web analytics

Të veçanta

Bashkëpunimi/ bashkimi i opozitës

Nga Kevi Mucllari

Çfarë është bashkimi? Terminologjikisht bashkimi është gjendja kur bashkojmë dikë a diçka ose kur bashkohemi. P.sh bashkim politik, bashkim vullnetar etj.
Ndërsa bashkëpunimi është veprimi kur bashkëpunojmë për diçka; pjesëmarrje në një punë bashkë me dike etj.

Referuar aspektit terminologjik, bashkimi dhe bashkëpunimi nuk janë e njëjta gjë. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një dallim themelor mes tyre. Bashkimi përfaqëson një akt njëjtësues, ndërsa bashkëpunimi përfaëson një tendencë për të bashkërenduar veprimet. Kësisoj, lipset të mbahet parasysh ky dallim terminologjik.

Sa më sipër, si duhet parë nisma e sapo ndërmarrë nga ana e disa intelektualëve lidhur me bashkëpunimin e mundshëm opozitar.


Pikë së pari, ajo duhet gjykuar nisur nga situata politike në të cilën ndodhet sot vendi ynë. Së dyti, duhet parë jo në terma ideologjikë, por në terma praktikë. Vetë fakti që një nismë e tillë merr vëmendje politike, nënkupton se ajo po adreson një problem themelor të opozitës shqiptare. Fragmentimin e saj. Në gjykimin tim, fragmentimi opozitar është i dëmshëm. Sesa gjasa reale ka për koordinim, kjo është një çështje që duhet diskutuar më vete. Së treti, opozita e re në përgjithësi, duhet të ketë një ide të qartë se çfarë domethënë të jesh anti-sistem. Në gjykimin tim, të jesh anti-sistem, do të thotë të jesh kundra sistemit demokratik. Ngase sistemi aktual politik, është themeluar mbi principet e demokracisë përfaqësuese. Tezën e anti-sistemit e mbron me forcë Lëvizja Bashkë, e cila në substratin e saj është e ndikuar nga doktrina e marksizmit klasik. Dhe sakaq, beson (në gjykimin tim, rrejshëm) se proletariati do të vetëdijësohet deri në atë pikë sa do të gjenerojë një lëvizje sizmike, lëvizje e cila do të mundësojë transformimin e sistemit.

Në këtë kontekst, partitë e reja opozitare, nuk duhet ta konsiderojnë si të keqe a priori marrëveshjen. Përkundrazi, marrëveshja është domosdoshmëri në terma politikë. Për dy arsye. E para, askush nuk e ka monopolin e së vërtetës dhe së dyti, shpesh herë, referuar kushteve dominuese politike, lipset pragmatizëm politik, me qëllim që politika të mos shndërrohet në një ndërmarrje puritane. Kësisoj, bashkëpunimi nuk është tragjedi. Assesi. Por, është një mundësi reflektimi mbi kushtet dhe mundësitë që dominojnë aktualisht politikën. Kësodore, partitë e reja opozitare duhet të qartësohen (minimumi konceptualisht) lidhur me qëndrimin që kanë ndaj bashkëpunimit dhe idesë së anti-sistemit. Të paktën parimisht, unë nuk mendoj se partitë e reja duhet të mbyllin çdo derë bashkëpunimi. Sakaq, për të qenë të drejtë, mendoj se kushtet e partive të reja janë më prioritare sesa ato të PD-së. Për më tepër, partitë e reja, duhet t’i imponohen PD-së lidhur me disa elemente themelore. Sidomos për ato gjëra që i prekin drejtpërsëdrejti. P.sh reforma zgjedhore. (Megjithëse, unë nuk mendoj se kjo duhet shëndërruar në kryekauzë).


Gjithë sa më sipër, unë mendoj se është themelore që politika të mos shihet si ndërmarrje puritane dhe partitë e reja të mos ndihen të kompleksuara nga ideja e bashkëpunimit. Ky i fundit jo si qëllim në vetvete. Por si një mjet për të bashkërenduar parimin me ndryshimin. Tek e fundit, një ndër principet e konservatorizmit ky është. Principi i cili e sheh ndryshimin si mjet për ruajtjen.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP