Konspekt i librit “Industria e Holokaustit” nga Norman Finkelstein
Nga Gerdi Demneri
Holokausti i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga ngjarjet më të tmerrshme të historisë, e megjithatë, pas përfundimit të Luftës, gjenocidi i hebrenjve konsiderohej thjesht si një nga krimet në sërën e krimeve të kësaj Lufte dhe asgjë më shumë.
Siç vëren Normal Finkelstein, në periudhën midis përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe fundit të viteve ‘60, holokausti ishte trajtuar në një numër të kufizuar librash e filmash, dhe në Shtetet e Bashkuara ofrohej vetëm një kurs universitar mbi këtë temë. Amerikanët hebrenj, përfshirë ata intelektualë, i kushtonin pak vëmendje holokaustit, sepse ndjeheshin të traumatizuar prej tij dhe donin ta ndrydhnin kujtesën për të.
Holokausti u bë një horrorr me jehonë globale vetëm pas vitit 1967. Kjo në sajë të industrisë së Holokaustit, me “H” të madhe, të cilin Finkelstein e përkufizon si një përfytyrim ideologjik i holokaustit nazist, që si shumica e ideologjive ka një lidhje, edhe pse të vagët, me realitetin.
Pothuajse të gjitha të dhënat historike tregojnë se Holokausti do të ngulitej në jetën e hebrenjve amerikanë pas luftës arabo-izraelite të Qershorit 1967. Shpjegimi standard i këtij transformimi thotë se izolimi i skajshëm dhe cenueshmëria e Izraelit gjatë luftës së atyre 6 ditëve, ringjallën kujtimet e shfarosjes naziste. E vërteta është se, të impresionuar nga shfaqja e fuqisë dërrmuese të Izraelit në këtë luftë, Shtetet e Bashkuara nisën ta konsiderojnë atë si një aset strategjik. Industria e Holokaustit vjen në skenë vetëm pas shfaqjes së dominimit ushtarak të Izraelit. Elitat hebraike e stimuluan këtë industri, jo për shkak të dobësisë së Izraelit, apo nga frika e një holokausti të dytë, por nga forca që tregoi shteti hebre dhe aleanca strategjike me ShBA-në. Tani hebrenjtë do të qëndronin në vijë të parë të frontit duke mbrojtur Amerikën – në të vërtetë qytetërimin perëndimor – kundër hordhive prapanike arabe. Në këtë ofensivë ideologjike, përmendja e persekutimit në të shkuarën shërbente për të kundërshtuar çdo kritikë në të tashmen.
Korniza ideologjike e industrisë së Holokaustit do të ngrihej mbi dy dogma kryesore, të cilat nuk figuronin askund në diskursin publik përpara luftës së Qershorit ‘67.
E para pretendon se Holokausti shënon një ngjarje historikisht unike. Mospranimi i veçantisë së Holokaustit është i barabartë me mohimin e tij. Të krahasoh Holokaustin me vuajtjet e të tjerëve përbën një tradhti totale të historisë së hebrenjve. Ky sakralizim i Holokaustit e mistifikon atë dhe e bën misterin e tij të pakomunikueshëm me të tjerët.
Pandehma për veçantinë e Holokaustit është në fakt një pandehmë për eksepcionalizmin e hebrenjve, një version sekular i të qenit të tyre popull i zgjedhur. Holokausti është i veçantë sepse hebrenjtë janë ontologjikisht të veçantë. Veçantia e vuajtjeve i jep hebrenjve të drejtën ta konsiderojnë veten të denjë për çdo përpjekje që nevojitet për mbijetesë, sepse vuajtja unike sjell një të drejtë unike.
Dogma e dytë aludon se Holokausti shënon kulmin e një urrejtjeje joracionale dhe të përhershme të johebrenjve ndaj hebrenjve. Kuadri ideologjik i Holokaustit e paraqiti Zgjidhjen Përfundimtare të Hitlerit si kulmimin e urrejtjes mijëravjeçare kundër hebrenjve. Kjo dogmë i ka lënë Izraelit fushë të lirë dhe e ka imunizuar nga çdo censurë e përligjshme: meqë johebrenjtë kanë dashur përherë t’i zhdukin hebrenjtë, atëherë për hebrenjtë është e lejueshme çdo gjë në marrëdhëniet me popujt e tjerë, sepse çdo veprim që ndërmarrin ata përbën vetëmbrojtje legjitime.
Finkelstein citon veprat kryesore që mundësuan zhvillimin e Industrisë së Holokaustit. Ai gjithashtu trajton disa nga mashtrimet letrare të krijuara nga kjo industri për të ekzagjeruar vuajtjet e hebrenjve, si psh “Zogu i pikturuar”, një libër i shkruar nga emigranti polak Jerzy Kosinski që përshkruan torturat dhe fyerjet seksuale sadiste të kryera prej fshatarëve polakë ndaj hebrenjve.
Ky libër supozohej se ishte rrëfimi autobiografik i Kosinskit për fëmijërinë në Poloninë rurale gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në realitet, Kosinski i shpiku pothuajse të gjitha episodet e tmerrshme që shkroi, ndërsa fshatarët polakë madje e strehuan familjen e tij, edhe pse plotësisht të vetëdijshëm se do futeshin në telashe po të kapeshin. Megjithatë, “Zogu i pikturuar” u bë një tekst bazë i Holokaustit, best seller dhe fitues çmimesh, i përkthyer në shumë gjuhë dhe i detyrueshëm për t’u lexuar në klasat e shkollave të mesme dhe universitare.
Një shembull tjetër i kujtimeve të fabrikuara të Holokaustit është libri “Fragmente” nga Binjamin Wilkomirski, me përshkrime të një kampi përqendrimi nazist të mbushur me roje sadiste. Ashtu si “Zogu i pikturuar”, “Fragmente” u përkthye në një duzinë gjuhësh. Wilkomirski u bë shpejt protagonist i dokumentarëve, folës kryesor në konferenca e seminare rreth Holokaustit, dhe mbledhës fondesh për Muzeun Memorial të Holokaustit në ShBA. Megjithatë, historianë si Raul Hilberg treguan se libri ishte me të vërtetë një mashtrim. Në Tetor të vitit 1999, botuesi gjerman i Wilkomirskit e tërhoqi librin e tij nga libraritë dhe pranoi publikisht se autori nuk ishte hebre, por një zviceran me emrin Bruno Doessekker.
Këta janë dy shembuj nga burimet e dorës së parë të literaturës së Holokaustit. Burimet dytësore brenda kësaj biblioteke janë edhe më shumë të mbushura me mashtrime dhe propagandë të rreme, burime që citohen gjerësisht edhe sot. Një informacion famëkeq i rremë është ai mbi qëndrimin e myftiut të Jeruzalemit gjatë holokaustit. Siç shpjegon Finkelstein, edhe pse Haxh Amin el-Husejni nuk ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm, Enciklopedia me katër vëllime e Holokaustit dhe Muzeu i Kujtimit të Holokaustit në Jeruzalem i faturojnë Myftiut bëma kryesore. Tom Segev shkruan se vizitorit të muzeut i lihet të arrijë në përfundimin se ka shumë të përbashkëta midis planeve të nazistëve për të shkatërruar hebrenjtë dhe armiqësisë së arabëve ndaj Izraelit.
Apologjetët kanë synuar dëshpërimisht t’i implikojnë arabët me nazizmin, sidomos pas pushtimit famëkeq të Libanit në vitin 1982, edhe pse historianët e rinj izraelitë i kanë hedhur poshtë pohimet e propagandës zyrtare. Kështu psh, Bernard Lewis ia ka dalë t’i kushtojë nazizmit arab një kapitull të plotë në historinë e tij të shkurtër për antisemitizmin, dhe tre faqe në historinë e shkurtër të Lindjes së Mesme të 2,000 viteve të fundit.
Industria e Holokaustit ka deformuar gjithashtu faktet e historisë, gjë që mund të vihet re në muzetë e përkujtimit të tij në ShBA, më kryesori i të cilëve është Muzeu Përkujtimor i Holokaustit i Shteteve të Bashkuara në Uashington. Pyetja e parë që shtrohet – thotë Finkelstein – është: Përse kemi një muze të Holokaustit me financime federale në kryeqytetin e vendit? Paramendoni çfarë ankesash dhe akuzash për hipokrizi do të ngriheshin sikur Gjermania të ndërtonte një muze kombëtar në Berlin për të përkujtuar jo gjenocidin nazist, por skllavërinë amerikane, ose shfarosjen e amerikanëve indigjenë!
Politizimi i muzeut fillon pa e kaluar ende pragun e tij. Muzeu ndodhet në Sheshin Raoul Wallenberg, kushtuar diplomatit suedez që shpëtoi mijëra hebrenj përpara se të përfundonte në një burg sovjetik. Përse nderohet ai dhe jo konti suedez Folke Bernadotte, i cili shpëtoi gjithashtu 450 hebrenj danezë dhe mijëra të burgosur johebrenj nga kampet naziste të përqendrimit? Bernadotte u zgjodh me unanimitet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të ndërmjetësuar në konfliktin arabo-izraelit të vitit 1948, por u ekzekutua nga organizata militante sioniste Lehi, e udhëhequr në atë kohë prej kryeministrit të ardhshëm izraelit Yitzhak Shamir, sepse sipas saj Bernadotte ishte shumë pro-arab!
Sfida kryesore e muzeut është shpjegimi i ndodhjes së gjenocidit nazist ndaj romëve përpara atij të hebrenjve, sepse epërsia e viktimizimit hebre bie ndesh si me këtë fakt, ashtu edhe me faktin që viktimat e para politike të nazistëve kanë qenë komunistët, apo që viktimat e para të gjenocidit të tyre nuk kanë qenë hebrenjtë, por invalidët.
Njohja e gjenocidit ndaj romëve nënkupton humbjen e ekskluzivitetit hebre mbi Holokaustin, krahas humbjes së kapitalit moral. Nëse nazistët i kanë përndjekur njësoj romët me hebrenjtë, dogma se Holokausti shënoi kulmin e një urrejtjeje mijëravjeçare të johebrenjve ndaj hebrenjve del qartësisht e pabazë. Po kështu, nëse ishte zilia e johebrenjve ajo që nxiti gjenocidin hebre, a u nxit nga zilia edhe gjenocidi i romëve?
Përveç memorialeve të Holokaustit, plot shtatëmbëdhjetë shtete të ShBA-së kanë bërë të detyrueshme ose të rekomandueshme programe rreth tij në shkollat e tyre, ndërsa shumë kolegje dhe universitete kanë ngritur katedra për studimet e Holokaustit. Pretendimi se Holokausti është pjesë e memories amerikane – argumenton Peter Novick, autor i librit “Holokausti në jetën amerikane” – përbën një shfajësim moral. Është shumë më e lehtë të dënojmë krimet e të tjerëve, sesa të shohim veten tonë.
Është gjithashtu e vërtetë se, sikur të ekzistonte vullneti, nga përvoja naziste mund të mësonim shumë për vetet tona.
Kështu, doktrina e ekspansionizmit amerikan e quajtur Manifest Destiny i ka paraprirë pothuajse të gjithë elementëve ideologjikë dhe programatikë të politikës Lebensraum të Hitlerit.
Pushtimin e tij të Lindjes, Hitleri e modeloi sipas pushtimit amerikan të Perëndimit.
Gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20të, shumica e shteteve amerikane miratuan ligje për sterilizimin. Kur miratuan ligjet e tyre të sterilizimit, nazistët iu referuan në mënyre eksplicite precedentit të ShBA-së.
Tradita mburracake perëndimore është gjithashtu thellësisht e pleksur me nazizmin. Për të justifikuar shfarosjen e njerëzve me të meta – pararendësja e Zgjidhjes Përfundimtare – doktorët nazistë përdorën konceptin e ‘jetës së padenjë për jetën’. Në librin “Gorgias”, Platoni shkruan se jeta nuk ia vlen të jetohet nëse trupi i njeriut ndodhet në një gjendje të mjerueshme, ndërsa te “Republika” ai sanksionon vrasjen e fëmijëve që janë me defekte. Fill pas Luftës së Dytë Botërore, Hannah Arendt shkroi në librin “Origjina e totalitarizmit” se rryma e nëndheshme e historisë perëndimore kishte dalë më në fund në sipërfaqe dhe kishte uzurpuar dinjitetin e kësaj tradite.
Megjithatë, holokausti nazist mund të na sensibilizojë ndaj padrejtësive – përfundon librin Finkelstein. Në fakt, ishte ky holokaust ai që e diskreditoi racizmin shkencor, fenomen ky mjaft i përhapur në jetën intelektuale amerikane para Luftës së Dytë Botërore. Sfida sot është bërja e holokaustit nazist objekt i shqyrtimit racional. Anormaliteti i holokaustit nuk buron nga vetë ngjarja, por nga industria shfrytëzuese që është ngritur rreth tij. Industria e Holokaustit duhej të ishte nxjerrë prej kohësh nga tregu, sepse kjo industri ka qenë gjithmonë e falimentuar. Ajo që ka mbetur për t’u bërë, është që një gjë e tillë të deklarohet sheshit.
Komente