web analytics

Të veçanta

Elitat apo shumica? Kush është përgjegjës për gjendjen e shoqërisë shqiptare

  Nga Kevi Muçllari

Tashmë, prej një kohe të gjatë, qarkullon ideja se ky vend nuk bëhet, se njerëzit në këtë vend janë fajtorë për këtë gjendje plogështie që e ka kapluar. Shpesh madje dëgjojmë se ky popull e meriton qeverisjen (ose qeverisjet) që ka, pasi qeveria është produkt i vullnetit popullor. Ide të tilla rastis t’i dëgjosh rëndom jo vetëm në biseda të përditshmërisë qytetare, por edhe nëpër studiot e debateve ku elitat e këtij vendi diskutojnë mbi problemet dhe ardhmërinë e vendit. Populli shfaqet si referenti i fundëm në përpjekjen për t’i dhënë koherencë logjike argumenteve. Aty ku argumenti del i pafuqishëm për të kategorizuar sipas rëndësisë problemet, ndërhyn referenti kryesor (dhe përfundimtar sipas logjikës së tyre) për të sheshuar të gjitha kategoritë dhe për të deklaruar përfundimisht parëndësinë e çdogjëje tjetër (argumentet e parëndësishme legjitimohen përmes dogmatizmit imponues).

      Ky sheshim kategorik që me pa të drejtë i ngjitet referentit, synon që të vleftësojë argumentin jo-kategorik i cili legjitimon njëkohësisht referentin dhe atë i cili pretendon se është në një gjendje tjetër të qeni nga referenti (elitat që mburren se janë në stadin e iluminimit). Argumentet që kësisoj vazhdimisht kthehen drejt referentit për të sendërtuar kuptimin e tyre, bëjnë që referenti të jetë i vetmi “transhendues” brenda universit shoqëror, i cili shënjon paaaftësinë e elitave (eufemizëm) për të prodhuar transhendim përkundër referentit. Paaftësi e cila në vend se t’i delegjitimojë elitat i justifikon ato, përsa kohë janë të bindura se paaftësia e tyre për transhendim induktohet nga prerogativa transhenduese e referentit (ose shumicës). Bindja se ekskluziviteti për përmirësimin e gjendjes së shoqërisë (ose transhendimi) i përket referentit, prodhon po ashtu pavetëdijshëm (nuk e dimë me siguri) pafuqishmërinë intelektuale për të depërtuar tek detonatori shpërthyes që e mbart në vetvete referenti. Kjo pasi roli i elitave kalon në plan dytësor edhe në nivel edukues, ngase referenti ka si tipar të vetin shpërthimin e pakontrolluar, i cili kur ndodh përjashton çfarëdo skeme (ose konceptualizim të ndryshimit) që synon të sjellë një ndryshim relativisht të parashikueshëm (Për një trajtim më të gjerë të kësaj teze mund të lexoni veprën e Jean Bodrijar Nën Hijen e Shumicave të Heshtura dhe pasthënien e shkruar nga Prof.Rudian Zekthi).

       Anipse elitat mendojnë se rëndësia që ka zgjimi popullor i tejkalon për nga vlefshmëria pasojat, ato nuk mund të anashkalojnë pafuqinë e vet për të imponuar transhendimin e ardhur nga sipër (kujto çfarë thamë më sipër). Këtu krijohet një rreth vicioz që fillin e vet nuk e ka nga referenti por nga elitat, të cilat në pamundësi për të fituar legjitimitet nga vetvetja e synojnë nga referenti, i cili nga ana e vet nuk zotëron kurrfarë legjitimiteti, por disponon vetëm mundësinë për të ofruar ngushëllim për paaftësinë e elitave. (Kujtoni p.sh se edhe kur ndodhin skandale të kryera nga ata që janë në krye të punëve, thuhet se fajet i ka populli që nuk reagon). Natyrisht referenti e luan më së miri rolin e ngushëlluesit, duke qenë se elitat besojnë verbërisht se paaftësia e tyre për të përmirësuar gjendjen rrjedh nga gatishmëria dhe vendosmëria e referentit për të kundërshtuar skemat reformuese të elitave. Kështu duket se testi përfundimtar i këtyre skemave del të jetë referenti, paçka se ky i fundit nuk është kusht sine qua non për mbarëvajtjen e përmirësimit të ndërmarrë nga sistemi. Me siguri që referenti mund të jetë një ndër vlerësuesit (shumë i rëndësishëm) e pasojave që sjellin përpjekjet përmirësuese, por ai nuk është aspak përgjegjës për prodhimin e shkaqeve që bëjnë të mundur përmirësimin. Ky shpërndërrim i roleve që elitat tona e kanë pranuar me lehtësi (ndoshta edhe djallëzisht) ka prodhuar skemën e çuditshme, e cila i jep rol vendimtar referentit dhe rol pothuajse parazitar elitave. Për aq sa elitat nuk kanë një ekzistencë të legjitimuar nga vetvetja (apo skemat konceptuale që ato përqafojnë) por nga një entitet tjetër, të cilit duke iu dhënë roli kryesor shërbën për të justifikuar dhe ligjësuar paaftësinë përmirësuese të elitave. Skemë e cila duhet të delegjitimonte të dyja palët, me rrezikun e humbjes përfundimtare të elitave, pasi janë këto të fundit që synojnë pambarimisht justifikim të pozicionit të tyre përmes një baze arbitrare (referenti nuk ka një bazë të qëndrueshme). Mirëpo fakti që referenti përfaqëson një bazë arbitrare, ndihmon për të krijuar mjaftueshëm konfuzion, çka prodhon një situatë ku çdokush mund të jetë përgjegjës, por askush në mënyrë përfundimtare. Papërgjegjshmëria e prodhuar intensifikohet pandërprerë, për të mbërritur tek faza e pandjeshmërisë akute.

      Si rregull njeriu jo gjithmonë është i gatshëm të marrë përgjegjësi, ama do të ishte goditje e rëndë kundër njerëzores nëse ai humb impulsin e natyrshëm për të kundërshtuar të keqen. Elitat me sa duket janë krejtësisht të vetëdijshme për këtë fakt (ndoshta kanë edhe leverdi nga një gjë e tillë), përderisa lejojnë erozionin e pandalshëm të ndjeshmërisë humane kundrejt çrregullimeve të njëpasnjëshme. Ndërkaq kjo gjendje ratifikohet përmes papërgjegjshmërisë së imponuar nga sistemi, i cili vetëdijen e një entiteti e riprodhon vetëm si pretendim superioriteti. Natyrshëm ndodh kështu, ngase elitat garantojnë ekskluzivitetin e sistemit (as që mund të mendohet sistem tjetër) por jo edhe mirëfunksionimin e tij, i cili arrihet vetëm përmes maturisë “absolute” të referentit. Kësisoj vetëdija e elitave barabitet me arbitraritetin e referentit, sa kohë që tenton të inkurajojë situatën e vet përmes shfrytëzimit të papërgjegjshmërisë. Ndërkohë që kjo gjendje arrin të normalizohet, elitat e justifikojnë pozicionin e vet përmes bindjes së rrejshme se është referenti ai që garanton përgjegjshmërinë e sistemit. Pra është referenti ai që duhet të sigurojë mbarëvajtjen e sistemit jo elitat, sepse këto të fundit garantojnë vetëm superioritetin e tij, por jo edhe çelësat për të ndrequr gabimet e tij. Megjithëse referentit i mungon aftësia për të imponuar përgjegjshmërinë në sistem (përveç rasteve sporadike shumë të rralla), elitat arrijnë që ta kompleksojnë mjaftueshëm sa ta bindin se gjendja e përgjithshme është rezultat i mosfunksionimit të tij.

      Orvatjet për t’i deleguar përgjegjësitë referentit për mbarëvajtjen e sistemit synojnë që këtë të fundit ta kthjellojnë për amanetin që i është ngarkuar. Paçka se ky amanet është i destinuar të mospërmbushet, elitat nuk mund ta pranojnë një gjë të tillë pasi kjo do të nënkuptonte domosdoshmërisht marrjen e përgjegjësisë nga ana e tyre. Sakaq baza arbitrare ku themelohet referenti vazhdon t’i bëjë jehonë pretendimit të elitave, meqenëse paqartësia e tij nuk është justifikim për rolin që i është ngarkuar ( medoemos kërkohet t’i jepet rol legjitimues). Momenti vendimtar vjen pasi referenti humb gatishmërinë dhe vetëdijen për amanetin e mbarëvajtjes së sistemit (nuk mund të ndodhë ndryshe) ç’ka determinon fajësinë fundore të tij dhe justifikimin total të paaftësisë së elitave. Gatishmëri dhe vetëdije të cilën nuk e ka pasur kurrë, por që megjithatë baza arbitrare që e konfiguron lejon manipulimin e kushteve sendërtuese dhe funksionuese të tij. Fakti që referenti themelohet mbi këtë bazë nxjerr sheshit hipokrizinë e elitave (në mos çimenton paaftësinë e tyre) të cilat themelojnë një sistem të bazuar mbi arbitraritet dhe shfrytëzojnë këtë gjë për të konstitu’uar një entitet që do të jetë përgjegjës për çdo dështim të sistemit. Se sa janë mundësitë që referenti ta mbajë këtë barrë kjo nuk ka rëndësi, e rëndësishmë është që ai tashmë është çliruar nga parëndësia e vet dhe mund të imponohet si aktori përgjejgës për suksesin ose dështimin e sistemit (Çdokush është i njohur me idenë ‘Nëse populli do të organizohej shumë nga problemet që na sjell politika do të kishin marrë fund’).

      Përvijimi i mësipërm na ndihmon për të kuptuar gjendjen aktuale në shoqërinë tonë. Elitat e sotme shqiptare (jo vetëm politike) fajësojnë popullin për gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Si rregull janë elitat përgjegjëset kryesore për rregullimin ose degradimin e gjendjes së një populli, kështu që fajësia që tentohet t’iu mvishet njerëzve synon qëllimisht shmangien e përgjegjësisë së elitave. Nëse një vend ka nevojë për përmirësim, është e domosdoshme sakrifica e të gjithëve (Sir Roger Scruton mendonte se shoqëritë varen përfundimisht nga sakrifica e njerëzve të tyre). Ndërkohë si mund t’u kërkohet sakrificë njerëzve të thjeshtë kur elitat e një vendi jo vetëm që nuk sakrifikojnë, por janë shfrytëzueset më të mëdha të përpjekjeve të tyre. Sot me plot kuptimin e fjalës mund të themi se elitat drejtuese shqiptare janë totalisht të degjeneruara.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP