10 Principe Konservatore
Nga Russell Kirk– Përktheu: Kevi Muçllari
Duke mos qenë as fe dhe as ideologji, korpusi i opinioneve i përkufizuar si konservatorizëm, nuk zotëron as një Shkrim të Shenjtë dhe as Das Kapital, përmes të cilit do të garantonte dogmën. Për aq sa është e mundur të përkufizohet se çfarë besojnë konservatorët, principet e para të bindjes konservatore rrjedhin nga ajo që mendimtarët dhe shkrimtarët prominentë konservatorë kanë pohuar gjatë dy shekujve të fundit. Pas disa shënimeve hyrëse mbi këtë temë të përgjithshme, do të vazhdoj me renditjen e dhjetë parimeve konservatore.
Ndoshta do të ishte e udhës, që në shumicën e rasteve, fjalën “konservator” ta përdornim kryesisht si mbiemër. Kjo ngase nuk ekziston një Model Konservator, dhe konservatorizmi është mohimi i ideologjisë: është një gjendje mendore, një lloj karakteri, një mënyrë për të konceptuar rendin shoqëror civil.
Qasja e quajtur konservatorizëm, mbështetet më tepër në një tërësi ndjenjash, sesa në një sistem dogmash ideologjike. Është relativisht e vërtetë që një konservator mund të përkufizohet si dikush që e mendon veten si të tillë. Tërësia e opinioneve konservatore mund të përfshijë një mori pikëpamjesh mbi shumë tema, pa pasur asnjë Akt Besnikërie ose Tridhjetë e Nëntë Nene të kredos konservatore.
Në thelb, njeriu konservator është dikush i cili mendon se gjërat e përhershme janë më tërheqëse sesa Kaosi dhe Old Night. (Megjithatë, konservatorët e dinë, së bashku me Burke-un, se “ndryshimi i matur është mjeti i vazhdimësisë sonë”.) Vazhdimësia historike, përvoja e një populli, sipas konservatorit, ofron një udhëzues shumë më të mirë për politikën, sesa projektet abstrakte të filozofëve. Natyrisht, bindja konservatore nuk është e limituar në këtë qasje të përgjitshme.
Nuk është e lehtë të hartohet një katalog konciz i bindjeve të konservatorëve; megjithatë, unë do j’u ofroj, në mënyrë të përmbledhur, dhjetë parime të përgjithshme; dhe ndërkaq mund ta pohoj me siguri se shumica e konservatorëve do të pajtoheshin me shumicën e këtyre maksimave. Në botime të ndryshme të librit tim “Mendja Konservatore” kam renditur disa principe të mendimit konservator – lista ndryshon disi nga botimi në botim; në antologjinë time “Lexuesi i Lëvizshëm Konservator” ofroj disa variante mbi këtë temë. Tani do j’u paraqes një përmbledhje të supozimeve konservatore, të cilat ndryshojnë disi nga principet/kanonet e parashtruara në dy librat e mi. Larmia e modaliteteve në të cilat pikëpamjet konservatore mund të gjejnë shprehje, është në vetvete një provë se konservatorizmi nuk është një ideologji fikse. Principet partikulare të theksuara nga konservatorët gjatë një periudhe të caktuar, ndryshojnë në varësi të rrethanave dhe nevojave të asaj epoke. Dhjetë pikat e mëposhtme të besimit konservator, pasqyrojnë prioritetin e konservatorëve në Amerikën e sotme.
Së pari, konservatori beson se ekziston një rend moral i qëndrueshëm. Ky rend është krijuar për njeriun dhe njeriu është krijuar për të: natyra njerëzore është konstante dhe të vërtetat morale janë permanente.
Fjala rend nënkupton harmoni. Ekzistojnë dy aspekte ose dy lloje rendi: rendi i brendshëm, domethënë rendi i shpirtit dhe rendi i jashtëm, rendi i kombit. Njëzet e pesë shekuj më parë, Platoni “predikonte” këtë doktrinë, ndërsa sot, edhe të arsimuarit e kanë të vështirë ta kuptojnë. Problemi i rendit ka qenë një shqetësim kryesor i konservatorëve, ndoshta që prej momentit kur termi “konservator” u shndërrua në term të politikës.
Bota e shekullit të njëzetë, i ka përjetuar pasojat e tmerrshme të bjerrjes së besimit te një rend moral. Ashtu sikurse mizoritë dhe fatkeqësitë që i ndodhën Greqisë në shekullin e V para Krishtit, rrënimi i kombeve të mëdha në shekullin tonë, demonstron humnerën në të cilën bien shoqëritë që egoizmin oportunist (inteligjencën egoiste), ose kontrollet shoqërore, i shohin si alternativa tërheqëse, përkundrejt një rendi moral të vjetëruar.
Intelektualët liberalë pohojnë se konservatori beson se të gjitha çështjet shoqërore, në thelb, janë çështje të moralit privat. E kuptuar siç duhet, kjo deklaratë është totalisht e vërtetë. Një shoqëri në të cilën burrat dhe gratë udhëhiqen prej besimit në një rend moral të qëndrueshëm, nga një ndjenjë e fortë e së drejtës dhe e së gabuarës, nga bindjet personale për drejtësinë dhe nderin, do të jetë një shoqëri e mirë – pavarësisht sistemit politik që mund të adoptohet; ndërsa një shoqëri në të cilën burrat dhe gratë janë të bjerrur moralisht, injorantë ndaj normave dhe të përqendruar kryesisht në kënaqjen e orekseve, do të jetë një shoqëri e keqe – pavarësisht se sa njerëz votojnë dhe pavarësisht se sa liberale mund të jetë kushtetuta e saj.
Së dyti, konservatori i përmbahet zakoneve, konvencioneve dhe kontinuitetit. Zakonet e kahmotshme u mundësojnë njerëzve të jetojnë bashkarisht në paqe; rrënuesit e zakoneve, shkatërrojnë shumë më tepër sesa dinë ose dëshirojnë. Nëpërmjet konvencionit – një fjalë e shumë abuzuar në kohën tonë – ne arrijmë të shmangim mosmarrëveshjet permanente rreth të drejtave dhe detyrave: ligji në thelb është një takëm konvencionesh. Vazhdimësia është mjeti që lidh brezat me brezat; ajo ka po aq rëndësi për shoqërinë sa edhe për individin; pa të, jeta është e pakuptimtë. Kur revolucionarët e suksesshëm i’a dalin të shpërbëjnë zakonet e vjetra, të përqeshin konvencionet dhe të thyejnë vazhdimësinë e institucioneve shoqërore – bash, atëherë, ata zbulojnë domosdoshmërinë e krijimit të zakoneve të reja, konvencioneve dhe vazhdimësisë; por ky proces është i dhimbshëm dhe i ngadaltë; dhe rendi i ri shoqëror që prodhohet eventualisht, mund të jetë shumë inferior ndaj rendit të vjetër, i përmbysur nga radikalët, nisur nga zelli i tyre për Parajsën Tokësore.
Konservatorët janë advokues të zakoneve, konvencioneve dhe vazhdimësisë ngase preferojnë djallin e njohur ndaj djallit të panjohur. Ata besojnë se rendi, drejtësia dhe liria janë produkte humane, gjeneruar nga përvoja e gjatë shoqërore, rezultat i shekujve të sprovave, reflektimeve dhe sakrificave. Kështu, trupi shoqëror është një lloj entiteti shpirtëror, i krahasueshëm me kishën; madje mund të quhet një bashkësi shpirtrash. Shoqëria njerëzore nuk është një mekamizëm që duhet trajtuar mekanikisht. Vazhdimësia, arteria vitale e një shoqërie nuk duhet të ndërpritet. Koncepti i Burke-s mbi domosdoshmërinë e ndryshimit prudent, është prezent në mendjen e konservatorit. Por ndryshimi i nevojshëm, argumentojnë konservatorët, duhet të jetë gradual dhe selektiv, pa I çmontuar përnjëherë interesat e vjetra.
Së treti, konservatorët besojnë në atë që mund të quhet parimi i parashkrimit. Konservatorët mendojnë se njerëzit modernë janë xhuxhë mbi supet e gjigantëve, të aftë të shohin më larg se paraardhësit e tyre, bazuar vetëm tek madhështia e atyre që i kanë paraprirë. Kësisoj, konservatorët përsëriturazi theksojnë rëndësinë e parashkrimit – domethënë, të gjërave të themeluara nga përdorimi I qëmoçëm, në mënyrë që mendja e njeriut të mos rrëshqasë drejt së kundërtës. Ekzistojnë të drejta, sanksionimi i të cilave përligjet nga kahmotshmëria e tyre- duke përfshirë të drejtat e pronës. Në mënyrë të ngjashme, morali ynë është kryesisht përshkrues. Konservatorët argumentojnë se ne, modernët, vështirë se mund të bëjmë ndonjë zbulim të ri, të guximshëm, në domenin moral ose politik. Është e rrezikshme që çdo çështje kalimtare të peshohet në bazë të gjykimit personal dhe racionalitetit individual. Individi është budalla, por lloji është i mençur, deklaronte Burke. Në politikë bëjmë mirë t’i përmbahemi precedentit dhe normës, madje edhe paragjykimit, sepse angazhimi i racës njerëzore, përmban mençuri përshkruese shumë më të madhe sesa racionaliteti individual i çdo njeriu.
Së katërti, konservatorët udhëhiqen nga parimi i maturisë. Burke pajtohet me Platonin mbi faktin se, te burrështetasi, maturia është virtyti kryesor. Çdo masë publike duhet të gjykohet nga pasojat e mundshme afatgjata, jo thjesht nga avantazhi i përkohshëm ose popullariteti. Liberalët dhe radikalët, sipas konservatorëve, janë të pamatur: sepse ata nguten drejt objektivave të tyre, pa i kushtuar vëmendjen e duhur rrezikut të abuzimeve të reja, të cilat rezultojnë më të këqija se të këqijat që shpresojnë të zhdukin. Siç thotë John Randolph i Roanoke, Providenca lëviz ngadalë, ndërsa djalli është në ngut të vazhdueshëm. Duke qenë se shoqëria njerëzore është komplekse, medikamentet nuk mund të jenë sempliste nëse duan të jenë efikase. Konservatori vepron vetëm pas një reflektimi të mjaftueshëm, pasi ka peshuar pasojat. Reformat e papritura dhe radikale janë po aq të rrezikshme sa kirurgjia e papritur dhe drastike.
Së pesti, konservatorët i kushtojnë rëndësi të madhe parimit të pluralitetit. Ata janë të vetëdijshëm për kompleksitetin e institucioneve shoqërore dhe mënyrave të jetesës të konsoliduara, si të përkundërta me uniformitetin gjithnjë e më të kufizuar dhe barazinë opresive të sistemeve radikale. Për ruajtjen e një diversiteti të shëndetshëm, në çdo qytetërim, duhet të mbijetojnë rendet dhe klasat, diferencimet në kushtet materiale dhe një shumësi pabarazish të tjera. Forma e vetme e barazisë së vërtetë është barazia në Gjykimin e Fundit dhe barazia para një gjykate të drejtë; të gjitha tentativat e tjera për nivelim, çojnë, në rastin më të mirë, në stanjacion shoqëror. Shoqëria ka nevojë për lidership të ndershëm dhe të aftë; nëse dallimet natyrore dhe institucionale shkatërrohen, shumë shpejt, ndonjë tiran ose një mori oligarkësh të neveritshëm do të krijojnë forma të reja pabarazie.
Së gjashti, konservatorët disiplinohen nga parimi i papërsosmërisë. Natyra njerëzore vuan pakthyeshmërisht nga disa të meta të rënda, gjë që konservatorët e dinë më së miri. Duke qenë se njeriu është i papërsosur, nuk mund të krijohet kurrë një rend shoqëror i përsosur. Për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme njerëzore, rraca njerëzore do të rebelehoj nën çdo sundim utopik dhe do të shpërthente në pakënaqësi të dhunshme – ose përndryshe do të shuhej nga mërzia. Të kërkosh utopinë nënkupton të shkosh drejt shkatërrimit, do të thoshte konservatori: ne nuk jemi krijuar për gjëra të përsosura. Gjithë çfarë mund të presim në mënyrë të arsyeshme, është një shoqëri e rregulluar në një mënyrë tolerante, të drejtë dhe të lirë, në të cilën vazhdojnë të fshihen disa të këqija, disbalanca dhe vuajtje. Falë vëmendjes së duhur ndaj maturisë që kërkojnë reformat, ne mund ta konservojmë dhe përmirësojmë këtë rend tolerant. Por, sakaq, nëse garancitë e vjetra institucionale dhe morale të një kombi, neglizhohen, atëherë impulsi anarkik i pranishëm tek raca njerëzore, shpërthen: “the ceremony of innocence is droëned”. Ideologët që premtojnë përsosmërinë e njeriut dhe të shoqërisë, e kanë shndërruar një pjesë të madhe të botës së shekullit të njëzetë në një ferr tokësor.
Së shtati, konservatorët janë të bindur se liria dhe prona janë të lidhura ngushtësisht. Shkëputja e pronës nga posedimi privat, bën që Leviathani të shndërrohet në zot të gjithçkaje. Mbi themelet e pronës private, ndërtohen qytetërime të mëdha. Sa më i përhapur të jetë zotërimi i pronës private, aq më e qëndrueshme dhe produktive është një bashkësi. Sipas konservatorëve, nivelimi ekonomik, nuk është progres ekonomik. Të fitosh dhe të shpenzosh nuk janë qëllimet kryesore të ekzistencës njerëzore; por, sidoqoftë, një bazë ekonomike solide për veten, familjen dhe bashkësinë është shumë e dëshirueshme.
Sir Henry Maine, në veprën e tij “Komunitetet e Fshatit”, e mbështet me forcë kauzën e pronës private, e dallueshme nga prona komunale: “Askush nuk është i lirë të sulmojë pronën private dhe sakaq të pohojë se ai e ka për zemër qytetërimin. Historia e të dyjave nuk mund të shihet ndarazi nga njëra-tjetra.” Institucioni i pronës private, ka shërbyer si një instrument i fuqishëm për t’u mësuar burrave dhe grave përgjegjësinë, për t’u siguruar motivet për integritet, për të mbështetur kulturën e përgjithshme, për ta ngritur njerëzimin mbi nivelin e një punë thjesht angari, si dhe për t’i garantuar kohë të lirë për të menduar, dhe liri për të vepruar. Të jesh në gjendje të gëzosh frytet e punës sate; të mund të shohësh sesi fryti i punës satë bëhet permanent; të jesh në gjendje t’ua lësh trashëgimi pronën tënde pasardhësve të tu; të mund të kalosh nga gjendja e natyrshme e varfërisë dërrmuese drejt sigurisë së një rezultati që zgjat; të kesh diçka që është vërtet e jotja – këto janë avantazhe që vështirë se mund të mohohen. Konservatori e pranon se posedimi i pronës implikon disa detyra për poseduesin; sakaq, ai i pranon vullnetarisht detyrimet morale dhe ligjore që rrjedhin nga pronësia.
Së teti, konservatorët inkurajojnë komunitetin vullnetar, ashtu siç kundërshtojnë kolektivizmin e imoponuar. Megjithëse amerikanët janë shumë të lidhur pas sferës private dhe të drejtave individuale, ata janë gjithashtu një popull që dallohet për shpirtin e fortë komunitar. Në një komunitet të vërtetë, vendimet që prekin drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve, merren në nivel lokal dhe mbi baza vullnetare. Disa nga këto funksione kryhen nga organet politike lokale, të tjera nga shoqata private: kështu, për sa kohë që ato ruajnë frymën lokale dhe karakterizohen nga konsensusi i përgjithshëm i njerëzve të interesuar, ato përbëjnë një komunitet të shëndetshëm. Por kur këto funksione transferohen ose uzurpohen nga një autoritet i centralizuar, atëherë komuniteti është në rrezik serioz. Çdo gjë që është e dobishme dhe prudente, në demokracinë moderne bëhet e mundur nëpërmjet vullnetit bashkëpunues. Nëse, sakaq, në emër të një Demokracie abstrakte, funksionet e komunitetit transferohen në një qendër të largët politike – atëherë, qeveria, me pëlqimin e të qeverisurve, i hap rrugën një procesi standardizues, i cili është armiqësor ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Një komb është i fortë në proporcion me forcën e komuniteteve nga të cilat përbëhet. Një administratë qendrore, ose një trupë menaxherësh dhe nëpunësish civilë, sado qëllimmirë dhe të mirëtrajnuar të jenë, nuk mund t’u garantojë drejtësi, prosperitet dhe qetësi një mase burrash dhe grash, të cilët janë të privuar nga përgjegjësitë tradicionale. Ky eksperiment është bërë edhe më parë; dhe ka rezultuar katastrofik. Andaj, është bash kryerja e detyrave komunitare, ajo që na mëson maturinë, efikasitetin dhe bamirësinë.
Së nënti, konservatori percepton nevojën për kufizime mbi pushtetin dhe mbi pasionet njerëzore. Nga pikëpamja politike, pushteti është aftësia për të bërë çfarë të duash, pavarësisht nga vullneti i të tjerëve. Një shtet në të cilin një individ ose një grup i vogël individësh janë në gjendje të dominojnë vullnetin e të tjerëve, pa asfarë kontrolli, është një shtet despotik, qoftë ai monarkik, aristokratik apo demokratik. Kur çdokush pretendon se është një ishull më vete, atëherë shoqëria bie në anarki. Anarkia nuk zgjat shumë, duke qenë se është një gjendje e patolerueshme dhe në kundërshtim me faktin e pashmangshëm, disa persona janë më të fortë dhe më të zgjuar se fqinjët e tyre. Anarkia pasohet nga tirania ose oligarkia, në të cilat pushteti përqëndrohet në pak duar.
Konservatorët kërkojnë kufizimin dhe ekuilibrimin e pushtetit politik, në mënyrë që të pengojnë lindjen e anarkisë ose tiranisë. Megjithatë, për hir të ndonjë avantazhi të përkohshëm imagjinar, burrat dhe gratë, në çdo epokë, priren t’i shfuqizojnë kufizimet mbi pushtetin. Është karakteristikë e radikalëve konceptimi i pushtetit si një forcë pozitive – derisa bie në duart e tyre. Në emër të lirisë, revolucionarët francezë dhe rusë, shfuqizuan kufizimet e vjetra mbi pushtetin, por pushteti nuk mund të shfuqizohet; ai e gjen gjithmonë mënyrën për të përfunduar në duart e dikujt. Ai pushtet që në duart e regjimit të vjetër revolucionarët e konsideronin shtypës, u bë shumë më tepër tiranik në duart e padronëve të rinj radikalë.
Duke qenë i vetëdijshëm për natyrën njerëzore, e cila është një miksim i së mirës dhe së keqes, konservatori nuk e mbështet besimin e tij vetëm tek dashamirësia. Kufizimet kushtetuese, kontrollet dhe balancat politike, zbatimi adekuat i ligjeve, rrjeti i vjetër e i ndërlikuar i kufizimeve mbi vullnetin dhe dëshirat – të gjitha këto, shihen – dhe miratohen – si instrumente të lirisë dhe rendit. Një qeveri e drejtë, arrin të ruajë një tension të shëndetshëm midis pretendimeve për autoritet dhe pretendimeve për liri.
Së dhjeti, mendja konservatore e kupton se vazhdimësia dhe ndryshimi duhen harmonizuar në një shoqëri dinamike. Konservatori nuk është kundër përmirësimit shoqëror, megjithëse e dyshon ekzistencën e një force mistike të quajtur Progres, me P të madhe, e cila operon në botë. Kur një shoqëri përparon në disa aspekte, zakonisht pëson regres në aspekte të tjera. Konservatori e di se çdo shoqëri e shëndetshme ndikohet nga dy forca, të cilat Samuel Taylor Coleridge i ka quajtur Përhershmëria dhe Progresi. Përhershmëria e një shoqërie është produkt i interesave dhe bindjeve të qëndrueshme, të cilat na ofrojnë stabilitet dhe vazhdimësi; pa këtë Përhershmëri, the fountains of the great deep shkatërrohen, dhe shoqëria rrëshqet në anarki. Ndërkaq, Progresi është ai shpirt dhe grup talentesh që na nxisin drejt reformave dhe përmirësimeve prudente; pa këtë Progres, një popull stanjon.
Kësisoj, konservatori inteligjent përpiqet të harmonizojë kërkesat e Përhershmërisë me kërkesat e Progresit. Ai mendon se liberali dhe radikali, të verbër ndaj pretendimeve të drejta të Përhershmërisë, do të rrezikonin trashëgiminë që na është besuar, në një përpjekje të pamatur drejt një Parajse Tokësore të dyshimtë. Me pak fjalë, konservatori, favorizon progresin e arsyeshëm dhe të matur; ai është kundër kultit të Progresit, përkrahësit e të cilit besojnë se çdo gjë e re, është domosdoshmërisht superiore ndaj çdo gjëje të vjetër.
Ndryshimi është thelbësor për organizmin shoqëror, arsyeton konservatori, njëjtë siç është thelbësor për trupin e njeriut. Një trup që bllokon ripërtëritjen e vetes, fillon të vdesë. Mirëpo, që ky trup të jetë i fuqishëm, ndryshimi duhet të ndodhë në mënyrë të rregullt, duke u harmonizuar me formën dhe natyrën e atij trupi; përndryshe, ndryshimi prodhon një rritje monstruoze, një kancer, i cili e asgjëson padronin e tij. Konservatori kujdeset në mënyrë që asgjë në një shoqëri të mos jetë kurrë tërësisht e re dhe kurrë tërësisht e vjetër. Ky është instrumenti për ruajtjen e një kombi, ashtu siç është edhe instrument për ruajtjen e një organizmi të gjallë. Sasia e ndryshimit që nevojitet në një shoqëri dhe lloji i tij, varet nga rrethanat e epokës dhe të kombit.
*****
Këto janë dhjetë parime që kanë dalë në pah gjatë dy shekujve të mendimit modern konservator. Parime të tjera me të njëjtën rëndësi mund të diskutoheshin këtu: për shembull, kuptimi konservator i drejtësisë ose pikëpamja konservatore e arsimit. Por tema të tilla, me kalimin e kohës, duhet t’ia lë hetimit tuaj individual.
Vija e demarkacionit në politikën moderne, theksonte Eric Voegelin, nuk ravijëzohet si një ndarje midis liberalëve dhe totalitarëve. Jo, në njërin skaj, janë të gjithë burrat dhe gratë që mendojnë se rendi tokësor është i vetmi rend I mundshëm, se nevojat materiale janë të vetmet nevoja reale, dhe se ata mund të bëjnë çfarë të duan me trashëgiminë njerëzore. Ndërsa në skajin tjetër janë të gjithë ata që e pranojnë se ekziston një rend moral i qëndrueshëm në univers, një natyrë njerëzore permanente dhe disa detyra fisnike karshi rendit shpirtëror dhe atij tokësor.
Komente