Të veçanta

Tirana bosh

       Sot më datë 30 nëntor 2019, ora 7.30, Tirana është e boshatisur. Jam i ulur në kafenenë pranë vendaktivizimit tim të përditshëm ku sapo rrufita kafenë e mëngjesit. Dua të ngrihem, të shkoj e të hap derën e zyrës, sepse kështu bëj përditë pasi pi kafenë e mëngjesit. Por sot qenka ndryshe..  . Mesa duket, që forca e arsyes të ushtrojë aq sa duhet tërheqjen e saj për të më lëvizur nga vendi, duheshka të shkarkoj diçka, qoftë dhe diçka të vockël nga ngarkesa e shpirtit, përmes proçesit të katarsisit të implementuar me anë të mollëzës së gishtit të madh të dorës së djathtë që gërmëzon mbi ekranin e smartfonit tim profesional por që ndodhet në duart e një përdoruesi amator e për rrjedhojë akumulacioni i shpirtit rrjedh me pikatore mbi ekran përmes mollëzës së gishtit të madh të dorës së djathtë.

       Ku don të dalësh?! Do thuash ti lexues i dashur. Ja pra, dua t’i përgjigjem pyetjes se pse Tirana sot është bosh?! Herëpashere ngrej sytë në ekranin e televizorit të kafenesë dhe shoh Kryeministrin që po përshkruan çka është bërë e çka do të bëhet në lidhje me tërmetin e datën 26 të këtij muaji dhe pasojave të tij, por po shoh se edhe nga sa thotë ai, sërish nuk gjej përgjigjen se pse Tirana sot është bosh. Një tendencë e brendshme menefregiste më thotë; po nuk është ndonjë çudi e madhe, tërmet hesapi, kanë ikur për pak ditë sa për të larguar mendjen nga tmerri i tërmetit e do kthehen prapë!!! Por edhe kjo nuk më jep përgjigjen që më çliron një pjesë të akumulacionit të brendshm aq sa për t’u ngritur.

       Tani, po i them vetes për ta prekur në sedër, ti po përpiqesh t’i japësh përgjigje kësaj pyetje, për të shpëtuar nga forca e rëndesës së poltronit e për t’u ngritur apo për t’i dhënë dhe më shumë forcë arsyes?! Po e marr veten me të mirë e po pranoj këtë të dytën!!! Sa çudi!!! Po a nuk është e mundur që edhe gjatë rrugëtimit për t’u larguar nga zonat tërmetosëse, të karrambolohet makina e të bie në humnerë?! Apo që për shkak të shpejtësisë të ndodh ndonjë ndeshje kokëmëkokë mes makinash?!! Ore, pse duhet të përjashtohet mundësia që gjatë rrugëtimit për Pogradec, Korçë, Prizren, Shkodër, Dibër apo ku e di se ku, të ndodhë ndonjë çarje e tokës e të fundoset makina?!! Ore, po ai shkaku pa shkak, që ne apo njerëzia i themi “exheli”!!! Të gjithë e dimë se ky miku ynë i ngushtë, pra “exheli”, funksionon edhe jashtë zonave të tërmetit dhe është edhe më enigmatik dhe më i befasishëm se ky miku ynë; tërmeti.

      Megjithatë prap Tirana sot është bosh.
Megjithatë, po i them vetes, ka shumë mundësi që shumëkush të ketë lënë Tiranën për ndonjë arsye shumë më të madhe sesa arratisja nga tërmeti dhe çka lë pas ai!! Ka shumë mundësi ta kenë lënë Tiranën për t’i dhënë kohë vetes e për të kërkuar kuptimin e gjërave dhe efekteve të dinamikës së tyre përtej shkak-pasojës tërmetosëse që faktikisht jemi mësuar ta quajmë të rrallë por ja që na u bëka dhe e përditshme madje dhe banale… . E për në fund i dashuri im lexues, them se kanë bërë shumë mirë ata që sot kanë boshatisur Tiranën në kërkim të kuptimit përtej shkak-pasojës sa të rrallë aq edhe banale… .

       Të ngrihem, thua, e ta lej me kaq?!!
Po ja ta provoj njëherë se mbase arsyeja ka marrë aq forcë sa për të më ngritur nga poltroni!!! Pa hë, hë, hë, ngrihu….oopppa. Shyqyr o Zot që ma forcove arsyen aq sa për të më shkëputur nga skllavëria e poltronit e të vazhdoj rrugën se në fund të fundit tërmeti ka punën e vet e unë timen. Faleminderit vëlla e shok. Unë po e mbyll me kaq e po vazhdoj. Zoti ju ruajtë, por jo thjesht
nga tërmeti… .

Msc. Sabaudin Jashari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shko te TOP