Përgëzim pranveror
Një fije qetësie, lumturie, paqeje, përjetësie, në një pafundësi shijimi i të gjelbrës së re. Njeriu me çdo shqisë dhe kapacitet të ofruar brenda një përkohshmërie, përpiqet të shtrijë përjetësinë në çdo fragment dhe ndjesi, për ta pasur dhe shijuar edhe kur nuk është.
Pranvera na ofron aq shumë ndjesi të tilla, paqeje, qetësie, lumturie, kënaqje shqisash nga ngjyrat e bukura që fillojnë të shkrihen me njëra tjetrën në deçkat e pemëve, në lëndinat e pashkelura dhe të çrregullta që çdo piktor është në kërkim e asnjë nuk e arrin. Në aromat e freskëta që shpojnë gjoksin tejpërtej dhe ftojnë të këndojnë zogjtë, të lodrojnë bletët, të gurgullojë ëmbëlsisht uji i lumit sikur të mos kishte rrjedhë asnjëherë aty.
E duam pranverën për të gjitha këto, dhe të gjitha ekzistojnë edhe jashtë pranvere. Lulet, ngjyrat, aromat, këngët e zogjve, pemët e gjelbëruara. Dhe e veçanta qëndron te e reja që ofron pranvera. Çdo ndjesi e saj na fton ta shijojmë sikur të ishte për herë të parë, dhe po ashtu sikur brenda nesh gjithmonë ta kemi ditur që kjo është e bukura, kjo është e paqta, kjo është e përjetëshmja. Po, një e përjetëshme e re plot, pa të lodhur asnjëherë nga ofertat e saj, të shkurta në kohë dhe të gjata në përjetim.
Vjen ky përjetim si një sihariq për shpirtin, si një premtim për të, se për aq kohë që ekziston kuptimi i kësaj të reje të përjetëshme, ekziston edhe vendi ku mund të qëndrojmë përjetësisht për ta shijuar. Një vend në përkohshmërinë e të gjelbrës së re të pranverës dhe në përjetësinë e shpirtit.
Kalon kohë dhe ngjyrat e ëmbla, qoftë edhe pak të zbehta ndonjëherë, që përziheshin aq hyjnësisht me njëra tjetrën, këngët e zogjve flladet e lehta, na bëhen aq normale, dhe ne e humbasim interesin ndaj tyre dhe po ashtu vëmendjen te e vërteta, se e reja ndodhet brenda tyre, se premtimi për të shijuar ndjesitë e përjetëshme është te koha dhe kuptimi i tyre. Dhe kështu njeriu e harron këtë të vërtetë që shpirti të mos kënaqet me të pavërtetat e shqisave, por të jetojë me të vërtetat e kuptimeve.
Redi Goroveci
Komente