web analytics

Të veçanta

Që prej ditës kur shpërtheu lufta

Që prej ditës kur shpërtheu lufta

Nga: Kevi Muçllari

Pretendimet e pabaza

Që prej ditës kur shpërtheu lufta (ose gjenocidi) Izrael – Palestinë, ka përpjekje të vazhdueshme për të nxjerrë në pah (sidomos nga ana e myslimanëve) qëndrimin imoral të fuqive të mëdha perëndimore lidhur me çështjen Palestineze. Në një konflikt dukshëm të pabarabartë dhe me ushtrim të vazhdueshëm të terrorit, qëndrimi demaskues dhe neveritës ndaj atyre që mbështesin një projekt gjenocidal ndaj popullsisë civile duket krejtësisht normal. Deri më tani “lufta” që po zhvillojnë mbështetësit e jashtëm të Palestinës vërtitet rreth këtyre dy elementëve të sipërpërmendur, në pamundësi për të ndërmarrë angazhim konkret në mbrojtje të popullit Palestinez.

Sigurisht përmes kësaj tentative synohet që të rritet ndërgjegjësimi i opinionit publik botëror lidhur me aktet e terrorit që po ushtron Izraeli. Nga ana tjetër duket se edhe Izraeli po bën të njëjtën gjë, duke financuar vazhdimisht fushata mediatike përmes të cilave synon që të përligjë aksionet e veta ushtarake në sytë e publikut botëror. Ndërkohë që zhvillohet kjo fushatë e dyanshme mediatike, duhet thënë se perceptimet e krijuara përmes tyre janë të paqëndrueshme dhe rrezikojnë që të prodhojnë një gjullurdi perceptimesh, si pasojë e të cilave çdo pretendim është i përligjur në frekuenca të ndryshme kohore. Meqënëse kjo tipologji fushate bëhet për të legjitimuar përpjekjet e secilës palë, është e papranueshme që një pretendim të përdoret për të delegjitimuar pretendimin e palës tjetër (për të mos krijuar konfuzion duhet thënë se Izraeli është përpjekur që logjikën e vetëmbrojtjes ta imponojë si të vetmen mundësi moralisht të pranueshme gjatë luftës).

Natyrshëm secila prej palëve ka pretendimet e veta, çka e vështirëson shumë mbërritjen e një momenti objektiv për të gjykuar mbi realitetin mbizotërues të situatës. Po ashtu edhe dinamikat e pranishme gjeopolitike i japin shtysë një trendi që mundohet ta paraqesë situatën si të stisur nga faktorë të jashtëm, pa një thelb konkret që ka çuar në këtë krizë të rrezikshme (kujtojmë këtu se Hamasi portretizohet si një grup i yshtur nga jashtë, i cili ka për qëllim marrjen e pushtetit, çka nuk e dijmë me siguri nëse është e vërtetë). Përderisa pretendimet duhet të ishin të barazvlefshme që të paktën të merreshin në konsideratë, duket se fushata e Izraelit njëanshmërisht e mënjanon konsiderimin e tyre.

Nëse do të kemi parasysh sulmin e 7 tetorit të kryer nga Hamasi, do të ishte e palogjikshme të mendonim se ky sulm u prodhua si pasojë e një shkarje skizofrenike nga ana e këtij grupi. Gjithkush e di me siguri se në çfarë gjendje jetojnë shumica e popullit palestinez, çka minimalisht krijon kushtet për prodhimin e reaksionit kundrejt atyre që i konsiderojnë si armiq. Ndërkaq kjo gjendje është një realitet (sipas nesh objektiv), i cili stimulon ngritjen e pretendimeve akuzuese nga ana e palestinezëve, por edhe Hamasit. Kështu sulmi i 7 tetorit vërtet ishte i tmerrshëm, por nuk mund të konsiderohet si një akt monstruoz i ndërmarrë nga “njerëz kafshë” që vrasin për hatër të instiktit kafshëror. Ose nëse do ta konsideronim të tillë më së pari duhet të gjykojmë si kafshëror trajtimin që izraelitët i kanë rezervuar popullit të palestinës. Ndoshta do të ishte i tepërt mendimi se izraeli e synon vetëdijshëm këtë trajtim, ama fakti që aspiratat e palestinezëve i trajton si barbare përsa që nuk përputhen me pritshmëritë e tij, mjafton për të prodhuar tragjedi ndaj një populli që nuk pranon një kompromis përdhosës ndaj parimeve. Kështu pretendimet izraelite duke qënë në thelb kolonialiste, kërkojnë medoemos zhveshjen e kauzës palestineze nga e drejta e saj për t’u konfiguruar sipas botëkuptimit të vet. Nëse do të kemi parasysh dinamikën dhe realitetin historik në përgjithësi, pothuajse është rregull vendosja e emërtimeve negative mbi ato grupe që përskaj realitetit faktik mbajnë një qëndrim ekstremisht shpërfillës ndaj tij.

Mirëpo një problem themelor shfaqet atëherë kur një realitet i pretenduar (përsa mund të jetë edhe gjeopolitik) synon që t’a çojë detyrimisht në ekstrem logjikën e vet, me qëllim që radikalizmi i një grupi të paraqitet si esktremizëm i një populli. Sa kohë që Hamasi përfaqëson shumicën e aspiratave të popullit palestinez, realiteti dukshëm është i imponuar dhe në të tilla raste këmbëngulja për të anatemuar një grup bëhet me qëllim mohimin e realitetit. Kështu paradoksalisht kemi shpërfillje të realitetit nga ana e më të fuqishmëve, të cilët për të mbuluar këtë mohim dhe për të afirmuar ekskluzivisht vetveten, janë të detyruar që të delegjitimojnë botëkuptimin e pranishëm në popull (ose grup). Logjikë krejtësisht arbitrare, që gjen përligjje nga pretendimi absolutist i izraelitëve për të mos pranuar kurrsesi përfaqësimin praktik të botëkuptimit që gjeneron rezistencë mbresëlënëse.

Kësisoj zgjidhja që j’u ofrohet palestinezëve inkuadrohet brenda zgjedhjes së imponuar, përderisa një realitet i pranishëm në atë areal tokësor konsiderohet si mish i huaj, pa kurrfarë lidhje me mjedisin e atjeshëm. Neveria e izraelitëve ndaj faktorëve prezentë mund të jetë normale, por po aq normale është për palestinezët mbështetja tek një grup, i cili në masë dërrmuese e përfaqëson popullin. Mohimi i të drejtave elementare dhe përjetimi i një gjendje ekstreme të jetesës, padëshirueshmërisht shkaktojnë neveri dhe mosfunksionim normal të një shoqërie. Në momentin që kësaj shoqërie i duhet të përballet vazhdimisht me këtë gjendje, nuk mund të jenë të befasishme edhe alternativat e prodhuara në kushte ekstreme.

Si rregull të tilla alternativa janë reaksionare të pandreqshme, por kjo nuk do të thotë se janë produkt i një ekstremizmi të brendashkruar të disa grupeve. Përkundrazi, edhe pse më të fuqishmit i vendosin në një pozicion kompleksimi, alternativa e paraqitur vjen si pasojë e logjikës ekstreme që përfaqëson pala tjetër. Ndaj dhe izraeli përmes akteve ekstreme (jo vetëm gjatë luftës) nuk ka synuar pamundësimin e alternativës, por paaftësimin e një alternative që do të mund të ngrinte peshë aspiratat e popullit. Ngase kështu logjika e ekstremizmit do të binte kryekëput mbi një grup të vogël njerëzish dhe jo mbi gjithë njerëzit që përbëjnë një popull. Sa kohë që një popull i tërë (nënkupto shumica) e ndjen veten i cënuar nga politika izraelite dhe është i gatshëm të ndërmarë sakrificat e nevojshme për t’I bërë ballë mësymjes, nuk mund të dihet me siguri se ku fillon dhe ku mbaron Hamasi. Në këto kushte mohimi i realitetit është shtylla ku mbështetet narrativa Izraelite, në pamundësi për të bërë një ndarje të qartë midis popullit dhe Hamasit (shih Omar Suleiman, Erasing Palestine).

Ndërkaq kjo logjikë përforcohet edhe nga damkosja e terrorizmit, përmes të cilit çdo nuancë kontekstuale është e destinuar të zhduket. Nëse luftimi i terrorizmit është prioritet strategjik ndërkombëtar, rëndësia e palestinës duhet kuptuar vetëm si e lidhur me rendin ndërkombëtar, prandaj edhe terroristët duhen ravijëzuar brenda një ideje të përgjithshme (ndoshta edhe abstrakte). Prej këtëj duket se vjen edhe mbështetja e paprecedent e aktorëve të fuqishëm, pasi edhe ata janë të vetëdijshëm se çfarë dilemash konkrete i rrijnë përfund izraelit (më kryesorja ndër të cilat është detyrimi i një jetese të tmerrshme për palestinezët). Për më tepër që ndryshe nga rastet e tjera të terrorizmit, Hamasi nuk ka ndërmarrë pothuajse asnjëherë akte përtej kufijve gjeografikë të “Palestinës” ose Izraelit. Çka sipas nesh krijon njëfarë ngërçi të paprecedent edhe për vetë fuqitë e mëdha (perëndimore), duke qenë se moskryerja e akteve jashtë këtij territori e kufizon së tepërmi në kontekstin e vet.

E gjitha kjo përveçse i sforcon fuqitë e mëdha teksa vendosin emërtimet (e përforcuar kjo edhe nga refuzimi i disa shteteve të fuqishme për ta quajtur Hamasin organizatë terroriste), i bën edhe fajtore meqënëse mohojnë haptazi një realitet faktik dhe pohojnë një gjendje për të cilën precedentët e tyre të mëparshëm nuk e kallëpizojnë plotësisht. Pikërisht këtu shfaqet edhe imoraliteti i fuqive të mëdha, ngase kanë marrë një qëndrim të njëanshëm duke mohuar krejtësisht realitetin faktik dhe duke favorizuar pretendimet ekskluzive izraelite. Një barrë e vështirë për t’u mbajtur, duke pasur parasysh se çështja palestineze tashmë prej kohësh nuk po gjen zgjidhje dhe rëndësia e saj për një botë të tërë (bota islame) është pothuajse vendimtare. Ndaj dhe fuqitë e mëdha duhet ta kuptojnë se mënyra se si është sendërzuar kjo çështje, ndoshta për të parën herë (gjatë këtyre dekadave të fundit) e bën të pamundur imponimin e një zgjidhje që mohon realitetin dhe shpërfill botëkuptimin e një populli.

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP