web analytics

Të veçanta

Ekspansioni dhe legjitimiteti

Nga Kevi Muçllari

Aktualisht sistemi ndërkombëtar është shndërruar në një arenë përplasjesh dhe po duket sikur kemi të bëjmë me një situatë thellësisht të ndryshme nga ajo që jemi mësuar të shohim tre-katër dekadat e fundit. Shumë shtete gjenden në udhëkryq, teksa i gjithë sistemi ndërkombëtar ka humbur qartësinë dhe ka hyrë në një fazë rikonfigurimi vendimtar. Megjithëse ndoshta nuk kemi të bëjmë me një rikonceptim rrënjësor të sistemit, gjithsesi po shohim një konfigurim të ri sa i përket raportit të forcave mes shteteve. Pretendimet e ngritura përligjen sa përmes ligjësive themelore të sistemit ndërkombëtar aktual, aq edhe përmes koncepteve totalisht të ndryshme, duke bërë që shtetet të humbasin orientimin dhe t’i përkufizojnë veprimet e tyre mbi baza arbitrare (gjithmonë si referencë ndaj sistemit). Pikërisht, kjo bën që forca të shfaqet si aspekti më kardinal i momentit të tashëm, meqenëse sistemi aktual nuk ofron mjaftueshëm privilegje dhe terren për aplikimin e aspiratave të cilat çertifikojnë identitetin e shumë shteteve. Megjithëse, shumë shpesh forca është faktori i vetëm që prodhon legjitimitet (pavarësisht llojit të sistemit), është e pamundur që forca të shërbejë si referencë përfundimtare për të shndërruar me themel perceptimin mbi veten dhe për ta përdorur vetëperceptimin si tharm shtratues të pretendimeve. Kësisoj, forca shndërrohet në një akt brutal pa kurrfarë shqetësimi për të prodhuar legjitimitet përtej pretendimeve vetjake.

Brenda kësaj panorame të gjitha shtetet synojnë rritjen e ndikimit, përderisa sistemi nuk garanton mjaftueshëm koncesione legjitime për gjithësecilin. Përsa kohë që sistemi nuk i amortizon dot pretendimet e shteteve përmes evokimit të vlerave themelore, natyrshëm nevojitet përdorimi i mekanizmave kryesorë për të zbutur qëndrimet e disa shteteve. Pjesë e këtyre mekanizmave janë sanksionet ekonomike dhe përballja konvencionale.

Nëse pretendimet e disa shteteve i bëjnë jehonë thellësisë së tyre historike, pashmangshëm prodhohet një narrativë e cila më së pari sfidon narrativën dominuese të sistemit aktual. Është pikërisht kjo logjikë e cila passjell përplasjen, duke qenë se vetëperceptimi i krijuar nuk është i prejardhur nga aspiratat që ka legjitimuar sistemi aktual. Megjithatë, ky vetëperceptim (të paktën me ç’ka po shohim aktualisht) ende nuk është i aftë të imponohet si një alternativë e përkundërt ndaj aktualit, çka bën që legjitimiteti i veprimeve t’i faturohet historisë, duke anashkaluar pakënaqësinë që këto veprime mund të shkaktojnë tek të tjerët. Përligja e pretendimeve përmes vokacionit historik, i legjitimon veprimet njëanshëm, por nuk e legjitimon aktorin i cili po i kryen ato. Kësisoj, edhe ato shtete që bashkëndajnë pothuajse të njëjtën histori me “agresorët”, nuk janë të gatshëm të bëjnë një prapakthim në histori, pikërisht për faktin se sistemi aktual ofron aspirata shumë më shpresëdhënëse sesa shteti i cili kërkon përmbushje vetëm të aspiratave të tij. Në këtë kontekst, pretendimet ekspansioniste (të cilat janë të natyrshme për çdo shtet) pashmangshëm përplasen me ekspansionin faktual të të tjerëve dhe kësodore imponojnë një kthim tek çështja e legjitimitetit.

Edhe nëse do ta pranonim forcën si legjitimuese të pretendimeve ekspansioniste, kjo do të vlente vetëm për të justifikuar tendencën e brendashkruar tek shtetet, ama vështirë se do të sfidonte hegjemoninë e shteteve të cilat i’a faturojnë superioritetin vlerave sistemike. Brenda kësaj logjike, riprodhimi i vlerave dominuese të sistemit me shumë gjasa do të përligjte pretendimin e një pale, por nga ana tjetër do ta ekspozonte ndaj një rreziku tjetër. Përderisa sistemi aktual ka një konfigurim të përcaktuar, pse duhet që një shtet i cili ka pranuar rregullat e tij, të pretendojë diçka e cila sfidon rregullat e sistemit. Pra, përderisa forca nuk ka një referencë përkundër themeleve sistemike, por përkundrazi mbështetet tek të njëjtat premisa, atëherë me të drejtë mund të kërkohet delegjitimimi i pretendimit (si referencë ndaj sistemit). E gjitha kjo bazuar mbi idenë e një oferte boshe që kërkon ekspansion për të fshehur pasiguritë e saj dhe për të rritur influencën në interes të vetes. Anipse ekspansioni i kryer paketohet me referenca vlerore, nuk është e mundur që këto referenca të garantojnë pëlqimin e të “pushtuarve”. Që kjo të ndodhë duhet që më së pari afrimiteti midis dy vendeve të jetë evident dhe evokimi historik të ushtrojë të njëjtën peshë tek të gjithë (On the Historical Unity of Russians and Ukrainians, Vladimir Putin, en.kremlin.eu). Në mungesë të këtyre faktorëve, ekspansioni shndërrohet në qëllim në vetvete dhe forca që e prodhon atë është e detyruar të ushtrohet vazhdimisht me pothuajse të njëjtin intensitet. Kësodore, ekspansioni i realizuar mund të çertifikohet vetëm përmes një marrëveshje politike mes dy palëve të fuqishme, të cilat interesat e të “pushtuarve” i shohin vetëm përmes logjikës së forcës. Pavarësisht se përpjekjet fillestare të shtetit të “pushtuar” dhe mbrojtësve të tij i’a detyrojnë legjitimitetin e tyre vlerave themelore të sistemit, në momentin që vlerat e supozuara nuk merren në konisderatë nga agresori qëndrimi i palëve konfigurohet në terma force. Kjo nuk do të thotë që vlerat sistemike po nëpërkëmben nga advokuesit e tyre (pavarësisht se edhe për këtë nuk jemi të sigurt), përkundrazi kemi të bëjmë me një situatë ku forca synon që të riprodhojë legjitimitetin e vlerave.

Siç e thamë edhe më sipër, forca mund të prodhojë pretendime legjitime, por legjitimitet të qëndrueshëm vështirë se prodhon. Andaj, pikërisht në këtë moment shfaqet edhe mosbesimi karshi të gjitha palëve, përderisa vlerat humbasin terren kundrejt forcës e cila është aty për të rikthyer fuqinë e nëpërkëmbur të vlerave. Teksa forca ndërfutet pa i llogaritur domosdoshmërisht vlerat sistemike, agresori gjithsesi anatemohet në terma moralë, por e gjitha kjo nuk mjafton për të delegjitimuar narrativën e tij ndaj të “pushtuarve”. Ngase kur kemi të bëjmë me ballafaqim forcash për të përligjur pretendimet, është forca ajo e cila do të përcaktojë narrativën dominuese, çka do të thotë se garancitë për aleanca vlerore e humbasin besueshmërinë absolute. Pra, legjitimiteti i faturohet forcës, por me rrezikun që të gërryhet nga themelet aksiologjike mbi të cilat është bazuar fillimisht. Në këtë kontekst, sistemi shndërrohet në një arenë përplasjesh mes fuqive, të cilat paketën vlerore nuk e kanë më bosht udhëheqës të pretendimeve të tyre, por më tepër një mjet për të kamufluar ushtrimin brutal të forcës. Kësisoj legjitimiteti i veprimeve kalon në plan të dytë, forca dominon gjithë sistemin dhe ndryshimet e ndodhura imponojnë njëfarë rikonfigurimi. Ky rikonfigurim nuk duket (të paktën momentalisht) të ketë shqetësim legjitimitetin aksiologjik, përsa kohë shfaqja e vetvetes (shteteve) sendërtohet më së pari në terma ekspansionistë.

Ekspansionizmi thamë që është tendencë e brendashkruar e shteteve, mirëpo është vetëperceptimi ai i cili ofron vetëbesim dhe e zbut ekspansionin (Yan Xuetong, Si mund ta mposhtë Kina Amerikën, Revista Politike). Kështu, ekspansioni bruto të ul në tryezën e të fortëve, por nuk të garanton legjitimitetin e të dobëtve. Bash kjo e bën kuptimplotë shprehjen e Samuel Huntingtonit i cili thotë se “Perëndimi e fitoi botën jo përmes superioritetit të ideve, vlerave apo fesë së tij… por më tepër përmes aplikimit superior të dhunës së organizuar. Perëndimorët e harrojnë shpesh këtë fakt, jo-perëndimorët nuk e harrojnë kurrë.” Pra, pavarësisht forcës kemi të bëjmë edhe me ide apo vlera, të cilat edhe pse në masë dërrmuese nuk u përthithën nga të tjerët, gjithsesi ofruan vetëbesimin që të jep vetëperceptimi. Mospranimi i vlerave ka prodhuar pikërisht mungesën e legjitimitetit, dhe nga ana tjetër ushtrimin e vazhdueshëm të forcës për të vazhduar dominimin. Ndërkaq, mungesa e një vetëperceptimi të qartë tek të tjerët (të paktën në nivel elitash politike), na sjell tek një rikonfigurim i sistemit aktual, por vetëm në terma force. Ndoshta forca e ushtruar brutalisht do ta bëjë të qartë se pa një ofertë të besueshme, ekspansioni është i mangët dhe dominimi rrezikon të shndërrohet në një mjet shtypjeje. Dominimi I tillë është i pabazë dhe rrjedhimisht pa burimin e nevojshëm për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve brenda dhe jashtë.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP