web analytics

Të veçanta

Z. Ben Blushi nga ishulli tek hëna, tek Islami i ri. Apo z. Ben Blushi i ri…

       Një nga karakteristikat më dalluese të shumë prej “postmodernistëve” shqiptarë çuditërisht është guximi për t’u treguar injorant. Do ishte më e përshtatshme përdorimi i “i paditur”, si sinonim i “injorantit”, në cilësimin e mësipërm mirëpo, unë këmbëngul në cilësimin e tyre si injorantë. E them këtë sepse ‘i padituri” mundohet ta mbulojë veten, është i tërhequr, kur është i detyruar të prononcohet për diçka e bën atë me rezerva dhe duke krijuar zona mbrojtjeje për veten, i shpreh gjërat në mënyrë ambigue, të kamufluara me disa kuptime për t’i krijuar vetes shtigje arratisjeje, ose të paktën të ketë mundësi të kërkojë falje pa u vënë në siklet kur më në fund e kupton se ia ka ‘fut kot’.

       E kundërta ndodh me injorantin. Edhe pse mund ta dijë se po ia ‘fut kot’, nuk i skuqet fytyra. Nuk i skuqet sepse gënjeshtra, e kamufluar me termin “fiction” është metoda e tij në qasjen ndaj gjithçkaje që atij nuk i pëlqen apo ndaj gjithçkaje që nuk e arrin dot edhe pse mund t’i pëlqejë, apo ndaj gjithçkaje kundër së cilës është përbetuar.

       Injoranti, ndryshe nga i padituri, gjatë kohës që ia ‘fut kot’, flet me siguri. Siguri e cila i krijon një gjendje përhumbjeje dhe gafleti, deri në atë masë saqë nuk e ndjen se është i zhveshur e lakuriq nga argumentet dhe i çarmatosur totalisht. Në këtë gjendje, kur përballet me argumentet e së vërtetës, duke qenë injorant, në vend të tërhiqet e të mbulojë vrerin e padijes, padija e tij duke qenë injorancë e bën atë të quajë lakuriqësinë modë dhe gafletin përhumbje në dritën e së “vërtetës” së tij.

       Në shkrimin e fundit të z. Ben Blushi, dt. 09.07.2022, në gazetën Panorama, vërejta një përpjekje serioze të tij për t’u shkëputur nga kampi i injorantëve, gjithmonë në lidhje me Islamin, për të kaluar tek kampi i të paditurve. Konkludoj në sa mësipër duke analizuar z. Ben Blushin të shkrimit të fundit me atë çka ka shkruajt tek libri i tij “Të jetosh në ishull” dhe tek libri i tij “Hëna e Shqipërisë”.

       Tek “Të jetosh në ishull” gjithçka negative kishte emër myslimani që as që bëhej fjalë të kishte mundësi të fitonte ndonjë aftësi për t’u qytetëruar e për tu integruar me të bukurën, të sjellshmen, të civilizuarën…Tek “Hëna e Shqipërisë” shpreh një hall të madh që ka të bëjë me “pushtuesin” 500 vjeçar të shqiptarëve, i cili dalëngadalë po faktorizohet dhe z. Ben Blushi si intelektual që është, duke qenë në pozicionin e baballarëve të kombit, siç janë intelektualët, kishte dert të madh për të ardhmen e popullit shqiptar.

       Pra, tashmë z. Ben Blushi konstaton se “shqiptarëve iu kanoset rreziku sërish nga “armiku” i tyre 500 vjeçar dhe nuk bën vaki t’i kanoset nga dikush tjetër shumë më afër… Por te libri “Hëna Shqipërisë” z. Ben Blushi na prezantohet jo më me gjuhën e gënjeshtrës së pastër, më falni “fiction” por me gjuhën e gjeopolitologut, gjë që e transferon disa hapa të dukshëm nga stadi i injorantit tek stadi i të paditurit, gjithmonë në sferën e asaj se ç’është Islami dhe ç’përbën për popullin shqiptar.

       Te shkrimi i fundit, i datës 09.07.2022, z. Ben Blushi ka hedhur disa hapa gjigantë drejt stadit të të paditurit, gjithmonë në lidhje me Islamin dhe myslimanët. Por, tashmë z. Ben Blushi te ky shkrim na prezantohet me kostumin e antropologut i cili përzihet me gratë dhe vajzat e reja, madje tregohet shumë miqësor me to. Jo vetëm kaq por z. Ben Blushi viziton edhe dyqanet e veshjeve të grave myslimane. Jo vetëm kaq por z. Ben Blushi tashmë di edhe atë që nuk dinë shumë hoxhallarë.

       Z. Ben Blushi di të dallojë shumë mirë edhe kategoritë e mbulesave të grave myslimane. Prit, jo vetëm kaq por madje z. Ben Blushi paska arritur një nivel të veçantë dije saqë paska të mundur të përcaktojë me nuhatjen e tij antropologjike se cila veshje do të kishte qenë më e mirë dhe më e përshtatshme për to. Dhe, e gjitha kjo nuk mund të vijë vetëm se si rezultat i një përpjekje antropologjike të gjatë e të veçantë. Madje çudia më e madhe është se kaq e thellë është qasja antropologjike e z. Ben Blushi saqë na prezanton me një Islam të ri për një gjeneratë të re. Madje madje, dhe kjo është çudia e çudirave, z. Ben Blushi çan perdet e fizikes për t’u zhytur brenda në metafeziken dhe konstaton se “zoti”, normalisht zoti i tij do të gëzohej shumë me këtë ‘Islam të ri’.

       Madje, madje, madje edhe vetë “zoti”, normalisht zoti i z. Ben Blushi e ka të nevojshme të ndryshojë. Tani, cilët janë treguesit real se z. Ben Blushi ka bërë disa hapa cilësorë nga kampi i injorantëve, gjithmonë në lidhje me Islamin, tek kampi i të paditurve, gjithmonë në lidhje me Islamin.?! Po ja, ndryshe nga “të jetosh në ishull”, te shkrimi i fundit z. Ben Blushi ka filluar të konstatojë të bukurën tek veshja e vajzave myslimane, qoftë dhe pjesërisht. Z. Ben Blushi ka filluar të komunikojë me “ishullarët/et”, bisedon me to, i pyet ato edhe pse çuditet shumë kur dëgjon se Medineja vitin e ardhshëm do veshë përjetësisht hixhabin, pozon me to, veçanërisht me vajzat e reja.

       Konstatojmë se neveria e “Ishullit” tashmë z. Ben Blushit i është shndërruar në kureshtje që e shtyn atë të vizitojë dhe rrobaqepësinë e veshjeve të vajzave myslimane. Kurse, ajo që tregon se z. Ben Blushi nuk ka kaluar plotësisht tek kampi i të paditurve, gjithmonë në lidhje me Islamin, por njërën këmbë e ka akoma tek kampi i injorantëve, gjithmonë në lidhje me Islamin,  është fakti se z. Ben Blushi ëndërron akoma sikur është ai qendra e botës, madje ‘krijuesi i botëve” e për rrjedhojë është ai që përcakton se çka është e bukur dhe çka është e shëmtuar dhe kush duhet të rrotullohet rreth tij dhe kush jo, dhe kush dhe si duhet të bashkëjetojë me të dhe kush jo. Madje, madje kaq thellë është i zhytur në ëndrrën e tij saqë përfytyron një “zot” të cilin e këshillon se duhet të ndryshojë.

       Tashmë diçka të fundit, që tregon se z. Ben Blushi e ka akoma njërën këmbë shumë të zhytur në llucin e injorancës, gjithmonë në lidhje me Islamin. Kjo diçka ka të bëjë me shpjegimin e sfondit nga ku i buron z. Ben Blushit koncepti i “zotit të ndryshueshëm” T’i burojë vallë nga kultura besimore e krishterë? Nuk besoj! Nuk besoj sepse  dinamika e “zotit” tek besimi i krishterë kufizohet tek koncepti Iitrinitetit. Por, as tek të krishterët nuk flasin shqeto për një zot që ndryshon.

       T’i burojë vallë nga kultura e realizmit socialist?! Ka shumë mundësi. Mirëpo tek pohimi “zot i ndryshueshëm” në kuadër të realizmit socialist ka një paradoks të madh sepse doktrina socialiste vërtetë i beson ndryshimit të vazhdueshëm por problemi është se nuk beson në Zot. Kështu që edhe ky version bie. Apo vallë t’i burojë nga “fiction”-i i “Ishulli”-iiiiiiiit?! Aaaaah pooo. Tani e gjeta… E kur arrin tek versioni i fundit të vjen keq sepse mu kur mendon se ke të bësh me një z. Ben Blushi të ri, me pak analizë kupton lidhjet me të vjetrin. E mu aty thua mosssssss…

Sabaudin JASHARI

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP