web analytics

Të veçanta

Vjeshta e Re – Pandemi shpirtërore

       Kam ca ditë që ja lëshoj veten një vjeshtërimi shpirtnor të vjetër. Një përjetim i parandodhur e përsërindodhur pas çdo pranvere me sythe të reja. Mirëpo një gjynah nuk më shkitet. Ai trurit më bredh e mendjes vërtitet duke më gërvishtur trutë. Por i kam thënë jo, një herë e përgjithmonë endjes për misionin e tvërtetës. Ajo që më mundon akoma, vazhdinisht është preokupimi i përsosmërisë. Nuk është gjendje e huaj për mua. Por kisha kohë pa rënë në oxhakun e iluzionit të trimërimit pa motiv. Shumë gjëra kanë ndryshuar tek unë, në jetën time, madje vetë përjetimi i gjëndjeve, le të them poezia. Sa kohë kisha pa shkruar. As s’doja, as s’më vinte të provoja. Saqë fillova të besoj se ajo pjesë kishte humbur përfundimisht tek unë. Për çudinë time e bëra sërish. Shpresoj të më falin. Ata që e kanë vënë re përçundimin dhe përhumbjen time këto kohë. Ndërron gjaku në shkurt thonë. Dhe shkurt kam lindur. Si duket vazhdimisht ndërrohen gjërat në mua. Edhe vjeshta mu paraqit në prag pranvere. Këto dy vitet e fundit s’pata vjeshtë. Dy vite kaluan si një. Kaq shumë gjëra më ndodhën. Kuptohet për mirë. Pritshmëritë ndaj vetes i përmbusha. Tani kanë të tjerët. Shpresoj shumë të mos zhgënjej veten. Deri tani më kanë vlerësuar. Por unë kërkoj më shumë. Shumë më tepër nga vetja. Të paktën jam i qartë. S’dua të më ngelet gjë pa arritur. Kuptohet nga gjërat që vërtet vlejnë.

      Akoma imagjinata më shpie në vende dhe situata iluzionare, ndoshta joreale. Por unë i përfytyroj. Me aq ndienjë, dëshirë dhe paegoizëm. Ndonjëherë harroj t’ju gëzohem sukseseve të ëmbla që kam, familjen, bashkëshorten e mrekullueshme, shoqërinë punën, qytetin, makinën, aventurat…tanimë së shpejti prindërimin. Ahh sa i priviligjuar dhe bekuar që jam. Por s’meritoj kaq mirë. Për trimërimin tim në botën iluzionare. E di…Më duan se ndoshta dua kaq pastër. Po vetes s’dua ti them i mirë, i sinqertë, bujar. Ndoshta i butë, falës, i kthyeshëm. Ndoshta që nuk harron kurrë po amanetqar. Dhe pse i dobët, gabimtar. Kam diçka për t’u ndjerë krenar. Nuk urrej asnjë deri në armiqësim. Nuk di të minoj urra. Jo më të prish themele. Ndoshta kam ngritur mure pa dashje. Ndoshta s’mi kanë parë sytë kur mi kanë vënë. Por kurrë skam dashur mllefe, brenga, hatërmbetje pa shpjegim. E urrej veç një gjë. Shkëputjen e lidhjeve me një person me të cilin  kam qoftë edhe 1 kujtim të vetëm të bukur dhe që më ka shkaktuar një ngazëllim a buzëqeshje. Jam kaq i hapur për suisajd egoje. Saqë kur e bëj s’ngelet më krenari tek unë. Dal kaq lakuriq dhe i paarmatosur. Sa mjafton cinizmi më i vogël për t’më burgosur në bregosje pa kuptim.

      Por ka kaluar kohë…që atëherë. Jam më pak ‘budalla’. Por kam më shumë fat dhe mbështetje. Sepse kam nisur rrugëtimin final. Atë që të gjithë kërkojnë. Në të cilin, duhet të ishim të gjithë duke garuar. A jemi në një linjë?!

Ibrahim Xhepmetaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP