdimisht objekti (ura) shfaqet në tekst në vijueshmërinë e saj kohë pas kohe. Është konstantja e rrëfimit. Gjithçka zë fill me urën dhe mbyllet po me të.

“Nuk mund ta kalojnë urën as shpura dasme, as kortezhe varrimi, pa u ndalur te “porta”. Këtu, zakonisht, të ftuarit në gostinë e dasmës, përgatiten e vihen në radhë përpara se të hyjnë treg.”[3]

Ne nuk kërkojmë të gjejmë diçka që teksti e nënkupton sepse e ka të evidentuar në tekst shfaqjen e vet si “subjekt” nëse i referohemi termave të semiotikës. Mandej lexuesit i duhet të lexojë përmes urës një periudhë shumëvjeçare.

Procesi rrëfimor ka së paku tre protagonistë:

  • Personazhin (ai)
  • rrefyesin (unë)
  • lexuesin (ti); ose dhe ai për të cilin flitet, ai që flet, ai të cilit i flitet.[4]

Lexuesit nuk i duhet të lexojë kuptimet e tekstit që mund edhe të fshihen përmes nënkuptimesh. Ura në këtë rast është e mundshmja për të realizuar një rrëfim, për të endur në të historinë disavjeçare. Kuptimi si kërkim vjen në një moment të dytë, atëherë kur rrëfimi ka mbaruar dhe si i tillë do bëhet një përfundim në logjikën e lexuesit duke lidhur të gjitha njësitë në një të vetme. Kësisoj, leximi është një pakt shpirtmadhësie[5] ndërmjet autorit dhe lexuesit; çdonjëri ka besim te tjetri, mbështetet tek ai kërkon prej tij po aq sa ç’kërkon nga vetja.

Rrëfimi na tregon gjithçka, ne nuk nisemi në hulumtim përtej asaj që prezanton historia. Shkaku i rrëfimit të historisë lidhet me objektin të cilin ne e kemi të pranishëm. Prania e këtij objekti e lë lexuesin pasiv; në kuptimin e zbulimit të ndonjë të fshehte tjetër. Prej fillimit lidhja shfaqet, skicohet objekti i urës që është absolutja e të gjithë historisë së rrëfyer. Përmes një objekti si ura shohim një pamje të gjerë, përmes pamjes së gjerë dalin në pah të gjitha sekuencat e një segmenti kohor të gjatë etj. Pikëvështrimet përmes urës janë shtigjet që na ndihmojnë të krijojmë tablonë e romanit “Ura mbi Drin”.

Ngjarja jepet që në krye dhe i mbetet lexuesit të shoh gjatë lëvizjeve të rrëfimit se do të vendoset një ekuilibër a jo apo të avancojë me lëvizje të tjera që mbështjellin objektin qendror. Rrjedha e historisë ka vetëm një hero-personazh, urën. Si një e përhershme e pranishme në tekst, ura është ajo rreth së ciles lëviz gjithçka tjetër.

Porta është pika më e rëndësishme e urës, sikurse ura është pjesa më e rëndësishme e qytezës, ose, siç shkroi në ditarin e tij një shtegtar turk, që u mikprit denjësisht nga vishegradasit, porta është zemra e urës, që është zemra e kësaj qyteze, që gjithkujt duhet t’i mbetet në zemër.”[6]

“…ura vijoi të qëndronte në këmbë, e bardhë, e fortë, e pathyeshme, siç kishte qenë prej gjithherësh.”[7]

“Ura qëndronte e papërkulur, si e dënuar, po në thelb ende shëndoshë e mirë,e plotë, mes dy botësh në luftë.”[8]

Rrëfimtari dhe lexuesi nuk janë në kërkim të një misteri, apo kuptimi të errësuar në tekst. Lexuesi ndjek çdo fakt të thënë prej rrëfimtarit dhe njëkohësisht ndërton pas çdo të dhëne një panoramë, por nuk po zbulon “asgjë” që do ishte një e fshehtë. Natyra e një romani të tillë me bërthamë historike nuk fsheh diçka të errët pas së cilës do kërkojmë kuptime. Ndërtuesi i rrëfimit (dhënësi) fton lexuesin (marrësin) ta ndjek. Ky i fundit duke e ndjekur bëhet edhe dhënës edhe marrës, sepse e pasuron logjikën e tij duke i dhënë informacion dhe merr me kureshtje njëkohësisht informacionin e ri duke i shkrirë bashkë në fund.

Që të arrihet procesi i njohjes së objektit/historisë supozojmë se i jepen të dyja rolet lexuesit, si një kusht për të ndërtuar mirë rrjetën njohëse të historisë. Lexuesi që i përket bashkësisë etnike, ashtu si autori I.Andriç; pra lexuesi e njeh historinë, shton informacione, syresh prej tyre i miraton ose e rilexon duke ndërtuar një oaz tjetër për objektin në fjalë, urën. Leximi në këtë rast është proces njohje për gjithë historinë. Artisti e ndërton veprën me elemente nga ndërgjegjja e vet, por këto elemente u referohen fakteve të botes në të cilën jeton artisti, janë versione ose përkthime pak a shumë të deformuara[9] të këtyre fakteve të jashtme.

Leximi si ndërtim (huazuar si term prej Todorov-it) na vendos në paramendimin e një hipoteze: një lexues ka dijeni të mëparshme për objektin në fjalë (urën). Leximi si ndërtim, ku njohja është edhe më e domosdoshme, ngaqë lexuesi individual[10] nuk e çon në mendje dyshimin te nuancat teorike që i ilustron me shembuj, të njëjtin tekst e lexon në shumë mënyra njëkohësisht apo njëra pas tjetrës. Ai nuk e dëgjon për herë të parë por e (ri)lexon historinë me nje informacion bazik të përvetësuar për shkak se siç e parashtruam, do duhet t’i përkas etnisë së Bosnje-Hercegovinës, Serbisë ose mund të jetë informuar pa qenë nevoja të jetë një lexues i një apo etnie tjetër.

Ne i përkasim atyre lexuesve, të cilët rrëfimin për urën mbi Drin e lexojmë për herë të parë dhe vështirë se mund të kontaktojmë me informacione duke i shtuar veprës, ne thjesht e marrim si një të “vërtetë” të mundshme ngjarjen historike të rrëfyer.

Prania e objektit (URË) përcakton dhe marrëdhënien mes rrëfimtarit, zhvillimit të historisë dhe lexuesit të saj. Mëdyshjet për lexuesin janë të pakta sepse teksti nuk i sugjeron të marrë pjesë në ndërtimin e historisë, por t’ia rrëfejë atë, t’i rrëfejë një bosht të gjatë kohor rreth një “objekti”. Nëse rrëfimtari jep fakte, të dhena, interpreton ndodhi të ndryshme, lexuesi e ndjek në këtë lloj prezantimi. Kemi një rrëfimtar që na shoqëron në vizitën e gjatë në këtë hark kohor të përshkruar.

Ura, jeta, ndërtimi i saj është i tillë që merr pjesë dhe lexuesi. Rrëfimtari e bën lexuesin paralel me të dhënat që i paraprin dhe e ndërton të gjithë figurën dhe gjallimin e objektit.

“Personazhi” kryesor (Ura) paraqitet përmes pamjeve të ndryshme ndër vite. Hap pas hapi do shohim se si përmes përshkrimit krijojnë një karakter viziv të tekstit. Çdo e thënë, çdo përshkrim gjen përkthim në figurë, fotografi.

Ura është objekt statik, por rrjedha kohore rreth saj, përshkrimi do të marr karakterin dinamik. Dinamik në kuptimin që ndryshon situata, nuk qëndron e njëjta. E vetmja statike është ura, të tjerat rreth saj ndryshojnë (domosdoshmëri logjike), kjo edhe në saj të harkut të gjatë kohor.

Rrëfimi si një procedim letrar dhe titulli bashkëjetojnë më së miri bashkë. “Ura mbi Drin” si titull është në një linjë me atë që ndodh pas. Gjithçka orvatet rreth asaj si objekt i shenjuar në kohë. Zinxhiri i rrëfimit lidhet me përbërësin kryesor që është “URA”, pra jeton brenda tekstit. Nëse nuk jemi në kërkim të kuptimeve të shprehura do të ishte me vend të thonim se jemi në kërkim të rrëfimit. Në rrëfim mbizotëron një kureshtje e pafund me pyetje ndaj tekstit. Çdo të ndodh me urën? A do të ketë zhvillime të reja? Ura është emblema e rrëfimit apo një ndalesë në rrëfim?…etj.

Ura është rrëfimi, ajo shfaqet në çdo episod/pasazh/pjesë. Prania e saj vërteton se ajo është bërthama e një “kuadrati” të gjerë ku shumë fije do të enden rreth saj. Është plani i përgjithshëm të cilit i nëshkrohet gjithçka tjetër.

Gjatë leximit të çdo njësie/kreu, njihemi me urën, sakaq edhe me kontekstin. Thuajse i ngjet një fotografie ose galerie e cila e paraqet urën vit pas viti me karakteristikat dhe diferencat që pëson. Në të gjitha pamjet/pjesët/njësitë lexojmë urën (fotografi) si të tejdukshme, jemi brenda galerisë me një ciceron që rrëfen atë që shohim. Hipotipoza[11] e shtyn marrësin të ndërtojë një paraqitje pamore.

“Kuptimi dhe domethënia e ekzistencës së urës duket se i detyroheshin qëndrueshmërisë së këtij ndërtimi. Linja e saj e shkëlqyer në strukturën e qytetit nuk ndryshoi, ashtu siç nuk ndryshuan kurorat e maleve rrethuese në sfondin e qiellt. Në pasndjekjen e shndërrimeve dhe në lulëzimin e shpejtë të breznive njerëzore, ajo mbeti e patjetërsuar, si uji që i rrjedh nën këmbë. U mplak, natyrisht (…) Jeta e saj, ndonëse e vdekshme në vetvete, i shëmbëllen përjetësisë, sepse fundi mbeti përtej mundësive të shkrimit.”[12]

Lexuesi nuk ka barrën për të zbuluar vet, ai sheh gjithçka që ndodh dhe lidh çdo njësi me njëra-tjetrën. Gjatë lëvizjeve të rrëfimit ndodhin dhe kapërcime, larghedhje në boshtin kohor. Ndalesa e rrëfimit ndodh në faza që ilustrojnë një rrethanë të caktuar që mund të jetë papritur, që sjell diçka të re dhe e zakonshme (nuk ka diçka të papritur).

“Dhe koha e kreu detyrën e saj. Jeta vazhdoi rrjedhën e vet, në dukje të pandryshuar. Kaluan më tepër se tridhjetë vite nga ajo bisedë mbi “portë”.[13]

Lëvizja e rrëfimit përplaset hera – herës në një fazë duke e shoqëruar prej fillimit, grumbullon një sërë veçorish kundrejt një lëvizje tjetërsoj që thuajse përmendet në një fazë të vetme. Ky është edhe ndërtim i lëvizjeve të rrëfimit që zgjedh autori.

Kanë kaluar rreth njëzet vite që kur qerret e para austriake, ngjyer me të verdhë, përshkruan urën. Njëzet vite pushtim janë një radhë e gjatë ditësh e muajsh, çdonjëra prej këtyre ditëve e secili prej këtyre muajve, marrë me vete, duket i pasigurt dhe i përkohshëm, e megjithatë, së toku (…) që qyteza mban mend, pjesën më të madhe të jetës së brezit që mbushi moshën e pjekurisë në çastin e pushtimit.[14]

Të gjithë pjesët/njësitë përafrojnë me njëra-tjetrën. Ato kanë në qendër një objekt të vetëm me që hidhen përmes rrëfimit për të, ndryshojnë koordinatat hapësinore-kohore[15] të pjesëve, por jo natyra e tyre. Ura lidh çdo pjesë në vite të ndryshme dhe mban gjallë çdo pjesë duke dhënë dhe duke përsëritur papërkulshmërinë e saj si simbol.

“Kështu u pasndoqën breznitë pranë urës dhe kjo e fundit shkundte nga trupi, si puhur, të gjitha gjurmët që i linin sipër kapriçot dhe nevojat njerëzore ditëshkurtra; duke mbetur e pandryshuar dhe e pandryshueshme pas çdo ngjarjeje.”[16]

Rrëfimi ose interpretimi ka dy seri[17] ngjarjesh: Seria e parë i përket një të kaluare të largët e cila tregohet përmes disa historive të dëgjuara. Seria e dytë që ndërtohet në bazë të serisë së fundit.

Duke rrëfyer për gjithë kontekstin e kohës i flet enkas rrëfimit për urën. Urën e bënte rrëfimi mbi atë që e rrethonte. Përshkrimi i jetës, i ndodhive të zakonta e të pazakonta, është ajo që e mban objektin e urës të qëndroj si një shenjues të cilit i referohet autori. Rrëfimi është gjithmonë shenjues: ai nëkupton një rrëfim tjetër.[18] Forcë përshkruese mbizotëron nga kreu i ngjarjes deri në mbyllje. Përshkrime për një jetë në të dyja anët e urës.

Lexuesi gjatë udhëtimit të Urës që është objekt i njohur do të kaloj edhe në atmosferën që e rrethon. Në këtë rast themi se lëviz nga më e njohura te e panjohura. Te ajo e panjohur që komunikohet nga teksti, te ato zëra personazhesh që flasin e thonë disa të panjohura. Ato që nuk janë dëgjuar prej të gjithëve i sjell rrëfimi për t’i bërë njësh me të njohurën e gjithëdijshme-urën.

  Historia e rrëfyer vjen prej rrëfyesit (transmetuesit) që nënvizon botën e personazheve dhe gjithçka që i rrethon. Rrëfyesi dhe lexuesi janë së jashtmi duke i parë ngjarjet që rrjedhin me kalime kohore të mëdha. Një shtrirje kohore aq e gjerë do duhet të “mirëkuptohet” kapërcimi i disa segmenteve kohore në tjetrën.

Të vonosh, nuk do të thotë të humbasësh kohë: shpesh shtyjmë kohën për të reflektuar para se të marrim një vendim.[19]

Kemi një galeri imazhesh të njëpasnjeshme me urën në qendër të rrëfimit. Rrëfimtari nuk e ndjek nga pas, nuk i gjëmon vetëm urës, por e trajton atë në një shtrirje të gjerë.

Transmetuesi nuk e ka me ngut rrëfimin e historisë. Ndalon në kohë të cilat beson se janë me vend, por kemi dhe ato ndalime të cilat thuajse janë të pandjeshme, nuk mbartin ngarkesën e ndalesave kohore të tjera. Autori e ka lënë të lirë eksplorimin në kohë edhe në rastet kur ndodh kalimi në kohë, rrëfimi nuk vjen i “shtrënguar”. Andriç e ndjen të ndjeshme të vonojë në një segment kohor kjo edhe si fakt që ta lër lexuesin të pushojë nga informacioni i tepërt edhe akti i kapërcimit[20] merr kohë, ose të paktën jep përshtypjen se merr njëfarë kohe për të kursyer një tjetër.

Te Ura mbi Drin mund të shëtitet edhe pa ndonjë qëllim, pikërisht për të shijuar humbjen[21] e rrugës së drejtë. Ndalesat kohore janë aq të gjata ndonjëherë, jepet çdo detaj dhe marrësi është i tejngopur nga të gjitha zërat rrëfimtare. Ashtu siç ka çaste kur krejtësisht çlirohet gjatë një fraze kur koha e ligjërimit shprehet një kohë e një harku kohor shumë të gjatë.

Kronotopia është e detajuar. Kemi të gjitha informacionet e kohës dhe vendit të rrëfimit. Njihemi me faktet shoqërore, detaje qelizore të vendit. Përgjatë “mega” kohës vizatohet imazhi i objektit qendror (urës). Këtij vizatimi i kthehet në çdo fundpjesë/fundnjësi të romanit, duke e paraqitur gjendjen e saj me ndryshimet përgjatë kohës. Të gjithë njësitë/pjesët koklaviten rreth asaj që ndodh, shkëputet prej objektit dhe në mbyllje e nxjerrë në dritë i rikthehet si shfaqet ura duke treguar që nuk ka pësuar ndryshime.

Topusi është sfondi që i shërben kontekstit. E gjithë vija gjeografike të cilën e mësojmë, na shërben për të kuptuar pranëvënien e urës. Ndërsa e tëra si kronotopi përmban nota me bëma heroike. Si një kronikë e historisë vjen si një mënyrë organike.

Ura bashkon:

  • Kohën
  • Vendin

Kemi polifonizim në nivel:

  • Emocional
  • Kohor
  • Strukturor

Në këtë rast simboli i tejkalon vetëfuqitë[22] e metaforës. Hera-herës e tejkalojmë kompetencën duke kërkuar përtej asaj që teksti na kërkon dhe harrojmë atë që kemi të dukshme, në kuptimin literal. Frekuenca e përdorimit të objektit qendror është thuajse e konsiderueshme. Në fakt fjala “portë” është me frekuencë përdorimi më të madhe në roman.

“Objekti” si unitet sjell komunikimin mes gjeneratave, përmes leximesh dhe rileximesh. Ura si e tillë vjen më një “vizion” të rëndësishëm në histori. Si objekt është e aftë të përçojë të gjitha kuptimet që mbart.

Dhe ura vazhdonte të qëndronte, siç kish qenë në shekuj, me rininë e saj të përjetshme prej dizenjimi të përkryer e prej vepre njerëzore të mirë e madhore, një prej atyre veprave që nuk njohin plakje shndërrime e që, së paku kështu duket, nuk e bashkëndajnë shortin me gjërat e përkohshme të kësaj bote.[23]

                                                                                                                                                               Flutura Kamberi

 

 

 

[1] TODOROV, Tzvetan. Letërsia në rrezik, përktheu M.Halimi, Gjon Buzuku, Prishtinë, 2007.

[2] ANDRIÇ, Ivo. Ura mbi Drin, shqipëroi A.Koka, Botimet Dritan, Tiranë, 2005, f.182.

[3] ANDRIÇ, Ivo. Ura mbi Drin, shqipëroi A.Koka, Botimet Dritan, Tiranë, 2005, f.22.

[4] DUCROT, Oswald. TODOROV, Tzvetan. Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit, përktheu nga frëngjishtja R.Ismajli, RILINDJA, Prishtinë, 1984, f.451.

[5] SABATO, Ernesto. Shkrimtari dhe fantazmat e tij, përktheu E.Hoxholli, B.Shehu, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2015, f.179.

[6] ANDRIÇ, Ivo. Ura mbi Drin, shqipëroi A.Koka, Botimet Dritan, Tiranë, 2005, f.23.

[7] Po aty f.372.

[8] Po aty f. 395.

[9] SABATO, Ernesto. Shkrimtari dhe fantazmat e tij, përktheu E.Hoxholli, B.Shehu, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2015, f.295.

[10] TODOROV, Tzvetan. Poetika e prozës, përktheu Gj.Kola, A.Papleka, Panteon-Shtëpia e librit, Tiranë, 2000, f.177.

[11] ECO, Umberto. Për letërsinë, përktheu D.Omari, Dituria, Tiranë, 2007, f.19.

[12] ANDRIÇ, Ivo. Ura mbi Drin, shqipëroi A.Koka, Botimet Dritan, Tiranë, 2005, f.9.

[13] Po aty, f.122.

[14] Po aty, f. 257.

[15] TODOROV, Tzvetan. Poetika e prozës, përktheu Gj.Kola, A.Papleka, Panteon-Shtëpia e librit, Tiranë, 2000, f. 56.

[16] Po aty, f. 119.

[17] Po aty, f. 119.

[18] TODOROV, Tzvetan.  Poetika e prozës, përktheu Gj.Kola, A.Papleka, Panteon-Shtëpia e librit, Tiranë, 2000, f.58.

[19] ECO, Umberto, Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, përktheu  D.Kastrati, Dituria, Tiranë, 2007.Fq.65

[20] Po aty, f.75.

[21] Po aty, f.65.

[22] ECO, Umberto. Për letërsinë, përktheu D.Omari, Dituria, Tiranë, 2007, f.149.

[23] ANDRIÇ, Ivo. Ura mbi Drin, shqipëroi A.Koka, Botimet Dritan, Tiranë, 2005, f.275.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP