Drejt deformimit të dy gjinive tradicionale në Shqipëri
Nga: Qazim Fucija
Projektligji i ri për barazinë gjinore në Shqipëri pritet të miratohet nga parlamenti shqiptar. Debat rreth tij kanë qenë sporadike si në studio televizive, ashtu edhe në komisionin parlamentar ku është diskutuar paraprakisht propozimi, duke anashkaluar debatin konstruktiv të të gjithë palëve të interesuara. Problematikë në projekt propozimin janë termat që synohet të shtohen në legjislacionin shqiptar si “përkatësi e shumëfishtë”, diversiteti i përkatësisë gjinore, vetë përkufizimi i gjinisë apo togfjalëshi orientim seksual.
Në pamje të parë projekt ligji ruan formën tradicione burrë-grua si gjinitë e vetme të njohura, por ndërton disa dyzime të qëllimshme si përcaktimi i gjinisë:
“Gjini” nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.
Apo në rastin e Nenit 6, pika 1:
Çdo trajtim më pak i favorshëm i një personi për shkak të gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, shprehjes së identitetit gjinor ose karakteristikave të seksit…
Përkufizimi i gjinisë aludon që ajo mund të përcaktohet nga konteksti social dhe jo si përcaktim i lindur biologjik. Nga ana tjetër neni 6 hap rrugën për vetëidentifikimin gjinor, duke përfshirë në të drejtat e burrave dhe grave edhe ato të persona që kanë orientime seksuale të ndryshme apo identitetin gjinor e shprehin ndryshe nga të qenurit grua apo burrë.
Pavarësisht se propozuesit e krahut të majtë politik u përpoqën të bindin opinion se në thelb ky propozim ul pabarazitë gjinore pa ndërhyrë në dy gjinitë tradicionale, vetë specifiket ligjore tregojnë të kundërtën. Ndonjëherë nuk është e nevojshme të shprehet diçka në formë të qartë, por mund të lexohet mes rreshtave. Në projektligj nuk mund të tejkalohet përdorimi i vetëm dy gjinive, pasi bie ndesh me ligje të tjera dhe nuk do të mund të miratohej ndryshe, pasi edhe vetë Direktivat e BE nuk njohin gjini tjetër perveçse binaritetit burrë-grua.
Kjo taktikë e mazhorancës socialiste njihet edhe si praktikë në vende të tjera europiane, të cilat me një tranzicion të fshehur kanë ndryshuar legjislacionin e tyre, duke e bërë bazë për kërkesa të mëvonshme nga grupet që nuk identifikohen as si burrë, as si grua.
Në Maltë, gjatë vitit 2014-2015, qeveria socialdemokrate nisi hartimin e ligjit për njohjen e identitetit gjinor, shprehjes dhe karakteristikave seksuale. Reforma erdhi pas konsultimeve me organizata të shoqërisë civile dhe lobi LGBTIQ+, duke u bazuar në përvojat ndërkombëtare dhe udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e të drejtave të personave trans dhe interseks. Ky ligj maltez nuk ndryshonte termat burrë dhe grua, ato ishin të pranishme si dy gjinitë e vetme, por mundësoi që individët të vetëdeklaronin gjininë e tyre sipas përkatësisë. Kjo ishtë bazë që grupet jo tradicionale të mbështeteshin për të kërkuar më shumë të drejta si pjesë e politikave jo diskriminuese, derisa u bë e mundur që opsioni i gjinisë “X” u implemnetua në dokumenta identifikimi.
Ligji u prezantua si një reformë për të garantuar të drejtat e personave trans dhe interseks, pa fokus të hapur mbi non-binary. Kjo strategji u përdor për të shmangur kundërshtime publike dhe debat politik të ashpër, duke lejuar zbatimin e reformës me mbështetje të gjerë parlamentare.
E njëjta histori përsëritet edhe në Danimarkë, ku reforma e njohjes ligjore të gjinisë u miratua më 11 qershor 2014, dhe hyri në fuqi më 1 shtator 2014. Ligji erdhi si një inisiativë parlamentare për thjeshtimin administrativ, pa përmendur në asnjë moment që ligji synonte të ndryshonte gjinitë tradicionale. Fokus kryesor i asokohe ishte eliminimi i kërkesave mjekësore dhe burokratike për personat trans. Ligji përdorte kategoritë binare mashkull/femër dhe nuk përmendte non-binary.
Ligji i dha Danimarkës paradigmen e vetë-deklarimit ligjor. Më vonë, kjo u përdor si bazë për përfshirjen e opsionit “X” në dokumente zyrtare dhe për mbrojtje ligjore të personave që nuk identifikohen binarisht, duke krijuar një precedent për reforma më të hapura. Reforma u zhvillua në mënyrë të qetë për shkak se u prezantua si çështje administrative dhe jo politike apo ideologjike. Fokusimi mbi thjeshtimin e procedurave për personat trans redukti debatet publike dhe lejonte implementimin e reformës me mbështetje të gjerë parlamentare.
Raste të ngjashme ka edhe Finlanda apo Irlanda. Të secilin rast kjo reform ka kaluar në heshtje dhe e argumentuar me faktin se po ul pabarazitë apo po rregullon çështjet administrative. Arsyeja në secilin rast ka qenë ngrirja e debatit publik, në mënyrë që ligji të kalojë në heshtje.
Por në momentin që kjo gjë normohet dhe bëhet pjesë e legjislacionit shqiptar, askush nuk më ndali vazhdimësinë e kërkesave mbi njohjen e gjinive të tjera apo vetëidentifikimin si model praktike. Edhe Shqipëria po ndjek këtë metodë të reformës së fshehtë, duke mos e debatuar publikisht këtë projektligj, dhe duke u bazuar në konsultat me organizata të ndryshme që promovojnë antivlera shoqërore, që mbrojnë vetëidentifikimin gjinor, martesën e të njëjtës gjini dhe kodifikimin e të drejtave të këtyre personave. Ky projektligj i hap derën këtyre të fundit për të kërkuar ndryshime edhe më të mëdha ligjore, që fillojnë që me Kodin e Familjes e me rradhë.
Deputetët që do të miratojnë këtë ligji, një pjesë e mirë e tyre as nuk do ta dijnë se për çfarë po votojnë dhe çfarë po miratojnë. Disa amendamente të ligjit u propozuar nga vetë deputetë socialistë, duke hequr termat e debatueshëm dhe duke përdorur në çdo rast termin burrë/grua, por ato amendamente që u shtuan nuk prekën thelbin e ligjit. Deputetët e parlamentit, më saktë deputetët e mazhorancës pasi numri i tyre ja lejon miratimin ligjit pa dakordësine e palëve të tjera, duhet të mos e pranojnë këtë projekt ligj, i cili do ta fusë vendin në një drejtim pa krye dhe do të sjellë konflikte të mëdha sociale mes grupeve të ndryshme shoqërore. Roli i deputetit nuk është thjesht ngritja e kartonit jeshil në seancë plenare, por miratimi i atyre ligjeve që i shërbejnë strategjikisht zhvillimit të vendit dhe mos cënimin e vlerave mbi të cilat ky shtet është ngritur dhe ka mbijetuar duke luftuar përgjaë shekujve për ti mbrojtur këto vlera.
Komente