web analytics

Të veçanta

Të drejtat e njeriut dhe aborti

Aborti në kontekstin e sotëm përfaqëson një çështje shumë delikate. Predizpozicioni për ta ndërkallur atë brenda kuadrit emancipues dhe relativizues të ditëve tona, e referon si një çështje me karakter individual. Ndërkohë që tendenca për ta parë abortin ngushtësisht si të lidhur vetëm me mundësinë ose pamundësinë e kryerjes së një akti, tregon për zbimin që tentohet t’i bëhet elementeve të tjerë me rëndësi brenda kuadrit të gjerë të debatit. Sigurisht se aborti është edhe një akt individual, por kjo nuk do të thotë se akti qëndron i shkëptur totalisht nga prezenca e faktorëve të tjerë.

Shpërfillja qëllimisht e faktorëve të tjerë prezentë në ekuacionin me shumë thyesa, sjell hegjemonizimin e individualitetit si aktor predominues në arealin e hamendësimeve. Kuptohet individualiteti i tejthjeshtëzuar nëpërmjet reduktimit të tij në gjendjen e pakushtëzuar, përveçse nga hegjemonia vetjake, prodhon edhe pretendime të cilat nuk kufizohen veçse nga arbitrariteti i tekave të tij. Dhe përsa kohë që çështjen e abortit e shoqërojnë edhe shumë hamendësime, është e papranueshme që individualizmi të dominojë si pasojë e debimit të faktorëve të tjerë. Liria për të vendosur arbitrarisht pa konsideruar vlerat dhe faktet rrethuese rrezikon që lirinë ta shndërrojë në shërbestare të arbitraritetit të përcaktuar njëanësisht. Njëkohësisht fakti që aborti mund të përfshijë edhe mundësinë e ndërhyrjes tek një jetë tjetër, bën që përcaktimi arbitrar i veprimit të mos konsiderojë mjaftueshëm ekzistencën e një gjendjeje të përcaktuar edhe nga prania e dikujt tjetër.

Sigurisht ka mendime të ndryshme mbi gjendjen e fetusit dhe është e vështirë që të pohosh me siguri se kur prania e dikujt tjetër duhet marrë padiskutim në konsideratë me qëllim që aborti të mos kryhet. Nga ana tjetër prezenca e rrethanave të ndryshme mund të bëjë që përcaktimi konciz për kryerjen ose moskryerjen e abortit të jetë vështirë i arritshëm. Gjithsesi përtej gjithë dritëhijeve që e shoqërojnë abortin, është e rëndësishme që trajtesa e tij të mos kufizohet vetëm tek emancipimi i ngërthyer brenda një akti kryekëput arbitrar. Nëse emancipimit i brendashkruhet liria për të vendosur pa marrë në konsideratë gjithçka tjetër rreth e rrotull, vetëm me qëllimin e arritjes së lirisë së munguar femërore, atëherë edhe aborti përfaqëson një hap të domosdoshëm në mbërritjen e lirisë. Megjithatë një liri e tillë ndryshe nga çka mund të pretendohet, nuk përfaqëson tjetër vetëm se paragjykimin e diktuar nga supremacia e papërkufizueshme e emancipimit.

Sepse për sa kohë që emancipimi qëllimisht jashtësohet, nuk mund të dimë me siguri se cili ose kur është momenti për të shpallur triumfin e së vërtetës që pretendon emancipimi feminist. Kjo dëshirë për mospërcaktueshmëri të kufijve së jashtmi, e shndërron abortin në një sakrilegj të domosdoshëm në përmbushjen e qëllimit emancipues. Nëse qëllimi individual cënon jetën dhe shenjtëritë e përcaktuara qartësisht, kjo nuk merret aspak në konsideratë përsa kohë që ekzistenca e tyre përben problem për dëshirimin personal të individit. Gjithsesi përtej vlerës që tentohet t’i jepet emancipimit individualist të femrës në këtë dhe raste të tjera, duhet theksuar se çështja e abortit ndërlikohet edhe nga faktorë objektivë.

Një nga të cilët sic edhe dihet shumë mirë është rreziku që fetusi ose fëmija mund të shkaktojë për shëndetin e nënës. Gjithashtu një faktor tjetër shumë i rëndësishëm është edhe përcaktimi i kohës se kur fetusi konsiderohet i paprekshëm, të paktën sipas traditave fetare. Sipas traditës islame nëse fetusi nga momenti i ngjizjes ka qëndruar në barkun e nënës për 120 ditë, është e pamundur që të kryhet aborti përvecse me kushtin e rrezikimit serioz të jetës së nënës. Kjo pasi sipas po kësaj tradite, tashmë kemi të bëjmë me një qenie njerëzore, shenjtëria e së cilës tash e tutje garantohet nga Zoti. Edhe tradita fetare e krishterë ka pothuajse të njëjtën optikë në vështrimin e çështjes, por duhet theksuar se tradita islame është më tolerante në raport me abortin. Përgjithësisht tradita e krishterë tregohet më pak fleksibël sa i përket përcaktimit adekuat të stadeve nëpër të cilat kalon fetusi, ndërkohë që tradita islame ka një përcaktim më konciz të tyre. Mirëpo sa i përket abortit në vetvete, të dyja traditat e konsiderojnë një akt shumë të rëndë i cili mund të cënojë shenjtërinë që Zoti i ka dhënë edhe fetusit. Nga tradita islame kuptohet më së miri se është vullneti i Zotit që bën të mundur formësimin e njëpasnjëshëm të trajtave të ndryshme të fetusit dhe është po Zoti Ai që në instancë të fundit e pajis njeriun me shpirt, pas përmbylljes së fazave embrionale. Sakaq kuptohet se sipas traditave fetare aborti nuk mund të konsiderohet kurrsesi prerogativë e vendimmmarjes individuale të një njeriu, sa kohë që akti abortit cënon shenjtërinë e garantuar nga Zoti të qenies njerëzore.

Por a mos do të thotë kjo se arsyetimi që bën të mundur abortin cënon shenjtërinë e jetës? Edhe mundet, por duke qenë se legjitimimi i këtij akti vjen në shumicën dërrmuese të rasteve si pasojë e prioritizimit të shenjtërisë së përkufizuar qartësisht (Omar Suleiman, Islam and the Abortion Debate), qëllimi nuk është cënimi i shenjtërisë së jetës, por shmangia e cënimit të jetës së nënës. Pra p.sh. shenjtëria e nënës është e përkufizuar qartësisht, ndryshe nga foshnja që ende është i varur nga nëna për ekzistencën e vet.

Sa më sipër si qëndron raporti i abortit me nenin 2 të Konventës Europianë për të Drejtat e Njeriut? Sigurisht neni e përcakton qartë se nuk mund t’i merret jeta askujt, përvecse kur kemi të bëjmë me një vendim gjyqësor për të dënuar sipas ligjit një person i cili ka kryer një krim. Nisur nga kjo aborti duhet të përbëjë një shkelje të këtij neni vetëm në momentin kur fetusi konsiderohet një personalitet më vete. Pra derisa fetusi ende nuk është i zhvilluar materialisht si një entitet më vete, aborti nuk përben një shkelje të këtij neni. Afërmendsh fetusi nuk mund assesi të mendohet pa ekzistencën e nënës, pavarësisht mëtimit për ta dalluar atë në një stad të caktuar si personalitet më vete me karakterstika jo domosdoshmërisht si ato të nënës.

Megjithëse, përkundër kësaj pandashmërie të paktën në optikën tonë, mbërritja e një stadi të caktuar gjatë periudhës së shtatëzanisë tregon qartësisht për mundësinë e ekzistencës së një qenie njerëzore. Megjithatë edhe pse ka të dhëna se kur një qënie e re njerëzore fillon të marrë jetë (When do Human Beings Begin, Dianne N. Irving) sërish nuk ka konsensus midis shkencëtarëve se në cilin stad do të mund ta konsideronim këtë qënie njerëzore si plotësisht të aftë për një jetë më vete. Ndërkaq kuptohet se kur fetusi fillon të marrë trajtën e një qënie njerëzore, edhe neni 2 i KEDNJ-së ka gjasa që veprimin e abortit ta konsiderojë si një shkelje të këtij neni. Gjithsesi, çka është e rëndësishme të theksohet është fakti që edhe vetë shkenca e pranon mundësinë e ekzistencës së një qenieje njerëzore me tipare të dallueshme në një stad të caktuar të zhvillimit, pavarësisht përcaktimit në terma ngushtësisht materialë të stadeve zhvillimorë. Edhe pse shkenca e embrionologjisë na e jep mundësinë e qëmtimit të stadit përfaqësues të qenies njerëzore, sërish problemi abortit vazhdon të mbetet përsa kohë që akti i kryer nuk i përket të njëjtit domen me atë shkencor.

Qartësisht një akt përbën një qëndrim njerëzor dhe jo një pohim shkencor, ndaj dhe pështjellimi që krijohet në momentin e kryerjes së aktit nuk mund të davaritet nga pranimi pasiv i një pohimi neutral. Ndaj dhe lipset që akti të ngulfatet brenda një kuadri gjithëpërfshirës, me qëllim që faktet brutale të shkencës të mos shndërrohen në tiranë të pamëshirshëm përkundrejt fakteve dhe vlerave me natyrë jo-shkencore. Përskaj pohimeve shkencore, kjo nuk do të thotë se ne pajtohemi me abortin, përvecse në ato raste që përmendëm më sipër kur është domosdoshmërisht i nevojshëm. Pasi sipas nesh në thelbin e vet aborti përfaqëson një akt mësymës kundrejt ekzistencës së një qenieje tjetër, e cila për nga vetë natyra e saj nuk mund të delegjitimohe vetëm me pretendimin e një pale, sepse nuk kallëpizohet monopolisht vetëm prej saj. E mbyllur me një konstatim: “aborti është një sulm ndaj një jete të shenjtëruar, në një hapësirë të shenjtë, nga një dorë profane” (Hamza Yusuf, When does a human fetus become human).

Kevi MUÇLLARI

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP