web analytics

Të veçanta

Bindja ndaj autoritetit dhe Holokausti si fytyra tjetër potenciale e modernitetit

Një lexim mbi “Moderniteti dhe Holokausti” i Bauman.

Bindja ndaj autoritetit dhe Holokausti si fytyra tjetër potenciale e modernitetit.

“…propozojmë që Holokausti të trajtohet si një provë e rrallë e megjithatë e besueshme dhe domethënëse, për mundësitë e fshehura të shoqërisë moderne.”

Zygmunt Bauman

Holokausti i kuptuar si një fenomen thellësisht i rrënjosur në natyrën e modernitetit, na ofron një mundësi për të hedhur dritë mbi njeriun, bindjen ndaj autoritetit dhe procesit qytetërues. Kuptimi i këtij të fundit përcakton se në aspektin moral të njerëzimt, ai lind nga barbaria para-qytetërimore drejt qytetërimit i orientuar nga arsyeja. Portretizimit të historisë si proces i zhdukjes së dhunës nga jeta e përditshme dhe projektimit të shoqërisë nga shteti modern dhe politikave të duhura për zgjidhjen e problematikave njerëzore. Rrjedhimisht Holokausti kuptohet si dështim i qytetërimit për të ndaluar prirjet patologjike që njeriut i ka mbetur nga natyra, duke lënë në harresë mundësinë që Holokausti të analizohet si fenomen që e solli pikërisht projektimi politik dhe racionaliteti teknik i qytetërimit modern.

Bauman në veprën e tij parashtron tezën se Holokausti nuk është një kundërtezë e qytetërimit modern dhe e asaj që ai përfaqëson por produkt i një fytyre tjetër të shoqërisë moderne. Dhe frikën se progresi i shoqërisë moderne ka brenda vetes edhe fytyrën tjetër të saj, të cilën e shfaqi me Holokaustin. Çdo mekanizëm me të cilin u vu në zbatim “Zgjidhja përfundimtare”[1], si potenciali industrial, kopetencat teknologjike dhe një administratë rigoroze burokratike ishin në të njëjtën linjë me gjithçka që dimë për qytetërimin tonë.

Holokausti duket i pa mundshëm pa qytetërimin modern dhe arritjet e saj teknologjike. Mbi të gjitha do kishte qenë i pamendueshëm pa arritjet organizative të shoqërise burokratike, ishte ky aparat i madh burokratik i cili procedoi me përpikmëri projektin e nazistëve dhe respektimin e ligjit. Duke na kujtuar se sa formale dhe e verbër moralisht është rendja burokratike pas efikasitetit dhe se ishte kjo kulturë burokratike e cila shërbeu për të realizuar masakrën e njeriut ndaj njeriut duke pezulluar moralitetin dhe duke e vetëshprehur atë në bindjen kundrejt autoritetit. “Mësimi më tronditës që nxjerrim nga analizat e “rrugës me dredha të Holokaustit” është se zgjedhja e shfarosjes fizike si mjet i duhur për qëllimin e Entfernung-ut ishte produkt i procedurave rutinore burokratike: vlerësim i raportit qëllim-mjet, balancim i buxhetit, zbatim universal i rregullave.”[2]

Çështja që shtrohet është se fenomene si Holokausti janë të lidhura jo rastësisht me kapacitetin e burokracisë moderne e cila bën të mundur bashkërendimin e veprimit të një grupi individësh me parimin më të lartë moral ktë të fundit, për të ndjekur çdo synim qoftë edhe imoral. Dhe në përgjithësi me frymën qytetërimore te modernizmit që e projekton shoqërinë si një objekt për t’u administruar dhe si natyrë që duhet rikrijuar dhe përmirësuar sipas trajtës së planifikuar, duket se krijohet edhe atmosferën e volitshme për një ngjarje si e Holokaustit. Megjithatë hamendësimi këtu është se racionaliteti instrumental e ka të pamundur parandalimin e këtyre dukurive dhe jo pretendimi se Holokausti u përcaktua nga burokracia moderne dhe kultura e racionalitetit instrumental.

Indiferenca dhe padukshmëria morale

“është i nevojshëm vlerësimi i faktit se procesi qytetërues midis të tjerash është edhe një proces i zhveshjes së përdorimit të dhunës nga gjykimet morale dhe çlirimit të kritereve të racionalitetit prej ndërhyrjes së normave etike apo frenimeve morale.”

Zygmunt Bauman

Si u shëndërruan disa njerëz të zakonshëm në kriminelë dhe ekzekutorë të vrasjeve masive? Opinioni i përgjithshëm i shoqërisë moderne dhe racionale mbi vlerësimin moral si i jashtëm ndaj veprimit, i vendosur nga kritere prej atyre që e orintojnë dhe i japin trajtën veprimit na hap rrugën ndrejt interpretimit të bindjes ndaj autoritetit perkundër urdhërave monstruoze. E thënë në mënyrë cinike ishte një nga argumentet që u përdor në mbrojtje të ushtarëve nazist që kishin kryer masakra mbi njerëz të tjerë. Sipas kuptimit sociologjik institucionet përgjegjëse për Holokaustin nuk ishin patologjike dhe jonormale, por veprimet e tyre ishin të bashkërenduara sipas modeleve normale të veprimit racional modern. Administrata burokratike që planifikonte dhe vendoste në veprim planin për pastrimin e Europës nga hebrenjtë funksiononte sipas modeleve racionale moderne. Problemi që shfaqej dhe përballeshin ekzekutorët ishte si të kapërcehej mëshira instiktive që prek të gjithë njerëzit normalë kur shohin vuajtjen fizike të tjetrit. Duke i’u rikthyer dhe një herë pyetjes së parashtruar më lart, sipas Herbert C. Kelman, frenimet morale ndaj veprimeve të dhunshme zhduken kur plotësohen tre kushte: kur dhuna autorizohet nga urdhëra të ligjshëm zyrtarë, kur bëhen rutinë falë përcaktimit të saktë të roleve, pikërisht këta dy kushte të para janë paraqitur dhe më lart përmes parimeve të veprimeve racionalë në institucionet përfaqësuese të shoqërisë moderne. Dhe e treta kur viktimat e dhunës janë çnjerëzuar falë indoktrinimit ideologjik.

Parimi i parë nënkupton gatishmërinë për të shuar identitetin e individit dhe flijimin e interesave personal për tu identifikuar tërësisht me organizatën. Kjo disiplinë organizative përcakton zbatimin e urdhërave të eprorëve mbi çdo përkushtim tjetër. Gatishmëria për të flijuar identitetin dhe simpatitë personale dhe bindja ndaj autoritetit artikulohet si virtyti më i lartë moral i cili është i destinuar të fshijë çdo lidhje tjetër morale. Arendt e interpretoi një arsyetim të tillë gjatë gjyqit të Eichmann-it, si shpërfytyrim të imperativit kategorik të Kantit, ku në vend të autonomisë individuale për t’ia nënshtruar maksimën subjektive ligjit universal si forma objektivizuese e një norme morale, shpërfytyrohet të mbështesë nënshtrimin burokratik. “Vepro sikur parimi i veprimit tënd të ishte i njëjtë me atë të ligjëvënësit apo ligjit në vendin tënd.”  Kështu çlegjitimohen të gjitha normat morale, veç atyre që burojnë nga brenda organizatës, dhe rrjedhimisht mohimi i përgjegjësisë vetjake kthehet në virtytin më të lartë moral. “Bindja vetëmohuese e këtij virtyti moral paraqitet, sipas thënies së famshme të Veberit, si nderi i punonjësit civil: Nderi i punonjësit civil qëndron tek aftësia e tij për të kryer me vetëdije urdhrin e autoriteteve eprore, saktësisht sikur urdhri të ishte në pajtim me bindjet vetjake. Kjo gjë është e vërtetë edhe nëse urdhri atij i duket i gabuar edhe nese, pavarësisht nga bjerrja e ndërgjegjes e punonjësit civil, autoriteti këmbëngul në urdhrin e dhënë.”[3]

[1] Plan-projekti nazist për spastrimin e hebrenjve nga territoret naziste

[2] Bauman. Z, “Moderniteti dhe Holokausti”, sh.b. Pika pa sipërfaqe 2015, fq 39

[3] Bauman. Z, “Moderniteti dhe Holokausti”, sh.b. Pika pa sipërfaqe 2015, fq 46

Rigers Balliu

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP