web analytics

Të veçanta

Asnjë shtet nuk e ka të qenësishme “të drejtën për të ekzistuar”, madje as Izraeli

Moncef Khane- Former United Nations official, Burimi: AlJazeera

Përktheu: Kevi Muçllari
Asnjë dispozitë e së drejtës ndërkombëtare nuk i garanton një shteti “të drejtën për të ekzistuar”. Shtetësia është një realitet politik dhe jo juridik.Fraza “Përsëriteni shpesh një gënjeshtër dhe ajo ka për t’u bërë e vërtetë”, që i atribuohet ministrit të propagandës së Adolf Hitlerit, Joseph Goebbels, përmbledh atë që psikologjia moderne e ka vërtetuar: përsëritja e vazhdueshme e deklaratave mund të mposhtë mendimin tonë kritik deri në atë pikë sa të pranojmë gënjeshtrat si të vërteta të vetëkuptueshme. Me fjalë të tjera, shpërlarja e trurit funksionon. Ideja se “Izraeli ka të drejtë të ekzistojë” është një shembull ilustrues. Kjo deklaratë është pohuar aq shpesh kryesisht nga udhëheqësit dhe mediat perëndimore saqë duket të jetë korrekte. Dhe nëse është një “e drejtë”, ajo duhet të sanksionohet me ligj. Kështu, kur presidenti francez Emmanuel Macron thuhet se deklaroi gjatë një takimi të kabinetit në 15 tetor se “Z. Netanyahu nuk duhet të harrojë se vendi i tij është krijuar nga një vendim i OKB-së” duke iu referuar Rezolutës 181(II) së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të vitit 1947, ai sugjeronte që ekzistenca e Izraelit buron nga një akt juridik ndërkombëtar, i cili, për rrjedhojë, i jep atij legjitimitet – të ashtuquajturën “e drejta për të ekzistuar”. Ky konceptim i gabuar – pothuajse i gjithëpranuar – shpesh është një shtrembërim i realiteteve historike dhe ligjore.
Si fillim, ideja e “të drejtës për të ekzistuar” brendashkruar shtetit është e gabuar. Konceptualisht apo juridikisht, nuk ekziston një e drejtë e tillë natyrore apo ligjore – as për Izraelin as për ndonjë shtet tjetër – pasi krijimi i shteteve-kombe nuk është i bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Shtetet-kombe janë rezultat, në analizë të fundit, i një proklamate nga ata që pretendojnë të përfaqësojnë shtetin e sapoformuar. Pas proklamatës, shteti i ri dhe qeveria e tij mund (ose jo) të njihen zyrtarisht nga shtetet dhe qeveritë e tjera. Kështu, shteti i ri ekziston për shkak të një fakti politik dhe jo për shkak të një akti juridik – domethënë, jo sepse ka “të drejtën” për të ekzistuar. Ndonëse teoria juridike “konstituive” e konsideron një shtet si ekzistues vetëm nëse njihet nga shtetet e tjera, teoria “deklarative” konsideron se një shtet ekziston edhe në mungesë të njohjes diplomatike. Megjithatë, në praktikë, njohja e gjerë diplomatike është e nevojshme që një shtet i saposhpallur të jetë në gjendje të funksionojë si një entitet ligjor dhe politik me të drejta të plota, paçka se rasti I jashtëzakonshëm i Tajvanit duket se bie në kundërshtim me këtë postulat.
Në këtë kuptim, Rezoluta 181(II) e OKB-së “Qeveria e Ardhshme e Palestinës” nuk e ka krijuar shtetin e Izraelit. Në vend të kësaj, ajo propozoi një plan për ta ndarë Palestinën e pushtuar nga Britanikët në tre entitete: një “shtet hebre”, një “shtet arab” dhe Jeruzalemin nën një regjim special ndërkombëtar.
Përpara votimit, Shtetet e Bashkuara ushtruan presion të fortë jo vetëm mbi disa vende në zhvillim por edhe mbi Francën për të votuar në favor të rezolutës. Çuditërisht, edhe vetë SHBA-të u kërcënuan siç na e përcjell në kujtimet e tij Presidenti Harry Truman: “Nuk besoj se kemi pasur ndonjëherë aq shumë presion dhe propagandë ndaj Shtëpisë së Bardhë sa kemi pasur në këtë rast. Këmbëngulja e disa prej liderëve ekstremistë sionistë – të nxitur nga motive politike dhe të përfshirë në kërcënime politike – më shqetësoi dhe më bezdisi.”
Pas shtyrjes së votimit me disa ditë për të siguruar mbështetjen e nevojshme, Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën me një diferencë të ngushtë prej dy votash më 29 nëntor 1947. Plani i OKB-së për ndarjen e Palestinës, nuk u miratua kurrë nga Këshilli i Sigurimit dhe si pasojë nuk u bë kurrë i detyrueshëm sipas ligjit ndërkombëtar. Por edhe nëse do ta kishte miratuar, Këshilli i Sigurimit – ashtu si Asambleja e Përgjithshme – nuk mund t’a krijonte Izraelin, sepse sipas Kartës së OKB-së nuk e ka kompetencën juridike për të “krijuar” një shtet.
Gjashtë muaj pas votimit të Planit të Ndarjes, David Ben-Gurion kreu I Agjencisë Hebraike për Palestinën shpalli krijimin e shtetit Izraelit. Ky akt politik – së bashku me spastrimin etnik dhe një fushatë të dhunshme për rrëmbimin e tokave nga milicitë sioniste, duke përfshirë Haganah, Bandën Stern (Lehi) dhe Irgun, të cilat Albert Einstein në një letër të vitit 1948 I ka quajtur “organizata terroriste, e djathtë ekstreme, shoviniste”- përfaqësonte kulmin për migrantët hebre në Palestinë para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Këto organizata vepruan bashkarisht për të zbatuar Planin Dalet, i cili ishte konceptuar nga Agjencia Hebraike për Palestinën dhe të cilin historiani izraelit Ilan Pappé e quan një “projekt për spastrim etnik”.
Plani i Ndarjes u refuzua nga pesë shtetet arabe që ishin anëtare të OKB-së në atë kohë dhe nga disa qeveri të tjera kryesisht për shkak se u konsiderua se shkelte të drejtat e patjetërsueshme të palestinezëve (të të gjitha besimeve) për vetëvendosje sipas nenit 55 të Kartës së OKB-së. Juridikisht, kjo pikëpamje është ende e vlefshme sot, sepse e drejta e vetëvendosjes për popujt e kolonializuar është një normë detyruese e së drejtës ndërkombëtare zakonore e pranuar nga komuniteti ndërkombëtar si një parim juridik themelor nga i cili nuk lejohet asnjë derogim. Është një normë themelore juridike e parashikuar në nenin 1 të kartës, e cila përcakton objektivat e Kombeve të Bashkuara.
Në prag të votimit, ministri i jashtëm i Irakut, Fadhel al-Jamali, nënshkrues i kartës, deklaroi para Asamblesë së Përgjithshme: “Ndarja e imponuar kundër vullnetit të shumicës së popullit e rrezikon paqen dhe harmoninë në Lindjen e Mesme. Jo vetëm që duhet të presim kryengritjen e arabëve të Palestinës, por edhe njerëzit në botën arabe vështirë se mund të frenohen. Marrëdhëniet arabo-hebraike në botën arabe do të përkeqësohen tejmase. Ka më shumë hebrenj në botën arabe jashtë Palestinës sesa në Palestinë. … Shkurtimisht, kushdo që mendon se ndarja e Palestinës do të zgjidhë problemin e Palestinës, gabohet. Ndarja do të krijojë një duzinë problemesh të reja të rrezikshme për paqen dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Është shumë më mirë t’a lëmë Palestinën të qetë sesa të përpiqemi të zbatojmë një zgjidhje që do të japë fryte të hidhura.”
Fjalët e Al-Xhemali dolën të ishin profetike. Edhe pse Izraeli nuk u krijua nga OKB-ja siç beson Macron, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të jetë i zhytur në një padrejtësi historike që u është bërë palestinezëve të të gjitha besimeve, përfshirë hebrenjtë palestinezë. Para dhe pas Holokaustit, sionistët u kishin premtuar kolonëve hebrenj evropianë dhe amerikano-veriorë një strehë të sigurt në Palestinë, por ky premtim doli bosh.
Që nga krijimi i tij, Shteti i Izraelit është hipermilitarizuar dhe ka qenë në një gjendje lufte të vazhdueshme. Nuk ka për të pasur asnjë perspektivë për paqe nëse dhe derisa pushtimi i territoreve palestineze, siriane dhe libaneze të përfundojë, derisa të përvijohen kufijtë e tij dhe përpjekja biblike për të krijuar “Izraelin e Madh” të braktiset zyrtarisht.
Propaganda e vazhdueshme nuk e anulon të drejtën ndërkombëtare, sipas së cilës asnjë shtet nuk e ka të qenësishme “të drejtën” për të ekzistuar, ama popujt kanë një të drejtë të patjetërsueshme për vetëvendosje. Një fuqi pushtuese nuk e ka të natyrshme të drejtën e vetëmbrojtjes kundër popullit që ka nënshtruar, përkundrazi njerëzit nën pushtim e kanë të natyrshme të drejtën e vetëmbrojtjes kundër pushtuesve të tyre, siç ka vendosur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Fuqitë që mund të bëjnë një ndryshim, kryesore mes tyre SHBA-ja, duken të paafta ose jo të gatshme për të korrigjuar një gabim historik dhe për t’i shikuar me sy të kthjellët këto parime të së drejtës ndërkombëtare.
Edhe përballë një gjenocidi të vazhdueshëm që po mundësohet nga ata – si ushtarakisht ashtu edhe diplomatikisht – ata janë të paaftë ose jo të gatshëm që të braktisin verbërinë politike të tyre apo të dëgjojnë opinionet e publikut të tyre. Më keq akoma, ata po duket se preferojnë të luajnë me rrezikun e një lufte rajonale dhe madje të tolerojnë një sulm bërthamor nga regjimi gjenocidal izraelit. Të shpresosh se nuk do të mbërrihet kurrë deri këtu nuk është një strategji bindëse.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP