web analytics

Të veçanta

Mendimi tragjik i Nietzsche-s – Pjesa e 2-të

Nga: Rigers Balliu

Vullneti për fuqi si sintetizim i pluralitetit të forcave

      “Përfytyrim do të thotë sintezë e asaj që paraqitet. Sinteza qëndron pra në atë se një ndryshueshmëri është përfytyruar, pra është vendosur si e mbyllur brenda një përfytyrimi.” Fakti se përfytyrimi sipas Kantit është sintezë e një ndryshueshmërie e vë dallimin në origjinë të gjërave, ose na lejon të bëjmë një supozim të tillë. Vullneti për fuqi si përfytyrim nuk është unitar, por parimi i sintezës së forcave plurale. Pra vullneti për fuqi është sintezë e forcave, por jo si përfytyrim që i raportohet një objekti, kështu vullneti për fuqi nuk është për Nietzsche-n një shprehje shumësie që buron prej njëshit, por përkatësia e përfytyrimeve të forcave në një ndërgjegje të vetme të cilën e themelojnë si singularitet, nga ku vullneti mund të jëtë vetëm vullnet për fuqi. Prandaj vullneti nuk mundet me qenë vullnet për me mund, por ndërgjegjësim i forcave për veten si vullnet për me u aktualizu si dominues i një force mbi një tjetër. “Përfytyrimet e mia janë të miat përsaqë janë të lidhura në njësinë e një ndërgjegjeje, aq sa t’i shoqërojë ‘Unë mendoj’. Por kësisoj, përfytyrimet nuk gjenden të bashkuara në një ndërgjegje nëse, përmes të njëjtit akt, i ndryshmi që ata sintetizojnë nuk i lidhet një objekti të çfarëdoshëm”.

       Kështu vullneti për fuqi manifeston Qenien tek qensorët, ku Qenia në vetvete është pluralitet forcash mbi të cilën nuk mund të aplikohet parimi i moskontradiksionit, i cili formulohet vetëm pas përkatësisë së përfytyrimeve të lidhura në një ndërgjegje të vetme, dhe ku kjo e fundit raportohet me një objekt, si akt i njehësimit (kjo është një fletë, kjo gjë është ky apo ai objekt). Vetëm pas këtij njehësimi që realizohet përmes objektivizimit si formë në përgjithësi (objekt i çfarëdoshëm) mund të flasim për një parim i cili na thotë se diçka nuk mund të jetë dhe të mos jetë në të njëjtën kohë. “Por i ndryshmi nuk do të lidhej kurrë me një objekt po të mos e kishim objektivitetin si formë në përgjithësi.” Formë kjo e cila vjen nga njësia e ndërgjegjes, si “unë mendoj”, dhe pasi unë mendoj të themelohet në “unë mendoj veten” mundet të mendohet për objektin e çfarëdoshëm, të cilit kjo ndërgjegje i lidh një ndryshueshmëri të përfytyruar. Ajo çfarë propozohet përmes një arsyetimi të tillë është zëvendësimi i ego cogito-s me ego percipio (unë perceptoj) si moment primordial i një egoje, i një uni. Por i kthyer kështu pretendimi për një subjekt duket i sforcuar për një ego perceptuese e cila presupozohet të jetë përvojë e kulluar bashkë me gjësendet e tjera në botë, pra për një mua pësues.

      “Dikur në të vërtetë besohej tek ‘shpirti’ si tek gramatika dhe tek subjekti gramatikor; thuhej ‘unë’ është kusht, ‘mendoj’ është kallëzues dhe i kushtëzuar: të mendosh është një veprimtari për të cilën një subjekt duhet të mendohet si shkak. Tani, me këmbëngulje dhe dinakëri të denja për t’u adhuruar, u kërkua të dilet nga ajo rrjetë, të kontrollohet nëse rastësisht mos ishte e vërtetë e kundërta: ‘mendoj’ kusht, ‘unë’ i kushtëzuar; ‘unë’ pra është vetëm një sintezë që bëhet nga vetë të menduarit.” Sepse është bota ajo që pësohet mbi subjektin tashmë si percipiens dhe çdo lidhje e përvojave të veçanta përmes strukturës konceptuale të intelektit është arbitrare, e tillë që për ta çliruar jetën prej saj duhet gjetur një parim sinteze që të mos jetë i kushtëzuar nga raporti me objektin. Në përgjigje të kësaj kërkese, Nietzsche, sipas Deleuze-it, e ktheu sintezën në një sintezë të forcave. Ai gjeti riprodhimin e të ndryshmit në zemër të sintezës, duke vendosur si parim të saj vullnetin për fuqi dhe e përcaktoi atë si element diferencial dhe gjenetik të forcave që përballen me njëra-tjetrën. “Vullneti për fuqi është edhe elementi gjenetik i forcës dhe parimi i sintezës së forcave.”

Rikthimi i përjetshëm

      “Kanë hapur në këtë mënyrë sytë rreth idealit të kundërt: rreth idealit të qenies njerëzore më fodulle, jetësore, pohuese të botës, që nuk ka mësuar vetëm të nënshtrohet dhe të durojë atë që ishte dhe është, por e do që ta ketë përsëri gjatë gjithë përjetësisë ashtu siç ishte dhe është, por në fund të asaj që ka nevojë për një shfaqje të tillë, dhe e bën të nevojshme: sepse gjithmonë ka nevojë për vetveten, dhe bëhet e nevojshme. Si? Po kjo a nuk do të ishte circulus vitiosus deus?”. Një tjetër koncept me rëndësi për të kuptuar tragjizmin ëshë ai i rikthimit të përjetshëm të së njëjtës, të cilën Heidegger sugjeron të kuptohet si pjesë thelbësore e këtij vullneti për fuqi. “Çfarë është vullneti për fuqi në vetvete, dhe si është ajo? Përgjigjia: rikthimi i përjetshëm i së njëjtës”. Doktrina e rikthimit të përjetshëm i së njëjtës dhe vullneti për fuqi si vullnet për me interpretu dhe rivlerësu vlerat në një interpretim hajdegerian janë e njëjta gjë. Sepse nëse vullneti për fuqi është elementi që karakterizon gjithë qenësorët dhe i bën ata, ata që janë deri tani, ky vullnet është ajo që na drejton tek pyetësimi i Qenies, madje ky vullnet për me afirmu është vetë pyetësimi i saj, i cili e rikthen atë përjetësisht.

       Pyetja deçizive e kuptimit të Qenies mbi bazën e të cilës Qenia në përgjithësi mund të shfaqet si e tillë dhe mund të vijë në të Vërtëtën e saj përmes unitetit të vullnetit dhe rikthimit të përjetshëm të së njëjtës dhe mund të shihet historikisht (në kontekst) si rivlerësim i të gjitha vlerave, duke u bërë kështu ngjarja ku manifestohet Qenia. Për Heidegger-in, Qenia kërkon të vijë në të Vërtetën e saj përmes këtij uniteti dhe të gjejë një shteg për të pezulluar kontekstin përmes manifestimit të saj historik si rivlerësim (përmbysje) e të gjitha vlerave. “Kur ai mendon ‘mendimin më të vështirë’ në ‘kulmin e meditimit’, Nietzsche mendon dhe mediton rreth Qenies, që është në vullnetin për pushtet si rikthim i përjetshëm”. Ky pasazh duket sa na dërgon gjithnjë e më tëpër në brendësi të çështjes, aty prej nga ku Qenia manifestohet. Vullneti për fuqi është karakteristikë e Qenies ndërsa qenësori vetëm sa e manifeston të vërtetën e saj. Mbërja është vula e Qenies dhe vullneti më i lartë për fuqi, dhe ajo manifestohet përmes këtij vullneti dhe rikthimit të përjetshëm të së njëjtës tek qensorët. “Rikthimi është qenia e asaj që është duke u bërë. Rikthimi është qenia e të bërit në vetvete, qenia e cila është e pohuar në mbërje”. Vullneti për fuqi i qenësorëve është “trualli” ku manifestohet Qenia, aty e vërteta e saj na hapet dhe njëkohësisht tërhiqet për tek vetja përjetësisht. Qenia nuk është identike me vetveten, ajo në vetvete për aq sa mund të ketë një të tillë është Mbërja, e cila vjen në Qenie. Një raport kompleks ku njëra është tjetra.

      Doktrina e rikthimit të përjetshëm na lidh me Qenien në vetvete pas analizës së vullnetit për fuqi të qenësorëve. Përmes të tillë kalimi provohet të arsyetohet se vullneti për fuqi është në supermacinë e tij fillestare tek vetë Qenia, falë së cilës ajo manifeston veten tek vullneti për fuqi i qenësorëve. Në një arsyetim të tillë duke patur parasysh pretendimin se vullnetit nuk i paraprin asnjë qenie si shtresa e epërme që shkaton pasojën përmes vullnetit me vepru ose jo, jam i vetëdijshëm se po e interpretoj Qenien e Heidegger-it si dallim i kulluar, si mbërje e vazhdueshme e cila manifestohet përmes vullnetit për fuqi të qenësorëve, si një cikël i mbyllur që nuk e përsërit veten dhe ku çdo identitet i përftuar është vetëm prerje që intelekti bën në vazhdën e Mbërjes. “Përjetësia nuk është një ‘tani’ statike as një sekuencë e ‘të tashmeve’ që rrotullohen brenda pafundësisë, por si një ‘tani’ që përkulet pas në vetvete”. Rikthimi i përjetshëm është dëshirimi përjetësisht i së njëjtës sepse hedhja e zarave të shansit në qiellin e pastër nga përllogaritë racionale, është realizimi i vullnetit për fuqi në një botë të vetme, të shpëtuar nga bota e “po sikurit”, bota e hijeve metafizike.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP