web analytics

Të veçanta

Ngritja e amerikanit brutal

Nga: Anne Aplebaum

Kështu veprojnë djemtë e këqij.

Një festival libri në Vilnius, takime me miqtë në Varshavë, një darkë në Berlin: Ditët e fundit kam qenë në disa tubime në tre qytete evropiane, dhe kudo që kam shkuar, të gjithë donin të flisnin për ngjarjen në Zyrën Ovale të premten e kaluar. Evropianëve u duhej pak kohë për ta përpunuar këtë ngjarje, jo vetëm për shkak të asaj që u tha për luftën në Ukrainë, por edhe për shkak të asaj që i’u transmetoi atyre për Amerikën, një vend që ata mendonin se e njihnin mirë.

Në vetëm pak minuta, sjellja e Donald Trump dhe J. D. Vance krijoi një stereotip krejt të ri për Amerikën: jo amerikanin e qetë, jo amerikanin e shëmtuar, por amerikanin brutal. Çfarëdo iluzionesh që evropianët kanë pasur për amerikanët – çfarëdo imazhi i krijuar nga filmat e vjetër amerikanë, ku gjithmonë fitojnë djemtë e mirë, humbasin të këqijtë dhe nderi prevalon ndaj tradhtisë – tashmë janë shkatërruar. Çfarëdo kujtimesh të bukura që mund të na kenë ngelur nga GI-të e qeshur që marshuan në qytetet evropiane në vitin 1945, nga fjalimet që John F. Kennedy dhe Ronald Reagan mbajtën në Murin e Berlinit, ose nga turmat që dikur mirëpritën Barack Obamën, të gjitha këto po shuhen shpejt.

Pavarësisht politikës së tyre, Trump dhe Vance janë të vrazhdë. Ata janë mizorë. Ata e qortuan dhe keqtrajtuan një të ftuar para kamerave, dhe më pas u mburrën për këtë, sikur kjo sjellje e shëmtuar të përfaqësonte një lloj “fitoreje” maço. Ata njoftuan se do të ndalonin transferimet e pajisjeve ushtarake në Ukrainë dhe lanë të kuptohet se do t’i jepnin fund sanksioneve ndaj Rusisë, shtetit agresor. Në fjalimin e tij në Kongres, Trump deklaroi edhe një herë se Amerika do të “marrë” Grenlandën, e cila është pjesë e Danimarkës – një shenjë që tregon se ai synon shpërfilljen e aleatëve të tjerë.

Këto nuk janë veprime të djemve të mirë që na përcillen përmes filmave të vjetër Hollivudianë, por të djemve të këqij. Nëse Reagan ishte një kauboj me kapele të bardhë, Trump dhe Vance janë si bosët e mafias. Kori i liderëve politikë republikanë që i mbrojnë ata, duket sa i keq aq edhe befasues për evropianët. “Nuk e kisha menduar kurrë se amerikanët do të përkuleshin në atë formë,” më tha një mik i habitur.

Takimi në Zyrën Ovale, deklaratat pasuese dhe fjalimi në Kongres qartësuan edhe diçka tjetër: Trump, Vance dhe shumë nga njerëzit përreth tyre duket se jetojnë në një realitet tërësisht alternativ, një realitet i përbërë tërësisht nga gjërat që shohin dhe dëgjojnë në eter. Një pjesë e përplasjes në Zyrën Ovale u provokua nga këmbëngulja e Zelensky për të thënë të vërtetën, siç tregohet qartë nga videoja e plotë. Gabimi i tij ishte që vuri në dukje se Rusia dhe Ukraina kanë arritur disa armëpushime dhe kanë bërë shumë marrëveshje që nga viti 2014, dhe se Vladimir Putin i ka thyer shumicën e tyre, përfshirë edhe gjatë mandatit të parë të Trump.

Është pikërisht mosrespektimi i armëpushimeve të mëparshme që i bën ukrainasit të pyesin vazhdimisht se çfarë ndodh pas një tjetër armëpushimi, si planifikon Trump t’a parandalojë Putinin nga mosthyerja e armëpushimit, mbi të gjitha, çfarë çmimi janë të gatshëm të paguajnë rusët për paqen në Ukrainë. A do të heqin dorë nga pretendimet për territorin që nuk e kontrollojnë? A do ta pranojnë që Ukraina mund të jetë një demokraci sovrane?

Por Trump dhe Vance nuk janë të interesuar për të vërtetën rreth luftës në Ukrainë. Trump dukej i zemëruar nga sugjerimi se Putini mund të prishte marrëveshjet edhe me të, ai refuzoi të pranonte se kjo kishte ndodhur edhe më parë, duke këmbëngulur gabimisht, përsëri, se SHBA i kishte dhënë Ukrainës 350 miliardë dollarë. Vance – i cili kishte refuzuar një takim me Zelensky kur i ishte ofruar mundësia para zgjedhjeve vitin e kaluar – i tha presidentit ukrainas se nuk kishte nevojë të shkonte në Ukrainë për të kuptuar se çfarë po ndodh në vendin e tij: “Faktikisht i kam parë dhe ndjekur me vëmendje historitë”, tha ai, që do të thotë se ai ka parë “historitë” e kuruara për të nga njerëzit që ai ndjek në YouTube ose X.

Evropianët mund të shquajnë gjithashtu se ky realitet alternativ është formësuar drejtpërdrejt dhe thellësisht nga propaganda ruse. Nuk e di nëse presidenti amerikan i përvetëson narrativat ruse nga interneti, nga përfaqësuesit apo nga vetë Putini. Sido që të jetë, ai dhe Vance kanë adoptuar plotësisht pikëpamjen ruse për botën. Kjo nuk është diçka e re. Në vitin 2016, në kulmin e fushatës zgjedhore, Trump vazhdimisht tregonte histori të rreme lëshuar nga agjencia ruse e lajmeve Sputnik, duke deklaruar se Hillary Clinton dhe Obama kishin “themeluar ISIS” ose se “Google po censuronte lajmet negative për Hillary Clinton”. Në të njëjtën kohë, Trump imitoi bisedat ruse të cilat i faturonin veprimeve të Hillary Klintonit Luftën e Tretë Botërore, një tjetër meme ruse. Ai prodhoi një version të vetin në Zyrën Ovale të premten. “Ju jeni duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore. Ju jeni duke luajtur bixhoz me Luftën e Tretë Botërore,” i bërtiti ai Zelenskyt.

Mirëpo, ajo që ishte ogurzezë në 2016 është e rrezikshme në 2025, veçanërisht në Evropë. Agresioni ushtarak rus është më i dëmshëm, sabotimet ruse në Evropë më të shpeshta dhe sulmet kibernetike ruse pothuajse të vazhdueshme. Në të vërtetë, është Putini, jo Zelensky, ai që e filloi këtë konflikt, është Putini ai që solli trupat e Koresë së Veriut dhe dronët iranianë në Evropë, është Putini ai që udhëzon propaganduesit e tij të flasin për sulmin bërthamor ndaj Londrës, është Putini ai që vazhdon intensifikimin e aksionit dhe zgjerimin e luftës. Shumica e evropianëve jetojnë në këtë realitet, jo në botën imagjinare në të cilën banon Trump, dhe ky kontrast po i bën ata të mendojnë ndryshe për amerikanët. Sipas sondazheve, gati tre të katërtat e francezëve aktualisht mendojnë se SHBA-ja nuk është aleate e Francës. Një shumicë në Britani dhe një shumicë edhe më e madhe në Danimarkë, të dyja vende historikisht pro-amerikane, momentalisht kanë pikëpamje të pafavorshme për SHBA-në.

Faktikisht, rusët nuk kanë bërë asnjë deklarim publik lidhur me largimin nga territori ukrainas apo me ndalimin e luftës. Në realitet, dekadën e fundit ata e kanë kaluar duke ndërtuar një kult mizorie në shtëpinë e vet. Sot ata e kanë eksportuar atë kult jo vetëm në Evropë, jo vetëm në Afrikë, por edhe në Uashington. Administrata Trump anuloi papritmas miliarda dollarë ndihma ushqimore dhe programe të kujdesit shëndetësor për njerëzit më të varfër në planet, një akt brutal i cili nuk është pranuar si i tillë nga presidenti dhe zv/presidenti, por që miliona njerëz mund ta shohin. Përdorimi i tarifave si ndëshkim aksidental, jo ​​për armiqtë, por për aleatët, duket jo thjesht brutal, por i pashpjegueshëm.

Në Zyrën Ovale, Trump dhe Vance u sollën si sundimtarë perandorakë që ndëshkojnë një koloni të nënshtruar, duke shprehur të njëjtën neveri dhe përbuzje që propaganduesit rusë përdorin kur flasin për Ukrainën. Evropianët e dinë, të gjithë e dinë, se nëse Trump dhe Vance mund të flasin në këtë mënyrë me presidentin e Ukrainës, atëherë ata përfundimisht mund të flasin në të njëjtën mënyrë edhe me udhëheqësit e vendeve të tyre.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP