web analytics

Të veçanta

Kompromisi dhe Muslimanët

Nga Kevi Muçllari

Vazhdimisht, duket se kemi qenë dëshmitarë të një debati të riprodhuar. E njëjta temë rihapet parreshtur: Cili do të ishte qëndrimi korrekt i muslimanëve në raport me shoqërinë dhe me pushtetin (pavarësisht krahut politik). A është e domosdoshme mbërritja e një konsensusi lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë muslimanët në raport me disa nga çështjet themelore të shoqërisë sonë? Apo, do të ishte më e udhës që muslimanët (të paktën përsa që përkufizohen si një prej grupeve përbërëse të shoqërisë) të konsideronin si parësore, mundësinë e veprimit imediat, rast mbas rasti? Të dyja këto pyetje, të shtratuara në formë idiosinkretike, përbëjnë dy teza, që në terma praktikë, ravijëzojnë qëndrimet politike të muslimanëve. Kësisoj, përgjigja që mund të jepet karshi këtyre pyetjeve, do të mundësonte qartësi teorike dhe praktike. Ose më së paku, koherencë qëndrimesh.

Sigurisht, shpesh herë, realiteti në përgjithësi (dhe veçanërisht ai politik) implikon dinamizëm të jashtëzakonshëm, andaj, lipset që ky fakt të mbahet parasysh. Mirëpo, pikërisht se realiteti është kaq dinamik (domethënë në evoluim të vazhdueshëm), nevojitet qartësi konceptuale. Kjo e fundit, garanton, pavarësisht qëndrimit të gjithësecilit, ankorim botëkuptimor, që në vetvete, është garanci për mosfunksionim kuturu. Natyrisht, mbërritja e qartësisë konceptuale do të kërkonte që muslimanët të funksiononin si një grup homogjen. Sepse, qartësia konceptuale (në termat e këtij shkrimi) nënkupton vetëdije për një mision të caktuar, i cili është produkt i drejtpërdrejtë i shpalljes hyjnore. Kësisoj, ky mision do të ishte “Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja”. Në këtë kontekst, shtrohet pyetja: Pse ky pohim duhet konsideruar si kushti i domosdoshëm që përkufizon realitetin e misionit? Përgjigja mund të derivohet prej vetë shpalljes hyjnore. Për të qenë dëshmitarë ndaj njerëzimit. Prej këtej mund të derivojmë gjithashtu edhe një princip të rëndësishëm politik (dhe operacional). Politika nuk është ëndërrim aventuresk për të ndryshuar botën, përkundrazi, ajo është një domen i inkuadruar brenda konceptit të sprovës. Kësodore, nëse ky mision do të përkufizohet në terma politikë, ai do të marrë trajtën e një përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur misionin brenda parametrave të sprovës. Andaj, kërkohet që ideja e sprovës të lidhet apriori me idenë e misionit. Kjo, ngase, kësodore, misioni ndërkallet si një obligim thellësisht njerëzor. Megjithëse ky obligim është një kërkesë hyjnore, kjo nuk nënkupton një ndërmarrje puritane. Sepse, nëse do të ishte kështu, politika do të shndërrohej në një mision të pamundur. Sakaq, edhe vetë misioni do të shndërrohej në një kërkesë jo-njerëzore, një kërkesë që implikon një dëshirë thellësisht puritane dhe ekstreme.

Ndërkaq, një kërkesë e tillë prodhon edhe një konceptim shumë të gabuar, sepse e kategorizon politikën, ose si një idealizëm nostalgjik ose si një domen të përkufizuar nga një tendencë ekstreme. Prandaj, është e domosdoshme që politika të bazohet mbi një princip thellësisht konkret. Duke qenë se politika është produkt njerëzor, ajo është në shërbim të aspiratave dhe interesave të komunitetit. Nga këtu, del një përkufizim i mirënjohur i politikës, i cili e lidh atë ose me polisin (pra komunitetin) ose me Medinan, e cila poashtu nënkupton një komunitet të virtytshëm. Megjithëse në botën moderne ky përkufizim pothuajse e ka humbur relevancën, kjo nuk nënkupton delegjitimimin e këtij koncepti. Përkundrazi, ky konceptim vazhdon të jetë legjitim përsa kohë që shoqëria do të përkufizohet në terma pluralë. Ndoshta është e pamundur që e gjithë shoqëria të jetë e mbarsur me virtyte (ose ta synojë një gjë të tillë), ama, është plotësisht e mundshme ekzistenca e virtyteve brenda bashkësive të caktuara. Natyrisht, virtytet nuk janë produkt i politikës (as nuk mund të jenë), ato janë produkt i botëkuptimit themelor të një bashkësie. Ngjizja me virtyte duhet të ndodhë në një kontekst para-politik. Vetëm kështu ekziston mundësia që politika të mos shndërrohet në parimin rregullator të gjithçkaje. Vetëm në këtë kontekst politika nuk mund të shndërrohet në “fe”.  Është bash në përkufizimin puritan (detyrimisht ekstrem), ku politika synon rol ripërtëritës. Një rol aspak i natyrshëm, por që gjithsesi vazhdimisht prezent në konceptimet dhe projeksionet e botës moderne. Dihet tendenca e brendashkruar në botëkuptimin modern, i cili duke ripërtërirë konceptimin Aristotelian (njeriu si qenie politike), synonte riformatimin e njeriut dhe të botës bazuar mbi një konceptim thellësisht politik. Përmirësimi i gjendjes së njeriut dhe të botës, tani e tutje, nuk zanafillonte më nga ripërtëritja e marrëdhënies së njeriut me Zotin dhe me të shenjtën. Përkundrazi, kjo marrëdhënie mund të kategorizohej vetëm individualisht, pa mundësi interferimi me bashkësinë njerëzore. Bashkësia njerëzore, tashmë, shenjtëronte vetveten. Koncepti i të shenjtës që ofron Emile Durkheim, nuk është gjë tjetër vetëm se miratim i shenjtërisë politike. “Forca fetare nuk është gjë tjetër, veçse ndjenja e frymëzuar nga grupi tek anëtarët e tij, por e projektuar jashtë vetëdijes që i përjeton dhe e objektivizuar”.

Në këtë kuptim, konceptimi Aristotelian ekskluzivizohet plotësisht, duke e transformuar politikën dhe bashkësinë njerëzore në një domen thellësisht imanent. Shenjtëria përkufizohet në terma politikë, dhe politika përfaqëson mundësine e vetme për transhendim. Bashkësia njerëzore shihet si një sferë e mbyllur, e cila për të funksionuar optimalisht, nuk ka nevojë për prezencën e shenjtërive vertikale. Tanimë, shenjtëria nevojitet vetëm për të bërë të mundur kordinimin dhe organizimin e bashkësisë njerëzore. Sidoqoftë, tendenca puritane vazhdon të jetë prezente, sepse vetë botëkuptimi modern mbetet ngushtësisht i lidhur me idenë e transformimit të botës. Por, një transformim i jashtëm, i cili mund të marrë jetë vetëm përmes mekanizmave politike. Madje, më tepër se kaq, ky transformim mund të arrihet edhe përmes instrumentave shtrënguese. Këto të fundit, jo si mjete për të bërë të mundur funksionimin e shoqërisë njerëzore, por si mekanizma të domosdoshëm që mbartin në vetvete mundësinë e transformimit radikal të shoqërisë. Në vazhdën e kësaj logjike, mund të kuptojmë edhe tendencën thellësisht puritane të Jakobinëve, të cilët nuk përbëjnë assesi një rast unik. Përkundrazi, regjimi i tyre i terrorit, është vazhdimësi e logjikës moderne për të prodhuar transformime radikale përmes masave ekstreme. Komunizmi, nazizmi, fashizmi dhe të gjitha ideologjitë e tjera esktreme të prodhuara nga moderniteti, janë vazhdimësi e traditës Jakobine. Traditë e cila, është përfaqësuese e logjikës së revolucionit modern, i cili synon transfomim përmes dhunës. Ky revolucion, e sendërton veprimtarinë e tij, mbi një logjikë thellësisht puritane dhe ekstreme. Është i mirënjohur pohimi i revolucionarëve francezë se “Shoqëria ideale do të krijohet kur mbreti i fundit të mbytet me zorrët e priftit të fundit”.

Kjo “sentencë” që tingëllon djallëzore, nuk mund të mendohej në një kontekst ndryshe. Bashkësia njerëzore lipsej të shihej si e mbyllur, e zbrazët nga të gjitha shenjtëritë vertikale dhe pa kurrfarë transhendence. Vetëm në kushtet e një botëkuptimi të tillë, njeriut i lind e drejta që të përcaktojë ekskluzivisht një fund të epërm për shoqërinë njerëzore. Tanimë fundi është kategorikisht njerëzor, madje ky fund, shndërrohet në përkufizues të gjithçkaje. I lidhur me puritanizmin, ky fund, e bën të domosdoshme përdorimin e dhunës për qëllime “sublime”. Dhuna, e cila deri më tani, konsiderohej si një instrument për ruajtjen e pushtetit dhe kordinimin e shoqërisë, shndërrohet në një mekanizëm sublim. Nëse logjika historike shndërrohet në zot të padiskutueshëm, (Ceszlav Milosz, Mendja e Robëruar), atëherë dhuna përbën një instrument po aq të domosdoshëm. Logjika historike nuk mund të ndërpritet, ajo buron nga besimi imanent në aftësinë e padiskutueshme të njeriut prometean për të ribërë botën. Mirëpo ribërja e botës, pa marrë në konsideratë njeriun si krijesë e Zotit, mund të imagjinohet vetëm duke injoruar të vërtetën transhendente të tij. Dhe kjo e vërtetë nuk është assesi e lidhur ekskluzivisht me kategoritë politike. Po, ajo mund të ndikojë bashkësitë politike, ose më mirë me thënë mund të ndikojnë njeriun e bashkësisë politike, por nuk mund të jetë produkt i kësaj bashkësie. “Të pyesin ty për shpirtin. “Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. (El-Isra: 85)

Thelbi i njeriut mbetet shpirti (transhendenca), por në vazhdën e mohimit të saj, tanimë politikës i ngarkohet detyra e një transformimi përfundimtar, madje thellësisht fetar. Objektivizimi i realitetit (i të gjithë realitetit), e jashtëson krejt përpjekjen njerëzore. Njeriu modern shndërrohet në materie, ndërsa materia përbën parimin rregullator të gjithçkaje. Pikërisht këtu politika shpërfaqet si mekanizmi i vetëm për rregullimin dhe “transhendimin” e shoqërisë. Shoqëria nuk ka nevojë për transhendenten, sepse “njeriu është vetëm një kafshë politike” dhe një ujk që ka nevojë të zbutet, ka nevojë për një Leviatan”. Në këtë kontekst, njeriu ekziston vetëm për aq sa ekziston politikisht, pa këtë mundësi ai nuk është njeri. Që të përmbushë funksionin ekzistencial të tij, “politika duhet të bëhet feja jonë” thoshte Ludwig Feuerbach.

Politika dhe feja shndërrohen në sinonime, në dëmin e kësaj të fundit, sepse feja rresht së ofruari zgjidhje për njeriun politik. Rolin e fesë e merr politika, ngase kjo është trashëgimtare e aspiratave të fesë, por tanimë, zotëron edhe të vërtetën përfundimtare të njeriut. Njeriu modern nuk është krijesë e Zotit, ai është një “qenie” e përkufizuar nga realiteti material dhe nga konteksti (apo rrethanat) në të cilat gjendet. Bile edhe aspiratat e tij janë thellësisht të ndërlidhura me materien. I gjithë kuptimi gjenerohet nga materia. Sakaq, ky lloj konceptimi prodhon dy pasoja shumë të dëmshme për njeriun dhe përpjekjen e tij për kuptim.

E para, vlefshmëria e njeriut përcaktohet “tani dhe këtu”. Dinjiteti i tij nuk ekziston, sepse materia nuk mund të prodhojë dinjitet. Njeriu ka dinjitet vetëm nëse është krijesë e Zotit. Dhe që njeriu të jetë i vlefshëm, ai duhet të vlejë në vetvete, dinjiteti i tij nuk mund të jetë i lidhur me zotërimin material. Nëse do të ishte kështu, vlera e njeriut do të përcaktohej nga njerëzit e tjerë (si rregull të pushtetshmit ose të pasurit). Mirëpo, pikërisht kjo e zhbën dinjitetin. Njeriu pa dinjitet, nuk mund të jetë njeri. Ai është thjesht një mekanizëm kolateral për përmbushjen e qëllimeve të të tjerëve. Kësisoj, i zhveshur nga dinjiteti, ky lloj njeriu e ka pothuajse të pamundur të gjejë kuptim. Humbja e kuptimit nuk është hiç më pak sesa humbje e forcës për të jetuar. Pasojat e këtij konceptimi mund të merren lehtësisht me mend, madje, pa pasur nevojë për studime empirike.

Së dyti, realiteti reduktohet vetëm në gjendjen e dhënë aktuale. Nuk ka asgjë përtej kësaj gjendje. I gjithë realiteti merr kuptim bazuar mbi këtë gjendje. Në këtë kontekst shpërfillet një parim shumë i rëndësishëm (i cili pranohet edhe nga marksistët). Realiteti është më shumë sesa gjendja faktike aktuale. Thelbi i tij nuk gjendet i mbërthyer në gjendjen e dhënë të gjërave. Përkundrazi, ai trajtësohet përmes forcave të tjera të pranishme (por jo domosdoshmërisht të dhëna). Vetëm kështu realiteti nuk shndërrohet në diktat, nuk zbrazet nga kuptimi. Sepse kuptimi nuk është i lidhur domosdoshmërisht me përkufizimet aktuale. Vetëm në këtë kontekst realiteti mund të përfytyrohet ndryshe. Sakaq, vetëm brenda këtij konceptimi njeriu mund të shndërrohet në një aktor aktiv dhe optimist, i cili e sheh jetën si një përpjekje të pandalshme. Përndryshe, njeriu nuk është gjë tjetër veçse një qenie procedurale, që sillet në përputhje me pritshmëritë kallëpizuese të realitetit faktik (nënkupto sistemik). E gjitha kjo do të mjaftonte për të zhbërë aspiratat njerëzore dhe për të shkatërruar përfytyrimin e diçkaje ndryshe (qoftë edhe në terma individualë). Hiç më pak sesa një lloj disfatizmi kundrejt rendit të jashtëm.

Vazhdon…

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP

This website stores cookies on your computer. These cookies are used to provide a more personalized experience and to track your whereabouts around our website in compliance with the European General Data Protection Regulation. If you decide to to opt-out of any future tracking, a cookie will be setup in your browser to remember this choice for one year.

Accept or Deny