web analytics

Të veçanta

Misionarët e opozitës

Nga: Kevi Muçllari

Kohët e fundit kanë qenë të mbushura me zhvillime jo edhe aq normale për vendin tonë. Në vazhdimësi kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve që përveçse ngrejnë dyshime të mëdha krijojnë edhe mundësi të mëdha. Opozita duket të jetë aktori kryesor që po i pëson këto zhvillime (ose të paktën ajo po e paraqet veten si viktime e këtyre zhvillimeve), duke e detyruar veten që të ngulfatet brenda dyshimeve dhe jo mundësive. Tendenca e opozitës për ta paraqitur veten si viktimë e rëndom edhe më tepër predispozicionin e saj ndaj kësaj gjendje, pasi kësisoj viktimizohet dyfish. Njëherë kur pretendon se është ndërmarrë një revansh i papranueshëm ndaj saj dhe një herë kur gjendjen e përgjithshme (jo të saj, por të zhvillimeve në përgjithësi) e sheh vetëm nën optikën e viktimës.

Profilizimi në këtë formë e detyron opozitën që në pothuajse të gjitha skenaret ta shohë veten si një forcë mitike tejkohore. Kjo ngase opozita e ka refuzuar kontaktin me realitetin dhe i ka përcaktuar mision vetes që ta rikthejë në shina realitetin e manipuluar (është e qartë se Kryeministri e synon pareshtur manipulimin e realitetit, çka përbën edhe një formë të poshtërsisë). Mirëpo, ndërkohë që synon një gjë të tillë ajo harron se misioni është krejtësisht kontekstual dhe se nuk mund të përligjet pretendimi i misionarizmit karshi një force e cila është thellësisht e zhytur brenda këtij realiteti. Pamundësia praktike për të përfaqësuar misionarizmin bën që “misioni” të marrë nota mitike, duke e paraqitur idenë në formë abstrakte për ta zhveshur nga çdolloj dinamike aktuale dhe nga referimi përkundrejt atyre që e përfaqësojnë. Nëse pranohet hegjemonia e “regjimit” natyrshëm shkohet drejt një gjendje dalldie e cila e pamundëson referencën ndaj realitetit konkret. Ideja e misionarizmit vazhdon kësisoj të rujaë gjallërinë e vet, por me kushtin që misioni të mbetet i pasfiduar nga probleme të natyrës konkrete.

Përderisa misioni ekskluzivizohet arbitrarisht, çdolloj interferimi që buron nga realiteti konkret delegjitimohet me emërtesa të prodhuara nga po e njëjta skizofreni e misionarizmit. Angazhimi kryekëput me “misionin” jo vetëm që bllokon kontaktin me realitetin (sepse ky i fundit është i manipuluar njëanshmërisht), por edhe bllokon rigjenerimin e misionarëve. Në momentin që këta “misionarë” e paraqesin realitetin si krejtësisht të manipuluar (i rregulluar në një formë që synon të dëmtojë vetëm ata) dhe të pamundur për t’u kuptuar nga të tjerët (përsa që këta të fundit janë pjesë e teatrit të prodhuar nga pushteti) detyrimisht misionarizmi i tyre ngërthen brenda vetes idenë e rrejshme të pazëvëndësueshmërisë së “misionarëve”.

Mirëpo, ndërkohë që këta misionarë bëhen të pazëvëndësueshëm padëshirueshmërisht shkallmohet praktikisht ideja e misionit (gjithmonë në rrafshin aktual politik) duke u shndërruar në një idealizëm fëminor pa lidhje me realitetin aktual. Përpjekja për ta lidhur misionin me përfaqësues ekskluzivë të pa impaktuar nga realiteti paraqet një paradoks të neveritshëm. Megjithëse është normale (madje edhe shumë e pëlqyeshme) ideja e referimit të misionit ndaj përfaqësuesve të tij, është krejtësisht anormale që këta përfaqësues ta shohin veten si produkt tejkohor. Modeli që përfaqësojnë misionarët si rregull nuk është produkt i drejtpërdrejtë i një vendi ose kohe të caktuar, por vetë misionarët me siguri që janë produkt i një kohe të caktuar.

Kësisoj për të mos u delegjitimuar koncepti i modelit, misionari detyrimisht lind diku dhe në përpjestim me shqetësimet që mbart dhe neverinë që i ndjell realiteti i manipuluar ai bëhet trupëzues i modelit të misionarit. Prandaj edhe vleftësimi vetëm i misionarit e shndërron atë në model duke rrezikuar që modeli të përthyhet sipas tekave të tij dhe kësisoj t’i japë të drejtën vetes se kur realiteti duhet konsideruar i manipuluar dhe kur jo. Ndaj dhe është e domosdoshme që misionari të jetë produkt i një realiteti (por i pa joshur dhe i papërlyer) me qëllim që të jetë përfaqësues i denjë i modelit i cili është i sprovuar nga realiteti, por që megjithatë nuk pasqyron realitetin e manipuluar, përkundrazi shërben si pasqyrë e një oferte vetëdijësuese e transhenduese.

Një “model” i cili synon pareshtur vetëm vetëdijësimin e shoqërisë nuk mund të bëhet dot trupëzues i aspiratave shpresëdhënësë (ne gjykojmë që shoqëria shqiptare sot ka nevojë të ethshme për shpresë), ngase niset nga premisa e rreme se vetëdijësimi mjafton për t’a konsideruar si ilegjitim një realitet (qoftë ky edhe i manipuluar). Realiteti (jo realja) shpeshherë përthyhet sipas modeleve që ne i mveshim atij, ndaj dhe vetëdijësimi pa një model transhendues mund të përfundojë në një përpjekje arbitrare për të delegjitimuar tjetrin. Kësodore, vetëdijësimi në vend se të prodhojë shpresë e rëndon edhe më tepër dalldinë e përgjithshme që gjendet në shoqëri (a nuk jemi ne sot një shoqëri pa busull oreintimi). Tentativa për ta parë realitetin e manipuluar si pamundësues të modelit (ose alternativës) jo vetëm që nuk sjell vetëdijësim, por fatkeqësisht çertifikon realitetin duke sugjeruar se modeli është funksional vetëm në kushte normale. Nisur nga kjo vetëdijësimi shterpëzohet dhe shndërrohet në shërbestar të realitetit të manipuluar, çka bën që realiteti të shihet si diktat i pathyeshëm dhe angazhimi me të të konfigurohet vetëm në mundësi reaktive.

Degradimi në gjendjen e reaksionit vjen si një produkt i natyrshëm i tendencës vetëdijësuese e cila i’u paraqet një realitet të rënduar njerëzve, pa i’u ofruar një alternativë transhenduese e cila minimalisht përfaqëson disa aspirata që ngrejnë peshë shpresat e njerëzve (p.sh Partia Demokratike përpiqet që të rigjenerojë aspiratat e saj të dikurshme si gjeneruese e demokracisë dhe pluralitetit, ç’ka për mendimin tonë nuk pi ujë fare). Kjo nuk do të thotë se alternativa do të garantojë “këtu dhe tani” shkatërrimin e hegjemonisë së pushtetit, pritshmëritë e këtilla janë jo vetëm të rreme, por në rastin e opozitës tregojnë edhe imoralitetin e kërkesave të saj. Nëse kemi të bëjmë me një realitet të rënduar (gjithmonë sipas pretendimeve të opozitës), duhet domosdoshmërisht që alternativa të paraprijë ardhjen në pushtet, mbasi kështu zëvendësimi i pushtetit përben një ndryshim substancial dhe jo procedural (gjë që opozita madje e shpresoi edhe në vitin 2021).

Padurimi i opozitës për të ardhur në pushtet (gjithmonë sipas nesh) pa konsideruar seriozisht mundësinë e alternativës transhenduese/përmirësuese, tregon se kjo e fundit nuk mund të prodhojë dot një ndryshim substancial. Mirëpo, nëse nuk mund të prodhohet ndryshim substancial, shkohet drejt një gjendjeje e cila të legjitimon vetëm në raport me neverinë që ngjall tjetri. Dhe kjo neveri duhet që ekskluzivisht t’i rezervohet tjetrit, përndryshe nuk arrihet të prodhohet një legjitimitet i mjaftueshëm mbi këtë bazë. Kësisoj, neveria e gjithëgjendur (ndaj partive tradicionale) në vend se të delegjitimojë njërën palë i delegjitimon të dyja, duke rikonfirmuar hegjemoninë e pushtetit përmes pamundësisë së legjitimimit vetjak. Pamundësia e legjitimimit në vetvete (ose mosdashja) përveçse ratifikon një gjendje urrejtjeje (fatkeqësisht ndaj tjetrit), e degradon një forcë të tillë në një lëvizje paranojake që nuk konsideron armik vetëm pushtetin por edhe njerëzit që nuk ndajnë të njëjtin mendim me të. Përderisa opozita e pranon si normale një gjendje të tillë, nuk mund të pritet tjetër vetëmse një legjitimitet ekskluziv i saj, që ka si kusht jo vetëm delegjitimimin e pushtetit por edhe të shoqërisë. Sa kohë që opozita e refuzon angazhimin me alternativën transhenduese ajo paradoksalisht delegjitimon edhe shoqërinë, ngase e konsideron këtë të fundit vetëm si mjet për ardhjen në pushtet.

Nëse shoqëria shqiptare ka nevojë për shpresë (optimizëm, vizion), është e papranueshme që ajo të përllogaritet si një shtojcë e qëllimeve vulgare të opozitës, pasi në këtë mënyrë shoqëria jo vetëm që do të përdorej por edhe do t’i faturohej si normale gjendja e pashpresë. A nuk po duket qartazi kjo gjë. Ndonëse opozita pretendon se po mbjell shpresë, përmes vleftësimit vetëm të “aspiratave” të saj, ajo po sugjeron se gjendja e pashpresë është produkt vetëm i degradimit të pushtetit. Edhe pse kryekëput paradoksale opozita e ka bindur veten për të kundërtën, duke vazhduar që ta shohë këtë gjendje si produkt i pashmangshëm i hegjemonisë negative të pushtetit. Mirëpo, harron ndërkohë se është pikërisht mungesa e alternativës që I bën njerëzit të pashpresë, duke qenë se në këto kushte pushteti paraqitet si diktat dhe sakrifica (kaq e nevojshme) nuk integrohet brenda një qëllimi që synon përtej individualen. Pa një alternativë serioze dhe shpresëdhënëse (në gjykimin tonë tmerrësisht e domosdoshme) opozita jo vetëm që nuk mund të jetë misionare, por ka gjasa të katandiset në një forcë anakronike që mendon se koha do ta kursejë për hatër të nderit të madh që i ka bërë vendit dikur.

Alternativa është e domosdoshme dhe alternativa duhet të përfaqësohet nga njerëz dinjitozë të cilët trupëzojnë aspiratat e kohës dhe është e provuar (të paktën përkohësisht) se zotërojnë minimumin e kushteve që duhet të përmbushë një misionar. Pamundësia (ose mosdashja) për të prodhuar alternativë, përtej retorikës opozitare rrezikon që këtë të fundit ta shndërrojnë në shërbetoren më të devotshme të regjimit. Berisha dhe të tijtë nuk përbëjnë më një altërnativë. Nëse e gjithë opozita ka vendosur që t’I shkojë pas, atëherë të mos habiten nga gjendja pasuese. Anakronizëm dhe reaksion permanent, kaq mund të prodhojë Berisha dhe të vetët. Nëse Berisha vlen më shumë se çdo gjë tjetër atëherë opozitë është në të drejtën e saj që të mbrojë liderin historik, por të mos qurravitet se pse nuk vjen dot në pushtet. Alibitë janë bërë bajate tashmë.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                             

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP