web analytics

Të veçanta

Gërryerja e rrezikshme e Strategjisë Izraelite

Gërryerja e rrezikshme e Strategjisë Izraelite

Autori: Stephen Walt, Burimi: Foreign Policy

Përktheu: Kevi Muçllari  

Izraeli është në telashe serioze. Qytetarët Izraelitë janë thellësisht të ndarë dhe situata nuk po shfaq shenja përmirësimi. Në Gaza, Izraeli është zhytur në një luftë pa rrugëdalje, ushtria e tij po tregon shenja lodhjeje dhe një luftë më e gjerë me Hezbollahun ose Iranin mbetet një mundësi. Ekonomia izraelite po vuan keqazi dhe Times of Israel raportoi së fundmi se deri në 60,000 biznese mund të mbyllen këtë vit.

Për më tepër, sjellja e Izraelit kohët e fundit ka dëmtuar rëndë imazhin e tij global dhe ai po bëhet një shtet pariah në mënyra që dikur ishin të paimagjinueshme. Pas sulmeve brutale të Hamasit më 7 tetor 2023, Izraeli u ngushëllua me doza të konsiderueshme solidariteti nga e gjithë bota dhe u pranua gjerësisht se Izraeli kishte të drejtë të përgjigjej fuqishëm. Por më shumë se 10 muaj më vonë, fushata gjenocidale e Izraelit kundër palestinezëve në Gaza dhe rritja e dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor e kanë shpërdoruar valën fillestare të mbështetjes. Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër-arrest për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit; Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka nxjerrë disa konkluzione paraprake ku veprimet e Izraelit përshkruhen si gjenocidale në natyrë dhe qëllime, dhe gjykata më në fund e ka shpallur pushtimin dhe kolonizimin Izraelit të Bregut Perëndimor, Gazës dhe Jerusalemit Lindor si një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare.

Vetëm ithtarët më besnikë të Sionizmit mund të shikojnë atë që po ndodh në Gaza dhe të mos shqetësohen thellë, për të mos thënë të tmerrohen. Mbështetja në Shtetet e Bashkuara për veprimet e Izraelit po bie ndjeshëm dhe amerikanët e rinj (përfshirë shumë hebrenj të rinj amerikanë) kundërshtojnë përgjigjen e administratës Biden ndaj veprimeve të Izraelit. Lexoni këtë postim në Tëitter nga Eran Etzion, ish-zëvendës Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit dhe do të kuptoni mirë dëmin që Izraeli i ka shkaktuar vetes. Më pas lexoni rrëfimin që na përcjell nga vizita e fundit në Izrael historiani Omer Bartov, një nga studiuesit kryesorë të gjenocidit në botë, dhe do të kuptoni se sa i thellë është problemi. (Për cilindo që është I interesuar ta lexojë artikulli mund të gjendet tek The guardian, As a Former IDF soldier and historian of genocide, I ëas deeply disturbed by my recent visit to Israel, ja vlen të Lexohet)

Është tunduese ideja e fajësimit të Netanyahut për të gjitha këto probleme, paçka se ai me siguri e meriton kritikën që I është bërë brenda dhe jashtë vendit. Por vënia e fajit vetëm te Bibi anashkalon një problem më të thellë: erozionin gradual në të menduarin strategjik Izraelit gjatë 50 viteve të fundit. Arritjet dhe aftësitë taktike të vendit gjatë dy dekadave të tij të para priren ta errësojnë – veçanërisht mes të moshuarve – shkallën e rrezikut që paraqesin zgjedhjet kryesore strategjike të Izraelit që nga viti 1967 dhe të cilat kanë kontribuar në minimin e sigurisë së tij.

Sionistët e hershëm dhe gjenerata e parë e udhëheqësve Izraelitë ishin strategë të zgjuar. Ata po tentonin diçka që dukej pothuajse e pamundur: të krijonin një shtet hebre në mes të botës arabe, edhe pse popullsia hebreje në Palestinë në vitin 1900 ishte shumë e vogël dhe vazhdonte të ishte minorancë kur u themelua Izraeli në 1948. Themeluesit ia dolën sepse ishin pamëshirshëm realistë: ata përfituan nga mundësitë e favorshme, krijuan forca të afta paraushtarake (dhe më vonë një ushtri dhe forcë ajrore të klasit të parë) dhe punuan jashtëzakonisht për të fituar mbështetje nga fuqitë dominuese botërore. Për shembull, vlen të përmendet, se si Bashkimi Sovjetik ashtu edhe Shtetet e Bashkuara mbështetën Planin e Ndarjes së OKB-së të vitit 1947 dhe të dy e njohën Izraelin menjëherë pas themelimit të tij. David Ben-Gurion dhe udhëheqësit e tjerë sionistë ishin shpesh të gatshëm të pranonin marrëveshje që ishin të papërshtatshme për qëllimet e tyre afatgjata, të paktën përkohësisht, me kusht që marrëveshja t’i afronte sa më pranë qëllimeve të tyre finale.

Me realizimin e shtetësisë, qeveria e re punoi me zell për të kultivuar mbështetjen ndërkombëtare përmes hasbarës (propagandës) së pamëshirshme dhe për të krijuar aleanca efektive me Francën, Afrikën e Jugut dhe disa vende të tjera. Mbi të gjitha, ajo vendosi një “marrëdhënie speciale” me Shtetet e Bashkuara, bazuar kryesisht në fuqinë dhe ndikimin në rritje të “lobit izraelit”. Udhëheqësit e hershëm Izraelitë e kuptuan se një vend i vogël i rrethuar nga fuqi armiqësore duhej të bënte llogari të kujdesshme dhe të përpiqej fort për të fituar mbështetjen ndërkombëtare. Shkathtësia diplomatike dhe një dozë mashtrimi e ndihmuan gjithashtu Izraelin të zhvillonte një arsenal klandestin të armëve bërthamore dhe të fshehte realitetet mizore të themelimit të Izraelit, i cili u bë gjerësisht i njohur vetëm pasi u botuan veprat e Benny Morris, Ilan Pappe, Avi Shlaim, Simha Flapan dhe të tjerë “historianë të rinj” të viteve 1980.

Asnjë qeveri nuk është e përsosur, dhe udhëheqësit e hershëm Izraelitë kanë gabuar në disa raste.  Ben-Gurion gaboi kur bashkëpunoi me Britaninë e Madhe dhe Francën për të sulmuar Egjiptin në krizën e Suezit të vitit 1956 dhe më pas sugjeroi që Izraeli të mos i tërhiqte trupat e tij. Megjithatë, ai e braktisi shpejt këtë qëndrim, kur administrata Eisenhoëer e bëri të qartë se nuk do të toleronte një ekspansion të tillë të pajustifikuar. Por në përgjithësi, mprehtësia strategjike e shtetit sionist në ditët e para të tij ishte mbresëlënëse, veçanërisht kur krahasohej me kundërshtarët e tij.

Pikë kthese u bë fitorja mahnitëse e Izraelit në Luftën Arabo-Izraelite të vitit 1967. Rezultati nuk ishte edhe aq I jashtëzakonshëm sa dukej në atë kohë (ndër të tjera, inteligjenca amerikane kishte parashikuar se Izraeli do të fitonte lehtësisht), por shpejtësia dhe shtrirja e këtij triumfi befasoi shumë njerëz dhe kontribuoi në nxitjen e një ndjenje krenarie e cila që atëherë ka minuar gjykimin strategjik të Izraelit.

Gabimi kryesor, siç kanë argumentuar vazhdimisht studiuesit e kujdesshëm izraelitë, ishte vendimi për të pushtuar dhe kolonizuar gradualisht Bregun Perëndimor dhe Gazën, si pjesë e një përpjekjeje afatgjatë për të krijuar një “Izrael të Madh”. Ben-Gurion dhe pasuesit e tij kishin kërkuar të minimizonin numrin e palestinezëve brenda shtetit të ri hebre, por zotërimi i Bregut Perëndimor dhe Gazës do të thoshte që Izraeli të kontrollonte një popullsi palestineze me rritje të shpejtë e cila ishte pothuajse aq e madhe sa popullsia Izraelite. Ky pushtim – siç quhet zakonisht – krijoi një tension të pashmangshëm midis karakterit hebre të Izraelit dhe sistemit të tij demokratik: Izraeli mund të mbetet një shtet hebre vetëm duke eleminuar të drejtat politike të palestinezëve dhe duke krijuar një sistem aparteidi, në një epokë kur një rend i tillë politik shihet si një mallkim për një numër të madh njerëzish në mbarë botën. Izraeli mund ta tejkalojë këtë problem përmes spastrimit etnik dhe/ose gjenocidit të vazhdueshëm, por të dyja janë krime kundër njerëzimit që edhe miqtë e tij më të afërt nuk mund t’I miratojnë.

Vendimin për krijimin e një Izraeli të Madh e pasuan shumë shpejt gabime të tjera. Udhëheqësit izraelitë (dhe homologët e tyre amerikanë, duke përfshirë Henry Kissinger) nuk arritën ta kuptonin se presidenti egjiptian Anëar Sadat ishte gati të bënte paqe në këmbim të kthimit të Gadishullit të Sinait, të cilin Izraeli e kishte pushtuar në 1967.

Për më tepër, inteligjenca izraelite u mbështet mbi një supozim të gabuar kur e konsideroi ushtrinë egjiptiane shumë të dobët për të sfiduar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në Sinai, duke shpërfillur mundësinë e luftës. Rezultati i këtij gjykimi të gabuar ishte Lufta e Tetorit të vitit 1973. Pavarësisht pengesave fillestare, Izraeli ja doli në fushën e betejës, por jo në tryezën e bisedimeve pas luftës. Kostot e luftës, kombinuar me presionin nga Shtetet e Bashkuara, i bindën udhëheqësit izraelitë të fillonin negociata serioze për të hequr dorë nga Sinai.

Kjo zhvendosje I hapi rrugën përfundimisht vizitës historike të Sadatit në Jerusalem, Marrëveshjeve në Camp David dhe traktatit pasues të paqes egjiptiano-izraelite (i favorizuar nga ndërmjetësimi këmbëngulës dhe inteligjent i presidentit të atëhershëm të SHBA-së Jimmy Carter). Fatkeqësisht, për shkak se kryeministri i atëhershëm Menachem Begin ishte thellësisht i përkushtuar ndaj objektvit të Izraelit të Madh dhe nuk dëshironte t’i jepte fund okupimit, ai e humbi mundësinë premtuese për të zgjidhur çështjen palestineze një herë e përgjithmonë.

Momenti tjetër që tregonte gërryerjen e gjykimit strategjik ishte pushtimi fatkeq i Libanit nga Izraeli në vitin 1982. Kjo skemë ishte ideuar nga ministri (fanatik) i Mbrojtjes Ariel Sharon, i cili e bindi Begin se një inkursion ushtarak në Liban do të shpërndante Organizatën për Çlirimin e Palestinës, ose PLO (e cila kishte një prani të konsiderueshme në Liban), do krijonte një qeveri pro-izraelite në Bejrut dhe do t’i jepte Izraelit dorë të lirë në Bregun Perëndimor. Pushtimi ishte një sukses ushtarak afatshkurtër, por çoi në pushtimin e Libanit jugor nga IDF, i cili, nga ana tjetër, çoi drejtpërdrejt në krijimin e Hezbollahut, rezistenca gjithnjë e më e fuqishme e të cilit më në fund e detyroi Izraelin të tërhiqej nga Libani në vitin 2000. Heqja e PLO nga Libani nuk e ndaloi rezistencën palestineze: në vend të kësaj, ajo hapi rrugën për Intifadën e Parë në 1987, një tjetër shenjë e qartë se palestinezët nuk do të largoheshin nga atdheu i tyre ose nuk do t’i nënshtroheshin dominimit të përhershëm izraelit.

Megjithëse disa Izraelitë largpamës e kuptuan se çështja palestineze nuk do të çrrënjosej, qeveritë e njëpasnjëshme izraelite vazhdimisht vepruan në mënyra që e përkeqësuan problemin. Për shembull, megjithëse PLO kishte pranuar ekzistencën e Izraelit duke nënshkruar Marrëveshjen e parë të Oslos në 1993, asnjë udhëheqës izraelit nuk ishte i gatshëm t’u ofronte palestinezëve një shtet të tyrin. Edhe pse oferta sipërfaqësisht bujare e bërë nga kryeministri i atëhershëm Ehud Barak në samitin e Camp David të vitit 2000 shkoi më tej se çdo propozim i mëparshëm izraelit, ajo sërish nuk j’u dha palestinezëve një shtet funksional. Oferta më e mirë Izraelite konsistonte në dy ose tre kantone të ndara dhe të çmilitarizuara në Bregun Perëndimor, me Izraelin që do të kontrollonte plotësisht kufijtë, hapësirën ajrore dhe burimet ujore të njësisë së re. Ky nuk ishte një shtet funksional, e lëre më një shtet që mund të pranohej nga udhëheqësit legjitimë palestinezë. Nuk është çudi që ish-ministri i Jashtëm izraelit Shlomo Ben-Ami pohoi më vonë se: “Nëse do të isha palestinez, do ta kisha refuzuar Camp David”.

Paqja me palestinezët do të kërkonte që Izraeli të ndalojë zgjerimin e kolonive në territoret e pushtuara dhe të punojë me palestinezët për të krijuar një qeveri kompetente, efektive dhe legjitime. Në vend të kësaj, liderët e Izraelit – veçanërisht qeveritë e udhëhequra nga Sharon dhe Netanyahu – kanë bërë të kundërtën. Ata refuzuan të ndalnin zgjerimin e kolonive, bënë përpjekje shumë të mëdha për t’i mbajtur palestinezët të dobët dhe të përçarë, edhe kur kjo heshturazi nënkuptonte mbështetje për Hamasin, dhe në mënyrë të përsëritur penguan përpjekjet e SHBA-së për të arritur një zgjidhje me dy shtete. Rezultati ishte një seri (periodike) përplasjesh shkatërruese, por jo përfundimtare (të tilla si Operacioni Cast Lead në 2008-09 dhe Operacioni Protective Edge në 2014). Megjithatë, këto përpjekje periodike për të “kositur barin” nuk i dhanë fund rezistencës palestineze dhe përfundimisht kulmuan me sulmin ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, goditja më e rëndë që i është shkaktuar Izraelit në dekada.

Një shembull i fundit, tregues i miopisë strategjike izraelite është kundërshtimi i tij i zjarrtë ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të negociuar vendosjen e kufizimeve mbi programin bërthamor të Iranit. Izraeli, për arsye të forta strategjike, dëshiron të mbetet i vetmi vend në Lindjen e Mesme që posedon armë bërthamore dhe nuk dëshiron të shohë Iranin, kundërshtarin e tij kryesor rajonal, të zotërojë bombën. Kështu, Netanyahu dhe udhëheqësit e tjerë izraelitë duhet të ishin të kënaqur dhe të lehtësuar kur Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera të mëdha të botës e bindën Iranin të nënshkruante Joint Comprehensive Plan of Action në 2015. Pse? Sepse ai kërkonte nga Teherani të reduktonte kapacitetin e tij të pasurimit, të zvogëlonte rezervat e uraniumit të pasuruar dhe të pranonte inspektime shumë rigoroze nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, ç’ka mund të bënte që një bombë iraniane të ishte jashtë mundësive për një dekadë dhe ndoshta edhe më gjatë. Shumë zyrtarë të lartë të sigurisë izraelite e mbështetën me mençuri marrëveshjen, por Netanyahu dhe mbështetësit e tij të linjës së ashpër, së bashku me AIPAC dhe grupet më fanatike në lobin e Izraelit të SHBA-së, e kundërshtuan fuqishëm. Mbështetësit e linjës së ashpër luajtën një rol kyç në bindjen e Presidentit të atëhershëm Donald Trump që të largohej nga marrëveshja në vitin 2018, dhe sot Irani është më afër se kurrë ndërtimit të një bombe. Vështirë se mund të imagjinohet një politikë izraelite më dritëshkurtër.

Çfarë e shpjegon rënien dramatike të mprehtësisë strategjike izraelite? Një faktor i rëndësishëm është ndjenja e mendjemadhësisë dhe mosndëshkimi që vjen si pasojë e mbrojtjes dhe miratimit që SHBA-ja tregon ndaj dëshirave të Izraelit. Nëse vendi më i fuqishëm në botë ju mbështet, pavarësisht se çfarë bëni, nevoja për të menduar me kujdes për veprimet tuaja pashmangshmërisht do të zvogëlohet. Për më tepër, tendenca ekskluzive e Izraelit për ta parë veten si viktimë dhe për t’I anatemuar të gjitha politikat kundërshtuese ndaj tij si anti-Semite nuk ndihmon aspak, sepse e bën më të vështirë për udhëheqësit izraelitë dhe publikun e tyre të kuptojnë se si veprimet e tyre mund të jenë shkaktare të armiqësive me të cilat përballen. Fakti që Netanyahu është Kryeministri Izraelit më jetëgjatë e rëndon edhe më tej problemin, veçanërisht sepse veprimet e tij drejtohen kryesisht nga interesi vetjak (d.m.th., dëshira për të shmangur burgun për korrupsion), dhe jo nga preokupimi për të bërë më të mirën për vendin e tij. Nëse do t’I shtonim kësaj ndikimin në rritje të së djathtës fetare, pikëpamjet mesianike të së cilës për politikën e jashtme janë përmbledhur së fundmi në një artikull rrëqethës në Haaretz, atëherë me siguri do të kemi një recetë për katastrofën. Kur një vend I merr vendimet strategjike bazuar në profecitë apokaliptike dhe tek pritshmëria e një ndërhyrje hyjnore: KUJDES.

Pse ka rëndësi kjo? Sepse siç e kanë demonstruar Shtetet e Bashkuara në përgjigjen e tyre ndaj 11 shtatorit, vendet që nuk mendojnë në mënyrë inteligjente për opsionet e tyre strategjike mund t’i bëjnë dëm të konsiderueshëm vetes dhe të tjerëve. Veprimet e Izraelit kërcënojnë perspektivat e tij afatgjata, kështu që kushdo që dëshiron që ai të ketë një të ardhme të ndritur duhet të shqetësohet veçanërisht nga gërryerja e gjykimit të tij strategjik. Sjellja e tij hakmarrëse dhe dritëshkurtër ka shkaktuar dëme të mëdha mbi palestinezët e pafajshëm për dekada, (e cila  vazhdon edhe sot e kësaj dite) megjithatë ka pak shanse për t’i dhënë fund rezistencës palestineze. Të qenit I lidhur ngushtë me një partner të çrregullt dhe mendjelehtë është një problem serioz edhe për Shtetet e Bashkuara, sepse jo vetëm që kërkon kohë, vëmendje dhe burime por dhe i bën Shtetet e Bashkuara të duken joefektive dhe hipokrite. Për më tepër kjo mund të frymëzonte një valë tjetër terrorizmi antiamerikan, me gjithë dëmet evidente që do të përfshinte.

Fatkeqësisht, është gjithashtu e paqartë sesi mund të rregullohet kjo situatë. Gjëja më e mirë që mund të bëjnë mbështetësit e Izraelit në Shtetet e Bashkuara është t’i bëjnë presion si demokratëve ashtu edhe republikanëve që të përdorin një dozë të rëndë dashurie agresive ndaj shtetit hebre, në mënyrë që ai të fillojë të rishqyrtojë trajektoren e tij aktuale. Natyrisht, kjo do të kërkonte gjithashtu që grupet e lobit si AIPAC të reflektojnë mbi rolin që ata kanë luajtur për ta udhëhequr Izraelin drejt rrëmujës aktuale. Fatkeqësisht, nuk ka asnjë shenjë që tregon se kjo mund të ndodhë së shpejti. Në vend të kësaj, mbështetësit e Izraelit në Shtetet e Bashkuara po dyfishohen. Kjo është një recetë për telashe të pafundme, për të mos thënë fatkeqësi.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP