web analytics

Të veçanta

Refuzimi i Opozitës

REFUZIMI I OPOZITËS

Nga: Kevi MUÇLLARI

Aktualisht politika shqiptare ndodhet në një situate kaotike, të paqartë, të paktën krahu opozitar. Në vazhdimësi kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve që krijojnë konfuzion të rënduar në kampin e opozitës. Prezenca e ngjarjeve të tilla (si p.sh. kaosi në parlament, arrrestimi i liderit të saj, bashkimi i opozitës, çështja Beleri etj) ka ndikuar në paqartësinë e saj lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur, sa kohë që edhe këto ngjarje janë po ashtu pjesë (ose produkt) i konfuzionit që ka kapluar opozitën. Duke qenë se këto ngjarje ushtrojnë jehonë publike, opozitës i duhet minimalisht që të shprehë një qëndrim paekuivok përmes të cilit të mund të fitojë kredibilitet publik. Megjithëse opozita është munduar të paraqesë një qëndrim unanim (duke i mëshuar idesë se përpjekjet bëhen ose në emër të demokracisë ose të interesit kombëtar), në mungesë të vërtetësisë së plotë ajo nuk ka mundur dot ta imponojë si të vërtetë të pranueshme (nënvizojmë të pranueshme dhe jo të vetme, sepse kjo është beteja e saj).

Pamundësia e imponimit në publik mjegullon përpjekjen e saj dhe rrezikon që këto ngjarje t’i paraqesë si stimul të sajin për të vërtetuar pagjasshmërinë aktuale të një imponimi normal. Teksa publiku duket i painteresuar, del në pah se opozita po përmbytet nga ngjarje që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se miratojnë degradimin e aspiratave të saj. Preokupimi me ngjarje që parimisht nuk i shqetësojnë të gjithë njerëzit, e mbërthen opozitën brenda një logjike mbijetese (e mbarsur me thirrje demokracie) përmes së cilës jo vetëm që marxhinalizohet përpjekja e saj por edhe çimentohet pamundësia për të prodhuar ngjarje relevante për të gjithë njerëzit. Ndërkohë që shton orvatjet për konfigurim brenda sistemit, opozita duket se ka harruar angazhimin themelor që i duhet të ndërmarrë në kushtet e një mosbesimi të thellë ndaj saj.

Terreni aktual politik përveçse është i paqartë për opozitën (paqartësi e cila përgjithësisht është produkt i brendshëm i saj), padëshirueshmërisht rëndohet edhe nga tentativa e qeverisë për të krijuar (ndoshta është krijuar) një ambient politik të pakonturuar nga rregullat e përbashkëta. Gjendje kjo e cila në kushtet e mosbesimit ndaj opozitës nuk e referon qartësisht përgjegjësin, por më tepër shkakton një zallamahi pretendimesh shfajësuese. Kështu opozita e gjendur përballë pafuqisë për t’iu imponuar qeverisë në sistem, vazhdimisht justifikohet se kriza e saj është rezultat i manipulimit që qeveria i bën sistemit dhe rregullave të tij. Megjithëse është evidente se qeveria në mënyrë të përsëritur ka dëshmuar gatishmëri për t’u sjellë si padrone e sistemit, sërish është e pamundur që ajo të mund të shmangë plotësisht opozitën. Kësisoj qeveria qëllimisht duket se krijon kriza sistemike me qëllim që të mbajë të mberthyer opozitën, por njëkohësisht të mund të kontaminojë gjendjen politike, çka do t’i mundësojë që të ekskluzivizojë çështjet e sistemit në kurriz të aspiratave që presin të trupëzohen.

Përderisa kauza e opozitës është reduktuar tek konfigurimi brenda sistemit, do të ishte e paarsyeshme të pritej një sjellje ndryshe e qeverisë (asi i qeverisë duket të jetë ky). Por po aq e paarsyeshme është këmbëngulja e opozitës në këtë drejtim, sa kohë që fitoret brenda sistemit nuk garantojnë fitoren e zemrave të njerëzve. Gabimi themelor i opozitës (nëse mund ta quajmë gabim) është pikërisht pretendimi se mund të krijojë gravitacion ndaj saj, pa konsideruar seriozisht situatën e përgjithshme të shoqërisë shqiptare. Nëse në logjikën e saj do të mbizotërojnë përpjekjet irrelevante horizontalisht, atëherë opozita është e destinuar që të kufizohet në një narrativë (ose gjendje) konspiracioniste. Kësodore, e mpleksur brenda kësaj logjike jo edhe aq normale opozita është e detyruar që të mohojë dy të vërteta themelore dhe njëkohshmërisht të pohojë gjëndjen fatkeqe të saj.

Së pari pretendimet e saj se regjimi aktual (siç quhet rëndom) po minon themelet e demokracisë dhe po synon shkatërrimin përfundimtar të opozitës, legjitimojnë fuqimisht pohimin e gjendjes fatkeqe, përsa kohë që ekzistenca e opozitës në sistem konsiderohet akute për funksionimin e tij. Prej këtej pohimi i vetvetes bëhet imperativ, pavarësisht se në një gjendje jo të dëshirueshme, por megjithatë të domosdoshme për të shpëtuar demokracinë. Sakaq kjo gjendje çon dëshpërimisht tek mohimi i realitetit konkret në shoqërinë tonë dhe tek mohimi me arrogancë i konsumimit të tejskajshëm të figurave kryesore opzitare. Këmbëngulja e opozitës për të pohuar njëfarë të vërtete të pjesshme (pasi nuk e dijmë me siguri nëse opozita mund të shkatërrohet vetëm nga përpjekjet e qeverisë apo edhe nga entropia e saj) edhe pse mund të shërbejë si katalizator i bindjes (së rrejshme) për të vazhduar “misionin” e saj, nuk ka gjasa që të bindë më shumë sesa një grup të vogël brenda radhëve të opozitës. Duke u parcelizuar, opozita praktikisht bllokon edhe mundësitë për të pasur prurje të reja, meqënëse prurjet duhet të jenë të tilla vetëm si ambalazh, por jo si substancë. Në masën që opozita detyron një të vërtetë të vlefshme pothuasje vetëm për atë, nuk ka gjasa për flukse të reja që do të mishërojnë të vërtetat e domosdoshme që imponon realiteti. Ndoshta kjo shpjegon faktin se pse hapja e opozitës (e cila u proklamua me të madhe në fillesat e rithemelimit) rezultoi më tepër si rikthim – rikthimi i atyre që ishin larguar vetë ose ishin përjashtuar nga Basha – sesa si rigjenerim. Paçka se rikthimi i disa figurave kyçe të së shkuarës krijoi njëfarë fryme brenda grupit, gabimisht u mendua (nënvizojmë paqëllimshmërinë e gabimeve, çka mund të jetë ose jo e vërtetë) se energjia e prodhuar do të ishte e mjaftueshme për të tërhequr mbas vetes shumicën e shoqërisë.

Për më tepër që fryma e krijuar u sendërtua më tepër si indinjatë ndaj drejtimit të Bashës sesa si besim i sinqertë ndaj Berishës dhe njerëzve afër tij, çka përveçse tregon një gabim trashanik në përllogaritje shpërfaq gjithashtu edhe artificialitetin e frymës. Përderisa fryma e krijuar u bazua tek demaskimi i Bashës, nuk mund të pritej që ajo të zgjaste, pasi fill pas kësaj nevojitej transferimi i saj tek bartësit e tjerë dhe përhapja tek polet e ndryshme të shoqërisë. Në pamundësi të përfaqësimit dinjitoz të frymës dhe kauzës, opozita u detyrua të vetëizolohej dhe të rifokusohej sërish tëk Basha, me qëllim që të ruante të paprekur pretendimin e saj dhe kështu të afirmohej mbi bazën e artificialitetit që kishte gatuar.

Për më tepër opozita dhe lideri i saj në vazhdim të logjikës së mësipërme, u orvatën që kryefjalë të ligjerimit të tyre të bënin evokimin e së shkuarës (thirrjet e vazhdueshme lidhur me qeverisjen e mëparshme të PD-së) dhe maskimin e burimit real të entuziazmit që kaploi për njëfarë kohe militantët ose simpatizantët e saj. E gjithë kjo afërmendsh që nuk mund të prodhonte vlim në shoqëri, pasi si evokimi i së shkuarës si entuziazmi momental nuk u përdorën si momente reflektimi, por si mjete legjitimuese të një kauze pa potencial aktual dhe pa burimet e nevojshme që do ta bartnin peshën e saj në shoqëri. Kësodore, përdorimi i artificialitetit të brendshëm (me artificialitet këtu kuptojmë mohimin e së vërtetës dhe mungesën e sinqeritetit) për të prodhuar një narrativë që do të përkapte realitetin e jashtëm, rezultoi në një hipokrizi të dyfishtë. Së pari mohohej (me naivitet ose pandershmëri) historia e afërme e opozitës dhe afirmohej me nuanca lavdie vetëdijësimi mbi prroçkën e kryer.

Dhe, së dyti, në shpërfillje të plotë të sentimenteve shoqërore (por edhe realitetit konkret) përballja me realitetin e jashtëm u sendërtua mbi pretendimin se pa opozitën rrezikohej një gjendje edhe më e rëndë. Dukshëm ratifikohet pozicioni artificial i opozitës, përsa kohë realiteti nuk lejohej të ndërhynte brenda strukturës që po ngrihej dhe përderisa opozita e konsideronte realitetin të manipuluar njëanshmërisht (duke mos pranuar përgjegjësinë e saj për këtë gjendje). Kështu, pra, realiteti më së pari reduktohet së jashtmi dhe e vërteta që synohet të përhapet ngërthehet brenda suazave të mohimit kategorik të gjendjes së vërtetë të opozitës.

Ndërkaq, mohimi i tillë nuk mund të lejojë pohimin e plotë të realitetit dhe të vërtetës së tij, sepse mjafton bindja e gjithëpërhapur se opozita është pjesë dhe bashkëautore e tij. Në një situatë të tillë opozita nuk e ka luksin të shfaqet si viktimë dhe as nuk duhet të synojë vazhdueshmërinë e gjendjes së pasinqeritetit. Përmes deklarimit të të vërtetave të pjesshme nuk mund të pritet që të ndërtohet besimi i rrënuar keqazi tek njerëzit, qoftë edhe sepse “tradhëton” pritshmëritë e njerëzve karshi detyrës që lipset prej opozitës.

 Në këtë kuadër e vërteta nuk duhet njohur përmes njerëzve që e deklarojnë (përderisa dukshëm nuk thuhet e plotë) por nëpërmjet realitetit faktik që imponon kjo e vërtetë. “Mos e njihni të vërtetën përmes njerëzve, por njihni të vërtetën dhe keni për të njohur njerëzit e saj” shprehej Imam Aliu r.a.. Me këto fjalë të një prej eruditëve më të mëdhenj të historisë demonstrojmë edhe refuzimin aktual të opozitës, i cili rezulton nga e vërteta e thënë pjesshëm dhe nga njerëzit që e deklarojnë atë. Fuqimisht e themi se pa largimin e Berishës dhe njerëzve afër tij nuk ka shpresë për opozitën dhe gjasat për frymëzim edhe vetë brenda opozitës kanë për të qenë minimale.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP