web analytics

Të veçanta

Gjendja gjatë dhe pas virusit Korona sipas Ibrahim Kalin

    Ne po kalojme përtej një momenti ndryshimi të paradigmës. Historiani dhe filozofi i shkencës Thomas Crunde publikoi një libër vite më parë të quajtur “Revolucioni Shkencor”, ku identifikoi ndryshim të paradigmës dhe gjithashtu momentet e revolucionit. Kur brenda një sistemi ndodhin ndryshime të mëdha, disa pyetje mbeten pa pergjigje dhe këto na çojnë drejt disa vështirësive të cilat Crunde i cilësoi si ‘anomali’ dhe kur këto anomali janë të mëdha dhe mjaft të thella na çojnë në revolucion. Nëse gjendja që po kalojmë do të na dërgojë në një revolucion, kjo është diçka të cilës nuk mund t’i përgjigjemi. Gjithsesi, ajo çka mund të themi është se kjo situatë do të pasohet nga ndryshime radikale në sistemin siç e njohim deri tani, në konceptimet dhe kuptimet tona të globalizimit, sistemit ndërkombëtar (duke iu referuar sistemit ndërkombëtar të shtet-komb/ sistemi  Westphalian), shtetit, aktorëve jo shtetëror, korporatat ndërkombëtare, etj. Të gjithë aktorët do të kalojnë këto vështirësi dhe të gjithë do të dalim si agjentë (aktorë) të ndryshuar. Një ndër pikat më të rëndesishme në lidhje me këtë periudhë që po kalojmë është fakti që ka nxjerrë në pah disa nga problematikat e sistemit ndërkombëtar.

  • Një ndër efektet parësore të pandemisë Covid-19 ose virusit Korona ka qenë fakti që ka sheshuar hierarkinë politike dhe ekonomike të pothuajse 100 viteve të fundit. Ndarjet Perëndim-Lindje, Veri-Jug, vende të pasura-vende të varfëra, vende demokratike-vende jo-liberale, etj. janë vendosur të gjitha në pikëpyetje dhe janë kthyer në ndasi artificiale përpara kësaj pandemie. Të gjithë, tashmë ndihemi se askush nuk është i pavdekshëm dhe askush nuk është përjashtim ndaj këtij virusi që ka ulur në gjunjë të gjithë sistemin ndërkombëtar. Për ta kuptuar më mirë këtë fakt, mjafton të shohim se si disa shtete kanë arritur ta përballojnë më mirë pandeminë, dhe kjo nuk ka patur të bëjë aspak me gjendjen politiko-ekonomike, vendndodhjen gjeografike, etj. Të gjitha pozitat e marra të mirëqena mbi shumë shtete janë rrëzuar si pasojë e kësaj pandemie. (Në këtë pikë u përmend shembulli ironik se si disa shtete afrikane kanë ndaluar arritjen e udhëtimeve nga Europa si edhe rastin me dy mjekët francezë dhe deklaratave të tyre raciste mbi testimin e vaksinave në Afrikë). Këtu Ibrahim Kalin theksoi gjithashtu nevojën që liderët politikë, liderët e komuniteteve fetare, etj., duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të marrin përsipër që të manaxhojnë në mënyrë sa më të kujdesshme situatën në mënyrë që të mos përfundohet në një rrymë të re racizmi apo ksenofobie.
  • Institucione ndërkombëtare si Organizata e Kombeve te Bashkuara, OIC, BE, G20, duke përfshirë këtu edhe NATO si edhe shtetet dhe institutcione të tjera ndërkombëtare, do të jenë të përgjegjshme për mënyrën se si ato kanë reaguar ndaj kësaj pandemie. Sipas Kalin, pjesa më e madhe e institutcioneve të sipërpërmendura do të cilësohen si të dështuara në realizimin e përgjegjësive përkatëse. Kjo do të pasohet më tej nga një valë tjetër e vendosjes në pyetje të legjitimitetit të secilit prej këtyre institucioneve. Si pasojë e kërcënimit të kësaj pandemie, besimi në sistemin ndërkombëtar dhe principeve si liberalizmi, tregu i lirë, sistemi ndërkombetar i globalizuar etj, janë thyer. Kjo situatë është ndryshe nga kriza ekonomike e 2008 pasi ajo konsistonte vetëm në fushën e ekonomisë, gjithashtu me atë rast shtetet më të fuqishme dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare u bashkuan për të përballuar krizën ekonomike. Por në këtë rast, gjendja është ndryshe dhe do të na drejtojë drejt një krize legjitimiteti e cila  do të na shoqërojë për një kohë të gjatë. Shembulli më i prekshëm është BE, legjitimiteti i së cilës është vendosur në pyetje pasi presidenti i Këshillit të BE ka bërë thirrje për një plan Marshall të dytë në mënyrë që të shpëtojë ekonominë europiane dhe ekonominë botërore. Kur shtrojmë pyetjen nëse këto institucione do të jenë të afta të ruajnë legjitimitetin e tyre, përgjigjja varet nga sa të aftë do të jenë për t’i bërë ballë kësaj pandemie në periudhën e ardhshme.
  • Sistemi ndërkombëtar global liberal do të duhet të kalojë ndryshime radikale. Cilat do të jenë këto ndryshime dhe si do te arrihet të negociohet për ndryshimet që do të merren përsipër mbetet e panjohur. Sipas Kalin, ajo që do të shihet si rezultat do të jetë me shumë mundësi një pikturë mikse. Nuk do të jetë një revolucion madhor, por në disa drejtime ndryshimet do të jenë Nëse hedhim sytë mbi sistemin ndërkombëtar aktual, ai nuk është as global, as liberal as edhe një rregull (order siç tek international order). Këto elemente vërehen kur shikohet mungesa e disa prej shteteve të varfëra pa kontribut në sistemin ndërkombëtar (mospërfshirje), nuk është liberal kur shikojmë se si sistemi ndërkombëtar i ka shërbyer interesave të të pasurve pa patur ndikim pozitiv tek të varfërit dhe njerëzit në nevojë; kjo dallohet tek zmadhimi i diferencës ekonomike midis shteteve. Gjithashtu, nuk është një rregull ndërkombëtar, përkundrazi, ngjason më tepër me një sistem të udhëhequr nga babëzi dhe deshirë për përfitim (profit) dhe kjo vihet re sesi gjithçka bazohet mbi pasuri pavarësisht mbrojtjes së natyrës, kapaciteteve njerëzore për mirëkuptim, solidaritet, kreativitet, etj. Dhe këtu lind një tjetër pyetje filozofike sesi i gjithë ky sistem është bazuar në një pikëpamje atomike të universit, ku i gjithë universi është kthyer në copëza duke humbur kështu integritetin e tij dhe unitetin. Ky sistem është bazuar në një pikëpamje atomike të individit dhe shoqërisë, ku individi është konceptuar si një njësi e vogël, pa asnjë lidhje me krijimin (mënyra si trajtohet natyra) apo me qeniet e tjera njerëzore dhe kështu kjo pikëpamje e pakëson (zvogëlon) njeriun apo njerëzimin në konsumerizëm. Ashtu siç u tha edhe më sipër, nuk mund të bëhet një parashikim i saktë sesi gjendja do të jetë në të ardhmen, apo cilat do të jenë ndryshimet e reja, por është e nevojshme të tregohemi të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm në çdo moment për t’u përgatitur për situatën e re. Kështu, mund të themi që hipermoderniteti i vitit 2020, nuk ka arritur të na bëjë ne as më të sigurt, më të lirë apo më të lumtur. Prandaj mund të themi që këto pyetje filozofike do të luajnë një rol të rëndësishëm mbi ndryshimet që do të vijnë.
  • Kostoja e kësaj pandemie është përllogaritur të jetë afërsisht 3-4 trilion (trillion) dollarë të ekonomisë ndërkombëtare. Si pasojë e kësaj, viti 2020 do të cilësohet si vit i humbur, në kuptimin e një viti me tkurrje ekonomike botërore dhe arrihet të shihet një lloj përmirësimi apo normalizimi të situatës vetëm gjate gjysmes së dytë të vitit 2021 dhe 2022. Kur kujtojmë pandeminë SARS të vitit 2003, impakti në ekonomi ishte afërsisht 40 miliard (billion) dollar. Kjo do të thotë që kompanitë dhe ekonomitë e mëdha do të humbasin në sasi të mëdha dhe pjesa e mbetur do të humbasë sasi përkatëse bazuar në madhësine e tyre, efiçencën dhe masa të tjera sigurie që do të ndermarrin. Financiarisht nuk do të ketë as fitues as humbës të qartë. Një ndër pyetjet që diskutohen në këtë situate është nëse Kina do të arrijë të dalë mbi SHBA pas kësaj pandemie, ndërsa, sipas Kalin, nuk mund të ketë një përgjigjje definitive të kësaj pyetje. Këto pyetje lindin edhe për eurozonën, por pyetja në këtë rast është më e vështirë për t’u përllogaritur si pasojë e faktorëve të tjerë si: të qenit e ndarë në shumë shtete, solidariteti që mund të arrihet, apo edhe koherenca e Bashkimit Europian. Në fakt, ajo çka tregon më shumë mbi vështirësitë që po kalon BE është vetë kërkesa për një plan Marshall të dytë, por, bazuar në problemet ekonomike që vetë SHBA po kalon, mund të shihet një mungesë gatishmërie nga ana e SHBA. Një tjetër pyetje që lind këtu është edhe nëse ky plan Marshall i dytë do të ofrohet nga shteti kinez ose jo. Ajo çka mund të kuptohet deri tani është vetëm fakti që do të jetë e nevojshme që të gjithë aktorët të bashkëveprojnë me qëllim që të arrihet të kalohet kjo situatë.
  • Përgjigja apo masat që shtetet do të marrin ndaj pandemisë do të ngrejë edhe një herë pyetjen midis fuqisë (power) dhe legjitimitetit. Këtu legjtimiteti i një fuqie vjen nga efiçenca apo efikasiteti për të arritur të realizojë përgjegjësitë që i takojnë. Po të shihet situata e tanishme, duket qartë se disa qeveri nuk i ndërmorrën masat në momentin e duhur dhe arritën të veprojnë vetëm kur ishte shumë vonë dhe tani do të paguajnë për mungesën e efiçencës; këtu përfshihen mbingarkesa e sistemit shëndëtesor, humbjet e jetëve, mungesa e pajisjeve mjekësore si edhe do të shihet ndikimi në votim. Prandaj mund të themi që shumë qeveri do të hasin pasoja të mëdha në këtë aspekt. Diçka përtej kësaj është fakti se disa shtete rezultojnë të jenë totalisht të papërgatitura në infrastruktura bazike në sistemin shëndetësor, në sigurinë cyber, dhe ne aspekte të tjera. Ajo çka do të dëftojë mënyrën sebsi kjo pandemi do të ndikojë do të shihet nga efiçenca dhe efikasiteti i masave të ndërmarra nga qeveritë. Kjo gjithashtu do të ndikojë në konceptimin që kemi mbi sigurinë (safety & security) dhe mënyra se si kjo lidhet me lirinë (freedom & liberty) e njerëzve.
  • Ajo çka po ndodh tani në botë do të ndryshojë konceptin apo kuptimin që ne kemi mbi sigurinë. Dhe një herë do të shihet problemi i sipërpërmendur i dilemës midis lirisë dhe sigurisë (freedom vs. security). Shumë njerëz po kthehen tek shtetet dhe tek institucionet publike për të arritur që të marrin mbrojtjen e duhur nga kjo pandemi nëpërmjet masave të ndryshme siç është karantinimi, etj. Edhe në këtë pikë do të lindë edhe një herë pyetja se sa jemi ne të gatshëm të japim nga liria jonë për sigurinë tonë. Gjithashtu fakti që një armik i padukshem arrin të sjellë në gjunjë sistemin ndërkombëtar dhe që siguria të arrijë të kushtojë kaq shumë, do të nxisë më shumë njerëzit që të drejtojnë vëmendjen drejt sigurisë. Ndër efektet që do të shihen në nivelin afatshkurtër më vonë do të jenë populizmi, petit-nationalizmi, autoriterianizmi, etj. Gjithsesi, historia siç dihet do të ketë efektin e balancimit që do të sjellë rritjen e kërkesave për më shumë të drejta dhe liberalizëm. Kështu që e njëjta pyetje midis lirisë dhe sigurisë do të vazhdojë.

    Një aspekt i rëndesishëm i këtij diskutimi është ai mbi sasinë e teknologjisë që do të lejohet të ndikojë në jetët tona (shembulli i Koresë së Jugut dhe Izraelit që përdorin aplikacione telefonike për të mbikqyrur lëvizjet e njerëzve që janë të infektuar ose që kanë qenë në kontakt me njerëz të prekur nga virusi). I gjithë diskutimi mbi privatësinë dhe informacionin e kontrolluar nga qeveria është mënjanuar për momentin si pasojë e këtij rreziku më të madh, e ngjashme me konceptin e Foucault mbi “shoqërine mbikqyrëse/ e mbikqyrur” (survellience society). Ajo çka është ndryshe këtu është fakti se si njerëzit janë të gatshëm të japin prej privatësisë dhe informacionit personal me qëllim që t’i ruhen një rreziku më të madh, por në pikëpamje afatgjatë kjo do të ridiskutohet (shembulli i shitjeve të armëve në SHBA i cili është në rritje shumë të madhe bazuar në argumentin që njerezve do t’u nevojitet të mbrojnë veten e tyre pasi shteti nuk do të arrijë të ofrojë mbrojtje, ose argumenti që njerëzit armatosen si pasojë që shteti ka filluar të ndërhyjë shumë në jetët personale, aq sa individi kërkon të mbrohet nga mbi-ndërhyrja e shtetit). Lidhur me pyetjen nëse është detyrimisht e nevojshme që të dhurohet prej lirive në mënyrë që të arrihet një siguri më e lartë, Kalin argumentoi që jo (duhet ritheksuar se diskutimi është shumë i hershëm, dhe argumentimi vjen në kontekstin në të cilin ne jetojmë). Sipas tij, të gjitha konceptet e tjera marrin kuptim vetëm në bazë të lirisë, pasi në mungesë të saj vetë kuptimi i njeriut apo njerëzimit humbet. Prandaj nevojitet të arrihet një e mesme e artë midis këtyre dy elementëve. Ashtu sikurse argumenti Taoist, nevojitet të luftojmë monstrën pa u kthyer në një monstër. Nevojitet të arrihet një zgjidhje në mënyrë sa më njerëzore, të arrihet një zgjidhje pa perfituar prej situatës. Një nder pikat që Kalin theksoi këtu është vetë pohimi se asnjë nga ne nuk është i sigurt për aq kohë sa të gjithë ne nuk jemi të sigurt. Për këtë arsye, siguria për të gjithë është e nevojshme për të arritur sigurinë për çdo individ.

  • Tre aspekte do të jenë të një rëndësie shumë të lartë në këtë periudhë, duke përfshirë: sigurinë bio, sigurinë cyber dhe sigurine ushqimore. Edhe pse duken shumë të qarta për momentin, efekti që këto aspekte do të luajne do të jetë shumë i madh. Ajo çka është e dukshme është nevoja për të alokuar më shumë burime në këto aspekte. Është e qartë tashmë se sa e rëndësishme është bio-siguria (ashtu sikurse edhe shumë personalitete si Bill Gates kanë theksuar që luftrat e së ardhmes do të luftohen nëpërmjet agjentëve biologjikë). Nëse kjo pandemi ishte laboratorisht e prodhuar dhe e shpërndarë më pas tek njerezit, nuk do të dihet kurrë. Ajo çka arrijmë të kuptojmë është kapaciteti dhe aftësia që disa aktorë kanë për të prodhuar agjentë të tillë biologjik. Prandaj nevojitet të rritet kujdesi ndaj bio-teknologjisë. Teknologjitë e reja bioteknologjike mund të jenë një bekim, por po ashtu edhe një mallkim, prandaj nevojitet që çështja e sigurisë të shihet nga shumë aspekte si shëndetesore, ekonomike, morale, shoqerore, etj. Siguria cyber (cyber security) është gjithashtu shumë e nevojshme për linjat logjistike, por nevojitet të arrihet një llogaritje midis përfitimeve dhe kostove të kësaj teknologjie (kosto këtu i referohet edhe elementeve shoqërore si mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit). Edhe elementi i sigurisë ushqimore mbetet shumë i rëndësishëm mbi atë se me çfarë ne ushqehemi dhe se si ne e aksesojmë ushqimin.

    Përfundim: Si pasojë e sfidës dhe kërcënimit që kjo pandemi po shfaq, globalizimi do të kalojë ndryshime të mëdha. Nuk do të jetë fundi direkt i globalizimit, por vetë ideja ose ndarja që dikush ose eshte globalist ose asgjë do të vijë drejt fundit (zero-sum globalization). Ajo çka do të lind do të jetë një rivalitet midis disa formave të ndryshme fuqie. Dhe ky globalizim apo internacionalizëm do të balancohet nga dy fuqi madhore: shtet-kombe të cilat do të shohin një ringritje sërish dhe neo-nacionalizëm të formave të ndryshme. Duke iu referuar pyetjes se cili do të rezultojë fitues dhe humbës i kësaj sfide, është e dukshme që në përfundim do të kemi një pikturë mikse, që do të thotë se nuk do të ketë fitues total apo humbës total (të gjithë edhe do të humbin diçka edhe do të fitojnë diçka tjetër). Por, ata të cilet do të veprojnë me zgjurarsi dhe vizion do të arrijnë të rezultojnë në gjendje më të mirë. Kjo nuk është më koha e peshkut të madh që ha peshkun e vogël. Përkundrazi, është koha e peshkut të zgjuar që arrin të gjejë si të navigojë përmes rrymave të turbulluara. Pavarësisht përmasave ekonomike, ushtarake, etj, e gjitha është çështje e aftësive zhvillimore për të përballuar krizat që na vijnë përpara, bazuar në idenë e Arnold Toynbee të mekanizmit ‘sfidë dhe përgjigjje (reagim/ response)’, ku ajo çka e bën një komunitet të lulëzojë është aftësia e këtij komuniteti për të përballur sfidat. Edhe pse të gjithë faktorët e tjerë ndikojnë në kapacitetin në tërësi të komuniteteve, ajo çka vlen në fund është aftësia e këtyre komuniteteve për të përballuar sfidat që has. Do të mbetet për t’u parë se si shtete dhe shoqëri të ndryshme do të arrijnë te përballin këtë pandemi si një sfidë të  re. Tani nuk jemi më në kohën e efektit ‘top-deborë’ (snowball effect), ku deri diku arrihet të matet sfida që shoqëritë do të përballin. Përkundrazi, tani jemi në kohën e efektit ‘flutur’ ku një incident i vogël në një cep të botës mund të arrijë të krijojë një problematikë të madhe në një vend tjetër (një rrahje flatrash së nje fluture në oqean që rrjedhimisht krijon një cunam në një vend tjetër të botës). Bazuar në pohimin se priten ndryshime radikale në sistemin politik kombëtar dhe ndërkombëtar, e vetmja gjë që mund të cilësohet si e pritshme është fakti që shtetet do t’iu japin përparësi interesave nacionale (national interest). Por e gjitha kjo do të varet nga mënyra se si do të definohet koncepti i interesave nacionale (në dimensionet e ngushtësisë, thellësisë, gjerësisë, përfshirjes, etj.). Ajo çka do të shihet në muajt e ardhshëm është një periudhë distopie. Ndërkohë që utopiëe janë shumë të rëndësishme për të ëndërruar, distopia është po aq e rëndesishme për një rizgjim. Edhe pse nuk është e mundur që të arrihet një konkluzion mbi situatën që do të vijë, alternativat kryesore janë: ose një situatë në të cilën shtetet apo shoqërite do të ndodhen më pranë njëra-tjetres, ose do të ketë ndarje më të mëdha midis shoqërive. Në një periudhë ku çdo gjë është e tepruar (over/ overspeeding, overconsuming, etc.), ndoshta është e nevojshme që të ngadalësojmë pak për të menduar dhe reflektuar më shumë mbi situatën në të cilën do të gjendemi në të ardhmen.

Ibrahim Kalin

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP