web analytics

Të veçanta

Duhen Para (Fushata elektorale mes frymëzimit dhe përfitimit momental)

Duhen Para (Fushata elektorale mes frymëzimit dhe përfitimit momental)

Për cdokënd i cili është relativisht i njohur me fushatat zgjedhore, e di fare mirë se zhvillimi i një fushate politike ka kosto financiare. Zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme promovuese ose takimeve me qytetarët sigurisht që ka shpenzime, ndaj dhe patjetër që nevojitet një fond i caktuar për të përballuar aktivitetet e ngjeshura që kryen kandidati dhe ekipi i tij i fushatës. Megjithëse është evidente se nevojiten para për kryerjen e një fushate, kjo lloj evidence nuk duhet marrë si kryekëput ekskluzive në konstelacionin e saj (nënkupto fushatës). Pa zbehur aspak rëndësinë që ka kapitali financiar në mbështetjen e fushatës politike të një kandidati, duket se ditët e sotme ka përpjekje të vazhdueshme për të absolutizuar rolin e parasë në përcaktimin ose jo të suksesit të një kandidati.

Dëgjojmë shpesh se pa mbështetje të fuqishme financiare është praktikisht e pamundur arritja e fitores, paçka se ata të cilët e pretendojnë nuk e kanë qartësuar asnjëherë supozimin e vet: Përveç aktiviteteve të domosdoshme (jo vetëm) të fushatës, për cfarë tjetër konkretisht na hyn në punë paraja gjatë fushatës? (Besoj se është e qartë pse hyn në punë, ama ne synojmë që të rrëzojmë disa alibi banale duke u fokusuar tek faktori i mundësisë për ripërtëritje dhe për frymëzim.) Dhe pse pretenduesit e këtij hamendësimi gjenden me shumicë edhe në radhët e opozitës? Kuptohet këto pyetje në kontekstin politik shqiptar, vlejnë më së tepërmi të adresohen përgjithësisht kundrejt opozitës, pasi është pikërisht kjo e fundit e cila e ka për detyrë që politikën aktuale ta bëjë sadopak të besueshme për shumicën e qytetarëve.

Natyrisht, nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës bjerrja e besimit që ka kapluar qytetarët, ama teorikisht dhe praktikisht opozitës duhet faturuar me patjetër legjitimimi i besimit të ulët që haset sot tek politika, ngase ilegjitimiteti i politikës referuar kontesktit të sotëm rrjedh në masën dërrmuese nga legjitimiteti i cunguar i opozitës. Anipse opozita është pjesë e sistemit (çka është totalisht normale) dhe e ka gati të pamundur që të flirtojë me delire revolucionare (demagogji sipas nesh), ajo sërish lipset të kuptojë se flirtet e tepërta me sistemin aktual politik (dhe jo vetëm ) rikonfigurojnë në vazhdimësi thellimin e ngërcit midis kauzës që duhet të përfaqësojë dhe besimit që i duhet të absorbojë.

Ndërkaq, duhet bërë e qartë se flirti i opozitës nuk ndodh vetëm në vakuum, por ai përfaqësohet nga njerëz relativisht të konsumuar nga sistemi, fakt ky që pothuajse zhvlerëson kauzat që synojnë rifutjen e sistemit në binarët e normalitetit. Konsideruar këtë fakt, opozitës padëshirueshmërisht i duhet që nga njëra anë t’i mëshojë me të madhe gjendjes së përgjithshme të vendit dhe nga ana tjetër të përpiqet që kauzën e vet t’a lidhë më tepër me zemërimin që shkakton entati aktuale sesa me frymëzimin që mund të prodhohet natyrshëm enta bartësve të denjë të kauzës.

Sigurisht, cdo kauzë (ose përpjekje për ndryshim për ent) e ka praktikisht të pamundur që të “marrë dhenë” nëse nuk i adreson me saktësi problemet e ethshme me të cilat ndeshet një shoqëri. Por, po kaq e vështirë është që të presësh se rrethanat e rënduara do të mund të furnizojnë në vazhdimësi një përpjekje, e cila tenton që të shmangë pandërprerë peshën e sprovuar simbolike që mbartin disa nga përfaqësuesit e saj. Kësisoj, përpjekja e opozitës ngulfatet brenda një paradoksi që buron prej faktit evident, por megjithatë i braktisur me vetëdije: Njerëzit që e përfaqsojnë atë janë peng i anakronizmit të gjithanshëm (Me anakronizëm këtu kuptojmë më tepër sesa mospërputhjen kohore).

Fakti që kauza e tanishme opozitare përfaqësohet nga njerëz të ricikluar me pahir, bën që të zhvlerësohet pothuajse krejtësisht simbioza e natyrshme që duhet të shfaqet midis kauzës dhe njerëzve. Edmund Burke e shpreh me shumë elokuencë tendencën e ravijëzuar më sipër “Mos i ndani kurrë tërësisht meritat e një çështjeje politike nga njerëzit që janë të lidhur me të.” Pra, sipas Burke një çështje politike nuk mund të konsiderohet ndarazi nga ata që janë përfaqësuesit realë të saj, pasiqë do të ishte naivitet i madh pretendimi për të neutralizuar kauzën nga ndikimi i përfaqësuesve të saj. Vleftësimi i një kauze ndodh përgjithësisht mbi bazën e moralitetit të përfaqësuesve të saj, për shkak se në vetvete përpjekjet për ndryshim janë parimore, ndaj dhe kauza nuk duhet legjitimuar vetëm me abstraksione përgjithësuese (Referuar një termi të përdorur nga Burke).

Përkundrazi, konkretizimi i kauzës i jep asaj vlefshmërinë e domosdoshme, sepse e lidh atë sinqerisht me situatën aktuale dhe referon tek njerëzit që duhet të ballafaqohen me të vërtetën që imponon konteksti i përgjithshëm politiko-shoqëror. Parë kështu nevoja për t’u ballafaquar ballazi me totalitetin e kontekstit politik-shoqëror bëhet akute, ngase imperativi i ndryshimit kërkon medoemos kallëpizimin në një formulë të vetme të të gjithë faktorëve që mund të ndikojnë në ndryshim.

Siç e kemi thënë edhe më sipër është shumë e rëndësishme që një kauzë të përkapë me saktësi problemet aktuale, ama kjo është vetëm një nga faktorët e nevojshëm për aktualizimin e ndryshimit. Paçka se në vetvete ky faktor mund të jetë legjitimuesi kryesor për hapjen e siparit të përtëritjes, ai nuk mund kurrsesi të delegjitimojë faktorët e tjerë me argumentin e rëndësisë parësore. Pse? Sepse gjykuar historikisht ndryshimi ka përfshirë detyrimisht edhe përfaqësuesit e orvatjeve për ndryshim edhe vizionin e tyre mbi rregullimin e rendit të gjërave, pa relativizimin ose absolutizimin e asnjërës prej tyre. Në të kundërt nëse tentohet copëzimi i të vërtetave me qëllim garantimin e një legjitimteti minimal, ekziston rreziku i legjitimimit vetëm kundrejt sistemit i cili vërtet mund të shihet si ilegjitim, por nuk jep kurrfarë sigurie për legjitimimin e kauzës përkundrejt tij.

Nëse të vërtetat që kemi përmendur nuk konstituohen në një strukturë të vetme solide, ndryshimi që pretendohet ka për të qenë vetëm një eufemizëm për pamundësinë e ndryshimit që rezulton nga copëzimi i mundësive reale të tij. Sa më sipër natyrshëm shkohet drejt arnimeve meskine lidhur me përpjekjet për ndryshim, ku ndërfutja e gjithëfarësoj mjeti shërben jo si improvizim rrethanor, por si legjitimues i shterpësisë së kauzës, e cila mbijeton vetëm në sajë të mbidozës së mjeteve. Cdokush mund të kujtojë me siguri se fillesat e tentativës për ndryshim nga ana e opozitës u legjitimuan me parrullën “Më mirë vonë se kurrë”,  madje sipas disa personave shumë afër Berishës, u tha edhe që; paçka se interesi personal është dukshëm i qartë, ne shpresojmë që ai të përputhet me interesin e përgjithshëm), e cila shërbeu deri diku si mjet për të davaritur mosbesimin që ngjallte përpjekja e Berishës në atë periudhë kohe. Mirëpo duhet bërë e qartë se parrulla “më mirë vonë se kurrë”, shërben përgjithëisht si përkujtuese e obligimit për t’u aktivizuar për të mirën, por jo edhe si legjitimuese e cdo përfaqësuesi që përpiqet në atë drejtim (të paktën kështu mendojmë ne). Ndoshta demonstrativisht vlen të përmendet sentenca e famshme e Naqib Al Attas i cili thotë se “Obligimet në kohë mund të shtyhen, por obligimet e kohës nuk mund të shtyhen, ngase nuk ka periudhë kohe e cila të mos sjellë obligimet adekuate”.

Kështu që për ta përmbyllur duhet përmendur se edhe paraja shërben si mjet për të legjitimuar pamundësinë e frymëzimit që duhet të prodhojë natyrshëm entative për ndryshim. Nëse paraja synohet të përdoret në të njëjtën mënyrë sic e përdor edhe pushteti aktual, kjo tregon se mjetet kanë dominuar qëllimet dhe ripertëritja aq e nevojshme për të djathtën e sotme vështirë se ka për të ndodhur. Nëse Berisha sot ka një përgjegjësi shumë të madhe, është pikërisht ajo e bllokimit të mundësisë për frymëzim nga ana e faktorëve të rinj që mund të jenë përfaqësues të denjë të kauzës opozitare. Kështu që pa u larguar kasta e vjetër nga udhëheqja e opozitës, ajo ka për të vazhduar të gjallojë në qelbësinë e ujërave të veta.

 

Shënim* (Nëse dikush mendon se pse nuk merremi me qeverinë/pozitën, përgjigjja është e thjeshtë. Personalisht mendoj se qeverisja aktuale është totalisht ilegjitime, ndaj dhe dëshpërimisht nevojitet ndryshim në kampin opozitar me qëllim davaritjen peshës negative që ajo mbart).

 

Punoi: Kevi Muçllari

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP