web analytics

Të veçanta

Sprova dhe zona gri

Nga Ibrahim Xhepmetaj

Sprova është term që i referohet testimit apo sfidës në kuptimin e vështirësisë dhe parehatisë që i shkakton një ngjarje apo përjetim njeriut në jetën e  tij. Pra në këtë kuptim sprova ka ngjyrim negativ, është e urryer, jo e kërkuar as e preferuar edhe ndaj merr pjesëzën “s” për të mohuar lidhjen shkak pasojë me të, kur në fakt pranojmë se të gjitha ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe me njeriun i cili në të gjitha rastet është i përfshirë në krijimin e ngjarjeve dhe ndikimin e tij në to, pra le të themi njeriu ndikohet dhe ndikon në sprova, sprovohet dhe bëhet sprovë për të tjerë. Mjedisi i sprovës konsiderohet zonë e matshme, mirpo shkaqet dhe pasojat janë shpeshherë të pakuptueshme dhe të pallogaritshme dhe se përceptimi dhe reflektimi për të bëhet objekt komunikimi i një marrëdhënjeje përtej shqisore (pra transhendentale). Duam apo s’duam, në sprova futet ‘Hyjnorja’,- transhendenca, si në ngjarjet e vogla dhe ato spontane individuale, nga tragjeditë familjare deri tek katastrofat dhe fatkeqësitë natyrore, epidemitë, luftërat etj.

  Zona gri është gjithë ajo fushë e gjerë diskutimi, paqartësie, ankese, revolte të pashpjegueshme në kundërshtim me sprovën dhe në përpjeke për të interpretuar shkaqet, zhvillimin dhe pasojat e saj, pra i përket një fushe përjetimi dhe përceptimi relativ ose tërësisht individual kur vjen fjala në aspektin praktik. Më konkretisht: Marrim si shembull; Kur ndonjë i njohur  sëmuret me ndonjë sëmundje të rëndë apo humbet një familjar ne e kemi të vështirë ta kuptojmë se ngjarja është “sprovë” vetëm për të dhe jo për ty, ndërsa është e vështirë të përfytyrohet e kundërta. Pra kemi dy situata: E para sprova e përbashkët apo e njëjtë e cila përjetohet dhe menaxhohet ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Së dyti, sprova të ndryshme të cilat kanë përjetime të ndryshme, efekte dhe arsye të ndryshme për secilin. Këtë koncept e përmban shprehja e famshme në popull: “Halle halle kjo dynja, halli hallit nuk i ngjá.” Kjo na thotë dy gjëra. Së pari kjo është botë e sprovave dhe  mjedis i gjendjes konstante të parehatisë dhe se askush nuk përjashtohet nga sprova. Siç thotë në aposulatin e famshëm sërish populli: “Jeta është luftë..” Edhe pse në dukje ky është një konkluzion i thjeshtë, në realitet është shumë e vështirë për ta pranuar dhe përpunuar si fakt, sepse pikërisht paaftësia e njeriut për t’u dakordësuar me ktë sprovën si ngjarje, i shkakton atij gjendje ankthi dhe pikëllimi të vazhdueshme. Ankth sepse pret të përballet me atë që si ka ndodhur akoma dhe  njëkohësisht ndjen pikëllim për të shkuarën e rasteve të humbura, vendimeve të gabuara dhe të dyja këto lidhen me çastin e tanishëm, njerëzit nuk arrijnë dot të jetojnë me faktin, pra të jenë të kënaqur me jetën, të pranishëm në rrethanat që ndodhen, pra të njohin mirë veten dhe ambjentin e tyre, vetëm kështu do kuptojnë dhe përballen suksesshëm me sprovat. Nuk eksizton asgjë në sprovë përveç çastit. Kush i rikrijon vuajtjet e së kaluarës,  sitiatat e jashtëzakonshme që ka kaluar?! Asgjë vetëm kujtime që veniten dhe frikëra pa arsye, ankth për atë që akoma ska ndodhur. Nuk ka asgjë të cilën njeriu mos ta përballojë, përderisa ai është krijuar në sprovë dhe për tu sprovuar. Njerëzit nuk dështojnë në sprova për shkak të peshës  së tyre, por prej keq-menaxhimit, pra mosnjohjes së ligjeve të sprovës në ndodhitë (shkak- pasojë), paditurisë së urtësive në ndodhitë që vijnë indirekt nga jashtë ndikimit të tij dhe shpërqëndrimit  në të tashmen, duke e kërkuar gjithmonë fajin diku tjetër veç vetes,  duke justifikuar mungesën e vullnetit ose duke qenë mosmirënjohës (për pasojë duke u ankuar për çdo gjë pra duke hiperbolizuar efektet e sprovës). Sigurisht njeriu lakmon, xhelozon, ndjen keqardhje në sprova, por nuk i lejohet të bëj krahasime të pastudiuara, të dalë në përfundime akoma pa mbaruar sprova, sepse jeta e kësaj bote edhe pse është konstante në  ngjarjet e saj, nuk është e vazhdueshme dhe e përjetshme në intensitetin e sprovave. Sprovat kanë ngarkesë, kohëzgjatje dhe intensitet të caktuar, ndryshojnë, si jashtë (fakt) edhe brenda nesh (përjetimi).

Zona gri ëshë zona e paqes dhe e luftës. “Bashkë me vështirësinë vjen lehtësimi” thotë Kur’ani sipër të na mësuar aksiomën e jetës, për ata që dinë të durojnë. Pra edhe të mirat që ne gëzojmë, që në fakt janë pa fund dhe dominojnë, janë të destinuara për t’mos na përmbushur, për t’mos na kënaqur apo lumturuar pambarim, madje menjëherë dhe befas pas gjendjeve relativisht të qëndrueshme por të përkohshme, priten befasi, sprova, të papritura të pakëndshme, të cilat e fusin njeriun në stres, e sekëlldisin, ja prishin terezinë, e vejnë në provë.. Nëse e kuptojmë sprovën realisht si test në të keq, do ta konsideronim sprovë edhe të pasurit, mospasjen e problemeve, komoditetin terezillëkun, dhe në fakt ashtu është. Pothuajse  gjithmonë ne konsiderojmë sprovë,  për shembull; humbjen e pasurisë, apo dështimin  dhe falimentimin e një biznesi. E kundërta do të ishte pasuria e siguruar pa mund, suksesin e vazhdueshëm financiar. Në të dyja rastet a mund të themi me siguri se njëri është i sprovuar  dhe pafat ndërsa tjetri i bekuar dhe fatlum?!

Shumica e njerëzve që e shohin nga jashtë po. Në fakt nëse do të ndërronin pozicionet dhe të shikonte secili se çfarë përjeton tjetri, do të dilnim në përfundim tjetër. Pra sprova qenka më tepër se ngjarja në vetvete, përjetimi, reagimi apo pozicionimi ndaj saj. Falenderues apo përgënjeshtrues, optimist ose ankues. I shkujdesur ose shfrytëzues i mundësive. Në fakt çdo çast i jetës tonë është sprovë dhe çdo sprovë është një mundësi, një rast për të kuptuar, për të mësuar, për t’u përmirësuar, për të synuar atë që të gjithë synojnë  në jetën e tyre, lumturinë…

Pyetja është ku gjendet lumturia? A mundet të përfitohet ky synim nëpërmjet sprovës?! Doemos,  por sprova në vetvete është mjet jo burim i saj. Çdo njeriu është i pajisur me rezistencë dhe kapacitet për të përballuar sprova. Ndërsa durimi është arma kryesore e cila kultivon dhe zhvillon stabilitet në relacion me sprovën përaq sa bën njeriu përpjekje në sprova. Një sprovë që dikur mezi e përballove, sot të duket e lehtë, për dikënd tjetër mund t’mos jetë fare sprovë. Pra shkalla e relativitetit në sprovë është aq e madhe, por sidoqoftë sprova pa kuptim është fatkeqësi më e madhe se vetë sprova,  sepse nëse njeriu si jep kuptim sprovës, se di përse sprovohet, nuk ka sesi të reagojë pozitivisht ndaj saj, për më tepër të ngrihet dhe të lartësohet në sprova, sepse s’ka motivin dhe qëllimin e duhur të për t’iu duruar atyre. Psh:  Nëse dikush lajmërohet se është diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, i thonë që s’ka shërim, ai do fillojë të mendojë vetëm për sëmundjen, vështirë se do fokusohet tek e tashmja, do fillojë të mallkojë dhe fajësojë për gjendjen dhe do përjetojë ankth dhe rebelim, deri në momentin që të fillojë të reflektojë. Por sërish i duhet t’i jap një përgjigje të fundme sprovës jo thjesht ta pranoje si fakt (edhe nëse do jetë fatale për të).

Zona “gri” lidhet me forcën e brendshme të njeriut, ku furnizohet secili për të ndërtuar raport triumfatori me sprovën, një marrëdhënje kjo komplekse, sepse në dy të fortë njëri mund të rrëzohet nëse sprova e njërit kushtëzohet edhe nga rrethanat jo favorizuese, përmëtepër vetë njeriu është aq dinamik me sprovën e cila është poaq dinamike. Të gjitha këto që themi janë thjesht përpjekje intelektuale të cunguara, që smarrin përgjigje nëse nuk mësojmë burimin e sprovës dhe sebepin e të sprovuarit, shkaqet e saj dhe nëse nuk dëshmohemi vërtetësisht në sprovim.  Megjithatë sprovat janë për ne dhe ne jemi bërë për t’u sprovuar, duam apo s’duam ky është mejdan i gjerë i cili i jep kohë njeriut të ndryshojë rrënjësisht marrdhënjet me sprovat përaq sa është gjallë.

Kafshët si konceptojnë sprovat, thjesht përballen me to, ‘ëngjëjt’ janë të pandjeshëm dhe të pavarur ndaj sprovave, sepse janë të automatizuar për të bashkëvepruar me ligjin e sprovës. Njeriu është lënë i lirë brenda një sistemi (kohë-hapsirë) pjesërisht determinues, pikërisht këtu qëndron sprova, fitimi apo humbja e tij dhe fusha “gri” e garës, ku ka vend për vlerësim, krahasim, diferencim.

Një verset Kuranor na e shpreh kështu sprovën. ” Ai i cili krijoi vdekjen (cakun-kufirin) dhe jetën (koha juaj e përkufizuar në hapësirën tuaj ndërvepruese) për t’ju vënë në provë kush është më vepërmirë (kërkohet dhe potencialisht të gjithë mund të ngadhënjejmë në sprova.”  Njeriu e ka të nevojshme të marrë edhe përgjgjen për specifikimin e sprovës brenda zonës “gri” . Pra Kur’ani na e jep ktë përgjigje. “Zoti nuk ngarkon përtej mundësisë.” Pra secili mbart sprovat që ka. Ama secili është përgjegjës dhe nuk e shfajson dot veten për rezultatin e sprovave të tij.  Në këtë “thyesë” -Sprova dhe zona gri- , sprova është emëruesi ynë i përbashkët, ndërsa zona gri është numëruesi yt i veçantë.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP