Përshkrim i qyteteve shqiptare para shekullit XX (pjesa e parë- Prizreni, Dibra, Shkodra)
Nga: Besart Capa
Në këto paragrafë të shkurtër do të përshkruajmë dhe do të flasim për disa qytete shqiptare përgjatë periudhës deri në 3 shekuj para shpalljes së pavarësisë. Zgjodhëm pikërisht këtë periudhë, sepse po në këtë kohë ekziston një zhvillim i hijshëm i territoreve shqiptare ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë nga “gojëdhënat”. Vetë fakti që ishim nën kupolën e një perandorie të fuqishme dhe me zhvillim të lartë, siç ishte Perandoria Osmane, e bën të pamundur faktin që ky zhvillim mos të prekte edhe territoret tona. Burimet që do të përmendim vijnë nga autorë dhe përshkrues që kanë jetuar gjatë asaj periudhe, shqiptarë dhe të huaj.
- Prizreni
Qyteti i parë me të cilin do të nisim është ai i Prizrenit ose thënë ndryshe nisur nga një figuracion historik “Kryeqyteti i Shqiptarisë”. Sami Frashëri në veprën “Kamus al A’lam”, përshkruan Prizrenin ku citon:
“Një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, qendër e një sanxhaku që bën pjesë në vilajetin e Kosovës. Gjendet në rrëzën veri-perëndimore të malit të Sharrit, dhe buzë një lumi të vogël, të quajtur Bistrica, 55 km në veri-perëndim të Shkupit, që është qendra e vilajetit, 140 km në veri-perëndim të Manastirit dhe 125 km në lindje të Shkodrës. Është një qytet i bukur me 38 000 frymë, me disa medrese, me pazar të madh, 24 xhami, një shkollë plotore. Përmbi qytet gjendet një kala e fortë, një pallat i vjetër për të banuar nëpunësit e qeverisë. Ka shumë ujra rrjedhëse, disa ura, 1 000 dyqane, shumë punishte për përpunimin e armëve, gërshërëve, thikave dhe veglave të tjera prej çeliku, si edhe punishte për përpunimin e argjendit. Ka gjithashtu disa punishte lëkure, ndërkohë që tregtia në këtë qytet nuk ndalon asnjëherë. Krejt popullsia është shqipëtare dhe shumica myslimae, pjesa tjetër janë ortodoks dhe katolikë. Ka edhe pak vlleh dhe sllavë.”
Ajo që është interesante është pazari i madh dhe prodhimtaria e armëve. Armët të cilat prodhoheshin në Prizren kryesisht; pistoleta dhe huta, ishin ndër armët me më shumë zë dhe nam në Ballkan e Europë.
- Dibra
Qyteti i Dibrës së Madhe përshkruhet nga Sami Frashëri, Haki Stërmilli, si edhe të tjerë. Sami Frashëri përshkruan dhe thotë:
“Një nga qytetet kryesore të Shqipërisë në vilajetin e Manastirit, qendër e sanxhakut me të njëjtin emër. Gjendet në një kodrinë të bukur, 90 km në veri-perëndim të Manastirit, një çerek ore larg vendit ku Radika derdhet në Drinin e Zi. Qyteti ka afërshisht 20 000 frymë, 9 xhami, 5 teqe, 10 medrese, 11 shkolla fillore kuranike, 1 kishë, 3 shkolla për të krishterë, 420 dyqane, 9 hane, 2 hamame, 1 kullë sahati dhe 1 kazermë ushtarake. Popullsia është krejtësishtë shqipëtare, shumica myslimane. Një pjesë e fshatrave, ata që ndodhen në anën veriperëndimore dhe që administrohen nahije ose kaza më vete, dallohen me emrin Dibra e Poshtme, ndërsa vetë qyteti i Dibrës dhe kazaja e tij quhet Dibra e Epërme”. Haki Stërmilli në dorëshkrimet e tij “Dibra në Prak të Historisë” shton veç këtyre numrin e shtëpive me rreth 3 000, jep një numër më të madh popullsie me deri 30 000 si dhe përmend Xhaminë e Hynqarit të ndërtuar prej Sulltan Fatihut (1467). Veçmas këtyre, qyteti i Dibrës përshkruhej aq i ngjashëm me Stambollin, saqë u përdor epiteti “Stambolli i Vogël”, karakteristikë e qyteteve shqiptare në këtë periudhë, e cila ishte etiketimi. Interesant është fakti se në këtë qytet me 10 medrese, një ndër to cilësohet si nga më të famshmet në Perandori për nxjerrjen e kalibrave teologjik si kadiler, shehler e hoxhallarë. Numri i madh i shkollave është tregues i nivelit të lartë të arsimit ndryshe nga çfarë citohet rëndomtë për shqiptarët si popullat e paarsimuar. Popullata ishte në rang të lartë të qytetarisë, arsimit e fetarisë. Banorët e qytetit (edhe krahinës) shquheshin për odat e famshme të muhabetit, pleqërimit të ngjarjeve e konflikteve, urtësisë e alegorisë të quajtura edhe si “Konakët e Dibrës”.
“Burrat e qytetit dilnin me bashkëshortet e tyre dhe laheshin çdo ditë në banjat e Dibrës (ku është për qëllim kryesisht llixhat) e nëse i pyet se përse, ata përgjigjen se marrin gusl sepse janë muslimanë”. -“Dibra në Prak të Historisë” nga Haki Stërmilli.
Lind pyetja se përse nuk gjendet sot shenjë e atij përshkrimi ? Kjo për arsye se në vitin 1913 në luftën 9-vjeçare të Dibrës, serbët djegin, shkatërrojnë e rënojnë të gjithë qytetin. Qyteti i Dibrës ishte i ngritur mbi qytetin mesjetar po të Dibrës, që dikur quhej Oranik ose Rahonik.
- Shkodra
Udhëtari Osman Evlija Çelebi, në shek XVII në librin e tij “Sej’jantahane” (Libri i Udhëtimeve) e përshkruan Shkodrën ku thotë: “Ka 1800 shtëpi muslimane me nga dy kate, të ndërtuara të gjitha me gurë, të mbuluara me rrasa e me tjegulla dhe të rrethuara me vreshta e kopshte. Ka 15 lagje, ka 11 xhami, prej tyre më me emër është Xhamia e Bajazidit në krye të tregut, e cila ka përpara një pus shumë të mirë, është e mbuluar me tjegulla dhe ka bashkësinë e madhe. Veç këtyre ka 70 mesxhide. Ka 7 mejtebe por asnjë shkollë për recitimin e Kur’anit apo haditheve. Ka 500 dyqane në tregun e mbuluar. Ndërsa gjatë shk XIX numri i mejtebeve shkon në 11, përmendet një shkollë fillore 4 klasëshe (iptidaije), qytetëse 3 klasëshe (ruzhdije) dhe një gjimnaz (idadije). Popullsia në këtë shekull shkon afro 100 000 banorë dhe pazari ishte aq i mrekullueshëm saqë vizitorët e huaj e quanin “Nusja e Ballkanit”. Qytetarët e Shkodrës njiheshin për bejtet e tyre çka e bëri të njihej me emrin “Bahçja e Poetëve” .
Përgjigja se përse shumë nga trashëgimitë Osmane nuk ekzistojnë më, është si pasojë e përdhosjes herë sllave e herë komuniste.
Komente