web analytics

Të veçanta

Mbi Origjinën e Neoliberalizmit

Përktheu: Kevi MUÇLLARI

Autori: Ali Harfouch, marrë nga ummatics.org

Çfarë do të thotë të mendosh në mënyrë kritike në një epokë të dominuar nga hegjemonia neoliberale? A është e mundur të kemi vetëdije kritike në një epokë ku neoliberalizmi duket se paralajmëron “Fundin e Historisë”?1 Vetëdija kritike na imponon që të flasim për origjinën. Unë sugjeroj se origjina e neoliberalizmit është sekularizmi. Nuk mund të ketë një kritikë të plotë ndaj neoliberalizmit pa një vetëdije për themelet e tij. Për më tepër, unë sugjeroj se problemet e shkaktuara nga neoliberalizmi nuk mund të reduktohen në rrafshin ekonomik ose politik, por janë metafizike. Këtu është në rrezik vetë imazhi ynë për njeriun. Një shpjegim i origjinës metafizike të neoliberalizmit është gjithnjë e më i nevojshëm duke pasur parasysh se rendi neoliberal është i aftë t’i fshehë këto themele dhe ta paraqesë veten si pjesë të rendit natyror.

Çfarë është Neoliberalizmi?

Neoliberalizmi bazohet në idenë se tregu vepron në mënyrë të pavarur dhe është reflektim i një rendi natyror. Në librin e tij “Demonët e Neoliberalizmit”, Adam Kotsko e shpjegon neoliberalizmin duke gjurmuar origjinën e tij. Ai e dallon atë nga liberalizmi klasik ose ekonomiksi laissez-faire, i përhapur në Evropë në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Liberalizmi klasik thekson ndarjen mes politikës dhe ekonomisë, ose advokimin për minimizimin e ndërhyrjeve shtetërore në ekonomi. Megjithatë, pas Luftës së Parë Botërore kjo ndarje filloi të luhatet, teksa shteti duhej të ndërhynte për të adresuar ndikimet negative të një tregu të parregulluar, duke çuar në ngritjen e modeleve të demokracisë sociale si “Fordizmi”.2 Nga mesi i viteve 1970, modeli Fordist filloi të lëkundej, duke nxitur dy përgjigje kryesore: forcimin e shtetit të mirëqenies dhe përqafimin e neoliberalizmit.

Neoliberalizmi, I mbështetur fuqimisht nga figura si Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan, synonte jo vetëm të zvogëlonte ndërhyrjen shtetërore, por edhe të rimodelonte pushtetin shtetëror, institucionet dhe shoqërinë sipas parimeve të tregut. Kjo përfshinte krijimin e tregjeve të reja përmes privatizimit dhe zgjerimin e modelit të tregut konkurrues në sa më shumë domene të jetës, duke e shndërruar neoliberalizmin në një mënyrë jetese e cila përcaktohet nga supozimet e tij metafizike.3 Siç shpjegon Ëendy Broën, “logjika neoliberale e ndërfut modelin e tregut në të gjitha domenet dhe aktivitetet – madje edhe aty ku paraja nuk është relevante – dhe i konfiguron qeniet njerëzore ekskluzivisht si aktorë tregu, të cilët nuk janë asgjë tjetër përvecse homo oeconomicus.”4 Mund të themi, pra, se neoliberalizmi e aplikon modelin e tregut në të gjithë jetën shoqërore.

Homo Oeconomicus

Rezultati I një bote të mbërthyer nga hegjemonia neoliberale është një zot I ri, një “krijues i dytë” që rikrijon njeriun dhe botën sipas shëmbëlltyrës së vet. Kurani përdor termin al-ṭāghūt, që fjalë për fjalë do të thotë ai që shkel kufijtë. Al-ṭāghūt bazohet mbi iluzionin e vetëmjaftueshmërisë, njëjtë si miti I tregut të lirë: “Vërtet njeriu i tejkalon të gjitha kufijtë kur mendon se është i vetëmjaftueshëm”.5 Shumë prej ekzegjetëve klasikë e kanë interpretuar këtë vetëmjaftueshmëri si akumulim pasurie.

Ekonomizimi i qenies njerëzore implikon shfaqjen e një njeriu të ri, homo oeconomicus, i lindur nga një “besëlidhje” e re, një “rrëfim i padiskutueshëm përmes së cilit një popull vjen – ose më saktë, sjell veten – në ekzistencë”.6 “Lajmi I mirë” (në një kuptim të krishterë) përfaqësohet nga paraja e cila “zotëron dhe ofron një thesar ‘facilitetesh të mrekullueshme’”. Kulti i parasë, i atribuon “pushtet ontologjik parasë dhe sublimitet ekzistencial zotëruesve të saj” – dhe gjithçka, siç shpjegon Eugene McCarraher, merr vlerë nga “animizmi bosh i parasë”.7 Procesi i ekonomizimit (i sferave joekonomike) mund të lexohet si procesi i [rikrijimit]. Kësisoj, qenia njerëzore rikrijohet sipas imazhit të korporatës.

Sot, homo oeconomicus, megjithëse ruan disa aspekte të sipërmarrësizmit, është rimodeluar thellësisht si kapital human i financiarizuar: ai ka si projekt vetë-investimin në mënyra që rrisin vlerën e tij ose që tërheqin investitorë përmes vëmendjes së vazhdueshme ndaj nivelit të tij të kreditit, aktual ose potencial, duke e shtrirë këtë në çdo sferë të ekzistencës së tij.8

Aspektet Metafizike të Neoliberalizmit

Neoliberalizmi ka dalë nga gjiri I sekularizmit. Nëse do të flasim për një treg autonom është e nevojshme që bota të konceptohet si imanente. Ideja e një tregu autonom kërkon, para së gjithash, konceptimin e botës si një tërësi e izoluar në të cilën pushteti është imanentizuar. Kjo do të kërkonte jo eklipsimin e transcendencës (një gjë e tillë është e pamundur, do të sugjeronin disa), por zhvendosjen e saj, ose, më saktë, keqvendosjen e saj. Eric Voegelin shkruan:

Në këtë kontekst, cfarë ka ndodhur me themelet transcendente? Ato janë bërë, le të themi, imanente. Sigurisht, ne ende vazhdojmë hulumtimin e themeleve, duam të dimë prejardhjen e gjërave. Por meqenëse Zoti (në gjuhën e zbulesës) ose qenia hyjnore transcendente (në gjuhën filozofike) është e ndaluar për agnostikët, ata duhet t’I vendosin themelet diku tjetër.9

Sekularizmi modern inauguroi sovranitetin dhe transcendencën e botës si një tërësi mundësish. Me fjalë të tjera, shpikja e tregut si një hapësirë ​​autonome kërkonte që ne të shpiknim sekularen si një hapësirë. Sekularizmi lindi nga një botë gjithnjë e më e tjetërsuar nga Zoti. Mes atij kaosi ekzistencial, njeriut I duhej të krijonte për vete një kundër-botë jo vetëm të nënshtruar ndaj “racionalitetit dhe manipulueshmërisë, por edhe, më e rëndësishmja, dominimit”.10 Pushteti filloi të gjenerohej përmes imanentes, hapësirat duhej të simuloheshin (lexo: krijoheshin) dhe mundësitë e reja nisën të inaugurohen. Ajo që po sugjeroj është se sekularizmi siguroi bazat dhe horizontet metafizike të neoliberalizmit.

Tjetërsimi nga I cili është I rrethuar njeriu në një botë sekulare kthehet në hakmarrje. Neoliberalizmi krijon forma të reja të tjetërsimit ku njeriu i ri, homo oeconomicus, e gjen veten në një gjendje të pasigurt. “Një subjekt i kuptuar dhe I konstruktuar si human capital, si për veten e tij ashtu edhe për një kompani apo një shtet, është I ekspozuar vazhdimisht ndaj dështimit, padobisë dhe braktisjes, për shkak të mungesës së autonomisë në veprim, pavarësisht sesa I zoti dhe I përgjegjshëm mund të jetë.”11 Ëndrra e modernitetit për një njeri moralisht autonom zhduket brenda imagjinatës politike neoliberale, duke e reduktuar ëndrrën e Hans Blumenbergut për një njeri vetë-afirmues, në një human capital, i shqetësuar vetëm për “jetën biologjike”.12

Paradoksalisht, neoliberalizmi bëhet edhe shprehja e plotë e modernitetit edhe shkatërrimi I tij. Ali Shariati me të drejtë I ka diagnostikuar këto procese si istiḥmār, domethënë, mpirje.13 Ajo që Shariati nënkuptonte ishte se këto procese veprojnë si shpërqendrime, duke e larguar njeriun nga qëllimet e tij ekzistenciale dhe politike. Për Shariatin, njeriu është në thelb një homo politicus, i shqetësuar për ekzistencën kolektive të polisit dhe fatin e tij. Shqetësimet politike të njeriut nuk duhen kuptuar ndaraz prej shqetësimeve të tij ekzistenciale. Projekti ekzistencial i njeriut gjen shprehjen e tij më të plotë në hapësirën politike. Me fjalë të tjera, është hapësira ku aktiviteti intelektual (mendimi i kulluar) bëhet veprim real (praktikë). Kështu, tjetërsimi politik i njeriut është ekuivalent me tjetërsimin ekzistencial të tij. Ajo që duket si një problem ekonomik apo edhe politik, në fakt, është një problem metafizik dhe ekzistencial. Si e tillë, kriza e neoliberalizmit nuk është gjë tjetër veçse një krizë ekzistenciale.

Neoliberalizmi dhe Meta-Rendi

Deri më tani, kam argumentuar se origjina e neoliberalizmit është sekularizmi dhe aspektet e tij metafizike. Në vazhdën e argumentit, unë sugjeroj se neoliberalizmi dhe sekularizmi janë të bazuar në një meta-rend që Kurani e përshkruan si dunja. Kurani bën diferencimin midis dy orientimeve ekzistenciale në raport me botën: bota imanente – dunjaja – diversive (diversion), e mbyllur në vetvete (në dukje e vetëmjaftueshme), e shkëputur nga çdo lidhje me transcendenten, dhe ʿālem, e cila është e hapur dhe e lidhur pazgjidhshmërisht me transcendenten. Pretendimet e tregut për vetëmjaftueshmëri legjitimohen dhe racionalizohen përmes vetëmjaftueshmërisë iluzionale të dunjasë. Kundër-bota është ʿālam, që fjalë për fjalë do të thotë shenjë, e cila është një botë e hapur ndaj asaj që është përtej vetvetes (prania e Zotit). Në Kuran, dunjaja është një meta-rend që themelon dhe legjitimon të gjitha rendet materialiste. Kështu, dunjaja shërben si origjinë dhe meta-rend legjitimues i neoliberalizmit. Kjo, nga ana e saj, është ekuivalente me tjetërsim e vetes nga vetja primordiale, tjetërsimin e vetes nga Zoti dhe tjetërsimin e vetes nga bota. Për të kapërcyer tjetërsimin e shkaktuar nga neoliberalizmi, siç kam sugjeruar diku tjetër, nevojitet hic më tepër se një revoltë kundër botës, domethënë meta-rendit, dunjasë.14

Shenime

  1. Francis Fukuyama, The End of History and the Last Man (New York: Free Press, 1992).
  2. Fordism is a 20th century economic model that favored state regulation, social welfare, and collective bargaining through labor unions.
  3. Adam Kotsko, Neoliberalism’s Demons: On the Political Theology of Late Capital (Stanford: Stanford University Press, 2018), 3–6.
  4. Wendy Brown, Undoing the Demos: Neoliberalism’s Stealth Revolution (New York: Zone Book, 2015), 31.
  5. Qurʾan, 96:6–7, trans. M. A. S. Abdel Haleem.
  6. Eugene McCarraher, The Enchantments of Mammon: How Capitalism Became the Religion of Modernity (Cambridge: Harvard Press: 2019), 10.
  7. McCarraher, The Enchantments of Mammon, 5.
  8. Brown, Undoing the Demos, 32–33.
  9. Eric Voegelin, cited in Glenn Hughes, Transcendence and History: The Search for Ultimacy from Ancient Societies to Postmodernism (Columbia, Missouri: University of Missouri Press, 2003), 55.
  10. Joseph Albernaz and Kirill Chepurin, “The Sovereignty of the World: Towards a Political Theology of Modernity (After Blumenberg),” in Interrogating Modernity: Debates with Hans Blumenberg, eds. Agata Bielik-Robson and Daniel Whistler (Cham: Palgrave, 2020), 91.
  11. Brown, Undoing the Demos, 37.
  12. Agata Bielik-Robson and Daniel Whistler eds., Interrogating Modernity: Debates with Hans Blumenberg (Cham: Palgrave, 2020).
  13. More literally, it means to become donkey-like. See: Ali Shariati, Khūdʾāgāhī va Istiḥmār (n.d.).
  14. Ali Harfouch, “Islam: A Revolt Against the Meta-Order,” Ummatics, February 19, 2023 https://ummatics.org/political-theory/inventing-generation-m-the-umma-and-neoliberalism/.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP