web analytics

Të veçanta

“Drogaxhinj të helmuar”

Nga Ibrahim Xhepmetaj

Në përgjithësi, në një masë dhe formë të caktuar, që të gjithë ne jemi të ‘droguar’. Ndryshojnë llojet e drogërave, masat, varësitë, niveli i varësisë, por padyshim s’ka njeri që s’përdor një drogë. Drogë është gjithçka e pashëndetshme që nuk shëron, por në emër të saj vret ose trajton, pa e çrrënjosur të keqen, pa e nxjerrë helmin. Dikush përdor drogë për t’u bërë më i fortë, më i shkathët, dikush për t’u ndjerë më trim, për të minimizuar dhe hequr një dhimbje fizike, shumica prej nesh këtë njohim për drogë. Por edhe alkooli, konsumi i të cilit në masë nga njerëzit për shkak se pezullon “dhimbjet e shpirtit” në thelb është drogë. Dehja në vetvete është shkëputje nga realiteti, arratisje e përkohshme nga problemet, ne e kemi më të lehtë të presim degët e kalbura se të shkulim rrënjët e këqija dhe të zhdukim farat e saj. Drogë është çdo gjë që krijon varësi (fizike, mendore emocionale, shpirtërore), që dëmton shëndetin në një formë a tjetër, po të kemi parasysh se shëndeti është mirëqenia e tërësishme (fizike, psikologjike, sociale). Varësia është helm i cili e robëron njeriun nga e vetëdijshmja dhe harmonia, paqja e të brendshmes me të jashtmen e tij. E kundërta e drogës është ilaçi, e kundërta e varësisë është çlirimi-liria.

Çdonjëri nga ne është i varur, drogaxhi, i sëmurë, i helmatisur. Dikush vuan nga një mendim, përjetim, damkë, fiksim, ves, cen, pasion, dikush nga dashuria e gënjeshtërt.  Rumi, poeti mistik i urtë kur e pyetën çka është helmi tha: “Çdo gjë përtej nevojës (shëndërrohet) është helm.” Mund të jetë pushteti, pasuria, uria, egoja, lakmia, xhelozia, përtacia, dashuria, ambicja, urretja apo gjithçka tjetër.” Droga është kura e gabuar për sëmundjen e njëjtë. Sëmundja që të shërohet don ilaçin e vet. Mirëpo, padyshim se “çdo sëmundje e ka ilaçin” thoshte profeti Muhamed. Pra nuk është problemi tek “i droguari” apo “helmi” aq sa është tek kërkimi dhe gjetja e ilaçit të duhur. Sëmundja nuk është shkatërrimtare në vetvete, sëmundja të mundon, është ilaçi që i jep emër sëmundjes jo anasjelltas. Mirëpo ashtu siç parajsja është e rrethuar me vështirësi (sakrifica) dhe ferri me kënaqësi dhe lehtësira (tundime), mos prit ilaçe të ëmbla  për sëmundje të hidhura.

Edhe unë, që po shkruaj këto ide, jam i ‘droguar’, i varur, njësoj si ju, mos më pandehni që ju shkruaj, se jam i lirë dhe i shëruar. Edhe sipas kënvështrimit fetar, çdo njeri është gabimtar, (helmoset dhe në vend të ilaçit drogohet),  më i miri është ai që pendohet (kthehet tek Krijuesi, burimi, kërkon shërimin dhe kështu përmirësohet -shërohet).. Pra nuk është çështja a jemi të sëmurë apo jo, cili është apo nuk është i varur nga ndonjë drogë,  por ejani të kërkojmë shërim, të duam së pari të shërohemi, të urrejmë sëmundjen dhe helmin jo bartësit e saj, se kështu ndihmojmë sëmundjen. Të bëhemi si mjeku i mirë, doktor i vetes që pasi sigurohet të njohë mirë sëmundjen (helmin, drogën) duke analizuar mirë prejardhjen, shkakun dhe pasojën, i qaset pacientit me dashuri, duke dashur ta shpëtojë atë nga sëmundja, lufton sëmundjen dhe kuron të sëmurin, e shëron atë dhe vret sëmundjen. Kështu, s’mund ta luftojmë të keqen  pa dashur më parë të mirën, njëkohësisht duke urryer të kundërtën e saj. Si rrjedhim s’mund të kemi prognozë të mirë nëse se njohim dhe duam  veten.

Dashuria ndaj vetes, e për pasojë edhe ndaj të tjerëve, nuk shprehet duke i mohuar shpirtit atë që e çliron,  zemrës atë që e rehaton, mendjes atë që kërkon, trupit atë që e qetëson. Mohimi i realitetit, përgënjeshtrimi i vetes, vetëm sa ia shton njeriut sëmundjet, vuajtjet, ia vështirëson rrugëtimin drejt vetes, pengon dhe largon atë nga lumturia e vërtetë, e cila arrihet duke njohur dhe më pas ndjekur rrugën e drejtë, e cila e çon njeriun në destinacionin e duhur, e sëmundjet e ndryshme, drogërat, helmet janë lëngata të kësaj rruge, e brejnë shpirtin, e sëmurin zemrën, e dhunojnë mendjen dhe e ligështojnë trupin. Unë kam një ëndërr të madhe. Të arrij lirinë e vërtetë, të çlirohem nga çdo prangë varësie të çdo droge, e të shërohem nga çdo helm që sëmur, sikurse uroj e ja urrej vetes, çdokush që konsumon “helm” të gjejë “mjaltin”, sepse askush në këtë botë, sikur vërtet të dinte shijen e hidhur që lë “droga” s’do zgjidhte atë në vend të ilaçit. Përfund: Përbërësi esencial i çdo kure, për çdo sëmundje është dashuria e sinqertë.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP