web analytics

Të veçanta

Paqëndrueshmëria e Liberalizmit (Pjesa e Parë)

Patrick J. Deneen

Patrick J. Deneen është profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin e Notre Dame.

Për shumicën e njerëzve në Perëndim, ideja e një epoke dhe mënyrë jetese pas-liberale është po aq e besueshme sa ideja e të jetuarit në Mars. Megjithatë, liberalizmi është një eksperiment i guximshëm politik dhe social suksesi i të cilit nuk është aspak i sigurt. Forca e tij dukshëm mbështetet në një numër të madh institucionesh dhe burimesh para, jo, madje edhe antiliberale, të cilat nuk i ka riintegruar dhe vitet e fundit është përpjekur në mënyrë aktive t’i minojë. Kjo “tërheqje” nga trashëgimia paraliberale nuk është kontigjente apo aksidentale, por një tipar i qenësishëm i liberalizmit.

Kështu, eksperimenti liberal është në kontradiktë me vetveten dhe një shoqëri liberale pashmangshmërisht do të bëhet “post-liberale”. Kushti postliberal mund të ruajë shumë aspekte që konsiderohen si triumf i liberalizmit – në veçanti barazia e dinjitetit njerëzor – ndërkohë që imagjinon një kuptim alternativ të njeriut, komunitetit njerëzor, politikës dhe marrëdhënies së qyteteve njerëzore me qytetin e Zotit. Përfytyrimi i një gjendje pas liberale na kërkon të mos rikthejmë diçka që dikur ishte, por të konsiderojmë diçka që mund të jetë; nuk është një projekt nostalgjie, por vizioni, imagjinate dhe ndërtimi.

Shumë nga ato që konsiderohen si parametrat shënjuese të liberalizmit – veçanërisht marrëveshjet politike si konstitucionalizmi, sundimi i ligjit, të drejtat dhe privilegjet e qytetarëve, ndarja e pushteteve, shkëmbimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve në tregje dhe federalizmi – gjenden në mendimin mesjetar. Pacënueshmëria e dinjitetit njerëzor, kufizimet kushtetuese ndaj pushtetit qendror dhe barazia para ligjit janë pjesë e një trashëgimie paraliberale.

Marrëveshjet rreptësisht politike të konstitucionalizmit modern nuk përbëjnë në vetvete një regjim liberal. Përkundrazi, liberalizmi përbëhet nga disa supozime thellësisht antropologjike që u japin institucioneve liberale një orientim dhe identitet të veçantë: 1) individualizmi antropologjik dhe koncepti i zgjedhjes vullnetare dhe 2) shkëputja dhe antagonizmi njerëzor karshi natyrës. Këto dy revolucione në të kuptuarit e natyrës njerëzore dhe shoqërisë përbëjnë “liberalizmin” për aq sa prezantojnë një përkufizim rrënjësisht të ri të “lirisë”.

Liberalizmi prodhon një shmangie partikulare nga trashëgimia e tij paraliberale, kryesisht duke mos marrë parasysh implikimet e zgjedhjeve të bëra nga individët mbi komunitetin, shoqërinë dhe brezat e ardhshëm. Idenë e zgjedhjes nuk e ka themeluar liberalizmi. Liberalizmi hodhi poshtë idenë se ekzistojnë zgjedhje të gabuara ose të këqija, dhe në këtë mënyrë hodhi poshtë strukturat dhe institucionet shoqërore të cilat ishin paracaktuar që të frenonin tundimin drejt përllogaritjeve egocentrike.

Revolucioni i parë, aspekti më themelor dhe më dallues i liberalizmit, konsiston tek themelimi i politikës mbi idenë e vullnetarizmit – zgjedhja e lirë, e papenguar dhe autonome e individëve. Ky argument është artikuluar fillimisht nga Thomas Hobbes në mbrojtjen proto-liberale që i bëri monarkisë. Sipas Hobsit, qeniet njerëzore për nga natyra ekzistojnë në një gjendje pavarësie dhe autonomie radikale. Duke njohur brishtësinë e një gjendjeje në të cilën jeta është “e keqe, e vrazhdë dhe e shkurtër”, ata përdorin egoizmin racional për të sakrifikuar shumicën e të drejtave të tyre natyrore me qëllim që të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e një sovrani. Legjitimiteti iatribuohet pëlqimit.

Shteti është krijuar për të frenuar veprimet e jashtme të individëve dhe për të kufizuar përmes ligjit  veprimtarinë potencialisht shkatërruese të qenieve njerëzore rrënjësisht individualiste. Ligji është një grup kufizimesh praktike ndaj individëve egoistë; nuk presupozohet assesi ekzistenca e vetëpërmbjatjes e lindur nga shqetësimi reciprok. Siç shkruan Hobbes tek Leviathani, ligji është i krahasueshëm me një gardh që është vendosur “jo për të ndaluar udhëtarët, por për t’i mbajtur ata në rrugë”; domethënë, ligji frenon prirjen e natyrshme të njerëzve për të vepruar sipas “dëshirave impulsive, pakujdesisë ose pamaturisë”, prandaj ekzistojnë gjithmonë “rregullat e autorizuara” si kufizime të jashtme mbi atë që përndryshe përbën lirinë tonë natyrore. “Aty ku ligji hesht”, njerëzit janë të lirë, duke u detyruar vetëm për aq sa rregullat e “autorizuara” nga shteti janë të qarta. I gjithë autoriteti legjitimues i është dhënë shtetit. Ai është krijuesi dhe zbatuesi i vetëm i ligjit pozitiv, madje përcakton edhe shprehjet legjitime dhe jolegjitime të besimit fetar. Shteti ka për detyrë ruajtjen e stabilitetit shoqëror dhe parandalimin e rikthimit në gjendjen e anarkisë natyrore; përmes përmbushjes së këtyre detyrave shteti “siguron” të drejtat tona natyrore.

Kësisoj, qeniet njerëzore janë për nga natyra krijesa “jo-relacionale”, individualiste dhe autonome. Në këtë mënyrë, liberalizmi inicion një projekt sipas të cilit legjitimiteti i të gjitha marrëdhënieve njerëzore – duke filluar, por pa u kufizuar tek lidhjet politike – bëhet gjithnjë e më shumë subjekt i kriterit të zgjedhjes vetjake, zgjedhje e cila bazohet thellësisht tek interesi racional.

Xhon Loku, pasardhësi filozofik i Hobsit, e kuptoi se logjika voluntariste në instancë të fundit ndikon në të gjitha marrëdhëniet, duke përfshirë edhe ato familjare. Loku – filozofi i parë i liberalizmit – në Traktatin e dytë të qeverisjes e pranon se detyrat e prindërve në rritjen e fëmijëve dhe detyrat korresponduese të fëmijëve në bindjen ndaj prindërve të tyre burojnë nga urdhërimi “të nderosh babanë tënd dhe nënën tënde”, por më tej pretendon se çdo fëmijë duhet ta nënshtrojë përfundimisht  trashëgiminë ndaj logjikës së pëlqimit duke përqafuar versionin e gjendjes së natyrës, në të cilin ne veprojmë si individë autonomë që zgjedhin. “Meqënëse fëmijët për nga natyra janë po aq të lirë sa prindërit ose paraardhësit e tyre, ata mund të zgjedhin, ndërkohë që janë në këtë gjendje lirie, se cilës shoqërie t’i bashkohen, cilit komunitet do t’i nënshtrohen. Por nëse ata duan të përfitojnë nga trashëgimia e paraardhësve të tyre, ata duhet ta pranojnë atë me të njëjtat kushte që e kanë pranuar paraardhësit e tyre dhe t’u nënshtrohen të gjitha kushteve që i bashkëngjiten një trashëgimie të tillë.” Edhe ata që e miratojnë trashëgiminë e prindërve të tyre e bëjnë këtë vetëm nëpërmjet logjikës së pëlqimit, paçka se pëlqimi i tyre mund të jetë vetëm i nënkuputuar.

Edhe martesa, thotë Locke, përfundimisht duhet kuptuar si një kontratë, kushtet e së cilës janë të përkohshme dhe subjekt rishikimi, veçanërisht pasi përfundojnë detyrat e rritjes së fëmijëve. Nëse logjika (gjithëpërfshirëse) e zgjedhjes zbatohet për marrëdhëniet më elementare dhe më themelore të familjes, atëherë ajo vlen edhe më shumë për lidhjet më fleksibël që i lidhin njerëzit me institucione dhe asociacione të tjera, në të cilat qëndrueshmëria e anëtarësimit është subjekt i monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm për të verifikuar nëse është avantazh apo barrë e tepërt për të drejtat individuale të çdo personi.

Kjo nuk do të thotë se epoka paraliberale hodhi poshtë idenë e zgjedhjes së lirë të individëve. Mes mënyrave domethënëse që krishterimi preliberal kontribuoi në zgjerimin e zgjedhjes njerëzore ishte transformimi i idesë së martesës nga një institucion i bazuar në konsideratat e familjes dhe pronës, në një institucion të bazuar në zgjedhjen dhe pëlqimin e individëve të lidhur përmes dashurisë sakramentale. Ajo që sugjerohet është se baza themelore për vlerësimin e institucioneve, shoqërisë, përkatësive, anëtarësimit dhe madje edhe marrëdhënieve personale i nënshtrohet konsideratave të zgjedhjes individuale të bazuara në përllogaritjen individualiste të interesit vetjak, pa konsideruar ndikimin më të gjerë që zgjedhjet e dikujt kanë mbi komunitetin – në të tashmen dhe të ardhmen – dhe detyrimet që dikush ka ndaj rendit të krijuar dhe në analizë të fundit ndaj Zotit.

Liberalizmi ka filluar me pohimin eksplicit, të cilin ende vazhdon ta pretendojë, se ai thjesht përshkruan vendimmarrjen tonë politike, sociale dhe individuale. Megjithatë, në mënyrë implicite ai është konstituuar si një projekt konstruktiv ose normativ: Ajo që paraqitet si përshkrim i vullnetarizmit njerëzor në fakt duhej të zëvendësonte një formë shumë të ndryshme të vetëkuptimit njerëzor dhe përvojës kumulative. Në këtë mënyrë, teoria liberale u përpoq të edukonte njerëzit që të mendonin ndryshe për veten dhe marrëdhëniet e tyre. Liberalizmi shpesh pretendon neutralitet në lidhje me zgjedhjet që njerëzit bëjnë në shoqërinë liberale; është mbrojtësi i “të drejtës”, jo i ndonjë koncepti të veçantë të “të mirës”.

Megjithatë, liberalizmi nuk është neutral sa i përket bazamentit mbi të cilin njerëzit marrin vendimet e tyre. Ashtu siç kurset e ekonomisë pretendojnë se thjesht përshkruajnë qeniet njerëzore duke i paraqitur si aktorë individualë të cilët maksimizojnë dobinë, por që në të vërtetë ndikojnë tek studentët që të veprojnë më me egoizëm, në të njëjten mënyrë liberalizmi i mëson njerëzve të evitojnë angazhimet dhe të adoptojnë marrëdhënie dhe lidhje të paqëndrueshme. Jo vetëm që të gjitha marrëdhëniet politike dhe ekonomike janë të këmbyeshme dhe subjekt i ripërcaktimit të vazhdueshëm, por edhe të gjitha marrëdhëniet e tjera, – qofshin këto me vendin, me fqinjësinë, me kombin, me familjen apo edhe me fenë. Liberalizmi tenton të inkurajojë lidhje të shpenguara.

Revolucioni i dytë, dhe presupozimi i dytë antropologjik që përbën liberalizmin, është më pak i dukshëm në pikëpamje politike. Mendimi politik paramodern – i antikitetit klasik dhe mesjetar, veçanërisht ai i ndikuar nga koncepti aristotelian i shkencës natyrore – e kuptonte njeriun si pjesë të një rendi natyror gjithëpërfshirës. Njeriu konceptohej se kishte një telos, një fund të caktuar, të dhënë nga natyra dhe të pandryshueshëm. Natyra njerëzore ishte në harmoni me rendin e botës natyrore, kështu njeriut i kërkohej që të ishte në përputhje si me natyrën e tij ashtu edhe, në një kuptim më të gjerë, me rendin natyror, pjesë e të cilit ishin qeniet njerëzore. Qeniet njerëzore mund të veprojnë lirisht kundër natyrës së tyre dhe rendit natyror, por veprime të tilla i deformojnë dhe dëmtojnë të mirën e vetë qenieve njerëzore dhe të botës. Etika e Aristotelit dhe Summa Theologica e Aquinas janë përpjekje për të përcaktuar kufijtë që natyra – pra ligji natyror – vendos mbi qeniet njerëzore dhe secila vepër kërkon të edukojë njeriun se si të jetojë sa më mirë brenda këtyre kufijve, nëpërmjet praktikës së virtyteve, në mënyrë që të arrihet kushti i prosperitetit njerëzor.

Filozofia liberale e hodhi poshtë kërkesën për vetëkufizim njerëzor. Fillimisht ajo zëvendësoi idenë e një rendi natyror ndaj të cilit njeriu ishte i nënshtruar dhe më pas edhe vetë nocionin e natyrës njerëzore. Liberalizmi inauguroi një transformim në shkencat natyrore dhe humane, i bazuar në transformimin e pikëpamjes së natyrës njerëzore dhe marrëdhënien e njeriut me botën natyrore.

Vala e parë e këtij revolucioni – e filluar nga mendimtarët e hershëm modernë që nga periudha e Rilindjes – argumentoi se njeriu duhet të kërkojë zotërimin e natyrës duke përdorur shkencën natyrore dhe një sistem ekonomik të transformuar që mbështet një ndërmarrje të tillë. Vala e dytë – e zhvilluar kryesisht nga shkollat e mendimit historicist, veçanërisht në shekullin e nëntëmbëdhjetë – zëvendësoi besimin në idenë e një natyre njerëzore fikse me besimin në “plasticitetin” njerëzor dhe aftësinë për progres dhe transformim moral. Ndërsa këto dy versione të liberalizmit – shpesh të etiketuara “konservatore” dhe “progresive” – ​​pretendojnë sot supremaci ndaj njëra-tjetrës, ne do të bënim mirë të kuptonim ndërlidhjen e tyre të thellë.

Mendimtari “proto-liberal” I cili udhëhoqi “valën e parë” të transformimit që solli liberalizmi ishte Francis Bacon. Ashtu si Hobbes (i cili ishte sekretari i Bacon-it), ai sulmoi konceptin Aristotelian dhe Tomist për natyrën dhe ligjin natyror dhe argumentoi lidhur me aftësinë e njeriut për të “zotëruar” ose “kontrolluar” natyrën – madje duke e krahasuar natyrën me një të burgosur që fsheh sekretet nga një inkuizitor dhe kërkon që hulumtuesi (shkencëtari) ta nënshtrojë ndaj torturës – e gjitha me qëllim që të sigurojë “lehtësimin e gjendjes njerëzore”.

Liberalizmi e përqafoi ngushtësisht këtë orientim të ri të shkencave natyrore dhe gjithashtu avancoi një sistem ekonomik – sipërmarrjen e lirë të bazuar tek tregu – që në mënyrë të ngjashme promovonte ekspansionin e përdorimit, pushtimit dhe zotërimit të botës natyrore nga njeriu. Liberalizmi I hershëm mbronte pikëpamjen se natyra njerëzore ishte e pandryshueshme – qeniet njerëzore ishin, nga natyra, krijesa egoiste, impulset bazë të të cilave mund të shfrytëzoheshin, por jo të ndryshoheshin rrënjësisht – por, nëse kanalizohej në mënyrë të dobishme, mund të nxiste një sistem ekonomik dhe shkencor që rrit lirinë e njeriut përmes ekspansionit të kapaciteteve të qenieve njerëzore për të ushtruar dominimin e tyre ndaj natyrës.

“Vala e dytë” e këtij revolucioni filloi si një kritikë direkte ndaj kësaj pikëpamjeje mbi njeriun. Mendimtarët, duke nisur nga Rousseau te Marksi, nga Milli te Dewey dhe nga Richard Rorty te “trans’humanistët” bashkëkohorë e hedhin poshtë idenë se natyra njerëzore është e fiksuar. Duke adoptuar këndvështrimin e teoricienëve të valës së parë, ata e shtrinë në vetë natyrën njerëzore idenë e natyrës së nënshtruar ndaj pushtimit njerëzor.

Kështu liberalët e valës së parë përfaqësohen sot nga “konservatorët” të cilët theksojnë nevojën për të dominuar natyrën nga pikëpamja shkencore dhe ekonomike, por nuk e shohin të nevojshëm shtrirjen totale të këtij projekti në natyrën njerëzore. Ata mbështesin pothuajse të gjitha përdorimet utilitare të botës (natyrës) për qëllime ekonomike, por kundërshtojnë shumicën e formave të “përmirësimit” bioteknologjik. Liberalët e valës së dytë miratojnë gjithnjë e më shumë pothuajse çdo mjet teknik për çlirimin e njeriut nga imperativët biologjikë të trupave tanë. Debatet e sotme politike ndodhin kryesisht dhe pothuajse ekskluzivisht midis liberalëve – të valës së parë dhe të dytë – paçka se asnjëri prej tyre nuk ballafaqohet me një kuptim thelbësisht alternativ të natyrës njerëzore dhe marrëdhënies njerëzore me natyrën që mbronte tradita paraliberale.

Kësisoj, liberalizmi nuk është thjesht një projekt rreptësisht politik i cili promovon qeverisjen kushtetuese dhe mbrojtjen juridike të të drejtave, siç portretizohet shumë shpesh. Përkundrazi, ai kërkon transformimin tërësor të jetës njerëzore dhe të botës. Dy revolucionet e tij – individualizmi antropologjik dhe koncepti i zgjedhjes vullnetare, si dhe këmbëngulja e tij në shkëputjen dhe antagonizmin e njeriut ndaj natyrës – krijuan konceptimin e tij të ri dhe të veçantë për lirinë, e përkufizuar si zgjerimi më i madh i mundshëm i veprimtarisë autonome njerëzore në shërbim të përmbushjes së vetvetes. Liberalizmi e hodhi poshtë konceptin klasik dhe paraliberal të lirisë si një aftësi edukuese e qenieve njerëzore për të kontrolluar dëshirat e tyre bazike dhe hedoniste. Kjo lloj lirie është kusht si për vetëqeverisjen e qytetit ashtu edhe të shpirtit, duke bashkuar ngushtësisht kultivimin dhe praktikën individuale të virtytit dhe vetë-rregullimin e aktiviteteteve komune. Shoqëritë që e kuptojnë lirinë në këtë mënyrë kërkojnë formimin dhe edukimin gjithëpërfshirës të individëve dhe qytetarëve në artin dhe virtytin e vetë-kufizimit.

Në vend të kësaj, liberalizmi e kupton lirinë si një gjendje në të cilën njeriu mund të veprojë lirisht brenda sferës e cila nuk është e kufizuar nga ligji pozitiv. Liberalizmi praktikisht e ribën botën sipas vizionit të tij për gjendjen e natyrës, duke formësuar një botë në të cilën teoria e individualizmit natyror bëhet gjithnjë e më shumë realitet, e siguruar përmes arkitekturës së ligjit, politikës, ekonomisë dhe shoqërisë. Me liberalizmin, qeniet njerëzore jetojnë gjithnjë e më shumë në një gjendje autonomie e cila u imagjinua për herë të parë nga teoricienët e gjendjes së natyrës, ku anarkia që kërcënon të zhvillohet nga ajo gjendje e supozuar natyrore kontrollohet dhe shtypet përmes imponimit të ligjeve dhe rritjes korresponduese të shtetit. Me njeriun e çliruar nga komunitetet themelore (duke mbetur vetëm lidhjet e lirshme) dhe natyrën e shfrytëzuar dhe të kontrolluar, sfera e konstruktuar e lirisë autonome zgjerohet (në dukje) pa limit.

Ironikisht, sa më i plotë të jetë garantimi i një sfere autonomie, aq më gjithëpërfshirës dhe më i fuqishëm duhet të bëhet shteti. Liria, e përkufizuar kësisoj, kërkon në radhë të parë çlirimin nga të gjitha format e asociacionit dhe marrëdhënieve themelore – nga familja, te kisha, te shkolla, fshati, lagja deri te komuniteti i gjerë – të cilat ushtronin kontroll të fortë mbi sjelljen kryesisht përmes normave dhe pritshmërive komune dhe joformale.

Këto forma kontrolli ishin në masë të madhe kulturore, jo politike – ligji në përgjithësi nuk ishte shumë i zgjeruar dhe ekzistonte kryesisht si një vazhdimësi e normave kulturore, pritshmërive joformale të sjelljes të cilat mësoheshin kryesisht përmes familjes, kishës dhe komunitetit. Me çlirimin e individëve nga këto asociacione dhe anëtarësimin e bazuar në zgjedhjen individuale, rritet nevoja për imponim të ligjit pozitiv për rregullimin e sjelljes. Në të njëjtën kohë, teksa autoriteti i normave shoqërore zhduket, ato konceptohen gjithnjë e më shumë si të tepërta, arbitrare dhe shtypëse, një thirrje motivuese për shtetin që të punojë në mënyrë aktive për t’i çrrënjosur nëpërmjet rregullimit dhe racionalizimit të ligjit. Kështu, liberalizmi kulminon në dy pika ontologjike…

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP