web analytics

Të veçanta

Dhjetori i shpresës

      Flladi i lëvizjes studentore, e riprodhuar në Shqipëri pas 28 vitesh, duket sikur po i jep frymë mijëra shqiptarëve, që deri më tani ose kishin humbur shpresën për këtë vend, ose kishin filluar të mendonin seriozisht ta linin këtë vend. Pas protestës kundër armëve kimike, ishte e vetmja protestë, e cila tregoi që shqiptarët dinë të protestojnë për të drejtat e tyre edhe pa pasur përfshirje partiake.

       Në fillimin e lëvizjes, edhe optimisti më i madh ishte skeptik për vazhdueshmërinë e kësaj proteste, si nga ana e jetëgjatësisë, ashtu edhe nga ana e mostjetërsimit të natyrës së vetë lëvizjes. Por ditët, deri më tani, treguan të kundërtën. Reagimi studentor i këtyre ditëve, ishte hapi më i rëndësishëm për të treguar se edhe në këtë shtet të vogël, ka njerëz që luftojnë për të drejtat e tyre në mënyrë demokratike e paqësore dhe më e rëndësishmja, me besimin se të drejtat e tyre do të plotësohen.

     Kjo protestë tundi me themel të gjitha institucionet shqiptare, si edhe opinionin publik. Të gjithë ishin në mbështetje në lëvizjes studentore, e shumë e panë si një fillim të ri, për të shkuar më pranë demokracisë. Kjo protestë pati shumë pasoja pozitive, ku secila meriton të analizohet më vete.

     E para ishte frymë e shpresës për çdo qytetar që jeton në këtë vend. Kishte kohë që fryma e pesimizmit ishte akumuluar nëpër Shqipëri. Kjo nisur edhe nga largimet e shumta të të rinjve, të profesionistëve apo edhe qytetarëve të thjeshtë duke kërkuar azil në vendet e tjera. Po ashtu në rangun e qytetarëve të thjeshtë kishte kapluar ideja se: “ky vend nuk bëhet”. Këto ditë jo vetëm u tregua që ky vend ka njerëz që e duan atë, por fare mirë bëhet. E kjo u arrit me faktin që studentët treguan besim ndaj institucioneve, pa rëndësi se kush i drejton ato. Protesta nisi në Ministrinë e Arsimit, vazhdoi tek parlamenti e për tu zhvendosur tek kryeministria. E gjithë kjo u bë paqësisht, e duke kërkuar te secili prej këtyre institucioneve që të plotësoheshin kërkesat që studentët kishin parashtruar. Kjo tregoi që ky grupim studentor nuk ishte anarkik, nuk synonte të cënonte institucionet shtetërore, por organizimi tregoi që ne të gjithë duhet të luftojmë për të përmirësuar institucionet tona e për ti bërë ato të besueshme në rang shoqëror. Studentët i treguan të gjithëve se me pak mund, e me drejtësi, ne mund ta rregullojmë vendin tonë vetë, pa pritur ndonjë nga jashtë ta bëjë atë për ne.

     Pozitive tjetër ishte edhe fakti që kjo protestë ishte paqësore. Kështu u tregua një nivel i lartë i kulturës qytetare, siç nuk ishte parë kurrë më parë gjatë gjithë këtyre viteve demokraci. E këtu të gjithë studentët njëzëri thërrisnin “jo dhunë”, duke qenë unanimisht dakord për mospërdorim dhune të asnjë lloji,e kundrejt askujt.

     Sigurisht e mira e madhe e kësaj lëvizje ishte fakti që deri më tani kurrë nuk arriti të shëndrrohej në partiake, edhe pse kishte përpjekje të panumërta. Ndoshta kjo zgjoi edhe motivimin tek e gjithë Shqipëria. Deri më tani studentët me shumë sforco kanë arritur ta mbajnë këtë lëvizje apartiake. Çuditërisht, tek ne ka edhe disa gjëra që funksionojnë në kundërshtim më çdo logjikë të ftohtë. Supozohet se më shumë për shpëndarjen e protestës do të ishte mazhoranca, në mënyrë që të mos kishte kryengritje ndaj sistemit qeverisës aktual. Por gjatë protestës studentore më shumë u vu re e kundërta. Ishte opozita ajo që donte me çdo kusht ta politizonte këtë lëvizje, në mënyrë që të merrte meritat për mbledhjen e masës studentore e më pas ta tjetërsonte si një protestë antiqeveritare. Por vendosmëria e studentëve nuk e lejoi një gjë të tillë të ndodhte.

     Kjo tregoi edhe një herë sa pak besim ka në masë për partitë dhe politikbërësit. Askush nuk priti për ta të bënin apo tregonin diçka, por u vetëkrijua një lëvizje nga poshtë pushtetit për ti treguar dhëmbët pushtetit e për ti thënë që është populli sovrani.

     Aq e gjerë dhe aq jehonë bëri lëvizja, saqë shqiptarët filluan ta shohin si shpëtimtaren e tyre. Filluan të mendonin se të gjitha problemet e tyre të përditshme do të rregulloheshin nga ky grupim studentor. E ndoshta kjo ja shtoi me shumë fuqinë dhe seriozitetin protestës dhe çdo student ndjente mbi veten e tij një barrë të madhe, e cila nuk mund të braktisej me kalimin e ditëve, por që forcohej gjithmonë e më shumë duke u bërë më këmbëngulëse për të rezultuar fitimtare.

     Kjo ishte prova që kjo Shqipëri mund të përmirësohet, që në këtë vend ja vlen të jetosh e punosh, e që për këtë vend ja vlen të sakrifikosh çdo gjë që ke, në mënyrë që të jetë më e mirë për brezat pasardhës. Forca studentore gjithmonë do të jetë gjallë.

Qazim Fuçija

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP