web analytics

Të veçanta

Standarti

Nga: Kevi Muçllari

Një nga problemet më shqetësuese me të cilat po përballet shoqëria jonë është edhe mungesa e standarteve të konsoliduara. Asnjë shoqëri nuk mund të ketë funksionim normal pa ekzistencën e standarteve të gjithëpranuara. Standarti referuar fjalorit të gjuhës shqipe përkufizohet si “ ajo që është normëzuar në shkallën më të lartë dhe është pranuar zyrtarisht” (Fjalori i Gjuhës Shqipe, ASHSH 2006). Ky përkufizim na jep një të dhënë shumë të rëndësishme. Standarti përbën normëzim të shkallës më të lartë, që do të thotë se përmbajtja e tij ka vlefshmëri shoqërore. Nëse standarti vleftësohet përmes gjithëpranueshmërisë, lipset që ai të marrë parasysh ekzistencën e diversitetit brenda shoqërisë. Megjithëse, në vetvete shoqëria nuk është një e tërë homogjene (Grupet, Rudian Zekthi), funksionimi shoqëror implikon ekzistencën e standarteve të cilat mundësojnë organizimin e saj.

Organizimi i shoqërisë kërkon domosdoshmërisht themelimin e standarteve të cilat e tejkalojnë logjikën e grupit. Pavarësisht se shoqëria sendërtohet mbi grupet, nuk mundet që grupet të përcaktojnë arbitrarisht standarte me vlefshmëri ekskluziviste. Ngase kjo nënkupton parcelizimin e grupit dhe tëhuajëzimin e tij me shoqërinë, duke prodhuar një situatë shoqërore relativisht të tendosur. Kësisoj, edhe pse grupi e ka të drejtën e dominimit të të gjithë shoqërisë, dhe prej këtej imponimin e botëkuptimit të tij ndaj saj, ai nuk mundet që standartin ekskluzivist ta shndërrojë në normë të gjithëpranuar. Pse? Sepse ajo që themelon grupin është shenjtëria (E shenjta, Rudian Zekthi) dhe jo standarti, i cili shpesh herë është një negocim mes ofertave botëkuptimore të grupeve shoqërore. Duke qenë se standarti prodhohet për konsum shoqëror, nevojitet miratimi i shoqërisë me qëllim që shenjtëria e grupeve të mbetet e paprekur.

Kështu, edhe shenjtëria ruan pacënueshmërinë e saj edhe shoqëria (e kuptuar në terma modernë) funksionon lirshëm. Në të kundërt, mosbërja e dallimit midis shenjtërisë dhe standartit ekskluzivist, rrezikon që shoqërinë ta shndërrojë në telajo të interesave të një grupi. Pra, shenjtëria është e panegociueshme sepse e themelon grupin si të tillë, ndërkaq standarti ekskluzivist synon sendërtimin e shoqërisë bazuar mbi projeksionet politike dhe interesat ekonomike të një grupi. Megjithëse grupi e ka të natyrshme prirjen për të dominuar, kjo nuk nënkupton zhbërjen e identitetit të grupeve të tjera. Kjo synohet pikërisht atëherë kur dallimi i mësipërm nuk është i qartë dhe kur grupi që synon dominimin nuk e ka të përcaktuar qartësisht shenjtërinë. Grupi me një shenjtëri të papërkufizuar qartësisht (ose me shtirje për mungesë qartësie) nuk arrin dot të dallohet prej të tjerëve, duke e parë të gjithë shoqërinë si homogjene dhe pa prezencë shenjtërie.

Kësodore, duke qenë se grupet shoqërore nuk kanë shenjtëri nga të cilat të jenë themeluar, grupit më të fuqishëm i lind e drejta që shoqërinë ta trajtojë si enë të zbrazët. Përmes kësaj zbrazëtie mundet që shoqëria të mbushet me shenjtërinë e një grupi, në dëm të grupeve të tjera. Në këtë kontekst, shpërfillet një e vërtetë shumë e rëndësishme lidhur me realitetin shoqëror. Për nga vetë natyra, shoqëria nënkupton një bashkësi funksionale e cila për të qenë e tillë, kërkon integrimin e të gjithë anëtarëve të saj, me kushtin që integrimi të mos shndërrohet në homogjenizim imponues. Të kuptuarit e shoqërisë si homogjene, rrezikon që integrimin ta shohë si mjet për imponimin e një standarti arbitrar, të panegociuar paraprakisht. Pavarësisht se standarti përbën normëzim të shkallës më të lartë dhe është i gjithëpranuar, kjo nuk do të thotë që ai mund të imponohet përmes arbitraritetit të grupit ose individit. Ngase kjo, do të nënkuptonte moskonsiderimin e pluralitetit shoqëror dhe shmangien e negociatave gjatë konsolidimit të standarteve.

Standarti përveçse përbën normëzim të shkallës më të lartë, është edhe një referencë shumë e rëndësishme për rregullimin e së përditshmes të shoqërisë. Prej këtej, domosdoshmërisht shndërrohet në një referencë po aq të rëndësishme edhe për njerëzit që e përbëjnë shoqërinë. Kësisoj, standarti shndërrohet në referencën themelore për rregullimin e përditshmërisë së një shoqërie, duke bërë që funksionimi I saj të lidhet ngushtësisht me disa standarte. Përderisa standarti rregullon përditshmërinë, nevojitet që gjatë themelimit të tij të mbahet parasysh edhe qëndrueshmëria e tij. Kjo, ngase shoqëria e ka të domosdoshme vazhdimësinë e referencave, në mënyrë që të garantojë mirëfunksionalitetin e saj. Themelimi i standarteve, pa marrë parasysh qëndrueshmërinë dhe diversitetin, bën që standarti të nënshtrohet ndaj ripërcaktimit të vazhdueshëm. Kjo shpërfillje, detyron një lloj jetese të diktuar, por që nuk ka një referencë përfundimtare. Kësodore, referenca e vetme ngelen tekat e disa njerëzve, të cilët përmes ekseseve të tyre, minojnë idenë e qëndrueshmërisë. Nisur nga kjo, shoqëria shndërrohet në një arenë të dominuar nga tekat e njerëzve, duke bërë që dëshirat dhe tekat njerëzore të behën referencë përfundimtare. Referencë e cila, përfundimisht, nuk mundet kurrsesi që të themelojë qëndrueshmëri dhe as të inkuadrojë brenda logjikës së saj diversitetin shoqëror. Ngase dëshirat njerëzore për nga natyra e tyre janë të pakufizuara (dhe prej këtej të papërkufizueshme). Delegimi i detyrës së përcaktimit të standarteve tek dëshira, na fton që individin dhe shoqërinë t’i shohim si dy entitete të ndara, pa mundësi koordinimi me njëra-tjetrën. Duke u bjerrur mundësitë e kooordinimit, shoqëria humbet aftësinë për të integruar me sukses anëtarët e saj. Përsa kohë që shoqëria i është nënshtruar tekave të individëve, ajo e ka dëbuar nga logjika e saj standartin. Humbja e standartit e intensifikon moskoordinimin, pasi individët e trajtojnë veten bazuar në parametra me vlefshmëri individualiste. Sakaq, edhe shoqëria e humbet parimin e vet ekzistencial, teksa detyrohet që të operojë mbi baza të paqëndrueshme.

Referuar sa më sipër, lipset të themi se standartet janë produkt i një procesi të gjatë distilimi. Vendosja e tyre do të kërkonte që shoqëria të shihej si diçka më tepër sesa shuma e përgjithshme e anëtarëve të saj (Kritikë ideologjisë liberale, Alain de Benoist). Poashtu, anëtarët e saj duhet të kuptojnë se jetojnë në një bashkësi, gjë që duhet të implikojë vetëdije për ekzistencën e tjetrit. Kryerja e veprimeve nuk është thjesht një procedurë rutinore, por edhe një pritshmëri, e themeluar me qëllimin që të respektojë situatën shoqërore. Nga kjo pikëpamje, shoqëria dhe njerëzit përballen me një shumësi situatash, të cilat shpesh herë imponojnë një sjellje të caktuar. Mirëpo, imponimi që prodhon situata nuk është i njëjtë me imponimin që vjen përmes individëve. Dallimi mes këtyre të dyjave shfaqet në terma natyrshmërie dhe artificialiteti. Nëse ekzistenca e shoqërisë (e kuptuar në të gjitha format e saj) nënkupton gjasshmërinë e ndodhive përtej individuale, atëherë mund të themi se shoqëria natyrshëm prodhon ngjarje tej-individuale.

Nga ana e vet këto ngjarje imponojnë qëndrime dhe sjellje të caktuara, shpesh si reaksion ndaj ngjarjes. Nga ana tjetër, qëndrimi dhe sjellja që mbahet ndaj ngjarjeve të caktuara, është produkt i ndërveprimit njerëzor. Pasi ndodh ngjarja ne na imponohet mbajtja e qëndrimit, por jo edhe mënyra sesi do të marrë jetë ai. Çka do të thotë se qëndrimet pas ngjarjes, nëse nuk marrin parasysh kontekstin ku ndodhin, e bëjnë të duket (jo vetëm në dukje) totalisht artificial veprimin pasues. Në këtë kontekst, nevojitet që veprimet të mos jenë të shkëputura nga njëra-tjetra, me qëllim që disa veprime të mos konsiderohen arbitare dhe determinuese të veprimeve të tjera. E gjitha kjo do të bënte që të tërë individët të ndiheshin të relaksuar në pjesëmarrjen e barabartë në ndërveprimin shoqëror. Poashtu, individët e shoqërisë nuk do të ndiheshin të tjetërsuar nga ngjarjet e natyrshme që ndodhin vazhdimisht në shoqëri. Sjellja e individëve do të përcaktohej përmes parametrave shoqërore, të cilat konsiderojnë parësore integrimin shoqëror dhe pjesëmarrjen e vazhdueshme të individëve në jetën shoqërore. Kësisoj, edhe sjellja “artificiale” e individëve do të përbënte një konstruksion që i përgjigjet drejt sfidave me të cilat i përball shoqëria. Gjithaq e rëndësishme, do të krijohej edhe mundësia që standarti të funksiononte si parim udhëheqës në reaksionin e natyrshëm që shfaqet karshi ngjarjeve thellësisht shoqërore.

 

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP