Opozita dhe Zgjedhjet
Nga Kevi Muçllari
Rezultati i zgjedhjeve është zhgënjyes, por jo i papritur. Skenari më optimist i projektuar nga opozita ishte mosarritja e 71 mandateve nga pozita. Nën zë skenari tjetër ishte që do ndërhyjnë amerikanët në favorin tonë dhe ne do fitojmë pushtetin. Pra, skenaret në të gjitha rastet ishin pothuajse fataliste. Sigurisht, ne nuk mund të lëmë pa përmendur faktin që pushteti aktual e ka perfeksionuar sistemin e patronazhimit (çka është legjitime, përveçse kur përfshihet administrata), dhe ka krijuar një gjendje ku pushteti përdor pothuajse të gjitha mekanizmat në dispozicion pa u shqetësuar nga pushtetet e tjera. Të gjitha këto janë të vërteta, aq sa ç’është e vërtetë se opozita ishte krejtësisht e vetëdijshme për realitetin në fjalë. Pyetja themelore që ngrihet këtu nuk është për të legjitimuar ose jo realitetin e mësipërm (përsa që nuk kemi dyshime se kështu është), por për të kuptuar se çfarë opsionesh na mbeten brenda këtij realiteti?
Fill mbas numërimit një nga analistët që mbron pikëpamjen se opozita nuk mund t’i fitojë zgjedhjet sepse Edi Rama i ka blerë tashmë, shkruante se pushteti aktual nuk fitoi ngaqë ne nuk kemi opozitë, por sepse nuk kemi demokraci (Andi Bushati, Pse u rrit Rama, Lapsi.al). Ripërsëritje bajate e të njëjtit argument, duke riprodhuar një skemë vicioze e cila konstaton me përpikmëri realitetin, por nuk lejon që të adresohen siç duhet përgjegjësitë. Konstatimi i realitetit është hapi i parë për të dalë nga qerthulli ku gjendemi, por është e papranueshme që këtë gjendje ta përdorësh si alibi për të legjitimuar njerëz dhe metoda të njëjta. Në vazhdën e argumentit (i cili mbrohet edhe nga shumë të tjerë), pretendohet se regjimi nuk mund të mposhtet me mjetet legjitime të sistemit, duke detyruar një logjikë atipike lidhur me opozitën. Në këto kushte, opozita paraqitet si i vetmi pol i pamposhtur nga regjimi, por një pol i cili gjithsesi nuk e ka aftësinë që të mposhtë pushtetin aktual. Kësisoj, opozita është e përligjur në fatkeqësinë e saj, meqënëse pjesa dërrmuese e shoqërisë është nënshtruar tashmë. Mirëpo, teksa opozita imponohet si e panënshtruar, ajo harron se krijimi i këtij perceptimi (nuk e besoj plotësisht si realitet) është në disfavorin e saj. Ngase, kjo gjendje prodhon njëfarë armiqësie me të gjitha grupet e tjera shoqërore dhe ç’është më e rëndësishmja krijon antagonizëm me shoqërinë në përgjithësi.
Nëse shoqëria dhe grupet e tjera shihen me dyshim, atëherë opozita është e detyruar që të ruajë narrativën dhe pozicionin e vet, duke i faturuar vetes gjendjen e pastërtisë morale. Në momentin që opozita i delegon vetes këtë të drejtë, ajo kategorizon imoralisht të gjithë shoqërinë dhe purifikon vetveten, pa e kuptuar se ky është thelbi i gjithë betejës së saj. Thelbi nuk qëndron tek purifikimi arbitrar i vetes, përkundrazi thelbi është tek imoraliteti që shoqëria (ose një pjesë e grupeve shoqërore) sheh tek opozita dhe tek përcaktimet që ajo synon të vendosë. Është pikërisht kjo logjikë e cila denatyron opozitën, përsa që betejën morale e ka shndërruar në prerogativë të saj, por jo si përfaqësuese ekskluzive e moralit por si pretendente përjashtuese e tij. Kështu, opozita ka rënë pre e një kurthi të vetëkrijuar, duke qenë se betejën morale që ia detyron shoqërisë dhe duhet t’ia impononte shoqëria, ajo e ka shndërruar në kartë ekskluziviste të saj dhe e përdor si anatemë ndaj shoqërisë.
Pretendimi i ekskluzivitetit tregon një fakt shumë të rëndësishëm (të cilin me hir ose me pahir e pranon edhe vetë opozita), morali duket se prevalon si i vetmi faktor që mund të garantojë legjitmitetin e çdo përpjekje për ndryshim. Mirëpo, në vend se të kemi një përbrendësim substancial të tij, kemi të bëjmë me një përthithje sipërfaqësore, e cila shërben vetëm si lustrim për të fshehur mungesën e tij. Kësodore, megjithëse morali arrin të ruajë vlefshmërinë pothuajse ekskluziviste, ai nuk shërben si forca transformuese që do të siguronte vetëbesim dhe pëlqim. Pa interiorizimin e tij, ai shndërrohet në një kartë arbitrare, e cila përdoret si armë kundër të tjerëve. Kushti themelor i moralit braktiset në emër të një përfaqësimi aspak real. Në pamundësi të trupëzimit të moralit (çka përbën kushtin themelor të tij), opozita tenton të shpërfaqë imoralitetin e të tjerëve, me qëllim që të shmangë kategorizminin që të tjerët (ose shoqëria) mund t’i atribuojnë asaj.
Sakaq, kjo nuk do të thotë që e gjithë shoqëria është e kulluar moralisht dhe se për opozitën mjafton të shndërrohet në një valvul shprehëse të aspiratave morale të shoqërisë. Assesi, gjasat janë që e kundërta të jetë e vërtetë. Pra, duke qenë se edhe shoqëria në përgjithësi nuk e përmbush kushtin themelor të moralit, përballemi me problemin e përcaktimit të entitetit themelor që duhet të thyejë rrethin vicioz. Cili është ky rreth vicioz? Kush duhet ta nisë ndryshimin në terma politikë (megjithëse teza mund të shtrihet edhe në terma të përgjithshëm). Duke qënë se shoqëria për nga natyra synon inercinë, pra ruajtjen e statusquosë (Rudian Zekthi, Si ndryshon gjendja e një populli), atëherë ngelet që opozita të shndërrohet në polin më moral të saj, me qëllim që ta ftojë shoqërinë drejt aspiratave madhore. A nuk është bash kjo ajo që pretendon edhe kreu aktual i saj z. Sali Berisha?! Vazhdimisht, ai përmend se ne jemi misionarë dhe nuk na ndal asgjë derisa të arrijmë qëllimin tonë. E gjitha kjo tregon diçka shumë të rëndësishme – evokimi i misionarizmit shpërfaq moralitetin e përpjekjeve dhe indikon gjendjen e përgjithshme e cila mund të ndryshohet vetëm nga njerëz që e bartin në thelbin e tyre misionin. Përsa kohë misionarizmi sendërtohet si një shqetësim ekzistencial për gjendjen e përgjithshme të shoqërisë, derti i misionarëve nuk konfigurohet në terma sasiorë. Padyshim, synimi themelor është ndryshimi i gjendjes së përgjithshme e cila shprehet në terma praktikë, por kjo jo domosdoshmërisht rezulton në shpërblimin me pushtet të misionarëve. Çka do të thotë se opozita përveçse duhet të përfaqësohet moralisht, duhet që edhe të tregojë sinqeritetin e përpjekjeve të saj.
Paraqitja e opozitës me të njëjtët emra (të paktën në masë dërrmuese) nuk tregon predispozicion për t’iu qasur gjëndjes me ndershmëri dhe vërtetësi. Më tepër (në gjykimin tonë) kemi të bëjmë me ruajtje të statusquo-së, duke shpërfillur (ndoshta edhe qëllimisht) implikimet që duhet të impononte pretendimi i misionarizmit. Kësisoj, opozita detyrohet të gjallojë brenda një paradoksi. Nga njëra anë e pranon se gjendja aktuale imponon trupëzimin e moralit dhe misionarizmit (kjo nga vetë deklaratat e Berishës) dhe nga ana tjetër përligj një narrativë e cila nuk e sheh moralin si mjetin ekskluzivist në përballjen me regjimin. Përkundrazi, kjo narrativë e justifikon gjendjen e tanishme të opozitës me pandershmërinë dhe represionin që ushtron pushteti. Është pikërisht kjo e fundit e cila duhet të impononte trupëzimin e moralit dhe ta bënte të qartë se pushteti nuk ka për t’u bërë më dashamirës. Opozita ka vetëm një rrugë të fitojë mendjet dhe zemrat e njerëzve, dhe për më tepër të vetëdijësohet njehërë e mirë (kjo si pasojë e pushtetit aktual) se kjo rrugë nuk garanton pushtetin. Ama kjo rrugë garanton legjitimitetin e saj, i cili mund të jetë edhe hapi i parë për të fituar betejën brenda shpisë. Fill mbas kësaj i lind e drejta që Amerika ta sjellë në pushtet.
Komente