“Rreze lumturie në errësirë”
Natë e ethshme. Hordhi mendimesh mbytëse…Ndjenja kacafytëse…Pse qenkan kaq të vështira këto punë? Me kaq lëngim do t’i presim të mirat, finalizimet, dashuritë?! E kur të vijë … një shije zhgënjyese do na mbesë. Kështu ndodh me të gjitha ngjarjet e shumë dëshiruara, të shumëkërkuara. Unë për vete kam frikë nga pritjet. E njëkohësisht nuk i shmangem dot vuajtjeve nga mendimet për to. Nuk i mënjanoj dot. I tillë jam gatuar. Më i ndjeshëm se pjesa dërrmuese. Ose kështu të paktën më duket mua. Mbase tjerët kanë vuajtur para meje dhe…unë një ditë do bëhem i ftohtë si ata. Sa trishtuese! Po dhe kjo natë do kalojë, si të tjerat. Dhe sa netë…ditë. Kjo më mërzit. Regjja. Pse duhet vazhdimisht të regjemi derisa të mësojmë? A mjafton jeta për t’i mësuar të gjitha në këtë mënyrë?! Jo. Duhet kërkuar një formulë më efikase. Jo për të pakësuar vuajtjet, se këto s’do mundemi ndonjëherë ta bëjmë, por për të përmirësuar kontrollin në përjetimin e tyre. Kush do të tregohet më luftaraku, më këmbëngulësi ose më i mençuri?! Të gjithë do vuajmë. Po jo njësoj. Jo për të njëjtat gjëra. Shumë do kalojnë nëpër të njëjtat sprova, por asnjëri sdo i përjetojë e kalojë njësoj. Atëherë kush është matësi i suksesit ndaj tyre?! As objektivisht se llogarit dot, as subjektivisht se mat dot. As ti vetë se përcakton dot. Sepse nuk e krahason në mënyrë kategorike veten me të tjerët, se as nuk i njeh të tjerët as problemet e tyre. Edhe veten bashkë me problemet e tua i njeh pjesërisht. Atëherë cila është zgjidhja?! Pranimi i realitetit dhe bashkëveprimi me efikasitet me të, gjithnjë e më shumë…Po çështja është te lumturia..? Nëse do vuakemi gjithnjë duke u përballur me sfida të reja, probleme të reja, në fushëbeteja të reja, ende zgjidhur apo pa zgjidhur të vjetrat, si do e arrikemi paqen, qetësinë, rehatinë në këtë botë? E pamundur..! Oh sa e trishtë! Ta thashë! Prano realitetin gjithnjë e më shumë! Në fillim njihu me të, me të vërtetat e pandryshueshme. Ti sdo e arrish kurrë lumturinë në këtë botë. Absolutisht jo. Relativisht po, mbase…Mbase momente lumturie në vazhdimësi, konstante, pasi të kesh gjetur përgjigjen kyçe të të gjitha të vërtetave madhore dhe të kesh harmonizuar mes tyre në ekuilibër mes shpirtit, trupit dhe mendjes, së brendshmes tënde me të jashtmen, botës së përjetimeve dhe përjetimeve të botës. Ose mes fakteve dhe përjetimeve, mes mendimeve dhe ndienjave si dhe fenomeneve e ngjarjeve kozmike. Uff… Ja tani më duket se e harrova vuajtjen. Nejse. E di që pastaj do e harroj edhe çfarë shkrova…
Ibrahim Xhepmetaj
Komente