web analytics

Të veçanta

Sfida ndaj sjelljeve ekstremiste

     Sjellet e natyrave ekstreme ne  mundemi vetëm t’i sfidojmë, pa pasur mundësi të arrijmë në një kurim total të këtyre problemeve. Megjithëse në parim tema mund të pasqyrojë nevojën për një trajtese psikologjike, ky artikull  nuk i qaset nga ky këndvështrim, pasi jemi të bindur se këto sjellje nuk  janë devianca mendore apo çrregullime të brendshme që mund të kenë një etiologji çfarëdo. Më tepër do të fokusohemi tek sfondi që iu rri përfund këtyre sjelljeve, pra le të themi bindjet ose besimet që shërbejnë si rezervat për zbrazjen e këtyre sjelljeve. Kështu që kjo trajtesë do të mundohet të hedhë dritë mbi shkaqet që nuk janë drejtpërdrejt mënyrë e të qenit individualist të personit, por le të themi mbi një mënyrë të qeni relativisht e deduktuar nga raporti që lind me pikëpamjet, pjesë të botës, dhe të cilat domosdoshmërisht interiorizohen nga grupet shoqërore.

     Duke i kuptuar si dukuri të ndërfutura qëllimisht në shoqëri, problemi i sjelljeve të dhunshme apo ekstremiste shumë rrallë janë një problem personal i individit, (përjashto pak raste kur kemi të bëjmë me individë me çrregullime mendore), por më tepër kemi të bëjmë me një problem të grupit ku ai bën pjesë. Prandaj edhe stigamtizimi i vendosur veçanërisht tek grupet fetare si përfaqësues par excellence të këtyre sjelljeve, nuk mund të jetë domosdoshmërisht i vërtetë. Pasi nëse diçka e tillë do të ishte e vërtetë, çfarë do të kërkohej minimalisht do të ishte një lidhshmëri e vazhdueshme, deri diku metafizik,e ndërmjet këtyre sjelljeve dhe doktrinës themelore të grupit në fjalë, sigurisht duke mos harruar edhe precedentët historikë të këtij korelacioni si arketip vërtetues i kësaj marrëdhënieje.

    Për çdokënd që ka sadopak njohuri autentike nga historia e di me siguri se diçka e tillë nuk mund të jetë e vërtetë, megjithëse raste përjashtimore ka pasur dhe do të ketë, por siç edhe dihet rastet përjashtimore si rregull shërbejnë më tepër si përkujtues të përgjithshmërisë, pra të përforcimit të ndjenjës vetreformuese brenda ortodoksisë së grupit. Natyrisht se ndjenja fetare vetëreformuese vazhdon të gjallojë me kushtin gati esencial sipas nesh; të qenit e doktrinës themelore e pandotur nga kuptime të mangëta dhe ekzistenca e një grupi të vogël studiuesish ose teologësh kompetentë që vazhdimisht orvaten drejt një të kuptuari sa më afër të vërtetës së doktrinës me bindjen se të kuptuarit e të vërtetës doktrinare është i mundur ose jo në cikle të ndryshme kohore.

    Për ta bërë pak më të qartë, i’a vlen të përmendim një nga studiesit më në zë të Shën Thoma Akuinit, Robert Barron (të cilët njihen me termin Tomist) i cili shprehej se sot në botë mund të jenë vetëm 10 njerëz që e kuptojnë vërtet teologjinë e tij dhe unë nuk jam një prej tyre. Gjithsesi nuk është qëllim as i joni dhe as i temës ofrimi i një teologjie justifikuese ndaj ketyre sjellejve, por thjesht një tentativë për të sqaruar diçka shqetësuese për të gjithë. Tani le të mundohemi të sqarojmë se pse këto sjellje nuk janë atribut themelor i grupeve fetare, por mund të jenë edhe një tendencë mbizotëruese tek grupet shoqërore thelbësisht laike. Pra për të qenë më të qartë, çfarë i shkakton këto sjellje pavarësisht grupit ose individit pjesë e grupit që i vepron.

    Këto sjellje mund të kenë shumë faktorë dhe është praktikisht e pamundur që ne t’i kornizojmë brenda kësaj eseje, por ajo çka na intereson dhe do të ishte e vlefshme për diskutimin, besoj se do të ishte gjetja e një konstanteje vazhdimisht të pranishme si tek grupet ashtu edhe tek veprimet. E thënë ndryshe veprimet e dhunshme ose sjelljet ekstremiste jo domosdoshmërisht janë formësues akut i çdo grupi të mundshëm, por këto sjellje gati gjithmonë janë të brendashkruara tek çdo grup i cili sipas nesh pretendon disa të vërteta që janë të gabuara në shumicën e rasteve dhe pothuajse esenciale për ekzistencën e tij, madje shpesh edhe të panegociueshme. Prandaj ne besojmë se do të ishte e udhës që jo vetëm të kuptojmë AND-në e grupeve të tilla, por edhe sfondin që i mbështet. Duke besuar se sfondi ose tendencat e përgjithshme shoqërore, megjithëse nuk janë gjithmonë e njëjta gjë, përfytyrohen nga këto grupe si fusha të minuara të ndërtuara posaçërisht për to. Prandaj duket se ka edhe një besim të përhapur tek disa grupe të cilat janë pjesë integrale e shoqerisë, se shoqëria në përgjithësi ka tradhëtuar të vërtetat ose besimet që sipas tyre janë absolute në qenshmërinë e tyre. Dhe kjo si pasojë sjell një armiqësi të hapur të këtyre grupeve ndaj shoqërisë në përghithësi, me mundësi praktikisht minimale për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, pasi sipas tyre nuk mund të tolerohet shkatërrimi i ortodoksisë doktrinare të grupit ose e thënë ndryshe të vërtetave që mbahen për të “shpallura”.

     Megjithatë duhet pasur kujdes kur i analizojmë këto gupe, sepse siç e kemi pëmendur më lart,  ky është tipar i grupeve ekstremiste, por që janë pjesë integrale e shoqërisë në fjalë, pra janë natyrshëm pjesë e shoqërisë dhe jo pjesë e një familjarizmi fillimisht artificial. Në të kundërt ekzistojnë edhe grupet që jo domosdoshmërisht e kanë të qenësishëm ekstremizmin, por që megjithatë kur bëhen pjesë e një shoqërie pritëse – ( pra duke patur një martesë fillestare jo të vullnetshme por të imponuar, sepse nuk janë pjesë integrale e kësaj shoqërie, por synojnë të bëhen pjesë e saj ) –   ata shpesh herë shfaqen si grupe ekstremiste. Ky dallim  na vlen për të kuptuar ndajen që ekziston midis grupeve ekstremiste nga njëra anë dhe rolit që luan shoqëria në qëndrimet e skajshme të tyre.

    Me qëllim që të gjejmë se ku është pika konverguese midis shoqërisë në tërësi (megjithëse ne besojmë se shoqëria nuk mund të jetë homogjene, por ky homogjenizim vjen si pasojë e grupit dominues në shoqëri për të bërë pjesë të të gjithëve atë çka i përket natyrshëm atij 1) dhe këtyre grupeve në veçanti, e cila bën të mundur më pas konfliktin ose marrëveshjen në varësi të qëndrimeve të secilës palë. Pra nëse do të kemi të bëjmë me një grup pjesë integrale të shoqërisë i cili nuk lëshon aspak pe nga qëndrimi i vet ekstrem, i cili vetëkuptohet e cënon shoqërinë në themelet e veta, atëherë qëndrimi që do të mbajë shoqëria shërben si katalizator për ndezjen ose shuajtjen e konfliktit, ose e thënë më qartë është shoqëria ajo e cila ose nuk ka ditur ti bëjë për vete të gjitha palët ose e ka të pamundur të bashkëjetojë me këta grupe ekstreme, që në shumicën e rasteve ka mungesë bashkëjetese me keta grupe, pasi nuk mund të ketë kohezion të plotë atje ku ekziston papërputhshmëria totale midis një grupi ekstrem në besimet e veta dhe besimeve të shoqërisë në përgjithësi. Dhe natyrisht si pasojë e drejtpërdrejt e kësaj marrëdhënie jashtëzakonisht të sforcuar rrjedhin edhe veprimet ekstreme, të pamundura të amortizohen nga mekanizmat pjesë e sistemit. Sepse që dicka e tillë të ndodhë duhej që të paktën grupet ekstremiste minimalisht të pranonin legjitimitetin e këtyre mekanizmave.

     Përsa që nuk ka pranim të botëkuptimit shoqëror në tërësi, nuk mund të presim funksonim normal të mekanizmave amortizues si balancues ose parandalues të veprimeve ekstreme. Pra, për efekt qartësie të mëtejshme ekstremizmi si sjellje e një grupi ndodh: 1. Qoftë kur një grup pjesë integrale në shoqëri refuzon diskutimin e të vërtetave legjitimuese të tij me shoqërinë në tërësi, me pretendimin se shoqëria nuk ka se çfarë të ofrojë pasi ka humbur “udhën e drejtë”  2. Qoftë kur shoqëria refuzon pranimin e grupeve të ndryshme jo pjesë natyrale e shoqërisë, të vërtetat ose besimet e të cilëve janë të papajtueshme me ato të shoqërisë në përgjithësi. Kështu që duke u munduar t’i bëjmë një përmbledhje idesë që kemi dash të shprehim, le të shkojmë edhe drejt fundit.

     Pra, për ne sjellejet ekstremiste ose të dhunshme mund të jenë pjesë si të njerëzve besimtarë ashtu edhe atyre jobesimtarë, madje ç’është më ‘e bukura’ diçka e tillë mund të ndodhë edhe në emër të shkencës, pretendentes paekuivok në luftën ndaj fanatizmit. Shumëkush ndoshta e di se kanë qenë shkencëtarët evolucionistë të shekullit të kaluar që i kanë trajtuar më keq se kafshët njerëzit që vinin nga të ashtuquajturat vende të treta. Prandaj për të sfiduar sjelljet e dhunshme ose ekstremizmin, krejt çka na mbetet është sfida ndaj burimeve autoritare të grupeve, të cilët janë alfa dhe omega drejt konstruksionit të besimeve dhe të vërtetave të cilat shpesh herë çojnë drejt veprimeve ekstreme me pasoja të dëmshme për shumëkënd. Janë pikërisht këto figura me autoritet absolut brenda çdo grupi hermetik që le të themi i marrin në qafë shumicën e ithtarëve të tyre, madje duke punuar edhe në bindjen e tyre se çdo autoritet tjetër në dije, që nuk pajtohet me ta është një tradhëtar i kauzës hyjnore të tyre, gjaku i të cilit bëhet hallall.

    Dhe me këtë shembull simbolikisht të fuqishëm po përmbyllim esenë tonë, bëhet fjalë për një letër që dijetarët sunitë i kanë dërguar Abu Bakr Al-Baghdadit ish-kreut të ISIS, ku i bënin thirrje se kjo rrugë që ata kishin ndërmarrë vinte si pasojë e një të kuptuari totalisht të gabuar të doktrinës fetare në përgjtihësi dhe xhihadit në veçanti.2 Pra edhe pse kemi të bëjmë me autoritetet praktikisht më të larta fetare, madje edhe me njerëz që e njihnin shumë mirë fenë, prapëseprapë kohezioni dhe vendosmëria e grupit për vazhdimin e rrugës së tyre siç e dimë të gjithë nuk u ndal. Kjo letër është dërguar në vitin 2013-2014, pra në momentet e para të luftës.

1 Rudian Zekthi – “Grupet”

2 Dijetarët sunitë, letër drejtuar Al Bagdadit Islami Tradicional

Kevi Muçllari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP