“Mbi” “hyrjen e munguar” të “Gjenealogjisë” së Nietzsches. Ose Unë, Astriti dhe Nietzschja
Nga: Armand DEDEJ
“Mbi” “hyrjen e munguar” të “Gjenealogjisë” së Nietzsches
Ose
Unë, Astriti dhe Nietzschja
Shqetësimi i Rigersit (Rigers Balliut) lidhur me një “hyrje të munguar” të përkthimit në shqip të “Gjenealogjisë” së Nietzsches është diçka krejtësisht legjitime. Me fjalë të tjera, ndër shumë probleme për të cilat do të na duhej të shqetësoheshim, sigurisht mund të përfshinim edhe këtë të “hyrjes së munguar” të “Gjenealogjisë”, të cilën Rigersi është përpjekur ta kompesojë me përkthimin e një “hyrjeje” nga Walter Kaufmann. Por mendoj se duhet të biem dakort paraprakisht të anashkalojmë dy gjëra: aspektin teknik të përkthimit dhe polemikën lidhur me veprën në fjalë – ndonëse vetë “Gjenealogjia” është pikërisht një vepër “polemike”, natyrën e tillë të së cilës vetë Nietzscheja do ta ritheksojë tek vepra e tij autobiografike “Ecce homo”. Në këto kushte, e vetmja gjë që mbetet për t’u sqaruar është se për cilin përkthim të “Gjenealogjisë” bëhet fjalë, sepse me sa di unë, rezulton të ketë dy të tilla. Është përkthimi i Vullnet Muços dhe përkthimi im në bashkëpunim me Astrit Canin. Megjithatë, le të kalojmë pa humbur kohë direkt në “temë”: tek “hyrja e munguar”.
Për ironi të fatit, një “hyrje” e tillë ekziston! Ajo thjesht nuk është botuar! Kjo “hyrje” është shkruar pikërisht nga unë, duke qenë e konceptuar si “parathënie”. Ajo është shkruar në Nëntor të 2024-ës dhe e kam paraqitur më poshtë ashtu siç është shkruar në atë kohë. Kështu, meqenëse për çështjen e Nietzsches të përkthyer në shqip në përgjithësi, dhe për vetë “Gjenealogjinë” në veçanti, kam folur në këtë “parathënie”, atëherë këtu po mjaftohem të flas vetëm për vetë këtë “parathënie” dhe jo për “Nietzschen” dhe për “Gjenealogjinë”.
Unë dhe Astrit Cani e përkthyem “Gjenealogjinë” – d.m.th. e përkthyem nga italishtja dhe anglishtja, të cilën e redaktoi nga gjermanishtja një tjetër përkthyes me përvojë i Nietzsches si Taulant Hatia – për shtëpinë botuese “Uegen”. Vite më vonë, Astrit Cani vendosi ta ribotonte atë për shtëpinë botuese “Fiorentia”, duke e redaktuar përkthimin edhe një herë nga fillimi. Astriti më kërkoi që unë të shkruaja një “parathënie” në funksion të këtij ribotimi të kësaj vepre, për të cilën, që të dy ne ishim të ndërgjegjshëm se ishte, sigurisht, një vepër tepër e rëndësishme! Me fjalë të tjera, ne ishim të ndërgjegjshëm se “Gjenealogjia” e Nietzsches ishte e rëndësishme pavarësisht nga Deleuzei dhe Foucaultja! Nuk kemi pasur fare në mend këta të dy kur kemi vendosur të përkthejmë “Gjenealogjinë” e Nietzsches! Ne vendosëm ta përkthenim atë, sepse ajo ishte e vetmja vepër e rëndësishme e Nietzsches që nuk kishte ardhur në shqip! Me fjalë të tjera, duke qenë se unë dhe Astriti, në ndryshim nga Deleuzei dhe Foucaultja, nuk jetonim në Francë, por në Shqipëri, u nxitëm nga kushtet e vendit në të cilin jetonim! (Ndërsa Kaufmanni, të cilit i referohet Rigersi, ka jetuar në Gjermani dhe SHBA – d.m.th. as ai nuk ka jetuar në Shqipëri si unë dhe Astriti.)
Kështu, duke pasur parasysh kushtet e mësipërme (d.m.th. kushtet e Shqipërisë), unë i dërgova Astritit një version parathënieje, që i referohej më shumë këtyre “kushteve” se sa vetë “Gjenealogjisë” në vetvete. Kjo ndodhi sepse unë, në ndryshim nga Marxi që pretendonte se politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, mendoja se çdo gjë është shprehje e koncentruar e politikës. Astriti – i cili jetonte tashmë në Itali – e kundërshtoi këtë verison panpolitik të parathënies sime. Ai më sugjeroi që unë të ndalesha më konkretisht edhe tek vetë “Gjenealogjia” në vetvete, duke paraqitur një version më të zgjeruar të parathënies në fjalë. Pikërisht këtë bëra dhe pikërisht këtë version përfundimtar kam bashkëngjitur më poshtë. Mirëpo çuditërisht Astriti nuk e botoi atë! Nuk botoi atë që më kërkoi vetë! Kur na u desh të ballafaqoheshim me këtë çështje, nuk më dha ndonjë përgjigje konkrete. Sigurisht, një gjë e tillë nuk kishte e ndonjë rëndësi të madhe në vetvete. Nuk diskutohet që në jetë ka gjëra shumë më të rëndësishme se “parathëniet”, apo “pasthëniet”! Por çfarë ka më tepër rëndësi është ajo që ky fakt më bëri të mendoj, të cilën ma riktheu në mendje “habia filozofike” e Rigersit. Sipas mendimit tim, një gjë e tillë ka arsye “psikoanalitike”. Vetë Astriti më pati vënë dikur në dukje, se sipas Freudit irlandezët ishin të vetmit, të cilët nuk mund të penetroheshin nga psikoanaliza. Mirëpo duke qenë se vetë Astriti nuk është irlandez, por shkodran, jam i mendimit se veprimet e tij mund të shpjegohen në mënyrë psikoanalitike – të paktën në rastin konkret të “hyrjes së munguar”. Sigurisht, ideja e “psikoanalizës” nuk duhet marrë shumë seriozisht! Nuk duhet perceptuar në kuptimin e mirëfilltë literal të fjalës. Përpara se të jemi “frojdianë”, jemi pashmangshmërisht “aristotelianë”, në të njëjtën masë që nuk mund të jemi “zoon” pa qenë “politikon”!
Astriti, ashtu si dhe unë, ka qenë i detyruar të vuajë “censurën” – sigurisht, poststaliniste – të mosbotimit. Ne madje kemi vuajtur edhe atë që Marxi dhe Engelsi do ta quanin “komplot i heshtjes” – d.m.th. kur për një punim, apo për një vepër të caktuar nuk flitet në mënyrë të qëllimshme, në mënyrë që të mos i bëhet jehonë në asnjë rast, në bazë të parimit të famshëm diabolik dhe dialektik se edhe antireklama është reklamë. Astriti është refuzuar disa herë nga botues të ndryshëm, duke filluar nga ata me natyrë prej “biznesmeni” – të cilët botonin vetëm për të shitur – e deri tek ata me natyrë prej “poeti” – të cilët më shumë shkruanin vepra vetë se sa botonin veprat e të tjerëve. Ndoshta ky frustrim ka mbërritur deri në pikën sa është brendësuar në mënyrë traumatike nga vetë i frustruari. Madje, siç ka thënë pikërisht vetë Freudi: kur padroni rreh shërbëtorin, shërbëtorit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të rrahi qenin! Në rastin konkret, kam përshtypjen se “qeni” isha unë, të cilit “shërbëtor” Astriti i përçoi trumën e tij të stazhonuar të “censurimit”! E kështu, “parathënia” e mëposhtëme, e cila Rigersit i rezulton – pikërisht “instinktivisht”, apo sipas “të pandërgjegjshmes” pikërisht frojdiane – si diçka “e munguar”, në fakt “mungoi” (d.m.th. nuk u botua në versionin e rishikuar të “Gjenealogjisë” së Nietzsches).
Por a mund të na ndihmojë Nietzschja të tejkalojmë traumat tona? Ne shqiptarët kemi trauma jo vetëm thjesht si individë, por edhe si shoqëri. Nuk besoj se është e nevojshme që t’i numërojmë ato. Ndërsa Nietzschja është traumatik në vetvete! Ai bën pjesë tek ata filozofë që mund të konsiderohen si të rrezikshëm – veçanërisht për amatorët e filozofisë. Sipas meje, tre janë filozofët që mund të konsiderohen si të tillë: Nietzscheja, Marxi dhe Hegeli. Ata janë në gjendje që si askush tjetër të krijojnë keqkuptime, kontradikta, ngatërresa, qorrsokaqe, etj. A thua si të ishin pikërisht shqipëtarë! Por pikërisht për këtë arsye janë edhe ndër autorët më interesantë! Ndoshta ia vlen të merresh me ta edhe kur jeton në Shqipëri! Pikërisht këtë jam përpjekur të sqaroj lidhur me Nietzschen në “parathënien” e mëposhtëme, e cila besoj se tashmë nuk do të “mungojë” më!
14 – 15 Maj 2026
Armand Dedej
Parathënie: Nietzsche në Shqipëri
Dija nuk është bërë për të kuptuar, është bërë për të marrë një qëndrim. (M. Foucault)
Nietzscheja është një autor që është botuar shumë, është përkthyer pak dhe është analizuar edhe më pak. Këtu e kemi fjalën vetëm për Shqipërinë, d.m.th. për Nietzschen në Shqipëri. Shpresojë që përkthimi aktual i “Gjenealogjisë së moralit”, që kemi realizuar Astrit Cani dhe unë tek shtëpia botuese “Fiorentia”, të bëj pjesë tek të pakëtat përkthime të sakta. Por le të kalojmë tek ajo që mungon pothuajse tërësisht: analiza. Ne shqiptarët kemi shumë nevojë për këtë në përgjithësi, qoftë edhe pavarësisht Nietzsches. Kemi nevojë të mendojmë dhe jo të argëtohemi. Nietzscheja të bën pikërisht të mendosh; madje në mënyrën më tronditëse të mundëshme. E ka dhënë dikur këtë efekt, dhe ndoshta do të vazhdojë ta japë edhe në vazhdim, si një dashuri e vjetër që ende nuk është shuar.
Kështu, do të lindëte nevoja të kuptonin jo vetëm Nietzschen, por edhe raportin tonë me të. Do të na duhej, pra, që gjithsesi t’ia nisnim nga vetja – nga të kuptuarit e vetes. Prandaj bëhet fjalë “për Nietzschen në Shqipëri”. Por a është e mundur të kuptohet ashtu si duhet një autor aq problematik (apo pikërisht i pakuptueshëm) si Nietzscheja, në një vend të prapambetur dhe të pazhvilluar si Shqipëria? Nëse do të bazoheshim në preferencat intelektuale me natyrë filologjike të vetë Nietzsches, një gjë e tillë do të ishte tepër e mundshme dhe madje koherente.
Nietzscheja niset shpesh herë nga premisa filologjike në gjykimet e tij. Ai priret ta bazoj filozofinë tek filologjia – një tendencë kjo, të cilën Heideggeri do ta çonte në ekstremin më të largët. Mirëpo nga pikëpamja filologjike “Shqipëria” rezulton të jetë pikërisht “vendi i kuptimit”, vendi ku njerëzit kuptohen me njëri-tjetrin. Duke u bazuar tek hulumtimet e Gustav Majerit, Konica ka thënë se etimologjia e emrit “Shqipëri” nuk ka të bëjë as me idenë e “shqipes” si “vend shqiponjash” dhe as me idenë e “shkëmbit” si “vend shkëmbor”, por me fjalën “shqipoj”, që mendohet se do të thotë “kuptoj”.[1] Nëse është vërtetë kështu, atëherë do të kishte shumë kuptim të kërkosh të kuptosh Nietzschen pikërisht në Shqipëri! Ndoshta ja vlen të shpresosh lidhur me këtë, por në fillim duhet të kuptojmë veten!
Ashtu si shumë të tjerë, Nietzscheja ishte një autor i ndaluar në Shqipërinë staliniste të “shokut Enver”. Dhe ashtu si shumë të tjerë, ai filloi të përkthehej dhe botohej pas rënies së regjimit stalinist. Mirëpo si pak të tjerë, ai filloi të botohej masivisht. Këtë fat e patën vetëm pak autorë. Fat të ngjashëm me Nietzschen patën Dostojevski, Freudi, Jungu, Kafka dhe Camus. Krahas Nietzsches, edhe këta do të ishin autorë, të cilëve do t’iu botoheshin, në mos të gjitha veprat, të paktën pjesa më e madhe e tyre. Me sa duket, në kuadrin e kompesimit të mungesave, ato ekzistencialisto-psikoanalitike kishin qenë më të mëdhatë. Besoj se këtu s’ka asgjë për t’u çuditur, po të kemi parasysh se nën regjimin stalinist pa “destalinizim” të Shqipërisë, ai që ishte zhdukur për shkak të shtypjes kolektiviste të pushtetit shtetëror, ishte pikërisht individi si ekzistencë subjektive (ekzistencializmi), së bashku me përmbajtjen psikologjike të këtij subjektiviteti (psikoanaliza). Çdo gjë shpjegohej në mënyrë të sforcuar përmes përqasjes social-politike të marksizëm-leninizmit. Marxi dhe Engelsi e kishin bërë Nietzschen dhe Freudin të panevojshëm në filozofi, ndërsa Balzacu dhe Hugoi kishin plotësuar mungesën e Dostojevskit dhe Kafkës në letërsi.
“Gjenealogjia e moralit” u botua në vitin 2011. Gjatë kësaj kohe ishin botuar pothuajse të gjitha veprat më kryesore të Nietzsches. Paralelisht me këtë vrull kaotik përkthimi dhe botimi, ishte botuar edhe biografia e Zweigut (Cvajgut) për Nietzschen. Por kjo e fundit, duke folur më shumë për Nietzschen-njeri se sa për Nietzschen-filozof, nuk mund të jepte ndonjë kontribut të madh në të kuptuarin e Nietzsches. Me Zweigun kishim mbetur ende aty ku kishim qenë: tek “jeta dhe vepra” e stilit stalinist. I vetmi kontribut lidhur me këtë aspekt ishin librat e historisë së filozofisë, të cilat nuk mund të mos i jepnin Nietzsches statusin e një kapitulli më vete, derisa më në fund u botua eseja e Foucaltusë, “Nietzsche, gjenealogjia dhe historia”. Madje filloi të botohej edhe ndonjë libër i një niçeani si Emil Cioran. Tashmë Nietzschja nuk ishte vetëm objekt përkthimi e publikimi, por edhe shqyrtimi e perceptimi – jo vetëm objekt konsumi, por edhe ndërgjegjësimi.
Nëse Foucaultja e analizonte Nietzschen, Ciorani kishte aplikuar stilin e tij. I pari e konsideron metodën gjenealogjike të Niezsches si “analizë të prejardhjes”, ndërsa i dyti shkruan në trajtë aforizmash. Me fjalë të tjera, Foucaultja e vijon Nietzschen duke e analizuar, ndërsa Ciorani – duke e imituar. Gjithsesi, Ciorani, njëlloj si edhe Foucaultja, është deri-diku një dishepull i Nietzsches, përderisa do të vazhdojë të flasë ende për “dekadencë”, tashmë edhe një shekull pas Nietzsches. Përmes këtyre dy autorëve, publiku shqiptar po njihej me ndikimin intelektual të Nietzsches, i cili deri më parë ishte reduktuar tek çështja e nazizmit, ku “vullneti për pushtet” i Nietzsches ishte ngatërruar me “triumfin e vullnetit” të Hitlerit.
Sigurisht, përhapja e famës së këtyre dishepujve nuk ishte po aq e madhe sa ajo e vetë mjeshtrit të tyre. Përderisa ata nuk i njihte mirë as e ashtuquajtura “elitë intelektuale”, nuk kishte se si t’i njihte as i ashtuquajtur “publik i gjerë”, shijet dhe preferencat e të cilit presupozohet të përcaktohen nga “elita” në fjalë. Nuk duhet harruar, se pavarësisht ndryshimeve politike dhe intelektuale, “elita” kishte mbetur pak a shumë po ajo që kishte qenë, si nga pikëpamja politike, ashtu edhe nga ajo intelektuale. Ishin po të njëjtit yesmen të regjimit të dikurshëm, të cilët brenda 24 orëve ishin shndërruar papritur në kundërshtarët e tij “plurtalist”. Edhe kjo është një tjetër gjë që nuk duhet harruar! Njëlloj siç ishin ndërruar emrat e politikanëve, po ashtu ishin ndërruar edhe ato të filozofëve. Marxi thjesht ishte këmbyer me Nietzschen. Por duke qenë se as Marxi nuk ishte studiuar në kohën e regjimit të vjetër, atëherë pse duhej studiuar Nietzschja gjatë regjimit të ri? Prandaj tipa si Foucaultja dhe Ciorani rezultojnë të jenë diçka e tepërt. Mjafton që në libra me kapakë të trashë si ato të dikurshmit e kohës së shokut Enver, të mos figurojë emri i Marxit, por ai i Niezsches! Kjo është e gjitha! Vetëm kaq dhe asgjë më tepër! Gjithsesi, fatëmirësisht ky botim aktual i “Gjenealogjisë së moralit” nuk është me kapakë edhe aq të trashë, apo po aq të trashë sa dikur! Ndoshta kjo duhet parë si një shenjë e mirë, se më në fund diçka po ndryshon!
Ndonëse në rastin konkret ende nuk kemi folur mjaftueshëm për veten (d.m.th. për realitetin tonë historiko-politik), gjithsesi do të na duhet të flasim pak edhe për Nietzschen. Madje, do të na duhet të flasim për të jo thjesht parimisht, por konstekstualisht dhe specifikisht. Nuk duhet harruar, se në këtë rast bëhet fjalë për një parathënie të një vepre specifike të tij si “Gjenealogjia e moralit”. Le të bëjmë kundrejt kësaj të fundit, atë që thamë se nuk është bërë në përgjithësi në Shqipërinë tonë të prapambetur dhe të pazhvilluar: analizë. Ndoshta përmes një gjëje të tillë do të kemi mundësi të kuptojmë si Nietzschen, po aq edhe veten. Për këtë do të na duhet të bëjmë pikërisht atë që ka munguar: “filozofi”! Në fund të fundit, Nietzscheja është pikërisht një filozof! Ndërsa ne jemi në një vend ku mendimi (“filozofia”) ose është shtypur (stalinizmi), ose është përbuzur (poststalinizmi) njëlloj si në kohërat e mesjetës, me mendësinë e së cilës kanë qenë të detyruar të luftojnë pararendës të iluminizmit si Pico Della Mirandola. “Për të gjithë tashmë (e tillë është gjendja fatkeqe ku ndodhemi) studimi i filozofisë sjell përbuzje dhe fyerje, në vend të nderit dhe lavdisë. Bindja vdekjeprurëse dhe monstruoze se filozofia nuk duhet të studiohet fare ose vetëm nga pak njerëz, ka pushtuar pothuajse të gjitha mendjet.”[2] Ky konstatim, që Pico Della Mirandola e ka bërë në shekullin e XV, tingëllon shumë bashkëkohor.
“Gjenealogjia e moralit” është një vepër polemike – një polemikë e Nietzsches me Paul Rée rreth çështjes së origjinës së moralit. Mjafton vetëm kaq për të kuptuar, se gjenealogjia është procesi i analizës së origjinës së një fenomeni. Në rastin konkret synohet të zbulohet origjina e moralit. Analiza gjenealogjike presupozon në vetvete, se morali nuk është diçka e dhënë e tipit ideal, por rezultat i një procesi historik që e ka prodhuar. Prandaj Foucault do të shprehet në lidhje me gjenealogjinë niçeane, se ajo “i kundërvihet shtjellimit metahistorik të kuptimeve ideale dhe teleologjive të papërcaktuara”.[3] Të kërkosh origjinën e gjërave do të thotë të përshkruash historikun e krijimit të tyre, gjë kjo që nënkupton se vetë kjo origjinë është diçka historike dhe jo ndonjë thelb ideal me karakter statik të dhënë një herë e përgjithmonë. Historiciteti është e kundërta e idealitetit identitar të filozofisë idealiste, që buron qysh prej Platonit, të cilin Nietzscheja e akuzon për burracakëri, për shkak se ai i shmanget realitetit (historik), duke u strehuar në botën irreale (ahistorike) të ideve abstrakte.[4] Përkundrazi. Origjina e gjërave është një proces historik. Analiza gjenealogjike na zbulon karakterin rastësor, të paqëndrueshëm dhe arbitrar të realitetit, apo të çdo realiteti. “Ajo çka gjejmë te pikënisja historike e gjërave, nuk është aspak idealiteti ende i ruajtur i origjinës së tyre – është mospërputhja, ndryshimi.”[5]
E aplikuar tek çështja e moralit, analiza gjenealogjike zbulon se origjina e tij nuk është dobishmëria e veprimit jo egoist dhe altruist, – siç pretendojnë “psikologët anglezë” – por ajo që shpallin më të fuqishmit (padronët) si “të mirë”. Janë ata që përcaktojnë vlerat, duke afirmuar vetveten si e vetmja “e mirë” që ekziston kundrejt të nënshtruarëve të tyre (skllevërve), të cilët duhet detyrimisht të mishërojnë atë që është “e keqe”.[6] Është pikërisht ky raport antagonist dominimi padron-skllav, gjeneza nga ku buron morali si sistem i kushtetuar vlerash.
Mirëpo me kalimin e kohës situata ka ndryshuar. Sistemi i vlerave është përmbysur, sepse të dobëtit dhe të pafuqishmit kanë përhapur vlerat e tyre, duke iu kundërvënë atyre të padronëve. Më mirë se çdo gjë tjetër, këtë e shpreh dallimi që ekziston ndërmjet kritereve të vlerësimit priftëror dhe atij kalorsiako-aristokrat. “Vlerat kalorsiako-aristokrate nënkuptojnë një konstitucion fizik të fuqishëm, një shëndet të lulëzuar, të pasur, shkumëzues deri në atë pikë sa të vërshojë, dhe bashkë me të, atë që e kushtëzon ruajtjen e tij, pra luftën, aventurën, gjahun, kërcimin, udhëtimin – në fakt, gjithçka që thërret të vepruarin e fortë, të lirë dhe plotë shëndet. Mënyra e të vlerësuarit e aristokracisë priftërore – siç e kemi thënë – bazohet mbi premisa të tjera: për këtë klasë është keq puna kur bëhet fajlë për luftë! Priftërinjtë janë, dhe kjo është e kuptueshme, armiqtë më të këqij. Pse? Sepse ata janë më të dobëtit. (…) Asnjë prej gjithë përpjekjeve të tjera kundër ‘aristokratëve’, ‘të fortëve’, ‘padronëve’, ‘mbajtësve të pushtetit’, nuk mund të krahasohet me atë që kanë bërë kundër kësaj klase çifutët – çifutët, ky komb priftëror të cilët kuptuan se metoda më e mirë e mundshme kundër armiqëve dhe tiranëve të tyre ishte padyshim një përmbysje rrënjësore në matjen e vlerave, që ishte njëkohësisht akti më gjenial i hakmarrjes. Kjo metodë ishte e përshtatshme vetëm për një popull priftërinj, popullin me etje priftërore për hakmarrje. Ishin çifutët, që në kundërshtim me ekuacionin aristokrat (e mirë = aristokrate = e fuqishme = e bukur = e gëzueshme = që e duan zotat), guxoi me një logjikë të tmerrshme të sugjeronte ekuacionin e kundërt, dhe të mbante të shtrënguar ndër dhëmbë urrejtjen më të thellë (urrejtjen e të dobëtëve); ky ekuacion i kundërt, i quajtur, ‘vetëm të mjerët janë të mirë’; të vërfërit, të dobëtit, të ulëtit, pra vetëm këta janë të mirë; vetëm të vuajturit, të sëmurët, të neveritshmit janë të respektuar, të vetmit që janë të bekuar, që vetëm për ata është shpëtimi – por ju, nga ana tjetër, ju aristokratët, ju njerëzit e fuqishëm, ju jeni përjetësisht vetë e keqja, e tmerrshmja, të korruptuarit, të pangopurit, të këqijtë; ju do të jeni gjithashtu përjetësisht të nëmur, të mallkuar!… Ne e dimë se kush e trashëgoi këtë përmbysje çifutë të vlerave… Lidhur me këtë nismë fatale të përbindëshme që çifutët e shndërruan në deklaratën më të përbindëshme të luftës, më kujtohet një pasazh që e kam shkruar dikur (Përtej të mirës dhe të keqes) – se bash me çifutët pra do të fillonte revolta e skllevërve në moral; një revoltë që fsheh pas vetes një histori dymijë vjeçare, e cila në ditët e sotme thjesht na ka shpëtuar pa e vënë re pasi ajo ka fituar.”[7]
Ka qenë vetë kjo përmbysje e vlerave, ajo që ka lindur nevojën e analizës gjenealogjike. Ne duhet të zbulojmë origjinën e vërtetë të vlerave dhe kriterin e përcaktimit të tyre fillestar aristokratik, pikërisht sepse më pas situata ka ndryshuar, duke iu larguar kësaj origjine aristokratike. Historia është fusha e ndryshimit të gjërave në rrjedhën e kohës. Origjina e moralit është historike dhe po aq historike është edhe largimi prej saj i shkaktuar nga “revolta e skllevërve në moral”. Kjo “revoltë” ka fshirë gjurmët e origjinës së vërtetë të vlerave, që duhet rizbuluar.
Origjina e vërtetë e vlerave morale është eklipsuar nga çfarë ka ndodhur më vonë. Ka qenë vetë historia ajo që ka fshirë një fakt të tillë historik si origjina në fjalë. Një gjë e tillë e detyron analizën gjenealogjike të ndryshojë objekt. Ajo kalon pa pritur nga historia tek gjuha, duke u bërë histori e gjuhës (filologji). E vetmja fushë ku Neitzscheja-gjenealogjist arrin të gjejë gjurmët e kësaj origjine të mohuar dhe të fshehur të moralit është gjuha. Në këtë mënyrë, historia e moralit shpërfaqet si histori e gjuhëve (filologji). Është vetë gjuha ajo që rrëfen historinë e vlerave. Gjenealogjia e moralit bëhet gjenealogji e termave dhe filozofia shndërrohet në filologji. “Në lidhje me problemin tonë, që me të drejtë mund të konsiderohet si një problem i heshtur, dhe që është i kapshëm vetëm nga pak veshë, është me interes të pohojmë se në ato fjalë dhe rrënjë që nënkuptojnë vlerën ‘e mirë’ ne vëmë re, qoftë dhe në mënyrë të sfumuar, fuqinë që i jep të drejtën aristokratëve për ta konsideruar veten qenie të një rangu më të lartë se pjesa tjetër. Është e vërtetë se në pjesën më të madhe të rasteve të tyre ata e përkufizojnë veten me terma që rrjedhin nga superioriteti i tyre në fuqi (si ‘të fuqishmit’, ‘heronjtë’, ‘udhëheqësit’), ose duke u bazuar në treguesit më të dukshëm të këtij superioriteti, si për shembull, ‘të pasurit’, apo ‘zotëruesit’ (ky është dhe kuptimi i ayra; që në mënyrë analoge gjendet në gjuhën iraniane dhe atë sllave). (…) Tek malus e latinëve (të cilën unë e vendos përkrah μέας) mund të përfaqësohej njeriu i zakonshëm, një individ me gnjyrë të errët, veçanërisht me flokë të zinj (‘hic niger est’), aborigjeni paraarian banues i territorit italian që dallohej shumë qartë për shkak të ngjyrës së tij prej racës bionde tashmë në pushtet, domethënë prej racës së pushtuesve arianë; pak a shumë të njëjtën gjë më ka bërë të mendoj dhe rasti i galëve – fin (për shembull në emrin Fin-Gal), term ky që emëronte aristokracinë dhe së fundi të mirën, fisniken, të kulluarën, por në origjinë të tij presupozonte njeriun bjond të dallueshëm prej aborigjenit flokëzi. (…) Besoj se mund ta interpretoj fjalën latine bonus si ‘luftëtar’; hipoteza ime është se nuk gaboj nëse e derivoj bonus nga forma më e vjetër duonus (krahaso bellum-duellum = duen-lum, në të cilën më rezulton të përmbahet fjala duonus). Bonus si një njeri i mospajtimit, i dallimit (duo), si një luftëtar; kështu pra shihet se çfarë nënkuptonte ‘e mira’ për njeriun e Romës së lashtë. A nuk nënkupton dhe fjala jonë e gjermanishtes së sotshme gut ‘hyjënoren, njeriun e një race hyjnore’? Dhe identifikimi i gjermanit tonë me emrin e popullit të cilit i përket, atë të ‘gotëve’, a nuk dëshmon prejardhjen e tij hynore?”[8]
Ne mund të jemi, ose mund të mos jemi dakort me argumentat specifikë që parashtron Nietzscheja. Por çfarë na nevojitet më tepër prej tij nuk janë rezultat e hulumtimeve të tij, por premisa e tyre historike. E dimë tashmë se ku të çon teza se jeta është luftë për dominim dhe vetafirmim. Nuk është kjo që na intereson – një version disi më i rafinuar dhe pikërisht “aristokratik” i darvinizmit. Teza më e rëndësishme është ajo që na thotë, se asgjë nuk është një e dhënë objektive, se çdo gjë është histori, proces historik. Ka shumë rëndësi të pranojmë, se asgjë nuk është një e dhënë objektive, se asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë. Kjo të nxit të luftosh për një realitet më të mirë. Nëse çdo gjë vjen nga veprimi dhe nga lufta, atëherë duhet luftuar. E përkthyer në kontekstin tonë historiko-politik, kjo nënkupton se vlerat për të cilat kemi aspiruar – liria, drejtësia, barazia, demokracia, etj. – duhen ndërtuar. Ato duhen ndërtuar nga vetë ne. Ato janë krijime historike dhe jo mallra importi. Me fjalë të tjera, nuk ka asgjë të gatshme. Ndoshta ky është mësimi më i rëndësishëm që rezulton prej analizës së metodës gjenealogjike të Nietzsches. Gjithë pjesa tjetër gjendet tek vepra e tij “Gjenealogjia e moralit”. Nga kjo vepër duhet të marrim atë që na duhet dhe na shërben.
Nëntor 2024
[1] Konica F., “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, “Shqipëria si m’u duk”/ “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, Reklama, Tiranë, 2010, f. 66
[2] Della Mirandola G.P., “Traktat mbi dinjitetin njerëzor”, Botime Akropoli i Ri, Tiranë, 2019, f. 39
[3] Foucault M., “Nietzsche, gjenealogjia dhe historia”, Zenit, Tiranë, 2018, f. 6-7
[4] Nietzsche F., “Perëndimi i idhujve”, Uegen, Tiranë, 2014, f. 126
[5] Foucault M., vep, cit., f. 11
[6] Nietzsche F., “Gjenealogjia e moralit”, Uegen, Tiranë, 2011, f. 21-28
[7] Nietzsche F., “Gjenealogjia e moralit”, vep. cit., f. 26-28
[8] Nietzsche F., “Gjenealogjia e moralit”, vep. cit., f. 21-24
Komente