Kosova – kompromis për hatër të mikut të madh
Takimi i krerëve të qeverive të Kosovës dhe Serbisë në zyrat e Shtëpisë së Bardhë, nën diregjimin e presidentit të SHBA-së bëri bujë jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe me gjerë, duke u cilësuar si një arritje shumë e madhe edhe nga ana e vetë presidentit Trump.
Ajo çka akoma diskutohet është fakti nëse Kosova humbi apo fitoi nga marrëveshja që nënshkroi me Serbinë nën dirigjimin e presidentit Trump. Një nga mëyrat e zgjidhjes së konflikteve është negociimi me palën tjetër, duke rënë në dakordësi në disa pika, e në fund të gjitha palët ngelen të kënaqura. Logjikisht kjo të shpie në idenë se nuk mund të fitosh 100% të kërkesa që ke, por duhet të hysh në bisedime me kërkesa maksimale, në mënyrë që të përfitosh një pjesë të tyre gjatë negociatave.
Nga ana e shtetit të Kosovës, pika më maksimale që kërkohet të arrihet është të ketë njohje ndërkombëtare si shtet, përfshirë këtu edhe njohjen e Serbisë. Kjo pikë duhet të jetë e para në listën e një morie të madhe gjërash që mund të diskutohen në një tryezë, e cila konsiston në dialogun Kosovë- Serbi. Çuditërisht kjo pjesë as nuk u përmend fare nga ana e përfaqësuesve të Kosovës në atë takim në Ëashington. Me të drejtë mund të thuhet që marrëveshja kishte karakter ekonomik, pra nuk ishte e karakterit politik, prandaj nuk mund të ishte çështja e njohjes si një ndër pikat për diskutim. Teorikisht kjo është e vërtetë, sepse në një tryezë ekonomike diskutohen vetëm aspektet që prekin zhvillim ekonomik të vendeve. Por pyetja që lind pasi u publikua marrëveshja, është se pse duhej të ishte pjesë e marrëveshjes fakti që Kosova për një periudhë kohe duhet të ndalojë lobimin e saj në organizatat ndërkombëtare për ta njohur si shtet? Nëse lobimi për njohje është njëra anë e medaljes, ana tjetër është ndalimi i lobimit. Pra pse njëra ana pranohet, ndërsa tjetra jo?
Kundërargumenti për këtë mund të jetë fakti që edhe Serbia duhet të mos lobojë për një vit për të mos u njohur Kosova, por parë në këtë perspektivë, shtetit serb kjo lloj marrëveshjeje i intereson edhe sikur të bëhet jo për 1, por për 100 vjet, sepse një vendim i tillë vetëm se do të mbante në vend- numëro çështjen e njohjes së shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Pika tjetër kishte të bënte me përdorimin e liqenit të Ujmanit nga ana e të dy palëve, pasi ti bëhet një studim fizibiliteti nga ekpertët amerikanë. Sigurisht që studimi i fizibilitetit nuk sjell asgjë të keqe, sidomos kur do të jetë nën mbikqyrjen e ekspertëve amerikanë, që njihen për profesionalizmin e tyre në këto fusha kërkimi. Pikëpyetja e madhe është se pse duhet që të rinegociohet përdorimi i këtij liqeni? Shumica e sipërfaqes së Ujmanit është nën territorin e shtetit të Kosovës, vetëm një pjesë e vogël i takon Serbisë. Ky liqen përdoret nga shteti i Kosovës për të prodhuar energji elektrike me të cilat plotëson nevojat e popullsisë, dhe pa këtë shfrytëzim, Kosova nuk mundet ta përballojë kërkesën e popullsisë për energji elektrike, ndaj do i duhet domosdoshmërisht të importojë. Liqeni i Ujmanit nuk ka qenë asnjëherë pjesë e takimeve dypalëshe, u fut si pikë në këtë takim. Arsyeja është se nëse Kosova do të jetë e detyruar të blejë energji elektrike, nuk mund të mbështet vetëm tek shteti Shqiptar, por do i duhet të importojë edhe nga Serbia. Pra shteti serb do të mund ti shesë Kosovës energji elektrike, të cilën do ta prodhojë nga uji i një liqeni, që i përket vetë Kosovës.
Ndër pikat e tjera të marrëveshjes është respektimi i vlerave fetare të dy vendeve, por me një shtesë interesante, që ka të bëjë me repsektimin e vendimeve rreth kishës ortodokse serbe. Pra në pikë përfshihet vetëm kisha serbe.
Sigurisht që mbeten në diskutim edhe ideja e krijimit të një hekurudhe mes dy vendeve, e cila në fund do të lidhet me një pjesë në detin Adriatik. Ndër vendet e Ballkanit që nuk ka dalje në det është edhe Serbia. Në momentin që krijohet një zonë e lirë ekonomike me anë të minishengenit, të gjithë mallrat serbë do të kalojnë në Kosova pa iu nënshtruar taksave doganore, e rrjedhimisht do të jenë të gatshme të shiten në vende të ndryshme të botës nëpërmjet rrugëve detare. Pra Serbia në këtë aspekt përfiton dalje në det, pa qenë nevoja të ketë det.
Në përfundim mund të themi që nga kjo marrëveshje, përveçse anës ekonomike, Serbia arrit një fitore të rëndësishme, ku për një vit Kosova nuk mund të lobojë për njohjen e saj si shtet. Nga ana tjetër, në një vend të vogël si Kosova, ku faktori amerikan ka qenë vendimtar edhe për shpalljen e pavarësisë, çdo marrëveshje që kryhet nën hijen e SHBA-së konsiderohet si sukses, duke përdor idenë se shteti amerikan është shumë i interesuar për gjendjen e Kosovës dhe se gjendet pranë saj në çdo moment. Nga ana e tij Trump e përdori si mos më mirë këtë fakt, në një moment kur zgjedhjet për president në Amerikë janë shumë afër. Ai doli më figurën e një politikani që shqetësohet për paqen në botë, bën çfarë është e mundur për ta përkrahur paqen, e me ndihmën e tij, siguroi një shtet më shumë që e njeh Kosovën, siç ishte Izraeli, që sigurisht përfitimet e këtij të fundit ishte shumë herë më të mëdha. Kosova do të hapë ambasadën e saj pikërisht në Jeruzalem, duke i shkuar pas SHBA-së në këtë rrugë për ta bërë Jeruzalemin qendër të Izraelit, gjë që shkaktoi shumë polemika pak kohë më parë, duke u diskutuar edhe në OKB.
Po ashtu, vetë presidenca e SHBA-së ka pasur përplasje me krerët e Bashkimit Europian, dhe ulja në tryezë e të dy faktorëve, ishte një tregues force për këta të fundit, për të kuptuar se SHBA-ja akoma vazhdon të jetë faktori kryesor në arenën ndërkombëtare dhe është shumë hapa Europës.
Zakonisht një letër zyrtare, e firmosur nga dy shtete, ka në përbërjen e saj stemat e republikës së shteteve respektive, më firmat e udhëheqësve në fund. Në rastin e ndërmjetësimit edhe firma e atij që është ndërmjetësues. Asnjëra nga këto nuk u pa në rastin e kësaj marrëveshjeje. U firmosën dy letra të ndryshme, me nga një firmë të secilit kryeministër. Kjo shton akoma më shumë faktin që Serbia e përdor këtë fakt për të treguar faktin që nuk e njeh shtetin e Kosovës, pasi nuk i pranon simbolet kombëtare në një marrëveshje dypalëshe. Si mund të zbatohet një marrëveshje e tillë, kur njëra palë nuk pranon palën tjetër? E për më tepër nuk ka asnjë garanci nga organi ndërmjetësues që kjo marrëveshje do të zbatohet, pasi nuk figuron askund firma e presidentit amerikan, dhe fare mirë, në një të ardhme ky dokument mund të konsiderohet vetëm si një marrëveshje morale mes vendeve dhe jo si një dokument faktik, zyrtar e që duhet zbatuar.
N’skaj
Komente