web analytics

Të veçanta

Morali dhe Sistemi

Pjesa e parë

Nga Kevi Muçllari

Terreni politik shqiptar ka marrë një konfigurim të ri. Është hera e parë pas disa vitesh përpjekje që partitë e reja arrijnë të hyjnë në parlament. Mesa duket hegjemonia e partive tradicionale ka filluar të cënohet. Tashmë kemi të bëjmë me një realitet të ri politik, i cili imponon përcaktimin e parametrave të reja për gjykimin e politikës. Deri më tani është fakt se partitë tradicionale janë përpjekur që ta përkufizojnë realitetin politik bazuar mbi një skemë ekskluziviste (më së shumti kjo ka ndodhur me opozitën). Duke qenë se politika jonë është dominuar nga dy partitë kryesore, realiteti politik është themeluar për t’i shërbyer një narrative e cila politikën e konsideron si domen moral. Kjo jo si moralizim i politikes në tërësi, por si kategorizim (dashakeqës) i të tjerëve, në terma moralë.

Të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë sistem politik (përveç aktorëve dominues), duhet domosdoshmërisht që të jenë të moralshëm, pavarësisht se i gjithë sistemi mund të konsiderohet imoral. Delegimi i moralit vetëm tek aspirantët për pjesëmarrje, nuk synon assesi shoshitjen e ofertës më të mirë, përkundrazi, synon përcaktimin e kritereve arbitrare. Kësisoj, kriteret e pjesëmarrjes politike (prej këtëj edhe të vetë politikës), nuk themelohen bazuar mbi konceptet dominuese për politikën, por mbi një konceptim thellësisht arbitrar, i cili (paradoksalisht) i faturon moral sistemit. Duke imponuar kërkesa pothuajse puritane (në terma moralë) ndaj aspirantëve, detyrohet një logjikë atipike, përderisa këta të fundit duhet të ndihen inferiorë karshi aktorëve dominues në sistem.

Aktorët e sistemit riprodhojnë të vërtetat dhe themelet e tij, me qëllim që degradimi i prodhuar të mos shndërrohet në referencë për të përkufizuar të vërtetën themelore që i definon momentalisht. Përmes riprodhimit të të vërtetave ose themeleve sistemike, paçka se mund të tingëllojë absurde, ata synojnë edhe zhvleftësimin total të aspirantëve. Në momentin që të vërtetat deklarohen për të rilegjitimuar sistemin (jo konceptualisht), atëherë këto të vërteta përthyhen sipas parametrave që aktorët e sistemit përcaktojnë si të vlefshme. Kësisoj, “e vërteta” paketohet në terma përjashtimorë, dhe shndërrohet në shërbyese të aktorëve të sistemit. Në vend se e vërteta sistemike (konceptualisht) të rikthejë vetëdijen për manifestimin moral që duhet të përfaqësojnë aktorët dominues, ajo përdoret si kartë imorale për të kërkuar puritanizëm moral nga ana e aspirantëve. Këta të fundit detyrohen që të jenë ekzemplarë të moralit, por jo që përmes tij të pretendojnë rolin kryesor brenda sistemit. Kjo ngase, atribuimit moral i njihet e drejta për superioritet (qoftë edhe në terma abuzivë), por nuk i lejohet që të shndërrohet në antagonist ndaj imoralitetit që përfaqëson sistemi. Edhe pse sistemi e ka të domosdoshme evokimin e idesë dhe përfaqësimit moral, ai nuk lejon që morali të konfigurohet si një forcë e cila ballafaqon të vërtetën imorale të sistemit (jo në pikëpamje konceptuale).

Duke qenë se imoraliteti është shndërruar në referencë të sistemit, aktorët e tij përdorin një makijazh moralizues, me qëllim që ideja e moralit të evokohet vetëm në terma idealë. Kësodore, imoraliteti nuk shpërfaqet si përfaqësim konkret, por ravijëzohet si një tendencë e cila paraqitet si një rebelim ndaj normave themelore të sistemit. Nga ana tjetër, kundrejt aspirantëve, duke qenë se pritshmëritë janë të obliguara, nuk lejohet assesi që ata të përkufizohen përkundër kritereve që sistemi i ka të panegociueshme. Prej këtej, kërkohet domosdoshmërisht që ata të përfaqësojnë moralin sistemik (përsa që ky i fundit është legjitim), madje të jenë përfaqësues ekskluzivë të tij. Sigurisht, ky ekskluzivitet nuk duhet të bjerë ndesh me pretendimin po aq ekskluziv të aktorëve sistemikë, ama lipset që ai të themelohet si një përfaqësi konkrete, e cila shndërrohet në kallëp të pritshmërive abstrakte të të tjerëve (shpesh herë edhe dasahkeqëse). Bash në këtë moment ideja morale humbet qartësinë konceptuale. Tashmë morali, përveçse kërkohet që të jetë i përfaqësuar konkretisht, duhet që të përmbushë edhe pritshmëritë e të tjerëve. Është normale që morali të kategorizohet në terma pritshmërie, por nuk mundet që pritshmëritë të përcaktohen arbitrarisht. Ngase kjo, do të bënte që morali të shndërrohej në referencë për pritshmërinë, e cila nga ana e saj, referuar sistemit, e bazon pritshmërinë mbi legjitimitetin e një abstraksioni të paarritshëm (gjithmonë referuar trilleve të aktorëve dominues).

Përsa kohë aktorët e sistemit e riprodhojnë si referencë obligative moralin (pavarësisht se me emërtime ose terma të ndryshëm), ai shndërrohet në përfaqësues ekskluziv të aspiratave sistemike. Sakaq, mospërmbushja e aspiratave (në terma konceptualë) bën që morali të jetë një gjendje e pambërritshme, kjo jo si pasojë e paaftësisë (ose jo-meritës), por si pasojë e abstraksionit që i mvishet idesë morale. Kështu, morali certifikohet si një aspiratë abstrakte, e cila është përligjur konceptualisht nga sistemi, por që megjithatë, nuk lejon përfaqësimin konkret në sistem. Brenda këtij abstraksioni, sistemi legjitimon vetveten dhe moralin, duke i konsideruar këto dy domene si të paprekshme. E gjitha kjo, me qëllim që domenet e mësipërme të shndërrohen në referenca përfundimtare, jo për të legjitimuar aspirantët, por për të evokuar idenë e përpjekjes së pandërpreë. Përpjekje, e cila synon miratimin e abstraksionit, përsa kohë që ravijëzohet si një instrument (me shenjtëri në vetvete) i aspiratave dhe logjikës arbitrare të sistemit. Prej këtej, ideja e përfaqësisë konkrete shndërrohet poashtu në arbitrare, duke qenë se aspiratat sistemike (edhe morali) kërkojnë vetëm miratim të idesë, pa kërkuar domosdoshmërisht interorizim të saj.

Brenda kësaj hermeneutike, edhe interiorizimi do të ishte i pamundur, sepse parametrat e diktuar nuk lejojnë referencë përfundimtare, përkundrazi, e themelojnë referencën si një mjet. Duke instrumentalizuar referencën, pason domosdoshmërisht edhe ngatërresa konceptuale lidhur me moralin (qoftë edhe atë sistemik). Në këtë kontekst, ndodh njëjtësimi i të gjithëve. Në momentin që referenca shndërrohet në mjet, nuk mundet të përshquajmë dallime në raport me të, pasi paqëndrueshmëria e saj nuk lejon kategorizimin referencial. Pamundësia për të kategorizuar moralin dhe përfaqësuesit e tij (ose të kundërtën e tyre), bën që këta të fundit të shndërrohen në pretendentë “dashakeqës”. Sepse pretendimet e tyre, sipas referencave, nuk janë gjë tjetër vetëm se teka “idealiste”, të papërfaqësueshme konkretisht. Kështu, krejt çka ngelet është arbitrariteti i sistemit, i cili kërkon që aspirantët të mos shndërrohen në alternativë morale. Mirëpo, pikërisht këtu qëndron edhe dobësia themelore e sistemit. Degradimi konceptual që ai prodhon, nuk mund të tejkalohet përmes shkatërrimit të referencave. Pavarësisht tentativave për të bërë një gjë të tillë, sistemi e ka të pamundur të rilegjitimojë vetveten pa e ripërkufizuar të vërtetën sistemike brenda një kuadri vazhdimësie dhe konkretësie. Andaj, është e domosdoshme që referencat sistemike të shndërrohen në themele, me qëllim që të shmanget abuzimi me to. Sakaq, duke u bërë kjo gjë, ekziston mundësia që jo vetëm aspirantët, por edhe vetë aktorët e sistemit të ruajnë vetëdijen për moralin. Shkatërrimi i kësaj vetëdije, do të bllokonte mundësinë që sistemi të ripërtërihet.

Prej këtej, sistemi humbet legjitimitetin moral dhe e ka të pamundur që të mos e meritojë imoralitetin. Nga ky moment, antagonizmi merr një status thellësisht moral, duke detyruar përfaqësimin e domosdoshëm konkret të tij. Pa këtë përfaqësi (e cila duhet të përfshijë moral dhe intelekt), nuk mund të shpresojmë se do të ndodhë ndryshimi i shumëpritur. A do të ishte e mjaftueshme vetëm kjo? Sigurisht që jo. Por ky është hapi i parë (dhe i domosdoshëm) drejt ndryshimit të një sistemi pothuajse të kalbur (sigurisht edhe imoral).
 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP