Protagonizmi virtual
Në ndërthurjen virtuale të rrjeteve sociale e miksimin e tyre me gjendjen aktuale reale, duket sikur sensi i protagonizmit është mënyra e vetme për të mbijetuar. Në këtë vorbull të kësaj “bote të re”, nëse nuk i del kundër pothuajse të gjithëve, nuk mund të marrësh kredite e të njihesh nga të tjerët. E në një kohë kur gjithkush merr frymë me pëlqimin që kanë të tjerët për të, është e patolerueshme t’i shkëputesh vemendjes së mbarëshoqërisë të sapokrijuar.
Këtu lind edhe afirmimi i vlerave idjoteske të atyre ,që duan medoemos të shfaqen para kësaj mase të lindur së fundmi, në mënyrë që ta vendosin veten e tyre në qendër të vëmendjes. Njerëzit tashmë mendojnë se dinë gjithçka, besojnë së kanë opinionin më të mirë nga të gjithë dhe se ajo që ata thonë është e vërteta më absolute që ekziston.
E gjitha kjo justifikohet në kuadër të sloganit: “Liria e fjalës”. Slogan rreth të cilit, shumëkush ka komentin e tij sesi ka lindur si koncept, e sipas të cilit, çdo individ ka të drejtë të flasi rreth gjithçkaje, të bëhet ekspert shumëdimensional e të krijojë teoritë e tij rreth universit mistik.
Por këtu fillon edhe cënimi më i madh i lirisë së shprehjes. Të kesh lirinë që të flasësh atë që mendon, nuk do të thotë të shpikësh argumente nga asgjëja, të mbrosh teori boshe apo të shpifësh ndaj të tjerëve. Asesi nuk mundet që kjo liri shprehjeje të të japi të drejtën për të cënuar, dhunuar e ofenduar një individ tjetër. Shpifja ndryshon nga fjala e lirë. Në momentin që bëhesh skllav i fjalës, duke aluduar vend e pavend, duke hedhur shashka në botën virtuale për të rritur protagonizmin tënd, për të përdorur manipulime të shumta në mënyrë që figura jote të dalë më ëngjëllorja virtualisht, pikërisht këtu, është humbur edhe liria e fjalës. Tashmë individi i është nënshtruar fjalës së tij, nuk e kontrollon dot më atë, mbahet i lidhur pas saj me litar, që më pas është i detyruar të shkojë pas fjalës së tij së thënë, sigurisht asaj që është e pavërtetë.
E kur fjala e keqpërdorur shkruhet, e pavërteta e saj merr dhenë, e doemos ka kundërshtime, nga ata të cilët mendojnë me “akull të mendjes”- siç thotë Guenon në librat e tij. Nëse deri tanimë kishim justifikim me lirinë e fjalës, pas kundërshtive ndodh procesi i shfaqjes së protagonizmit. Individi nuk hedh dot poshtë fjalët e tij, sepse kjo të sillte uljen e autoritetit të tij në arenën virtuale. E kështu të pavërtetës i vishen të pavërteta të tjera, në përpjekje për të justifikuar të parën. E kështu krijohet një zinxhir të pavërtetash, fundi i të cilave nuk dihet se ku do jetë.
Sikur të mbetej me kaq, më e shumta që mund të ndodhte do të ishte pikërisht cënimi i fjalës së lirë, duke folur pa menduar e pa llogjikuar.
Por çorba fillon të trazohet nga protagonistë të tjerë të etur për të thënë fjalën e tyre prej gjeniu virtual, duke mos i shpëtuar asnjë sekondë për ta shfaqur veten e tyre prej dijetarësh kolosë, të cilët janë lindur gabimisht në kohën në të cilën ne jetojmë, sepse nuk ka botë, popullsi, grupacion apo mbështetës teorie, që i kuptojnë mendimet e tyre të ndritura. Mendime që në të vërtetë vetëm krijojnë konflikt njërëzor dhe nuk kanë asnjë bazë të shëndoshë për të përcjellë vlera tek të tjerët.
Në këtë pikë nuk ka më përplasje mes protagonistit fals dhe atyre që vërtet kanë kthjellësinë e duhur për të reaguar në situata të ndryshme. Tashmë kemi një luftë protagonistësh sipërfaqësor, të cilët herë bien dakord mesveti e herë kundërshtojnë ashpër e pa ju dridhur qerpiku njëri-tjetrin. E këtu gatuhet e gjithë idjotësia e këtyre mendimtarëve virtualë, të cilët fatkeqësisht, nga padija e tyre, i ndjekin masat- pjesë e këtij realiteti virtual-, të cilëve këta protagonistë iu duken me të vërtetë si mendjendritur. E ky snobizëm i tejskajshëm, po dëmton çdo qelizë truri, të shumicës së përdoruesve të këtij networku virtual. Nuk dihet sa do zgjasë, por që momentalisht është nga fatkeqësitë më të mëdha që po i ndodh mendjes njerëzore.
Komente