web analytics

Të veçanta

Shenjtërimi i kontradiktave

        Herbert Marcuse në librin e tij Njeriu njëdimensional, ndër të tjera, trajton fenomenin e transformimit themelor të mendimit: nga mendim me tipare intelektuale e të arsyeshme në mendim teknik. Një gjuhë teknike e tillë i shërben operacionalizimit. “Tipari bazë i operacionalizimit – bërja e konceptit sinonim me serinë korresponduese të operacioneve – përsëritet në prirjen gjuhësore ‘për t’i soditur emrat e gjërave sikur flasin në të njëjtën kohë për mënyrën e tyre të funksionimit dhe emrat e vetive dhe të proceseve si simbole të aparatit të përdorur për t’i zbuluar apo prodhuar ato’. Ky është arsyetimi teknologjik për t’i barazuar gjërat në funksionet e tyre”.

Ai e ilustron këtë gjë duke përshkruar se si fenomeni demonstrohet në zhargonin e përditshëm duke u prodhuar klishe për të cilat nuk reflektohet lidhur me domethënien e tyre thelbësore. “Emri NATO nuk të tregon atë që do të thotë ‘North Atlantic Treaty Organization’, domethënë një traktat midis kombeve të Atlantikut Verior – me këtë rast mund të bëheshin pyetje lidhur me anëtarësinë e Greqisë dhe të Turqisë”. Ndërkohë në ligjërimet politike theksohet emri NATO, edhe pse kufijtë e saj janë zgjeruar përtej territoreve të përcaktuara fillimisht. Ajo do mbetet trakti i kombeve të Atlantikut të Veriut, mekanizmi politiko-ushtarak i saj dhe ingranazhi i cili prodhon ndërveprimet ndërkombëtare në favor të vendeve të Atlantikut të Veriut. Anëtarësimi i Greqisë dhe Turqisë, apo edhe i shteteve me më pak influencë, sikurse Shqipëria, nuk e ndikon qëllimin kryesor të krijimit dhe funksionimit të saj dhe nuk e arsyeton kontradiktën e ligjërimit që përfaqëson. Forca e hegjemonisë shpërndahet në mënyrë të vetvetishme sa më shumë që shpërhapet legjitimimi i kontradiksionit në ligjërim.

Barazimin e gjërave me funksionin e tyre mund ta konstatojmë te liberalizmi. Në parim është emërtimi i mënyrës së funksionimit të politikës dhe ekonomisë, në kushtet e një lirie të plotë në aspekt të iniciativës dhe konkurrencës. Duke pasur një sistem ku individët janë të lirë të ndërveprojnë si dhe sa të munden në politikë dhe ekonomi – liri e cila përkufizohet vetëm në parim, sepse në realitetin konkret fushat e veprimit kufizohen në sajë të zotërimit të kapitaleve të fuqisë dhe pasurisë – atëherë veprimet e pakufizuara dhe të paorientuara politike do ndikojnë tregun, sikurse tregu i lirë do kushtëzojë politikën. Kësisoj krijohet tensioni midis liberalizmit ekonomik dhe atij politik, që në vetvete është cenim i këtij liberalizmi. Tensioni i brendshëm i këtij projekti është i gjurmueshëm në dy aspekte: liberalizmi i tregut dhe liberalizmi politik. Funksioni paraqitet që në emërtim: liri për të hyrë në politikë, për të akumuluar kapital dhe pushtet, në mënyrë që të arrihet deri te hegjemonia në çfarëdolloj përshkallëzimi të mundshëm të hierarkisë së “të fortëve”.

Tensioni i cili prodhohet në liberalizëm nuk përbën problem në zhvillimin dialektik të marrëdhënieve ndër-socio-ekonomike, por ai cenon parimet humane dhe morale të një shoqërie duke e përqendruar interesin dhe vëmendjen vetëm te marrëdhëniet dhe interesat reciproke midis palëve të sundimit politik dhe poseduesve të pasurisë së një shteti. Pasojat në sistemin moral të gjeneruara nga liberalizmi, si edhe fuqizimi i një pakice në ekonomi dhe politikë, janë treguesit e kuptimit themelor të kësaj ideologjie. Qëllimi përfundimtar i artikulimit ideologjik dhe shpalljes së aktit politik pasues shënojnë arsyen e krijimit të kësaj forme të re të organizimit: garantimin e kushteve të lirisë për të vepruar në sa më shumë territore të jetë e mundshme duke akumuluar sa më shumë pushtet politik dhe ekonomik, pushtet i cili nuk duhet të jetë i shpërndarë në mënyrë të drejtë.

Parimet mbi të cilat është shtresëzuar ideologjia e liberalizmit janë konsoliduar aq sa është jashtëzakonisht e vështirë të konstatohet kundërshtia logjike e parimit, për shkak edhe të harmonizimit që ka rrafshuar dialektikën teorike të mbishtresës së konceptit ‘liberalizëm’. Rezultati është mbizotërimi i aspektit dogmatik dhe pafuqia ose mosinteresi për të ardhur te thelbi i domethënies. Të tilla domethënie i arrijnë ata njerëz që forcën e mendjes e aktualizojnë drejt objektivitetit të qenieve dhe nuk indoktrinohen, ngjashëm me përkufizimin metaforik të liberalizmit: “Një patë tha: / -Erdhi Fermani nga Divani i Hidrit / se të gjitha detet janë të lira / E Krokodili kështu iu përgjigj:  “Mund të shkosh nga të dëshirosh / por mos harro se edhe unë jam i lirë porsa ti” .

Në rastin e Shqipërisë postkomuniste, sihariqi për “lirimin e detrave”, liberalizmin e politikës, ekonomisë, mendimit dhe jetës nuk e theksoi edhe faktin e lirshmërisë së “krokodilave”, zaptimin e resurseve ekonomike nga ‘hienat’ që prodhoi diktatura, pozicionimet e këtyre ‘përbindshave’ në poste politike dhe lidhjet ndërkombëtare me ‘sojin’ adekuat të vendeve fqinje. Ajo që shprehet në ligjërimin aktual përsa i përket liberalizmit dëshmon akomodimin e koncepteve që kundërshtojnë njëri-tjetrin brenda idesë së tij: “liri mendimi, liri shprehje, liri tregu, liri politike etj, ndërsa nga ana tjetëer: VKM, koncesion, monopol, vetting etj.

Me përqafimin e demokracisë dhe sistemit liberal, shqiptarët importuan njëkohësisht edhe kiçkulturën mediatike, e cila në të gjitha aspektet ishte e veshur me eksponentë amoralë dhe denigrues. Shembujt na shoqërojnë në çdo kontak me median: filma të cilët kanë në fokus shprehjen e libidos dhe dominimin e tij ndaj objektivave të tjerë të skenareve, reklama me sfond erotik dhe një mori emisionesh “emancipuese” apo dëfryese në pafundësi. Një pjesë e konsiderueshme e emisioneve televizive e mbështetin degradimin nëpërmjet mënyrës së funksionimit dhe subjekteve që trajtojnë. Krijimi i kushteve që i mundësojnë të ftuarve të prodhojnë sjelljet e mbështetura mbi instikte, kryesisht seksuale, tregon dominimin e dimensionit kafshëror të ketij formati. Format i cili i jep prioritet mjeteve të degradimit dhe ironizon mendimin e arsyeshëm. Prandaj në këto emisione do konstatojmë se pjesën më të madhe të kohës e marrin personazhet anormalë, ata që janë shkëputur prej moralit tradicional dhe notojnë në turbulencat e turrjes ndaj instiktit e egoizmit që shndërrohet në vrastar kundrejt moralit. Ndërkohë njerëzve të mendimit u rezervohet një pjesë e papërfillshme. Në një kuptim tjetër ky fakt tregon dominimin e instiktives ndaj intelektit, rrjedhimisht zbehjen e reagimit civil dhe refleksionit mendor mbi atë çka ndodh përreth.

Industria e imoralitetit buron nga funksionaliteti në të cilën kanë përfunduar përkufizimet e koncepteve dhe nga shuarja e dialektikës në ligjërimin politik por dhe atë të përditshëm. Sokrati e theksonte faktin se “e keqja rrjedh nga fakti  se njeriu gabohet lidhur me çështjen e së mirës. E keqja vjen nga padija”. Në të tilla kushte, në të cilat padija i ka rritur përmasat e veta dhe mbizotëron fushën e praktikimit të instinkteve të veta, politikat e ndërmarra për përmirësimin e gjendjes morale dhe reduktimin e mjeteve që e cenojnë nuk janë më shumë të efektshme se lufta ndaj padijes dhe organizimit të saj në praktikë.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP