web analytics

Të veçanta

Përkujtim…

E keni vënë re që çdo gjë në natyrë ndjek një rregull, një cikël, një ligjësi, përsërit vetveten? Pak a shumë këtij rregulli natyror i nënshtrohet edhe njeriu, pjesë përbërëse e qenies së të cilit ka hise edhe natyra, materia apo në doni ta thjeshtojmë dheu. Po edhe njeriu ndjek apo detyrohet ta bastisë lirinë e vet me shtërngime, kufizime, diktime dhe afeksione të natyrës, qofshin këto të brendshme apo të jashtme, sidoqoftë brenda funsionimit fiziologjik, por edhe mendor apo psikologjik. Për shembull, nëse shikoni Diellin, yllin e sistemit planetar ku bën pjesë planeti ynë, ai ruan po të njëjtën energji potenciale, duke shpërfaqur natyrën e tij funksionale si ndriçues dhe ngrohës apo edhe anën estetike, me format, përmasat e dallueshme, të veçanta, në hapsirë dhe kohë të ndryshme, por, prapseprapë me një dinamikë dhe fenomenologji pak a shumë të përkufizueshme, të parashikueshme, pa dalë kurrsesi jashtë sferës së rregullave të ciklit jetësor që është i destinuar të ketë. Kështu, në distancë të përcaktuar, vende të ndryshme të botës në një moment ndiçohen dhe ngrohen jo njësoj, dielli prezanton njëkohësisht i dukshëm dhe i fshehur, madje në kohë të ndryshme edhe këto vendet e caktuara, nuk përjetojnë asnjëherë të njëjtin “diell”, sepse këtu vazhimisht ndërliksen edhe elemente dhe ngjarje të tjera të njëkohshme , sikurse retë, kushtet atmosferike, “dora” ç’ekuilibruese e njeriut etj; e pastaj stinët që përbëjnë një ndryshim të dallueshëm në fazat e matshme të ciklit.

Po njeriu? Edhe njeriu jeton përgjatë ditëve të përcaktuara brenda një cikli të përllogaritur dhe të standartizuar në kohë dhe hapësirë nga vetë ai, sepse edhe njeriu lind dhe perëndon, ndrit dhe errëson, ndërron stinë, madje përgjatë një dite shfaq fytyra të ndryshme, sikurse dielli. Herë e mbulojnë retë e trishtimit, herë stuhitë e zemërimit, rebeshët e ngashërimit, herë është i kthjellët si nata, herë përvëlues si mesdita. Po edhe njeriu ka fazat e tij të ngjashme. Fazat e njeriut përngjasojnë më shumë me atë të hënës. Lind, rritet, arrin kulmin (pjekurinë), pastaj cikli merr “tatëpjetën” sërish, e afrohet më afër pikënisjes, por në anën tjetër (vdes), pra e hap dhe mbyll ciklin sikurse hëna. Madje njeriu ashtu si hëna, funksionin dhe qëllimin e tij e realizon në sajë të “përfaqësimit”, ose reflekimit të një energjie burimore. Hëna huazon, merr “dhuratë” nga dielli që të reflektojë dritë , edhe njeriu i tillë është, patjetër do i nevojitet të marrë, të huazojë diku, që të përfaqësojë diçka, të reflektojë atë që merr. Por logjika e njeriut në liri dhe zgjedhje është tjetër. Kjo i përngjason yjeve, ku secili në vetvete është një “Diell”, me përmasa dhe përmbajtje të ndryshme nga tjetri, më shumë në formë se në përmbajtje, sepse edhe njerëzit janë të një sojì, sikurse diejtë janë yje, ku secili zgjedh të funksionojë i pavarur nga tjetri. Yjet janë shumë, por vetëm një numër i kufizuar dhe i përcaktuar i tyre “krijon” dhe realizon prezencën e vet në galaksi, si pjesë e një “konstelacioni”, duke përmbushur misionin e tij vetëaktualizues në Kozmos.

Disa yje mbajnë rreth vetes planetë, orientojnë, organizojnë, të tjerë edhe pse larg orientojnë të tjerë. Por yjet i bashkon një gjë. Ato vazhdimisht lëvizin, humbasin dhe ne fund shuhen. Çështja është sa do të shërbejnë në realizimin e qëllimit, për sa kohë janë aty edhe kur të mos duken apo deri sa të transferohen diku tjetër apo (fare) të zhduken… Por, njeriu nuk është vetëm yll, diell, hënë. Njeriu është kozmos. Një kozmos i gjallë në dy Universe. Në qenien e tij dhe në qenien e tij brenda në gjithësi. E çka di njeriu për këto botë?! Mjafton të përkujtojë e të përmendet…

Ibrahim Xhepmetaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP