web analytics

Të veçanta

Analizë e zhvillimeve në fushën e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë për vitin 2018 – 5 muajt e parë

    Fillimi i vitit 2018 ka nisur me një dinamizëm të fuqishëm dhe domethënës që ka prekur institucionet e Drejtësisë në përmasa të parealizuara më parë. Proçesi i Vetingut dukshëm ka dhënë rezultatet e para, edhe pse ritmi i ecurisë së tij nuk është shfaqur në nivelin e pritshmërive për shkak të një situate komplekse që prodhon përfshirja e nëpunësve të organeve të Drejtësisë në proçese të rivlerësimit të pastërstisë së figurës, pasurisë, më tej edhe të aftësive profesionale.

     Ish-kryeprokurorori i përgjithshëm Adriatik Llalla, mandati i të cilit mbaroi në datën 7 dhjetor 2017, sot është nën hetim për një sërë akuzash që lidhen me shpërdorim detyre, mosdeklarim të pasurisë, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe pastrim parash. Atij i është ndaluar hyrja në SHBA dhe aktualisht nuk dihet vendndodhja e tij. Edhe pse ka dhënë dorëheqjen si prokuror për të përfituar nga ligji që i liron të dorëhequrit nga proçesi i Vetingut, Llalla nuk mundi t’i shpëtonte interpretimit të ligjit të rivlerësimit nga Gjykata Kushtetuese e cila vendosi ndjekjen e udhëzimit për kontroll penal të të dorëhequrve dhe të papërshtatshmëve.

     Ajo çka po ndodh me Llallën aktualisht krijon situata të bujshme shpresëdhënëse me bindjen se padrejtësitë në këtë shtet kanë nisur të daraviten dhe organet e drejrësisë duket se po tregohen efiçente. Por këto qëndrime optimiste shndërrohen në efekt boomerang me vendimet e fundit të Gjykatave. Arrestimi i ish-deputetit Mark Froku dhe dënimi që po vuante në burgun e Fierit si edhe masa e arrestit në shtëpi ndaj ish ministrit të Brendshëm Tahiri ishin zhvillime pozitive të cilat shumëkënd prej nesh e bindin se edhe ndaj njerëzve me pushtet dhe pasuri zbatohet ligji njëjtë sikurse për njerëzit e thjeshtë. Kështu do mendonte secili prej nesh dhe do qetësohej deri diku për të ardhmen e vendit dhe të vetes, derisa mediat përcollën lajmin e lirimit të Mark Frrokut nga Gjykata e Fierit, 1 vit e gjysëm para afatit të mbarimit të dënimit të cilin e morri për vepra të cilat ishin shumë të ndryshme nga akuzat për të cilat u arrestua dhe u identifikua nga institucionet belge të Drejtësisë. Ndërsa ngjarja tjetër e cila e zbeh besimin tek Drejtësia dhe institucionet e saj për shqiptarët është pikërisht heqja e arrestit shtëpiak për Saimir Tahirin në datën 28 maj, me pretekstin e mosdepozitimit të provave të reja për hetim nga prokuroria. Adriatik Llalla ndoshta nuk do këtë të njëjtin fat me Tahirin dhe Frokun, për shkak edhe të mungesës së lidhjeve apo interesave politike. Kjo arsye mund të sjellë një gjykim të paanshëm dhe konform ligjit për ish kryeprokurorin, por këtu lind një pyetje: kjo gjë do ndodhë për shkak të pastërtisë së organeve të Drejtësisë në Shqipëri, apo do llogaritet si rast që e pëson për shkak të përplasjes së interesave politikë? Veprimet e ndërmarra ndaj ish deputetit Mark Froku dhe ndaj ish ministrit Tahiri, veçanërisht vendimet finale që do merren ndaj tyre, duhet të reflektojnë vigjilencë për secilin nga ne dhe duhet të bëjnë që pyetja e mësipërme të ngacmojë hera herës ndërgjegjjen tonë.

     Një tjetër fenomen interesant në rrjedhën e ngjarjeve që kanë përfshirë këtë vit institucionet e së drejtës ka qenë edhe veprimtaria e Kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme të Shqipërisë, Arta Marku, e cila u zgjodh nga Parlamenti më datë 18 dhjetor të vitit të kaluar. E konsideruar si prokurore e thjeshtë, e pangjyruar politikisht, modeste dhe korrekte gjatë karrierës së saj, me emërimin në krye të organit më të lartë të akuzës, u trumbetua për ndryshime të efektshme në funksionin e prokurorive, pa cënuar strukturat e mëhershme të institucionit që drejton dhe të institucioneve që varen prej tij, pasi këto institucione priteshin të ristrukturoheshin pas kryerjes së proçesit të Vetingut. Por ardhja e Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme pasoi menjëherë me uljen nga detyra të Rovena Gashit nga pozicioni i drejtorisë së marrëdhënieve me jashtë. Jo më larg se data 14 maj, do sillte edhe pezullimin nga statusi i gjyqtares për Rovena Gashin dhe bashkëshortin e saj. Një valë shkarkimesh erdhi në një sërë prokurorish nga Arta Marku. Kryeprokurorja deri tani ka zëvëndësuar kryeprokurorët e Tiranës, Fierit, Kukësit, Elbasanit edhe Durrësit, të cilët konsiderohen si njerëzit e ish kryeprokurorit Llalla. Të tilla shkarkime dhe emërime kanë karakter politik dhe nuk janë aspak të përshtashme për natyrën e institucioneve juridike, madje edhe për politikën shqiptare ky fenomen cilësohet nga shoqëria edhe nga institucionet ndërkombëtare si problem madhor që prek çdo ind të shoqërisë dhe që duhet luftuar pasi depërton si sëmundje kancerogjene. Një tjetër çështje mbi të cilën janë ngritur dilemma në lidhje me Arta Markun është kohëzgjatja e saj në postin në të cilin u emërua para 5 muajsh, ndërkohë që kohëzgjatja që ishte shpallur në njoftimin e shpalljes së konkursit ishte vetëm 1 muaj, kjo thyerje e afatit i ka mundësuar Kryeprokurores të marrë vendime të cilat nuk ia lejon statusi i përkohshmërisë.

Rezultatet konkrete të proçesit të Vetingut

     Muaji shkurt është përmendur shpesh herë nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj si faza në të cilën do dalin në pah rezultatet e para të Vetingu-t. Në këtë linjë ka ardhur deklarata e kryeministrit Rama gjatë takimit me presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, ku u shpreh se 17 prokurorë dhe gjykatës të lartë deri në atë moment ishin tërhequr nga statusi i tyre për të mos u përfshirë në proçesin e rivlerësimit të pasurisë, aftësive dhe profesionalizmit, në sajë të procedurës që parasheh ligji për funksionarët që duan t’i shmangen Vetingu-t. Kjo deklaratë vlejti si një argument shumë i prekshëm nga kryeministri, referuar përfaqësuesit më të lartë të çështjes së zgjerimit të BE-së, çka shërben edhe si një miratim i vazhdimësisë së mbështetjes nga ana e BE për Shqipërinë. Ndërsa, sa i përket rezultateve konkrete që kanë ardhur si pasojë e implementimit të kësaj platforme rivlerësimi në nivelin e funksionarëve të institucioneve të Drejtësisë, shkarkimi i parë është ai i gjyqtarit Fatos Lulo në datën 22 mars, ish gjyqatar i Gjykatës Kushtetuese i cili u pezullua nga detyra sepse nuk e justifikoi dot pasurinë e tij para 3 gjykatësve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ky vendim i institucionit më të rëndësishëm në kuadër të Vetingut është rezultati i parë konkret, edhe pse shumë gjykatës edhe prokurorë më herët kanë dhënë dorëheqjen për t’i shpëtuar Vetingut, madje ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj, ka dhënë dorëheqjen pasi për të ka nisur proçesi i rivlerësimit mirëpo për mendimin tim, fitorja konkrete në fushën e Drejtësisë nuk mund të arrihet nëse të korruptuarit thjeshtë largohen nga detyra dhe nuk japin llogari më për verpimet antiligjore dhe antikushtetuese që kanë kryer, por shpresë ka atëherë kur Drejtësia ndëshkon konkretisht të korruptuarit dhe i fltron shumë imtësisht edhe ata të cilët janë të vendosur të operojnë në institucionet e ligjit në Shqipëri. Prandaj shkarkimet apo kualifikimi i nëpunësve prej dhe tek institucionet më të rëndësishme të Drejtësisë në vend, janë më përgëzuese se sa dorëheqjet, fenomen me të cilin u justifikua edhe kryeministri para presidentit të KE, Juncker.

     Funksionarët e tjerë të cilët janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit janë edhe: Besim Trezhnjeva, gjykatës i Gjykatës së Apelit në Durrës, Besa Nikëhasani, prokurore në Prokurorinë e Apelit Shkodër, kjo e fundit është e vetmja deri tani nga prokurorët dhe gjykatësit që ka kontestuar vendimin e KPK-së dhe ka vënë në dyshim aspektin e Drejtësisë në institucionet e Vetingut. Shkak u bë shkarkimi i saj edhe pse sipas ish-prokurores, asnjë provë e deklarimit të pasurisë nuk përmbush kriteret e ndëshkimit.

     Nga ana tjetër, janë një sërë gjyqaterësh dhe prokurorësh të cilët e kanë kaluar me sukses proçesin e rivlerësimit. Ndër ta theksojmë: Vitore Tusha, anëtarë e Gjykatës Kushtetuese, Fatjona Memçaj, prokurore e Apelit në Tiranë. Manjola Xhaxho, anëtare e Gjykatës së Tiranës.

     Krijimi i ininstitucioneve të Veting-ut, edhe pse ka sjellë disa pasoja negative duke shkaktuar kaos dhe anarshi në proçeset hetuese dhe sidomos atyre gjyqësore në të gjithë vendin, duke ngrirë Gjykatën Kushtetuese dhe Shkollën e Magjistaraturës, përtej këtyre ngërçeve të kapërcyeshme, duhet vlerësuar pozitivisht sepse ka thyer mitin e pacënueshmërisë totale të gjykatësit apo prokurorit, të cilët deri në momentin e sanksioneve ndaj tyre janë konsideruar si të paprekshëm dhe të pashmangshëm në aspektin e aktit korruptiv. Kjo është arritje vërtetë e madhe e cila do konstatohet realisht pas disa vitesh. Sfidë vërtetë e madhe është ristrukturimi i institucioneve të Drejtësisë në domenin e nëpunësve. Shkarkimi dhe penalizimi i kuadrove në këtë stad është më i lehtë, edhe pse i vonuar, por plotësimi i vendeve vakante do jetë më i vështirë sepse ato do plotësohen nga specialistë pa përvojë pasi ta kenë kaluar Veting-un, çka koston në kohë edhe në funkion.

     Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në rolin e vëzhguesit të ecurisë së Veting-ut, në fillim të vitit ka paditur 4 organet ndihmëse të proçesit të Veting-ut, Drejtorinë e sigurimit të informacionit të klasifikuar, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Prokurorinë e Përgjithshme, me akuzën e mos dhënies së përgjigjjeve statistikore mbi parashikimet e rrjedhës së Vetingut, kjo akuzë u morr për bazë dhe në datën 6 shkurt Komisioneri për të Drejtën e Informimit detyroi institucionet e mësipërme ta informojnë KSHH-në në lidhje me atë se sa prej njerëzve të Drejtësisë konsiderohen të papërshtatshëm për shkak të lidhjeve të dyshimta me krimin e organizuar dhe sa prej tyre nuk e justifikojnë pasurinë. Një tjetër vërejtje e Komitetit Shqiptar të Helsinkit është deklaruar në fillim të muajit maj në lidhje me ritmin e ngadaltë me të cilin po ecën proçesi i Veting-ut. Kjo për arsye se sipas tij, ka më shumë se sa një trup gjykuese në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë aktualisht aktivizohet vetëm një e tillë gjatë një jave.

     Një tjetër problem i pranishëm ka qenë edhe zgjedhja e anëtarëve jogjyqtarë dhe joprokurorë për Këshillin e Lartë të Gjykatës dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Konsensus nuk u arrit assesi. Dita kur u zgjodhën hera e tretë që votohej, ku sërish nuk u arrit një zgjedhje me konsensus që do të kërkonte dhe dy të tretat e parlamentit, por lista e përzgjedhur me short u quajt e miratuar pasi kaloi me shumicë të thjeshtë, një mekanizëm zhbllokues i përcaktuar nga Reforma në Drejtësi. Të pesë anëtarët në secilin nga Këshillat, janë përzgjedhur 2 nga radhët e avokatëve, dy nga pedagogët e fakulteteve të Drejtësisë dhe shkolla e magjistraturës dhe 1 nga shoqëria civile. Opozita e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj që në hapje të procesit të përzgedhjes, duke folur për kandidatë që nuk plotësonin kriteret, që ishin rrëzuar nga ekspertët e huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit apo që dhe kishin problem me të kaluarën e tyre.

     Reforma në Drejtësi është një rrugë e gjatë e cila kërkon disa dekada të ezaurohet. Vetëm hapi i parë i saj që është Vetingu, sipas njërit prej hartuesve të tij, Artan Hoxha. Konstitucionalisti apelon se “Vettingu nuk po ecën në drejtimin e duhur dhe i apelon politikës që të ulet sa më shpejt për të rishikuar zbatimin e saj”.

Romeo Ismahilaj

Komente

Bëhu i pari që komenton këtë artikull

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shko te TOP